Aktualitet

Basha në Përmet: Përgjegjësit e 30 qershorit para drejtësisë

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, gjatë një takimi të shtunën me strukturat e Partisë Demokratike në Përmet, tha se “farsa e 30 Qershorit është një grusht kriminal institucional për të pushtuar pushtetin vendor, për të shkatërruar KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve, përfshi Kolegjin Zgjedhor”.

“Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, me në krye ikonat e hajdutërisë dhe paligjshmërisë si Denarbibat që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin më 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale. Burgu i pret dhe nuk ka bandit e Bablok t’i shpëtojë”, – u shpreh Basha.

Kreu i opozitës tha se detyra kryesore e Partisë Demokratike është t’i përgjigjet mesazhit të 30 Qershorit, refuzimit të Edi Ramës, sipas tij, nga 85 për qind e shqiptarëve dhe thirrjes së tyre për ndryshim. /atsh

Basha në Përmet: Përgjegjësit e 30 qershorit para drejtësisë Read More »

Zhvillimi i industrisë së turizmit, Klosi: Vetëm këtë vit u hapën 227 hotele të reja

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u ndal sot te zhvillimi i sektorit të turizmit gjatë dy viteve të fundit, ndërsa deklaroi se “vetëm këtë vit në territorin shqiptar janë hapur 227 hotele të reja, kryesisht në zonën bregdetare”.

Kjo, sipas tij, ka rritur kapacitetin akomodues, por kemi akoma nevojë për struktura hoteliere në nivele cilësore.

Në një intervistë për emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ministri Klosi foli mbi progresin e dukshëm në sektorin e turizmit me investimet në strukturat e reja akomoduese dhe numrin e shtuar të turistëve.

Ai u ndal te bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës për 1 paketë gjithëvjetore në turizëm, duke shfrytëzuar resurset tona nga dimri në verë, nga mali në det, nga qendrat historike në monumentet e natyrës, për të rritur numrin e turistëve në të dyja anët e kufirit.

“Detet Adriatik e Jon janë të përbashkëta, ne duhet ta pranojmë gjithnjë e më shumë këtë fakt. Pushuesit kosovar janë ata të cilët kanë krijuar destinacion, kanë ndihmuar që të zhvillohet zona e hotelerisë në Golem dhe tani po zhvillohet shumë hoteleria në zonën e Shëngjinit dhe Velipojës, por edhe në zonën e jugut”, tha Klosi.

Në vitin 2018, sipas ministrit, “1/3 e vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri kanë qenë ata me pasaportë kosovare”. “2 milionë kosovarë kanë hyrë në kufirin shqiptar vitin e kaluar dhe kjo është një rritje me rreth 27% më shumë se një vit më parë. Edhe këtë vit përsëri i kanë qëndruar besnik plazheve shqiptare dhe vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e këtij biznesin në Shqipëri”, tha Klosi.

Shqipëria dhe Kosova së bashku, sipas tij, “kanë shumë mundësi për të ofruar më tepër në turizëm”.

Sezonin e ardhshëm, sipas ministrit “do të ketë vëmendje të shtuar e më shumë bashkërendim për festivalet muzikore të rinisë e të shumë aktiviteteve kulturore në Shqipëri dhe Kosovë.

“Një falënderim të veçantë për medien që na mbështet duke e bërë më të frytshme aleancën tonë të përbashkët për promovimin e turizmit shqiptar”, tha Klosi. /atsh

Zhvillimi i industrisë së turizmit, Klosi: Vetëm këtë vit u hapën 227 hotele të reja Read More »

Turistët “pushtojnë”Gjirokastrën: Shqipëria, një vend me njerëz të sjellshëm e mikpritës

Gjirokastra vijon të jetë në qendër të vëmendjes së turistëve të huaj. Rrugët gjarpërushe janë të mbushura me vizitorë të huaj, disa nga Gjermania, disa nga Holanda, Franca, por ka edhe nga Brazili i largët, të cilët kanë ardhur në vendin tonë për të shijuar pamjen magjepse, kulinarinë dhe kulturën e një vendi që në çdo cep fsheh një histori.

“Jam nga Gjermania. Ne planifikojmë të qëndrojmë dy a tre javë. Fillimisht do të qëndrojmë këtu në Gjirokastër, ndërsa nesër do të shkojmë në Himarë. Gjithashtu duam të vizitojmë edhe Durrësin. Këtu na pëlqen shumë ushqimi”, thotë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare një nga vizitorët

“Ne vijmë nga Holanda. Ne do të qëndrojmë në Shqipëri 14 ditë, ndërsa këtu në Gjirokastër do të qëndrojmë vetëm dy ditë. Qyteti i Gjirokastrës është i bukur. Në fillim kemi vizituar Tiranën, pastaj vizituam Liqenin e Komanit, ku morëm tragetin për të shkuar në Valbonë”, bën me dije një tjetër vizitor.

“Na pëlqen natyra dhe historia e këtij vendi. Ne vizituam kështjellën, që ishte gjigante dhe shumë objekte këtu janë ruajtur shumë mirë. Po kështu, edhe ushqimi na pëlqen shumë, përfshi kuzhinën tradicionale vendase, sikurse edhe gatime të kuzhinave të huaja, që shërbehen këtu. Për të qenë të sinqertë, tha ai, ne nuk e prisnim këtë mikpritje në Shqipëri. Ky vend tregoi se është tepër mikpritës ndaj nesh si turistë, kështu që kjo është vërtet shumë gjë e bukur. Për Shqipërinë kemi mësuar nga librat”, tha turisti tjetër i intervistuar nga ATSH. “Unë kam blerë edhe nja dy libra kushtuar Shqipërisë”, shtoi ai.

“Kemi mësuar rreth Shqipërisë duke lexuar në internet dhe ishte një dëshirë, veçanërisht e imja për të ardhur në këtë vend. Në internet ofrohet një informacion i gjerë rreth Shqipërisë”, tha turistja.

“Padyshim që ne do të flasim shumë me miqtë tanë në Holandë lidhur me Shqipërinë. Është një vend shumë i bukur dhe ka aq shumë gjëra të bukura për t’u treguar vizitorëve”, tha ai.

“Ne vizituam edhe Muzeun Kombëtar në Tiranë, ku ishin ekspozuar disa piktura të socializmit, të epokës së kaluar”, theksoi ai.

“Unë vij nga Holanda. Jam këtu prej një jave. Kemi qenë në Ksamil, ndërsa tani po vizitojmë Gjirokastrën. Më pas do të vizitojmë Durrësin dhe Tiranën. Gjirokastra është një qytet shumë i bukur. Po ashtu, edhe Ksamili ishte një plazh shumë i mrekullueshëm, qytet i këndshëm dhe shtëpi të bukura. Edhe ushqimi më pëlqen shumë. Ecja në fakt këtu është paksa e vështirë, pasi kalldrëmet janë shumë të pjerrët. Kam mësuar rreth Shqipërisë kryesisht përmes internetit”, tha një turist tjetër i intervistuar nga ATSH.

“Unë vij nga Anglia, Jorkshire. Këtu jemi me pushime. Do qëndrojmë shtatë ditë. Sot jemi në Gjirokastër dhe dje ishim në Sarandë. Sapo kemi arritur këtu në Gjirokastër. Çdo gjë duket shumë mirë. Duket vend i mirë për të ardhur”, tha turistja.

“Ne jemi nga Gjermania, Mynihu. Do të kalojmë një javë në Shqipëri. Do të udhëtojmë me autobus. Kemi parë Beratin. Tani jemi në Gjirokastër. Do të shkojmë në Pogradec. Do të shohim edhe Syrin e Kaltër. Po, Shqipëria na pëlqen shumë. Vajza ime kaloi katër muaj në Shqipëri dhe ajo me këshilloi të vija. Po, dhe ushqimi tradicional na pëlqeu shumë”, tha një turiste.

“Jam nga Holanda. Këtu erdhëm të dielën. Sot është e premte. Pra, pesë ditë deri tani. Nuk e kemi mbaruar vizitën akoma. Por, na ka pëlqyer mikpritje, miqësia e njerëzve, natyra, klima. Gjërat këtu duken shumë origjinale. Ushqimi është shumë i mirë. Kemi provuar glikonë. Kemi ngrënë patëllxhanë. Dhe kemi pirë raki. Por mua më pëlqen vera. Kështjella ishte goxha e madhe dhe e bukur. Nuk e prisnim të ishte kaq e madhe. Ne kemi mësuar për Shqipërinë nga interneti. Dhe nga një guidë në Holandë. Kemi parë Tiranën, Pogradecin, Përmetin, Korçën dhe tani jemi këtu. Çmimet janë të të lira, shumë më të lira se në Holandë”, tha turistja për ATSH.

“Ne jemi nga Brazili. Nuk kemi pasur informacion për Shqipërinë. Ishim në Korfuz. Thamë, le të shkojmë në një vend tjetër për të cilin nuk dimë gjë, ata na thanë se Shqipëria është më afër të gjithave. Dhe erdhëm këtu. Na pëlqeu vërtet shumë. Kemi qenë në Sarandë. Sot është dita e parë që erdhëm këtu në Gjirokastër për ta eksploruar. Na pëlqeu shumë. Peshku në Sarandë ishte shumë i mirë. Rakia, po ashtu ishte shumë e mirë. Natyrisht do t’i tregojmë dhe miqve. Njerëzit janë të lumtur dhe mikpritës dhe të butë”, thanë disa brazilianë për ATSH.

“Unë jam nga Franca dhe jam këtu prej gjashtë ditësh. Ne sapo erdhëm nga Korça do të rrimë këtu sot dhe nesër do të shkojmë në Rivierë. Njerëzit janë shumë të këndshëm, janë shumë origjinalë dhe natyra është e mrekullueshme. Edhe ushqimi është shumë i mirë. Çmimet janë sigurisht më të lira se në Europë apo se në Francë, po po janë të lira. Deri tani përvoja më e mirë janë njerëzit, shumë mikpritës dhe shumë të këndshëm”, tha turisti nga Franca për ATSH-në. /atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/2363107230628232/?t=0

Turistët “pushtojnë”Gjirokastrën: Shqipëria, një vend me njerëz të sjellshëm e mikpritës Read More »

Haradinaj: Qeveria nuk merr vendime derisa të shprehet Kushtetuesja

-Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, deklaroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse Qeveria mund të marrë vendime pas dorëheqjes së tij.

“Për takime të qeverisë dhe për marrje të vendimeve nuk do të marrim vendime si qeveri, ndërsa ministrat detyrat rutinë që i kanë i vazhdojnë”, tha ai.

Ai tha se është kryeministër në dorëheqje.

“Unë jam kryeministër në dorëheqje. E vetmja gjë në dorëheqje kam treguar se nuk do të lejoj vakuum në qeveri. Jam një ish-kryeministër dhe sikur të mos kishte qenë kështu ndryshe do të kishte qenë rutina”, tha ai.

Sipas tij, presidenti e ka të lehtë të shpallë zgjedhjet pasi të gjitha partitë janë deklaruar se duan zgjedhje.

“Nëse ka bërë përgatitje paraprake, nuk kam arsye ta paragjykoj. Mendon se presidenti e ka të lehtë punën, çdo parti ka thënë se duam zgjedhje. Kur të gjithë e nënshkruajmë deklaratën për shpërbërjen e Kuvendit”, tha ai.

Ai dha edhe detaje nga intervistimi që i është bërë nga Gjykata Speciale.

“Dje jam kthyer, kam qenë në Hagë, intervista ka qenë procedurë ligjore, nuk kam pasur ndonjë temë të caktuar. Nuk është bërë e ditur se kanë pushuar hetimet, nuk do të më ftojnë më. Vazhdoj të punoj në Kosovë pa ndryshim të temave, por unë nuk e shoh zgjidhjen e marrëveshjes me Serbinë me hapjen e territoreve. Kosova nuk e përballon një Dodik Republikë, taksa mbetet deri në njohje”, tha ai. /KosovaPress

Haradinaj: Qeveria nuk merr vendime derisa të shprehet Kushtetuesja Read More »

Vlorë/ 18% më shumë turistë, krahasuar me një vit më parë

“Numri i turistëve është rritur me 18% në krahasim me një vit më parë”, tha për ATSH, prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj.

Ai shtoi se java e fundit e korrikut ka pasur një fluks të lartë të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj në qarkun e Vlorës.

Po ashtu, prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, thekson se numri i turistëve është rritur në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Për fluksin e turistëve mund të them me bindje të plotë që duke filluar dhe nga java e fundit por dhe duke parë shifrat është me intensitet të lartë rreth deri në 18% rritje në të gjithë qarkun, duke e krahasuar me vitin 2018”, tha ai.

Në fund, Mamaj shtoi se fluksi pritet të rritet gjatë muajt gusht, ndërsa janë marrë masa për garantimin e qetësisë dhe sigurisë së pushuesve. /atsh

Vlorë/ 18% më shumë turistë, krahasuar me një vit më parë Read More »

Siguria ushqimore/ Kontrolle në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, gjobiten 3 subjekte me 4.1 milion lekë, bllokohen 7.661 ton produkte

AKU gjobit me 4.1 milion lekë, bllokon 7.661 ton produkte të pasigurta dhe mbyll 3 subjektet në Shkodër, Tiranë dhe Vlorë, operonin në mungesë të licencimit, kushteve higjeno-sanitare dhe tregtonin produkte të skaduara.

Siguria ushqimore është sfida jonë e përbashkët, shprehet AKU, ndërsa ka vijuar aksionin në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë ushqimore për qytetarët.

Drejtoritë Rajonale të AKU, qarku qarku Shkodër, Tiranë dhe Vlorë ushtruan kontrolle në 3 subjektet, me aktivitet “Magazina ushqimore dhe Sallameri”, “Furrë buke” dhe “Market”, nga ku u konstatua: ushtrim aktiviteti i palicencuar, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP), etiketim i parregullt, mungesë e kushteve higjeno-sanitare dhe produkte me afat përdorimi të kaluar.

Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative si në vijim: 9 masa administrative “Gjobë” me vlerë totale 4.100,000 lekë për 3 subjektet; “Bllokim produkti” me destinacion asgjësimin për 7.661 ton produkte të pasigurta të konstatuara në 2 subjekte; si dhe “Bllokim aktiviteti” për 3 subjektet. /atsh

Siguria ushqimore/ Kontrolle në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, gjobiten 3 subjekte me 4.1 milion lekë, bllokohen 7.661 ton produkte Read More »

KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 30 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Nga sot, të gjithë kandidatët e zgjedhur në 30 qershor, brenda datës 10 gusht, do të kenë mundësi të marrin zyrtarisht mandatin duke u betuar para këshillave.

Nga ana tjetër, Kolegji Zgjedhor Zgjedhjeve ka nisur punën duke bërë shpërndarjen e këshilltarëve për bashkitë e vendit.

Vendimi u shpall nga kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Klement Zguri. Tabela përmbledhëse përfshin rezultatin e votimit për kandidatët për kryetar bashkie që janë zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë në zonën zgjedhore përkatëse, numrin e votave të fituar nga çdo subjekt në shkallë kombëtare, bazuar në numrin e votave të fituar në çdo subjekt zgjedhor për Këshillat Bashkiak.

“Me katër vota pro një kundër miratohet, vendimi hyn në fuqi”, theksoi Zguri.

Duke argumentur votën e tij kundër, Zguri tha se KQZ ka pasur një performancë të dobët dhe nuk mund të japë një notë kaluese. “Kjo performancë nuk duhet të kthehet në standard në të ardhmen dhe një nga arsyet e votës kundër është pikërisht kjo”, tha Zguri.

“Është qartësisht e dukshme, unë nuk bie dakord me shumicën dhe u kërkoj të reflektojnë”, tha ai./atsh

KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 30 qershorit Read More »

Meta dekreton 3 ligje, kthen ndryshimet në ligjin për “Planifikimin e territorit”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot shpalljen e 3 ligjeve të miratuara nga Kuvendi, ndërsa ktheu për rishqyrtim ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’”.

Presidenti dekretoi shpalljen e ligjit nr. 46/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 006, datë 23.10.2008, “Për mbrojtjen e faunës së egër”, të ndryshuar” dhe shpalljen e ligjit nr. 49/2019 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (huamarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt Am Main (KfW), për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV”.

Po ashtu, Kreu i Shtetit dekretoi edhe shpalljen e ligjit nr. 56/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar”.

Ndërkohë ai ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 42/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’”, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e nenit 8 të këtij ligji.

Në arsyetimin e tij, Meta shprehet se këto ndryshime nuk janë konsultuar me ministritë e tjera që lidhen me përmbajtjen dhe efektet e aktit, apo me grupet e interesit.

Sipas tij, “neni 8 i ligjit i paraqitur për shpallje, është jo i plotë dhe i paqartë në formulim”.

“Sipas kësaj dispozite në procesin e rishikimit të projektit, nuk parashikohet dhënia e pëlqimit apo konsultimi me pronarët e trojeve mbi të cilin realizohet vepra. Për këtë shkak, zbatimi i këtij neni sipas formulimit aktual, mund të sjellë aplikim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe të interesit publik”, tha Meta.

Sipas tij, “kjo mund të sjellë konflikt të vazhdueshëm midis sipërmarrësve apo investitorëve me pronarët e pasurive pronë private, mbi të cilat realizohet ndërtimi”.

Po ashtu Presidenti shprehet se “çdo ndërhyrje në ligj nuk duhet të krijojë asnjë hapësirë për keqintepretim, gjë e cila mund të sjellë në praktikë keqpërdorim të fondeve publike e rrjedhimisht dhe cenim të interesit publik”./atsh

Meta dekreton 3 ligje, kthen ndryshimet në ligjin për “Planifikimin e territorit” Read More »