Aktualitet

Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare

Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare në orën 16.00.

Në fokus të Asamblesë Kombëtare është analiza e zgjedhjeve të 30 qershorit si dhe zgjedhjet e përgjithshme në Partinë Socialiste.

Në rendin e ditës, pas fjalës së kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama është analizë mbi rezultatet e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit 2019.

Gjithashtu do të shqyrtohen miratimi i Projekt -Vendimit “Për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në parti” si dhe i Projekt-Udhëzimit “Për Zgjedhjet e reja të përgjithshme në parti”.

Asambleja Kombëtare do të shqyrtojë dhe miratojë Projekt-Udhëzimin “Për kriteret përzgjedhëse për delegatët e kongresit, kryetarët e partisë të bashkive, kryetarët e KS të Nj.A dhe kryetarët e OS”./atsh

Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare Read More »

Haradinaj niset sot drejt Hagës

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot do të niset për në Hagë ku do të intervistohet si i dyshuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Edhe pse nuk ka një aktakuzë të ngritur ndaj tij, Haradinaj zgjodhi të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, pasi sipas tij, dëshironte të paraqitej në Hagë si qytetar dhe jo si kryetar i qeverisë së vendit.

Përveç Haradinajt, për arsye të njëjta, drejt Hagës do të udhëtojnë edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së Bislim Zyrapi dhe disa eprorë tjerë të UÇK-së./atsh

Haradinaj niset sot drejt Hagës Read More »

AZHBR trajnon fermerët që të përfitojnë grantet e Pyjeve

Përmirësimi i ekosistemeve malore po shihet me prioritet nga Agjencia për Zhvillim Rural Bujqësor veçanërisht në zonën e Malësisë së Madhe.

Punonjësit e Agjencisë për Zhvillim Rural Bujqësor kanë zhvilluar një trajnim në Malësi të Madhe me grupet e interesit të Shoqatave të Pyjeve, për mënyrën e blerjes, shmangien e gabimeve në faturimin e shpenzimeve të lejuara, si dhe zgjerimin e njohurive për dokumentacionin e nevojshëm në blerje.

Sipas AZHBR-së, grantet e Pyjeve kanë objektiv kryesor rivendosjen, ruajtjen dhe përmirësimin e ekosistemeve malore, përmirësimi e bujqësisë, pylltarisë, mbështetje në zgjerimin dhe përmirësimin e burimeve pyjore, si dhe parandalimin e zjarreve në pyje.

Grantet për mbrojtjen e pyjeve, pasojnë serinë e financimeve që qeveria në bashkëpunim me donatorët po adresojnë në mbështetje të fermerëve dhe grupeve të interesit për zhvillimin e bujqësisë dhe mjedisit në vendin tonë./atsh

AZHBR trajnon fermerët që të përfitojnë grantet e Pyjeve Read More »

Ambasada e SHBA-së: Zyrtarët e korruptuar para drejtësisë

Ambasada e SHBA-së në Tiranë kujton sot 3 vjetorin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke deklaruar se çdo kush do jetë i barabartë para ligjit dhe se zyrtarët e korruptuar do përballen me drejtësinë.

Ambasada e SHBA-së ka publikuar edhe një video lidhur me reformën në drejtësi se si po zbatohet dhe si do të ndikojë në jetën e qytetarëve shqiptarë. “Sot, në 3 vjetorin e miratimit të reformës në drejtësi, shihni këtë video të thjeshtë për të mësuar se si reforma në drejtësi do të sigurojë që çdokush të jetë i barabartë përpara ligjit. Çfarë është reforma në drejtësi. Ndal Korrupsionit”, shprehet ambasada në videon informuese të publikuar në rrjetet sociale.

Gjithashtu, ambasada amerikanë në Tiranë pasqyron ecurinë e reformës në drejtësi që në fillesë në vitin 2016 ku u miratua me votat e 140 deputetëve.

“Në korrik 2016, parlamenti i Shqipërisë votoi unanimisht për të ndryshuar 1/3 e kushtetutës me qëllim që të transformohej sistemi i drejtësisë, në mënyrë që ai të trajtojë si duhet korrupsionin, krimin e organizuar si dhe heshtjet e përditshme në gjykata. Kushtetuta e re siguron që Shqipëria të ketë gjyqtarë të pastër, mbikëqyrje për të siguruar që kushdo vepron sipas rregullave. Si? Me sistemin e ri 800 gjyqtarët dhe prokurorët duhet të rivlerësohen. Gjatë rivlerësimit shqyrtohet se gjyqtarët dhe prokurorët kanë burime të pa shpjegueshme pasurie, nëse kanë lidhje me krimin e organizuar dhe nëse janë të aftë. Nëse dështojnë qoftë edhe një nga këto, ato përjashtohen. Rivlerësimi siguron që gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të mos futen në sistemin e ri për t’ju siguruar që ju dhe kushdo tjetër të mund të keni një proces gjyqësor të drejtë, siguron që po ashtu të këqinjtë të shkojnë në burg. E dimë që ky proces po kryhet në mënyrë të drejtë sepse vëzhgues europianë dhe amerikanë si pjesë e organizimit i njohur si ONM, vëzhgojnë procesin e rivlerësimit dhe sigurohen që ai të jetë i drejtë dhe të kryhet në mënyrë korrekte”, sqaron ambasada.

Më tej, ambasada e SHBA shprehet se “me sistemin e ri krijohen dy organe të reja, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLP dhe Këshilli i Lartë i Gjyqësori, KLGJ. Detyra e KLGJ është që gjyqtarët e rivlerësuar vendosen në detyrat e posaçme dhe më pas ata zbatojnë rregullat. KLP bënë të njëjtën gjë vetëm se me prokurorët”, shprehet ajo.

“Të dy organet përbëhen nga gjyqtarë dhe prokurorë profesionist të cilët kanë kaluar vetingu. Kanë po ashtu edhe anëtarë jo gjyqtarë dhe jo prokuror, si unë dhe ti për të mbikëqyrur procesin për tu siguruar që gjyqtarët dhe prokurorët bëjnë punën e tyre. Këta anëtarë jo gjyqtarë dhe jo prokuror kanë kaluar vlerësimin e tyre kryer nga Avokati i Popullit me ndihmën e ONM. Të dy këshillat u ngritën në dhjetor 2018 dhe tani janë në punë. Aktualisht, KLP po punon një grup të ri që do të hetojë dhe ndjek penalisht zyrtarë të korruptuar dhe anëtarë të krimit të organizuar, këtë grup e njohim si Njësia e Posaçme Antikorrupsion, ose SPAK. Ky organ do t’i çojë çështjet në gjykatën antikorrupsion e cila do të ketë përgjegjësinë për të gjykuar dhe pastaj dënuar zyrtarët e korruptuar. Në të kaluar kushdo kishte para apo pushtet mund të ndikonte në sistemin e gjykatave në favor të tij. Në sistemin e ri secili duhet të veprojë sipas rregullave secili duhet të jetë i barabartë para ligjit”, thekson ambasada e SHBA-së./atsh

Ambasada e SHBA-së: Zyrtarët e korruptuar para drejtësisë Read More »

Mjafton të dëgjosh armiqtë e Reformës në Drejtësi, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë Europiane

“Mjafton të shohësh e të dëgjosh armiqtë e Reformës në Drejtësi, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë Europiane”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri u shpreh krenar për PS-në dhe mirënjohës për miqtë e partnerët në këtë betejë për të ardhmen.

“3 vjet nga votimi i ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, mjafton të shohësh e të dëgjosh armiqtë e saj, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë Europiane. Krenar për PS-së dhe mirënjohës për miqtë e partnerët në këtë betejë për të ardhmen”, tha Rama./atsh

Mjafton të dëgjosh armiqtë e Reformës në Drejtësi, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë Europiane Read More »

”The Guardian”: Shqipëria e çuditshme, antike dhe e mrekullueshme

I çuditshëm, antik dhe i mrekullueshëm. Ka shumë për të zbuluar ndërmjet kryqëzimeve kulturore të një vendi që ju siguron një aventurë të vërtetë, shkruan Fiona Dunlop për gazetën e njohur britanike ”The Guardian”.

”Ishte një ujk? Ndërsa makina jonë u hepua në një tjetër kthesë të ngushtë në një fshat shqiptar, një krijesë e çuditshme me qime po na shihte nga buza e rrugës. Pa dyshim që ishte ujk, pasi sapo kishim lënë pas një rezervat natyror, ku një panel për faunën lokale bënte fjalë për një canis lupus identik.

Kjo nuk ishte përvoja e vetme e papritur në vendin e Zogut (mbreti i vetëm i Shqipërisë, në vitet 1920-30), vend që nën diktatorin represiv Enver Hoxha, u mbyll hermetikisht deri në vitet ‘90 nga pjesa tjetër e Europës.

Ne kishim vendosur të nisnim udhëtimin tonë në Korfuz, për të shmangur kaosin dhe shpenzimet në kryeqytetin, Tiranë. Nga gjithë ngushtica, silueta malore e Shqipërisë u shfaq dhe iku çuditshëm si një aureolë, kështu që kur anija jonë më në fund gulçiti në portin e Sarandës, ishte një tronditje të gjeje një xhungël me ndërtesa të ngritura kuturu që përqafonin bregun.

Kjo nisje për në Rivierën Shqiptare nuk ishte për ne, sidoqoftë, si partneri im dhe unë kishim përshkruar udhëtimin tonë rrugor thellë në brendësinë e thyer të jugut, në kërkim të xhevahireve bizantine, bujtinave të çuditshme osmane, xhamive, kështjellave dhe restoranteve që prodhojnë produkte të këndshme lokale.

“Shqipëria ka vetëm një rrugë – ajo shkon deri në Kosovë. Ju nuk mund të humbni!”, na tha ai që na dha makinën me qira në port. Nuk është në fakt ky rast, por në të vërtetë një hartë duhet patjetër. Në këtë vend të çuditshëm, ku makinat private janë vetëm që prej rreth 25 vitesh, parkimi i dyfishtë, ngarjet e gabuara dhe sinjalistika e paqartë rrugore u bënë pjesë e përvojës së pasur.

‘’Mercedes’’-at e fortë dhe SUV-ët plot me shkëlqim ishin normë, por kur rrije me makinë pas një plaku të hipur mbi biçikletë ose mbi një gomar, e gjithë kjo sfidonte shekujt.

Zakonet e tyre janë interesante, sidomos zakoni i lëkundjes së kokës për të thënë ‘’po’’ dhe ai duke u anuar atë për të thënë për ‘’jo’’. Gjuha shqipe në vetvete është ndryshe nga çdo gjuhë tjetër, megjithëse duket nga pak edhe ndikimi italian.

Disa gjëra funksionojnë në anën e kundërt: një mëngjes i bollshëm filloi me kek dhe vazhdoi me djathë, domate dhe suxhuk të fortë para se të mbaronte me vezë dhe, më në fund, kafe me fruta përkrah.

Destinacioni ynë i parë ishte Butrinti, i shpallur zonë e trashëgimisë botërore nga UNESCO-ja, që gjendej në jug të Sarandës. I shpërndarë mbi një gadishull të egër dhe të pyllëzuar dhe i arritshëm përmes një vargu shtigjesh të pashkelura, ai është një shumëllojshmëri e pabesueshme ndërtesash antike greke, romake, bizantine dhe veneciane, ndërkohë që ka edhe një muze të vogël, por madhështor.

Disa orë rrëshqitën si me magji, që u shtuan edhe me pak det dhe lule të egra plot aromë. Jo shumë larg, ndaluam për drekë në restorantin ‘’Shtëpia e midhjeve’’. Në një tavolinë pranë një lagune të madhe, mbuluar nga malet, ne hëngrëm midhje lokale, linguini me fruta deti, peshq të pjekur në skarë dhe verë lokale – të gjitha për 22 stërlina.

Më në fund ia dolëm të mbërrinim në vendin e bukurisë të rajonit, Syri i Kaltër, i cili ndodhet në një luginë të gjelbër. Këtu, ndodhej një burim që dilte nga një shkëmb karstik dhe derdhej në liqenin e tij me çdo variant të mundshëm të smeraldit.

Dukej si një mirazh ose ndoshta një përrallë zanash shqiptare, sepse menjëherë aty pranë pamë atë ujk, dhe jo vetëm atë, por edhe kuaj të egër, tufa delesh dhe dhish, që kullosnin aty pranë.

Gjirokastra, ndalesa jonë e ardhshme, është e njohur për kështjellën e saj dhe lagjet harmonike të stilit osman. Në këtë bukuri përfshiheshin shtëpinë e skalitura të Skëndulëve, ku për të na tregoi një trashëgimtar i familjes, i brezit të njëmbëdhjetë.

Ajo ishte konfiskuar nën regjimin komunist të Hoxhës dhe iu rikthye pronarëve të saj në vitin 1993. Njëkohësisht, ishin mbresëlënëse edhe strehimet e popullsisë nga avionët borbardues, një labirint tunelesh dhe zyrash nëntokësore, një reflektim mbresëlënës i paranojës së regjimit të Hoxhës. Megjithatë, ne nuk mund të fajësojnë ushqimin ose mirësinë e vendasve, të cilët na prisnin me mirësi.

Gryka të larta, male të pjerrëta shkëmbore dhe një industri e lehtë prezente, na ndoqën në veri, përgjatë rrugës kryesore që kalon nëpër qytetet përgjatë lumit të gjerë të Vjosës.

Gërmadha të lashta na prisnin në zonën arkeologjike të Bylisit, një qytet i bukur dhe i braktisur 2 500-vjeçar, para se të mbërrinim në Berat , që për mua ishte një spektakël i vërtetë.

Ky qytet i gjallëruar të përqafonte me ‘’mijëra dritaret e bukura’’ (një tjetër vend i trashëgimisë botërore UNESCO) dhe shtrihej përgjatë lumit Osum mes dy kodrave përballë njëra-tjetrës, të mbushura me shtëpi osmane, me një kështjellë që duket si kurorë në lagjen më të lartë, Mangalemin.

Brenda mureve të kalasë, gjenden kishat mesjetare, dy xhami të shkatërruara, shtëpi private dhe një muze i jashtëzakonshëm i artit bizantin, ndërsa hotelet dhe restorantet me tarifa të ulëta, kishin lulëzuar në brendësi të kalasë.

Ushqimi është i gatuar më së miri në Berat. Një mbrëmje, u ulëm në një dritare të restorantit me një pamje të ndritshme të lumit, ku shijuam një specialitet të gatuar me bretkosa të freskëta nga ujërat poshtë restorantit.

Një tjetër mbrëmje erdhëm në kala për të biseduar me Bashkimin, pronar i restorantit simpatik ‘’Antipatrea’’. Darka përfshinte byrek me spinaq dhe tavë kosi për një total prej 18 stërlinash.

Ndërsa pimë pak verë të kuqe të mirë nga vreshti i tij, Bashkimi na tregoi për 17 vitet e tij të punës në Firence dhe se një e treta e popullsisë së Shqipërisë jetonte jashtë vendit. Gjuha italiane flitet gjerësisht, por edhe anglishtja diku, kështu që komunikimi rrallëherë ishte problem.

Berati ishte aty ku ne kuptuam se si Krishtërimi, Islamizmi, Bektashizmi dhe Judaizmi kanë bashkëjetuar në harmoni për shekuj me radhë në Shqipëri.

Kjo tolerancë u ilustrua nga xhamia e sulltanit të shekullit XV, ende në përdorim, një xhami sufi, një muze i vogël hebre dhe një katedrale madhështore ortodokse.

Nga aty, ku dukeshin malet e largëta të mbuluara me borë, iu drejtuam një rruge të gjatë të rrethuar nga kafenetë e shumta. Dielli po afrohej dhe qindra burra dhe gra shëtisnin përgjatë bulevardit, duke u ndalur për një bisedë ose një kafe.

Ky Bulevard ishte njësoj si shëtitorja italiane apo paseo spanjolle. Pavarësisht nga e kaluara e saj ekzotike, Shqipëria është një vend shumë mesdhetar. Kështu u zbulua se Shqipëria është një udhëkryq kulturor ndriçues ku takohet Greqia, Italia dhe Ballkani. Pas ndryshimit, mendoj se Shqipëria është një vend vërtet i admirueshëm dhe padyshim për t’u vizituar”, përfundon ”The Guardian”./ atsh

”The Guardian”: Shqipëria e çuditshme, antike dhe e mrekullueshme Read More »

Haradinaj falenderon ata që po e përkrahin

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj falenderoi të gjithë ata që e kanë përkrahur këto ditë, pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit dhe ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale.

Ai tha se asnjëherë nuk është ndjerë vetëm.

“Faleminderit të gjithëve. Jeni shumë që më përkrahët këto ditë. Nuk jam ndier vetëm asnjëherë. Tregun për njohje, e jo ndarjen e Kosovës e as Dodik Republikë në Kosovë”, tha ai./KosovaPress/

Haradinaj falenderon ata që po e përkrahin Read More »

Moti sot,ja si do të jenë temperaturat

Dita sot do të nisë me mot të kthjellët në të gjithë territorin.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se në orët e mesditës vranësirat do të bëhen prezente kryesisht përgjatë relieveve malore.

Në zona të izoluara në lindje të vendit priten reshje shiu.

Era do të fryjë e lehtë e mesatare me drejtim Veriperëndim-Verilindje 1-8 m/sek. Valëzimi në dete i forcës 2-3 ballë, kryesisht në detin Jon.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 19/34 diell
Kukës 17/33 diell re
Lezhë 19/35 diell
Dibër 17/32 diell shi i izoluar
Durrës 21/33 diell
Tiranë 21/34 diell re
Elbasan 20/35 diell shi i izoluar
Berat 17/35 diell re
Vlorë 19/33 diell
Korçë 15/31 diell re shi i izoluar
Gjirokastër 16/35 diell re
Sarandë 21/33 diell/atsh

Moti sot,ja si do të jenë temperaturat Read More »