Aktualitet

Protesta për Teatrin, Basha: E mbështesim me të gjitha format për të ndaluar këtë grabitje

Disa artisë dhe aktivistë kanë protestuar sot para Teatrit Kombëtar në kryeqytet duke kundërshtuar shembjen e godinës.

Që në orët e para të mëngjesit, aktivistë dhe artistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të mbështetur edhe nga ish-deputetë të opozitës kanë kundërshtuar ndërhyrjen e policisë dhe kanë kërkuar largimin e tyre nga hapësira e teatrit të cilët kishin rrethuar godinën për të nxjerrë jashtë objektet që ndodhen brenda.

Në mbështetje të protestës kanë shkuar dhe ish-deputete të opozitës dhe vetë kreu i PD, Basha.

“Jemi në mbështetje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit me të gjitha format dhe mjetet”, deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili iu bashkua protestës. Ai tha se “Teatrin e kanë mbrojtur me kurajo të pashoqe artistët dhe Aleanca për Teatrin, ne jemi dhe do jemi në mbështetje të tyre me të gjitha format dhe mjetet për të ndalur këta grabitje kriminale”.

“Opozita ka qenë dhe do jetë këtu. Çështja është më në fund para çdo shqiptarëve duket qartë se nuk kemi qeveri por kemi një bandë dhe tani është koha ta kuptojë se kjo që po ndodh te teatri po ndodh te shtëpitë e tyre, siç po ndodh tek unaza në Shkozë dhe në Himarë dhe të bëhemi gati t’i japim një përgjigje totale siç ia bëmë me 30 qershor për ta larguar këtë bandë”, tha ai.

Basha tha se Aleanca për Teatrin është ajo që ka përcaktuar aksionin këtu, ne jemi në mbështetje të tyre me të gjitha format dhe mjetet.

Pas përplasjeve me efektivët e policisë, protestuesit të mbështetur edhe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-deputetët e opozitës kanë hyrë brenda ambienteve të godinës së Teatri Kombëtar./atsh

Protesta për Teatrin, Basha: E mbështesim me të gjitha format për të ndaluar këtë grabitje Read More »

Teatri Kombëtar, Meta: Policia të respektoj artistët që po ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se “rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme”.

Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare”.

“As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90! Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp”, u shpreh Presidenti./atsh

Teatri Kombëtar, Meta: Policia të respektoj artistët që po ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar Read More »

Asambleja e PS-së/ Kush nuk i përgjigjet ritmit të pas 30 qershorit, jo pjesë e projektit politik 2021

“Është koha që secili të bëjë kilometrat e vet, dhe dua ta them që sot nuk mund të ketë më deputetë që marrin malet për të takuar njerëz, deputetë që marrin njerëzit në krahë për t’iu zgjidhur një hall, deputetë që rrinë në kontakt të madh me njerëz dhe deputetë nga ana tjetër që edhe në fushatën e 30 qershorit, kanë shkuar tek njerëzit vetëm javën e fundit”, – theksoi Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Asamblenë Kombëtare e Partisë Socialiste.

“Nuk mund të ketë anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS që kujtohen për PS vetëm nga ftesa për mbledhjen e asamblesë dhe pavarësisht se mund të jenë të rregullt nëpër mbledhje, nuk shfaqen tek njerëzit. Kush nuk do i përgjigjet ritmit që kërkon 30 qershori, nuk do jetë më në projektin tonë politik të vitit 2021. Kush nuk do i bëjë kilometrat e veta që imponon 30 qershori do dalë nga projekti ynë politik i vitit 2021”, – theksoi Rama.

“Është gjëja e fundit që dëshiroj, por do dalë jashtë nga kjo familje e madhe politike edhe çdo kryebashkiak që do bëjë gabimin të mendojë që tani që ka marrë mandatin mund të bëjë pa njerëzit dhe mund të bëjë pa ne”, – tha Rama. /atsh

Asambleja e PS-së/ Kush nuk i përgjigjet ritmit të pas 30 qershorit, jo pjesë e projektit politik 2021 Read More »

Spiropali: Qeveria e gatshme për bashkëpunim me opozitën, por kryeministrin nuk e zgjedh Basha

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali tha se mazhoranca është e gatshme për dialog me opozitën, por Lulzim Basha nuk përcakton se kush është kryeministër.

Gjatë një interviste televizive, Spiropali tha se qeveria është e gatshme të bashkëpunojë.

“Ne jemi të gatshëm t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit, por rregullat e lojës për sistemin nuk i vendos Lulzim Basha se kush është kryeministër në këtë vend, nuk i ndërpret dot ai mandatet qeveritare. Ne besojmë vetëm tek vota dhe asaj i përulemi”, – u shpreh ajo.

Spiropali tha po ashtu se dialogun me opozitën e shohin të padiferencuar. Sipas saj, mazhoranca kërkon dialog, jo pazare politike.

“Ne nuk nisim mesazhe private, apo gjysmë konspirative, apo të veçojmë. Ne opozitën jashtëparlamentare e marrim si të tërë dhe respektojmë vendimet e tyre për aq sa vendimmarrja e tyre nuk cenon rendin, sigurinë apo Kushtetutën në vend. Nuk bëjmë ndarje të tilla dhe nuk jemi të gatshëm të bëjmë pazare të këtij soji, ama jemi të gatshëm për t’u ulur në tryezë për të dialoguar”, – theksoi ajo.

Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit, ministrja u shpreh se “u bënë zgjedhje në 30 qershor. Pavarësisht fitores apo humbjes, ne bëjmë analizën tonë. Zgjedhjet e 30 qershorit ishin të posaçme, ishin ndryshe, ju keni të drejtë, në fakt nuk fitoi thjesht një forcë politike, fitoi Shqipëria, u bënë zgjedhjet. Kaosi, paligjshmëria, tymi, flaka e molotovi e të tjera shfaqje të politikës sonë të opozitës së këtyre muajve dështuan me turp dhe Shqipëria e mbajti kokën lart, jo vetëm përballë qytetarëve të saj, por edhe partnerëve që presin stabilitetin dhe një sjellje serioze nga faktorët politikë. Në këtë kuptim, ne do të bëjmë analizën tonë. Nuk kemi shenja triumfaliste, as kemi dëshirë për të shfaqur entuziazëm të tepruar, ama kemi nevojë të bëjmë një analizë të saktë për çdo zonë, çdo bashki, për qeverisjen vendore dhe të nisim me një entuziazëm të ri që është qeverisja e re vendore”.

Sipas saj, mazhoranca do të kishte preferuar zgjedhje vendore ndryshe nga ato që u zhvilluan, por kjo e fundit erdhi si pasojë e vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në votime.

“Nuk ka qenë zgjedhja jonë dhe ne do të kishim preferuar ndryshe. Ne do të kishim preferuar që Partia Demokratike, Partia Socialiste për Integrim e forca të tjera që mbështesin të përballeshin me ne. Ata e zgjodhën këtë rrugë dhe ne nuk ndihmë aspak entuziastë të arsyes tonë politike, faktin që do të qeverisim 61 bashkitë e vendit por dimë mirë që fitoi ligji dhe Kushtetuta në vend. Shumë shpesh janë bërë pazare në kurriz të Kushtetutës, pazare partiake, personale të liderëve politikë që kanë synuar që të frenojnë zhvillimet politike në vend, në mënyrë që të ruajnë veten apo të avancojnë interesat e tyre personale që nuk kanë lidhje me interesat e përgjithshme. Të njëjtën gjë donin të bënin edhe më 30 qershor”, – tha Spiropali.

“Sa i përket pjesës së raporteve politike me opozitën jashtëparlamentare dhe atë parlamentare, ku patjetër ka nevojë ende për dialog dhe për disa reforma të rëndësishme që duhet t’i kalojmë në Kuvend, ne jemi të gatshëm për dialog ashtu sikurse kemi qenë gjithmonë, vijimësisht në mënyrë të pandërprerë. Ne kemi kërkuar dialog me 4 krerët e opozitës, sepse vendimet kanë qenë të tyret, i kanë marrë në kushtet e një aksioni yxhym, të pakonsultuar me pjesën tjetër, lërë me forumet e tyre që nuk janë mbledhur kurrë por po flasim për deputetët dhe tani kanë nevojë edhe ata të bëjnë analizën e tyre”, – shtoi ajo.

Ministrja tha se Lulzim Basha detyroi kryetarët e bashkive të PD-së të mos kandidonin.

“Lulzim Basha nuk po di çfarë do dhe këtu fillon dhe mbaron problemi. Sepse retorika e zotit Basha në 6 muajt që i paraprijnë 30 qershorit ishte kjo apo jo: nuk do të lejojmë të bëhen zgjedhjet, duhet të ikë Kryeministri Rama, duhet të kemi një qeveri tranzitore. Për ne ishte krejt e pakuptimtë, por besoj ishte e pakuptimtë edhe për partnerët ndërkombëtare, sepse nuk kuptonin se ku mund të negocionin apo ku ata mund të ndërmjetësonin por në pikën që jemi, pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Lulzim Basha nuk ka gjetur edhe një retorikë të re. Nuk po tregon dot një përrallë tjetër, pra po tregon të njëjtën përrallë. Pra, po e mban elektoralin e tij, votuesit e PD-së, krerët e bashkive që i detyroi të heqin dorë nga kandidimi dhe tani ata duhet të dalin dhe t’i bashkohen protestës në rrugë ndërkohë që administronin pushtet të vërtetë në pushtetin vendor dhe aktualisht Partia Demokratike nuk ka as këshilltarë, as kryetarë bashkie, as deputetë, krejtësisht jashtë sistemit”, – argumentoi Spiropali.

Për ndryshimet e mundshme në qeveri, ministrja Spiropali u shpreh se nuk ka arsye për to, megjithëse nuk mohoi analizën sektor më sektor.

“Nuk besoj se ka arsye për ndryshime në qeveri, megjithatë analiza bëhet në fund të sesionit për ligjet që kanë kaluar, sa impakt kanë pasur, sa reforma janë kryer, analizë sektor për sektor dhe kjo është e nevojshme, bëhet ekonomia, rendi e të tjera çështje dhe patjetër që është pastaj diskrecion i Kryeministrit për të vendosur”, – tha ajo. /atsh

Spiropali: Qeveria e gatshme për bashkëpunim me opozitën, por kryeministrin nuk e zgjedh Basha Read More »

Asambleja Kombëtare, Shalsi: PS, forcë politike që vazhdimisht përmirësohet

“Partia Socialiste është një forcë politike që vazhdimisht përmirësohet”, – deklaroi sot ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.

I ftuar në një studio televizive, Shalsi komentoi mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të PS-së, duke shtuar se “menjëherë pas zgjedhjeve vendore, PS futet në një proces zgjedhor dhe bën një analizë”.

Duke komentuar zgjedhjet e 30 qershorit, Shalsi tha se “për ne ka qenë shumë i rëndësishëm procesi”. “Kishim një proces të qetë, të rregullt e korrekt. Do të donim t’i kishim në garë, por kjo nuk ishte zgjedhja jonë, ishte zgjedhja e opozitës, – tha Shalsi, ndërsa shtoi se, – nuk kemi të bëjmë me një agoni politike të përgjithshme, por është një agoni e opozitës”.

Lidhur me ndryshimet në drejtimin e tre qarqeve dhe sekretariatin e PS-së, Shalsi tha se “vazhdimisht PS ka pasur lëvizje dhe ky nuk është as rasti i parë dhe as i fundit”.

“Valdrini është një djalë me barrë të madhe në qytetin e Shkodrës. Duhet që atë proces të suksesshëm që kemi kryer në qytetet e tjera ta shtrijmë edhe në Shkodër. Është gjykuar se do të jetë më efektiv drejtimi nga Pjetri, që ka qenë edhe Prefekt”, – tha ai.

I pyetur lidhur me zgjedhjet në PS, Shalsi tha se “nuk besoj se PS ka arsye që të zëvendësojë një njeri që ka provuar se ka qenë i suksesshëm në pushtetin vendor dhe atë qendror si Edi Rama”.

“Edi Rama është një person që ka dëshmuar me punë dhe me vepra se ka lënë gjurmë në qeverisjen vendore dhe qendrore”, – tha ai.

Ndërsa lidhur me rotacionin në disa bashki që më parë janë drejtuar nga opozita, Shalsi tha se “marrja e mandateve në gjithë Shqipërinë nuk duhet parë si një revansh apo me doza triumfalizmi si në të kaluarën, kur kryebashkiakët e rinj kanë larguar nga puna pa kurrfarë kriteri dhe kanë zëvendësuar njerëz profesionistë”. “Mesazhi i Kryeministrit është i qartë: Duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk ka nevojë për revansh politik. Askush nuk duhet të hyjë me doza triumfalizmi si në të kaluarën, pasi qeverisim pa dallim”, – tha ai.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, Shalsi tha se “në mbi 20 vjet askush nuk mori iniciativën për ta shembur këtë sistem dhe për të ndërtuar një sistem të ri”.

“Fatmirësisht mbas shumë e shumë vitesh pritje, shqiptarët po shohin një sistem drejtësie që përmes sakrificave dhe pengesave të vazhdueshme po ngrihet”, – tha ai. /atsh

Asambleja Kombëtare, Shalsi: PS, forcë politike që vazhdimisht përmirësohet Read More »

Klosi: 6,7 milionë turistë të huaj hynë në Shqipëri këtë vit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në mbrëmje se “kemi një rritje të konsiderueshme të turizmit krahasuar me një vit më parë dhe janë 6,7 milionë të huaj që hynë në vendin tonë këtë vit”.

I ftuar në një studio televizive, Klosi tha se “ne duhet të kemi një lloj krenarie, se në krahasim me vendet e rajonit po ecim shumë shpejt”. “Duke u rritur numri, rritet edhe kërkesa për të rritur çmimet, për tu bërë vend më atraktiv”, – tha ai.

Duke folur për sezonin turistik, Klosi tha se “kriza politike ndikoi shumë, por numri i turistëve është në rritje”. “O ishte sezon me probleme 2019, me shumë frikëra, plasi këtu, plasi aty, do ndodhi, s’do ndodhi, molotovi, debati, sherri, a do ndodhi që Shqipëria të kthehet në 1997, dhe numri i turistëve është në rritje”, – tha ai.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit tha se bashkë me Agjencinë e Turizmit është duke u punuar për të krijuar një strategji të re për detin dhe për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që ofron vendi.

Klosi foli edhe për sfidat e industrisë së turizmit në vendin tonë.

“Turizmi është një biznes që duket i kollajshëm, turizmi hyn te bizneset që kanë të bëjnë me kënaqësitë, ndërkohë që aktorët që e realizojnë këtë biznes vuajnë shumë dhe kanë të gjithë të drejtën e botës të jenë kritikë me politikën, me administratën publike, qendrore e lokale, pasi nuk kemi arritur ende t’u japim atyre peshën dhe vëmendjen e merituar”, – tha ai.

Sipas tij, “problemi më i madh i turizmit, është zgjerimi i sezonit dhe mbushja me alternativa”.

“Sot mund të themi se jemi duke dalë nga ajo faza e turizmit të aventurës, nga ajo adoleshenca aventureske dhe jemi duke u futur në një turizëm të ndryshëm. Pra, që kur turistët të vijnë të kenë mundësi të shkojnë të vizitojnë Krujën, një ngjitje në Tomorr apo një vizitë në lumin e Shalës, etj.”, – tha ai. /atsh

Klosi: 6,7 milionë turistë të huaj hynë në Shqipëri këtë vit Read More »

Asambleja Kombëtare e PS-së, ndryshime në udhëheqjen e qarqeve dhe sekretariat

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste miratoi sot disa ndryshime në udhëheqjen e qarqeve dhe sekretariatin e partisë.

Kryeministri Edi Rama njoftoi disa ndryshime në udhëheqjen e qarqeve. “Duke ndjerë nevojën për të përmirësuar drejtimin politik në Qarkun e Shkodrës, Qarkun do ta drejtojë kryetari i ri i bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri. Në Qarkun e Tiranës që ketë më shumë rezultat propozoj ta drejtojnë bashkërisht Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati, të ndarë sipas territoreve. Sandër Lleshi do të drejtojë Qarkun e Lezhës, ndërsa në qarqet e tjera do të vazhdojmë siç jemi”, – tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se “do të bëhen disa axhustime të rëndësishme dhe të nevojshme sa i takon sekretariatit të partisë”. “Meqë kemi krijuar një format të ri organizimi me tre këshillat drejtues të tre rajoneve dhe puna e këtyre këshillave parashikohet të jetë goxha e rëndësishme dhe jo thjesht mbledhje për të diskutuar për emërime apo largime politike, por për të diskutuar për qeverisjen në nivel qendror dhe vendor në territor, kemi menduar të kemi një sekretar që do të koordinojë punën e këtyre këshillave dhe për këtë do të ngarkojmë Ilir Beqajn”, – tha Rama.

Ndërkohë Lindita Nikolla sipas tij, do të merret me çështjen e mangësive në regjistrin e burimeve njerëzore.

“Nga ana tjetër, po një çështje paralele dhe shqetësuese është çështja e partisë online. Duke qenë i pari politikan që kam bërë ‘ciu, ciu’, më takon të ndjehem i shqetësuar që jemi shumë larg asaj që duhet të bëjmë. Për këtë do të jetë Blerina Gjylameti, që është njeriu i duhur që gjithë eksperiencën e koordinimin ta transformojmë bashkërisht në një organizim komplet të ri dixhital të partisë. Në kushtet kur Elisa do të marrë drejtimin e Qarkut të Tiranës bashkë me Ervin Bushatin, i besojmë drejtimin e rinisë, Gent Cakës. Pjesa tjetër e sekretariatit mbetet siç është, me ndryshimin që organizimi bashkohet me koordinimin në një dorë nga ana e Arben Pëllumbit”, – tha Rama. /atsh

Asambleja Kombëtare e PS-së, ndryshime në udhëheqjen e qarqeve dhe sekretariat Read More »

Porti i Vlorës/ Terminali i ri me kapacitet të plotë, 2500 pasagjerë në ditë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot terminalin e ri të Portit të Vlorës, i cili ka nisur funksionimin me kapacitet të plotë.

Ministrja e Transporteve Belinda Balluku, e cilësoi këtë investim cilësor dhe mundësi për evitim radhësh të pasagjerëve në kohë fluksi.

“Me standardet më të larta terminali ofron shërbim cilësor për qytetarët dhe redukton kohën e pritjes.

I mundësuar me kapacitetet financiare të vetë shoqërisë portuale, e bën një shembull të mirëmenaxhimit të fondeve shtetërore.

Sot ai bën të mundur përpunimin e mbi 2500 pasagjerëve në ditë, duke e kthyer këtë port pa dyshim në pikën më të rëndësishme të turizmit në jug të vendit”, – tha Balluku./atsh

Porti i Vlorës/ Terminali i ri me kapacitet të plotë, 2500 pasagjerë në ditë Read More »