Aktualitet

Rama në Salzburg: Ne jemi europianë dhe duam t’i përkasim Europës

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Salzburg, ku ka marrë pjesë në Forumin Convoco, në një komunikim me moderatorin Hans Ulrich Obrist, Drejtori i Galerisë “Serpentine” në Londër, ka folur gjerësisht mbi disa prej çështjeve kryesore të aktualitetit politik në Shqipëri, perspektivën e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, por edhe mbi artin e kulturën.

Në këtë bashkëbisedim, Kryeministri ka rrëfyer ndër të tjera përjetimet e tij të para në politikë duke u ndalur edhe në eksperiencën e gjatë të drejtimit të bashkisë së Tiranës.

“Mund të them se ndodhi pasi ndryshimi i regjimit filloi në Akademinë e Arteve. U desh vetëm një vit, nga ’89 në ’90 e në atë vit, në Akademinë e Arteve, gjërat lëvizën dhe krijuan mjedisin nga ku nisi shpërthimi. Ditën kur ndodhi shpërthimi ishte përvjetori i 10-të i vdekjes së Xhon Lenonit, që ishte arsyeja për mbrëmjen e parë muzikore, në një hapësirë publike, ku njerëzit shijonin muzikë të ndaluar së bashku. Pas kësaj, vazhdova të jetoja midis artit dhe politikës, jo si politikan, por si qytetar që donte të ngrinte zërin, në ’98 mu dha puna e ministrit të kulturës. S’kisha menduar kurrë të bëhesha ministër dhe ministria e kulturës ishte ndërtesa e parë qeveritare ku kam hyrë, si ministër. S’kisha hyrë më parë në asnjë ndërtesë qeveritare”, – u shpreh Rama.

“Kur u bëra Kryetar bashkie gjeta një qytet pa hapësirë publike, cdo gjë ishte e zënë, njerëzit nëpër apartamente mundoheshin të krijonin më shumë hapësirë, duke shndërruar ballkonet në anekse kuzhine, katet e para i kthenin dritaret në dyer dhe dhomat e gjumit ktheheshin në dyqane. Njerëzit në atë kohë jetonim në hapësira shumë të vogla. E në vend që të ngrinte shtëpi sociale, regjimi ndërtoi 600 000 bunkerë për të mbrojtur Shqipërinë nga sulmi hipotetik nga imperialistët amerikanë. Imagjinoni çfarë do të kishte ndodhur po të kishin ndërtuar shtëpi në vend të bunkereve. Kjo ishte gjendja kur unë u bëra kryetar bashkie. Askush nuk donte t’ia dinte për pamjen e jashtme të ndërtesës. Çfarë të bënim me një buxhet që s’ishte pothuajse fare. E nisëm me lyerjen e ndërtesave, filloi nga nevoja. Shpesh është përshkruar si operacion estetik, por ishte një operacion politik me ngjyra, kishte njëkohësisht edhe një minoritet të zhurmshëm që e kundërshtonte. Mendova se po bëja gabim, se duhet të ndaloja. Bëra një anketë, që mbetet anketa ime e preferuar në 20 vjet në politikë “A të pëlqen ajo që po ndodh në qytet me ngjyrat dhe do të doje të ndalonte apo të vazhdonte?” Ata që e pëlqenin ishin 67% dhe ata që donin të vazhdonte ishin 85%. Pra gjysma e atyre që nuk u pëlqente, nuk donin që të ndalonte”, – shtoi ai.

Në lidhje me proceset integruese të Shqipërisë në BE, kryeministri u shpreh se “për ne në rajon, Europa është së pari dhe më e rëndësishmja ajo që u nis si projekt paqeje dhe bashkëpunimi për të mirën e gjeneratave të reja. Prandaj s’mund të heqim dorë nga ajo. Megjithëse Europa nuk po shkon mirë, ne përsëri e duam. Nuk është se duam të bashkohemi me Europën e t’i shtojmë kokëçarje drejtuesve të saj që mesa duket janë lodhur me disa vende që kanë ardhur së fundmi, por duam të ndërtojmë një vend Europian dhe një rajon Europian me institucione dhe shtet të së drejtës dhe me demokraci funksionale, e ka vetëm një mënyrë për ta arritur këtë, me Europën”.

‘Më lejoni të them një gjë, Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara luftës. I vetmi vend në Europë ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve. Ajo që i çudit nazistët është që familje myslimane mbrojtën hebrenjtë dhe Kardinali Katolik shqiptar realizoi shumë kungime falso për t’i dhënë hebrenjve një identitet katolik. Kur nazistët u bënë thirrje drejtuesve fetarë, që ishin të vetmet figura udhëheqëse pas pushtimit, dhe ata kërkuan të nënshkruanin një marrëveshje, ku të pranonim që ari që u dërgua në Romë të merrej nga nazistët dhe të dorëzonim listën e herbrenjeve. Ata nënshkruan për arin, por jo për hebrenjtë. Merrni arin, harrojini hebrenjtë. A është vlerë? Mendoj se është vlerë e madhe. Mendoj se fakti që në vendin tone të vogël e të varfër, të hapësh dyert e të strehosh njerëz nuk është dicka që e vë në dyshim, thjesht e bën. Mendoj se është vlerë Europiane, apo jo? Ç’kuptim ka të lësh jashtë këtë hapësirë brenda, këtë zone ku njerëzit ende besojnë shumë tek ideja e bashkimit në një familje të madhe, por nëse kjo ide shuhet… C’ndryshim ka nga një i ri mysliman në rajonin tone dhe një i ri mysliman në Irak? Ndryshimi është se myslimani ynë ka Europën, ëndrrën, prespektivën, një mënyrë për të jetuar e kontribuar në botë që shtrihet mbi vlera e tradita. Një mysliman i ri në Irak nuk ka prespektivë. Pra është me rëndësi të kuptohet se ne jemi Europianë, por të qënit pjesë e Bashkimit për ne është çështje përkatësie tani e përgjithmonë te një hapësirë vlerash e njerëzish që është më i miri në botë,’ nënvizoi Kryeministri.

I pyetur mbi aktualitetin politik në Shqipëri dhe zgjedhjet e 30 Qershorit, Kryeministri deklaroi ndër të tjera se, ‘ne kemi një jetë shumë të vështirë politike. Besoj fort se cilësia e demokracisë, e të bashkëjetuarit nuk varet nga sa shumë biem dakort, por nga mënyra sesi nuk biem dakort. Ne nuk biem dot dakort as për kohën. Duhet të piqemi sepse demokracia nuk është e thjeshtë”.

Rritja, maturimi janë pjesë e këtij tranzicioni të dhimbshëm, theksoi Rama duke shtuar se “dhe Europa është shumë e rëndësishme dhe integrimi europian është unik sepse na jep mjetet për tu modernizuar, na jep mënyrat dhe njohuritë për të ndërtuar institucione, për të ndërtuar një sistem drejtësie të besueshëm, e duke bashkuar njohuritë e Europës me fuqinë shumë tërheqëse që ka Europa mbi shqiptarët mund të bësh reforma që nuk janë shumë popullore, por që kanë mbështetje të madhe, sepse njerëzit thonë, po, nuk është e këndshme, por duhet ta bëjmë sepse jemi europianë dhe duam t’i përkasim Europës”.

“Në të njëjtën kohë, s’e kuptoj kur njerëzit në Europë, shtete apo udhëheqës nuk e kuptojnë që për ne, procesi, rrugëtimi ka shumë më shumë rëndësi se mbërritja, sepse përmes procesit ne mund të zhvillohemi. Mund të ndërtojmë shtetet që nuk i kemi pasur kurrë. Mund të fitojmë aftësitë që ka Europa’.

Në fund, kryeministri ka folur edhe mbi artin, letërsinë dhe kulturën.

“Para se të bëhesha kryeministër, gjithmonë thoja, nëse bëhem ndonjëherë kryeministër, kjo ndërtesa nuk do ketë gardhe, sepse ishte e rrethuar, dukej si burg, me gardh me ushtarë. Gjithmonë kam besuar se ndërtesat mbrohen me anë të bukurisë, jo gardheve. Hoqa gardhin dhe e hapa tërë katin e parë për popullin, e u bë ajo që sot është COD-i, kemi ekspozita, biblotekë publike, një sallë të vogël kinemaje ku fëmijët mund të vijnë, të shohin filmat e tyre, të diskutojnë, zhvillojmë edhe diskutime aty. Kam thënë që edhe protestuesit mund të vijnë ta përdorin atë pjesë falas, për të shtruar çështjen e tyre, e nëse duan, unë mund të shkoj, apo ministrat, për të folur me ta. Por protestuesit kanë një problem me diskutimin, sepse nëse debatojnë, nuk janë më protestues. Nuk është e thjeshtë, por është aty edhe për këtë qëllim”, theksoi Rama.

Kryeministri shtoi se “kemi pasur edhe kontribute shumë bujare nga Thomas Demand, që ishte artisti që e hapi qendrën. Kemi një shfaqje shumë të bukur të punëve të tij, kishim një dhuratë nga Philippe Parreno në hyrje të Kryeministrisë, që ngjalli shumë diskutim. Ende. Miqtë e mi në opozitë duan ta thyejnë, por deri tani ka mbijetuar. Por kërpudha e … që ishte në kopësht nuk i mbijetoi sulmit të protestuesve, sepse e thyen. E thyen dhe ishte e trishtë, por ishte edhe e vështirë t’i shpjegoje … që nuk ishte një protestë estetike, ishte politike. Ishte kundër meje, jo kundër kërpudhës. Nuk më kapën dot mua dhe kapën kërpudhën. Kërpudha u thye. Isha shumë i lumtur kur … më mori në telefon pas një muaji dhe më tha ‘kam një ide fantastike’. Sepse i thashë ‘duhet ta bëjmë prap. Do e bëjmë prap, por duhet ta ngremë 25% më lart, që kushdo që e prek ta dijë se do kthehet më e lartë. Kjo do i pengojë njerëzit që ta prishin kërpudhën, por nëse ia dalin, kërpudha do rritet. Më duket shumë e bukur, të mbijetosh me rritje e të reagosh duke u rikthyer, mezi pres kërpudhën që do jetë më e madhe tani, gjë që mund të nxisë protesta të tjera, por pastaj do e zmadhojmë më shumë, sepse jeta vazhdon”./atsh

Rama në Salzburg: Ne jemi europianë dhe duam t’i përkasim Europës Read More »

Gëzim Kame: Godina e Teatrit ka degraduar në mënyrë të tmerrshme, emrat e mëdhenj që kërkuan teatër të ri

Ëndrra e regjisorit dhe aktorit Gëzim Kame për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar është e kahershme. Ai i kujton ende përpjekjet, që janë bërë për ndërtimin e një teatri të ri që në vitet ’70. Regjisori i konsideron skandaloze kushtet, në të cilat gjendet sot Teatri Kombëtar, ndërsa edhe nga pikëpamja estetike e quan një turp të madh, që një kryeqytet si Tirana të ketë një teatër të tillë.

“Problemi i një teatri të ri me sa mbaj mend unë ka filluar që në vitet ’70. Pothuajse të gjithë artistët e asaj periudhe, që nga Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, të gjithë me radhe e kanë ngritur këtë problematikë. Sepse ajo godinë është e papërshtatshme, që në zanafillën e ndërtimit të saj, s’ka të bëjë me teatrin”, shprehet Kame.

Ai sjell në vëmendje debatin e zhvilluar edhe në vitin 98, ku shumë emra të njohur të skenës shqiptare mbështetën nevojën e prishjes dhe ndërtimit të një teatrit të ri Kombëtar.

“Ky është ngritur përsëri me fuqi të madhe në 1998-ën. Dhe aty kam qenë protagonist për këtë punë. Isha në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar. Bëra një përpjekje duke krijuar një grup aktorësh me në krye Kadri Roshin, unë, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo dhe Agim Qirjaqi. Dhe e pashë që duhej larguar si problem nga politika. Atëherë patëm atë vizionin që më mirë t’ia lëmë Presidencës, ose Presidentit këtë problem sesa të merrej shteti. Kjo u ndërpre pastaj me ndërrimin e ministrave të Kulturës, ikjen e Arta Dades dhe ardhjen e Edi Ramës”, deklaron regjisori Kame, askohe Kame drejtor i TK.

Pas 20 vitesh, regjisori mendon se godina e Teatrit Kombëtar ka degraduar. Rrezikshmëria e saj nuk është vetëm nga zjarri, por edhe nga struktura që ka. “Për 20 vite ajo godinë ka degraduar në mënyrë të tmerrshme, sepse janë bërë ndërtime të mëdhaja gjigande pranë saj, dhe themelet e saj janë shkatërruar. Pra vërtet tani paraqet një rrezikshmëri, po jo vetëm nga zjarri, por edhe nga struktura që ka ajo si godinë, dhe është e papërshtatshme fare”.

Gëzim Kame ndjen keqardhje që në këtë situatë ka ndërhyrë politika dhe janë krijuar dy qëndrime antagoniste mes artistëve./atsh

Gëzim Kame: Godina e Teatrit ka degraduar në mënyrë të tmerrshme, emrat e mëdhenj që kërkuan teatër të ri Read More »

Media zvicerane, Blick: Histori, plazhe dhe mikpritje, Shqipëria ofron gjithçka

Qytete antike, histori të pasur, plazhe të bukura dhe mikpritje të veçantë, por edhe shumë më tepër – kjo është ajo që Shqipëria ka për të ofruar, shkruan media zvicerane Blick.ch, e njohur për informacionet në fushën e politikës, biznesit, sportit, argëtimit, mënyrës së jetesës dhe makinave.

”Ishte hera e parë që shkoja në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Përveç pushimeve në plazhin e Durrësit në vitin 2006, unë nuk kisha qenë kurrë këtu, ndërkohë që punonjësja e kontrollit të pasaportave u tregua shumë e sjellshme gjatë kohës që më informonte”, shprehet autori i këtij shkrimi Fanol Ajdari.

13 vite më vonë, si një shqiptar nga Lugina e Preshevës, unë rikthehem në rrënjët e mia pas një kohe shumë të gjatë. Para së gjithash, ky vend, pa dyshim ka më shumë për të ofruar sesa korrupsioni, krimi dhe trafiku i drogës!

Ngjyrat e një qyteti të projektuar

“I ri, piktoresk dhe i gjallë” është mënyra më e mirë për ta përshkruar kryeqytetin e Shqipërisë. Nëse në sheshin ”Skënderbej” nuk zhvillohet ndonjë event, ju do ta gjeni veten në ndonjë bar ose kafene ose të bëni shopping në dyqanet me produktet më të fundit të modës.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Për një kohë të gjatë, popullsia ka qenë e izoluar nga bota e jashtme gjatë regjimit komunist (1944 deri në fillim të viteve 1990). Për t’i dhënë Tiranës një pamje më të gjallë, çatitë e vjetra të shtëpive u janë nënshtruar restaurimit gjatë këtyre viteve të fundit.

Por, historia vazhdon të mbetet: Në hyrje të zonës së ish-Bllokut, ku ndalohej hyrja e qytetarëve të zakonshëm gjatë komunizmit, sot është një kompleks memorial që të kujton viktimat e komunizmit nën drejtimin e Enver Hoxhës (1941-1985) dhe Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Bum ndërtimi në fortesat turistike

Para se të niseshim drejt jugut, ne morëm ashensorin për t’u ngjitur në majë të kullës së quajtur ”Sky Tower”, ku mund të shijoje pamjen e mrekullueshme të qytetit.

Pastaj vazhduam udhëtimin tonë përgjatë vendeve turistike të Vlorës, Ksamilit dhe Sarandës. Unë mendoj se Riviera Shqiptare është me të vërtetë e bukur dhe e përballueshme, njësoj siç reklamohet në internet; plazhet janë fantastike dhe uji është i kristaltë.

Gjenden kudo hotele të lirë dhe gjysmë të përfunduar. Vendasit janë shumë të sjellshëm.

Të gjitha këto tregojnë se sipërmarrësit bëjnë garë me njëri-tjetrin se kush të ndërtojë hotele më të mëdhenj dhe më luksozë.

Pamja mbresëlënëse e kështjellës së Gjirokastrës

Më tej në jug, pothuajse në kufirin me Greqinë, ndodhet një qytet me rëndësi historike mbi shpatin e Malit të Gjerë, qyteti i gurtë. Është vendlindja e diktatorit Enver Hoxha dhe shkrimtarit më të njohur të Shqipërisë Ismail Kadare (“Kështjella” ose “Kronikë në gur”). Këtë emër e ka marrë nga çatitë gri me rrasa guri dhe kalldrëmet e gurta.

Edhe edhe më mbresëlënëse kalaja që dominon Gjirokastrën. Ndërsa brenda saj gjendet një muze armësh i Luftës së Dytë Botërore, para jush shtrihet një pamje mahnitëse e panoramës malore, Luginës së Drinos dhe zemrës së qytetit të vjetër.

Qyteti i vjetër: Nëse ju pëlqen ushqimi tradicional dhe me çmim të arsyeshëm, ju duhet të vizitoni restorantin ”Odaja”. Aty do të gjeni qofte me domate dhe musaka të shijshme.

Mikpritja shqiptare

Një tjetër sugjerim është qyteti i Beratit. Ky qytet i vjetër ashtu si Gjirokastra është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. E vizitova ditën time të fundit – dhe u binda se është me të vërtetë qershia mbi tortë.

Nëse jeni të interesuar për ushqimin, gjëja më e rëndësishme: Ju sugjeroj restorantin e vogël që ofron gatime tradicionale ”Lili” që është pak i fshehur, por sapo të del para syve, duket qartë se përpjekja ia ka vlejtur. Në sfondin e mikpritjes shqiptare, pronari Lili, i cili ka punuar në Zyrih, na tregon gatimet mbi një tavolinë të madhe, të cilat janë përgatitur nga gruaja e tij. Më shumë autenticitet nuk është e mundur! Ne zgjodhëm patëllxhanë mbushur, vezë me gjizë, pilaf me pulë dhe kos dhe verë shtëpie. E gjithë gostia u mbyll me një gotë raki, të cilën e pimë bashkë me Lilin.

Vend i larmishëm me plazhe të bukura

Në Berat mund të shihni shtëpi të shumta me dritare të larta, dhe kjo është arsyeja pse vendi quhet “Qyteti i një mbi një dritareve”. Në 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Ndërtimi i godinave të reja është rreptësisht i ndaluar në tre lagjet e vjetra Mangalem, Gorica dhe Kalaja . Zona e kështjellës është zbukuruar me shumë shtëpi të vogla guri, kisha të ndryshme dhe rrënojat e xhamive. Ja vlen të vizitoni muzeun ”Onufri”, ku gjenden veprat e ikonografit të shquar shqiptar me të njëjtin emër.

Berati është fundi i rrugëtimit tim. Pasi pashë kaq shumë bunkerë komunistë dhe flamuj me shqiponja dykrenare , u ktheva nga Tirana në Zvicër.

Megjithëse vizioni im mund të jetë pak i turbullt, unë jam i sigurt se Shqipëria është një vend kaq shumë i larmishëm me natyrë të virgjër, brigje mahnitës dhe histori interesante. Dhe pavarësisht se turistët gjithmonë nxitojnë, vendasit kanë mbetur po aq mikpritës dhe të dobishëm./ atsh

Media zvicerane, Blick: Histori, plazhe dhe mikpritje, Shqipëria ofron gjithçka Read More »

Koçi për Teatrin: Zhgënjyese gjuha arrogante dhe e tërbuar e disa gjoja të pavarurve

Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka reaguar ndaj artistëve që kanë dalë kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, duke protestuar prej ditësh.

Koçi thotë se është zhgënjyese gjuha arrogante dhe e tërbuar në debatin publik, sipas tij, e disa gjoja të pavarurve të cilëve ‘pavarësia’ u siguron të ardhura.

“Për mua është tejet zhgënjyese gjuha arrogante dhe e tërbuar në debatin publik e disa gjoja të pavarurve të cilëve ‘pavarësia’ u siguron të ardhura. Në vend që të dëgjojmë prej tyre modelin e fjalorit të moderuar dhe argumentues, në fakt konstatohet një llogorizim politik ku ata sillen qartazi me pëdëiste se Basha. Ka prej tyre që me shpresën për t’u bërë një ditë deputetë e nxitën Bashën drejt aventurës më dëmprurëse të mundshme për opozitën dhe procesin politik”, -thotë ai.

Më tej, zv/ministri shprehet se disa prej tyre që kanë dalë kundër projektit për Teatrin e Ri, kanë inate personale me kryeministrin e vendit, Edi Rama.

“Disa, thjesht për inate personale me Ramën janë gati të përfshihen dhe fizikisht në aksionet e opozitës për të bllokuar edhe projekte të cilat nuk janë të natyrës së mirëfillte politike duke politizuar në fakt jetën shoqërore dhe intelektuale me keq se në kohën e regjimit monist. Të qenit gjoja i pavarur nuk të jep ndonjë monopol moral dhe as të drejtën që për çdo gjë të përfshihemi si në çështjet e futbollit ku ne të gjithë jemi trajnerë e analistë me licensë. Kultura politike dhe ajo e diskursit publik ka nevojë për të moderuarit, për intelektualizmin që nuk nam bjeshkët sa here u dalin përpara. Dhe çështja e teatrit nuk i jep kujt të drejtën e monopolit moral ku disa kanë autoritetin të ta japin apo të ta heqin triskën e frontit. Me Kiço London kam punuar për atë teatër. Po. Kam punuar. Vullnetarisht. Nuk jam ekspert i bashkëpunimit publik-privat. Por nëse procesi i realizimit të teatrit të ri është kopje a atij të stadiumit jam dakort. Bota e re ngrihet gërmadhash! Prandaj edhe tribuna qendrore e stadiumit duhet të mbaje emrin e madh të Cese tonë, QEMAL STAFA!”, -përfundon zv/ministri i Mbrojtjes./atsh

Koçi për Teatrin: Zhgënjyese gjuha arrogante dhe e tërbuar e disa gjoja të pavarurve Read More »

Basha: Të ndërtohet Teatër në Bulevardin e ri të Tiranës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka risjellë në vëmendje deklaratën e tij të një viti më parë mbi debatin e prishjes së Teatrit Kombëtar.

Sipas Bashës, nuk bëhet fjalë për ndërtimin e një teatri të ri, por për aferë korruptive sipas tij, mes Ramës e Veliajt.

“Më poshtë deklarata ime një vit më parë me 28 korrik 2018:”Rama nuk ka asnjë interes për teatër të ri pa kulla. Afera me Teatrin Kombëtar është për kullat e për të futur në xhep 200 mln euro dhe jo për Teatrin, sepse për të nuk ka Teatër pa kulla. Vetëm për luks qeveritar, Rama ka shpenzuar aq para sa për të ndërtuar 5 teatro kombëtarë. Unë i kuptoj artistët që kërkojnë një teatër më komod. Ka disa mundësi për një teatër të ri, si në Bulevardin e ri të Tiranës. Teatri aktual restaurohet në shërbim të artit e kulturës, por dhe si monument unik i trashëgimisë kulturore të Tiranës”, -thuhet ndër të tjera në deklaratën e kryetarit të PD-së./atsh

Basha: Të ndërtohet Teatër në Bulevardin e ri të Tiranës Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se dita sot parashikohet me mot të kthjellët e me vranësira kalimtare, kryesisht përgjatë relieveve malore.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me drejtim Veriperëndim-Jugperëndim 1-8 m/sek.

Valëzimi në dete parashikohet i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/35 Diell
Kukës 18/34 Diell re
Lezhë 19/35 Diell
Dibër 17/31 Diell re
Durrës 22/34 Diell
Tiranë 22/35 Diell
Elbasan 21/36 Diell
Berat 16/36 Diell
Vlorë 20/34 Diell
Korçë 16/31 Diell re
Gjirokastër 17/36 Diell re
Sarandë 20/33 Diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Parku Ujor Drilon-Tushemisht, atraksioni më i ri turistik në Pogradec

Parku Ujor Drilon-Tushemisht është atraksioni më i ri turistik që i shtohet qytetit piktoresk të Pogradecit.

Studioja portugeze e arkitekturës së peizazhit, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve (AADF) prezantuan ditët e fundit në Pogradec, projektin e Parkut Ujor Drilon-Tushemisht.

Prezantimi u bë në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Bashkia Pogradec.

Projekti synon ta transformojë zonën në një destinacion të pakrahasueshëm ekoturistik, i cili mund të nxisë investime në turizëm që rrisin, promovojnë dhe vënë në veprim burimet natyrore të cilat deri tani kanë qenë të pashfrytëzuara apo të nënshfrytëzuara.

Në takim u parashtruan sfidat që dalin përpara në realizimin e këtij projekti. Tushemishti është përfshirë në programin e “100 fshatrave” dhe shihet me përparësi planifikimi i investimeve në infrastrukturë, të cilat do të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë zonë. /atsh

Parku Ujor Drilon-Tushemisht, atraksioni më i ri turistik në Pogradec Read More »

Operacioni kundër informalitetit, vijojnë masat ndëshkimore ndaj shitësve abuzivë të naftës

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje se vazhdojnë masat ndëshkimore ndaj shitësve abuzivë të naftës. Operacioni kundër informalitetit ka nisur kontrollet edhe në sektorin e naftës, duke evidentuar si rastet e evazionit, ashtu edhe ato të cenimit të standardeve të cilësisë.

“Stop informalitetit. Vijojnë masat ndëshkimore ndaj shitësve abuzivë të naftës në pika shpërndarjeje pa faturim të ligjshëm për konsumatorin”, tha Rama.

Ai theksoi se ka zero tolerancë ndaj shkelësve. /atsh

Operacioni kundër informalitetit, vijojnë masat ndëshkimore ndaj shitësve abuzivë të naftës Read More »