Aktualitet

Denaj apel bizneseve të regjistrohen dhe të hapin llogari bankare

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka vijuar inspektimet si pjesë e zbatimit të Planit Operacional, në luftë kundër informalitetit.

Gjatë verifikimeve të kryera nga strukturat e Hetimit Tatimor, në Tiranë, në orët me aktivitet më të lartë ekonomik është konstatuar se ka përmirësim të dukshëm të treguesve edhe për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit të subjekteve për t’u vetëkorrigjuar. Megjithatë, nuk kanë munguar edhe raste të përsëritjes së vazhdueshme të shkeljeve.

“Janë konstatuar shkelje për herë të tretë të kuponit tatimor dhe bazuar në procedurat tatimore, përgjegjësit në këtë rast do të ndiqen penalisht. Është e rëndësishme të kuptohet se duhet të pritet kupon tatimor edhe në hyrje të lokaleve të natës për të shmangur penalizimet drastike. E kërkojmë këtë pasi nuk do të donim të ishim as në pozitat e vendosjes së shiritave dhe as të ndjekjes penale”, tha ministrja Denaj.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z.Ervin Hoxha, tha se gjatë kontrolleve të ushtruara janë konstatuar lokale me xhiro të lartë, që kanë shmangur detyrimin për të prerë kupon tatimor. “Kemi vënë re tendenca për mosdeklarim dhe mos përmirësim të xhiros nga këto subjekte, që janë me risk të lartë. Ju bëjmë thirrje që të vetëpërmirësohen dhe vetëdeklarohen sepse kontrollet do të vazhdojnë në mënyrë që të përmirësojmë këtë situatë”, tha Hoxha.

Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm në luftën kundër informalitetit është edhe ndryshimi i ligjit të Procedurave Tatimore, si pjesë e paketës “Moneyval”, për të cilin Denaj kërkoi bashkëpunim e tatimpaguesve për zbatimin e plotë të tij.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë i bëri apel tatimpaguesve të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Administratës Tatimore të hapin llogari bankare të biznesit të tyre, jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji (data 26.07.2019) dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore. Ndërsa, tatimpaguesit e regjistruar rishtas janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në QKB/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në organet tatimore.

“Ju lutemi tatimpaguesve të hapin llogaritë bankare, të regjistrojnë biznesin sipas procedurave ligjore. Nëse respektojmë rregullat, respektojmë ligjet shqiptare, atëherë do të kemi më pak inspektime, një marrëdhënie korrekte dhe garantim të konkurrencës së ndershme në treg”, tha ministrja Denaj./atsh

Denaj apel bizneseve të regjistrohen dhe të hapin llogari bankare Read More »

Aksioni kundër informalitetit/ Minxhozi: 30 të proceduar, nga të cilët 5 të arrestuar

Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 30 zyrtarë të administratës për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, mes tyre kryetari i një njësie administrative në bashkinë e Fierit me akuzën e favorizimit të evazionit fiskal.

Kështu bëri të ditur sot drejtori për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, drejtues Lutfi Minxhozi, në një deklaratë për mediet në lidhje me masat e marra nga Policia e Shtetit për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë.

“Në kuadër të planit të posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, në vijim të punës së përditshme u proceduan penalisht 23 nëpunës të bashkive; 3 nëpunës të sistemit fiskal; 4 nëpunës të Drejtorive Rajonale të Punësimit. Nga nëpunësit e proceduar penalisht, 5 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, konkretisht: Kryetari i një Njësie Administrative, bashkia Fier; 4 punonjës të Tatim-Taksave, në bashkinë Shkodër. Në 80 raste, për subjekte të ndryshme janë marrë masa administrative nga Tatimet duke vendosur gjoba. Në 15 raste, organet tatimore kanë vendosur bllokimin e aktivitetit të bizneseve të paligjshëm”, nënvizoi Minxhozi.

Sipas tij, në zbatim të këtij plani të posaçëm në shkallë vendi janë ushtruar kontrolle në 801 subjekte të ndryshme, nga të cilët 467 shërbime vendpushimesh me shezlon, 162 lokale në bregdet, 83 hotele, 24 ndërtime pa leje, 4 raste për territore të pushtuara dhe në pika shpërndarëse të karburantit.

“Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 89 subjekte në shkelje të ligjit dhe të gjithë përfaqësuesit e tyre janë proceduar penalisht për veprat penale: fshehja e të ardhurave, moslëshim i kuptonit tatimor, ushtrim aktiviteti tregtar i paligjshëm, mospagim i taksave dhe i tatimeve, ndërtim i paligjshëm etj., të cilat ndiqen në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore përkatëse”, tha Minxhozi.

Lidhur me masat sipas Drejtorive Vendore të Policisë, Minxhozi u shpreh se në DVP Tiranë, janë kontrolluar 46 subjekte, janë vendosur 11 gjoba dhe 9 përfaqësues të subjekteve janë proceduar penalisht.

Në DVP Durrës janë kontrolluar 61 subjekte, janë vendosur 13 gjoba, u është bllokuar aktiviteti 4 subjekteve, si dhe janë proceduar penalisht 8 përfaqësues të subjekteve.

Në DVP Berat janë kontrolluar 15 subjekte dhe janë proceduar penalisht 2 përfaqësues të subjekteve.

Në DVP Fier janë kontrolluar 177 subjekte, janë vendosur 19 gjoba, i është bllokuar aktiviteti 1 subjekti dhe janë proceduar penalisht 3 përfaqësues të subjekteve.

Në DVP Vlorë janë kontrolluar 258 subjekte, janë vendosur 17 gjoba, është bllokuar aktiviteti në 4 subjekte, si dhe janë proceduar penalisht 22 përfaqësues të subjekteve.

Në DVP Gjirokastër janë kontrolluar 5 subjekte, të cilat janë gjetur në ligjshmëri.

Në DVP Korçë janë kontrolluar 30 subjekte dhe janë vendosur 3 gjoba, është bllokuar aktiviteti në 3 subjekte dhe 7 përfaqësues subjektesh janë proceduar penalisht.

Në DVP Elbasan janë kontrolluar 25 subjekte, 17 përfaqësues subjektesh janë proceduar penalisht.

Në DVP Kukës janë kontrolluar 17 subjekte, 1 përfaqësues subjekti është proceduar penalisht.

Në DVP Dibër janë kontrolluar 23 subjekte dhe është vendosur 1 gjobë, është bllokuar aktiviteti në 1 subjekt dhe 3 përfaqësues subjektesh janë proceduar penalisht.

Në DVP Shkodër janë kontrolluar 12 subjekte dhe të gjithë përfaqësuesit janë proceduar penalisht.

Në DVP Lezhë janë kontrolluar 132 subjekte dhe janë vendosur 16 gjoba, është bllokuar aktiviteti në 2 subjekte, si dhe janë proceduar penalisht 5 përfaqësues të subjekteve.

“Strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me ato të Tatimeve, Doganave, Inspektoratet Qendror Teknik etj., janë duke vazhduar me intensitet në shkallë vendi kryerjen e detyrave të përcaktuar në “Planin e Posaçëm të Masave, kundër informalitetit dhe evazionin fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, tregtimin e mallrave të akcizës”, deri në kontrollin e plotë të gjithë territorit të vendit”, u shpreh Minxhozi.

Gjatë këtij operacioni masash, vijoi ai, përveç parandalimit, evidentimit dhe ndëshkimit të subjekteve, vëmendja kryesore e strukturave të Policisë së Shtetit do të përqendrohet në zbulimin, dokumentimin dhe procedimin penal të çdo zyrtari bashkie, Tatimesh, IQT, Dogane, Punësimi etj., të cilët me dashje nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e territorit, por kanë lejuar informalitetin, ndërtimet pa leje, ushtrimin e aktiviteteve të tregtisë së paligjshme, ushtrimin e aktivitetit tregtare pa kasë fiskale, shmangie doganore, në interes të tyre ose të personave të tretë, duke i sjellë dëme të konsiderueshme mjedisit, qytetarëve, bizneseve të ligjshme, nëpërmjet lejimit të konkurrencës së pandershme si dhe kanë sjellë dëme të konsiderueshme Buxhetit të Shtetit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital apo në adresat zyrtare në rrjetet sociale të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në MB, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm./atsh

Aksioni kundër informalitetit/ Minxhozi: 30 të proceduar, nga të cilët 5 të arrestuar Read More »

Kthehen në normalitet të gjithë sektorët e goditur nga moti i keq

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe institucionet që janë në varësi të saj, kanë qenë në gatishmëri të plotë për të përballuar dhe eliminuar pasojat e motit të keq që përfshiu vendin tonë mbrëmjen e datës 28 korrik 2019 dhe orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, 29 korrik 2019.

Nga raportimet e institucioneve kryesore të infrastrukturës dhe energjisë rezulton se:

Situata në akset rrugore

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie materialesh nga skarpatat në zonën Skuraj- Ulëz të cilat janë pastruar nga punonjësit. Gjithashtu janë dëmtuar ( gërryer) një pjese e shtresës së stabilizantit në Dalje Burrel -Ura e Mati, por në të dyja akset nuk ka probleme në qarkullimin e automjeteve.

Në akset rrugore Han i Hotit – Tamarë, Shkodër- Muriqan dhe Ura e Kirit – Mjedë ka pasur rënie të inerteve në rrugë, ku problemet më të mëdha janë shfaqur në Murriqan ku prurjet e materialeve kanë qenë tepër të larta dhe për pasojë ka pasur edhe bllokime të përkohshme dhe të pjesshme të rrugës. Është punuar gjatë natës për t’i mbajtur këto segmente të hapura, ndërsa vijon puna për pastrimin dhe kthimin në normalitet të tyre. Nuk ka bllokim të qarkullimit.

Në aksin Krujë – Sari Salltik, ka pasur rrëshqitje të masivëve shkëmbor, pa pasoja për qytetarët. Po punohet nga kontraktorët për lirimin e rrugës.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka ndjekur me përparësi situatën e furnizimit me energji elektrike në gjithë territorin e vendit dy ditët e fundit. Reparti i Likuidimet të avarive ka filluar menjëherë nga punimet në terren, duke operuar fillimisht në qarqet me risqet më të mëdha. Nga OSHEE janë rreth 2200 punonjës dhe 310 automjete në dispozicion të operimit dhe likuidimit të avarive, të organizuar në gatishmëri të plotë 24 orë.

Më 28 korrik u dëmtuan 54 fidra që furnizojnë rreth 57279 abonentë, por brenda 2-3 orësh, edhe në kushtet e motit të keq, u bë e mundur riparimi i 39 fiderave ku një pjese e tyre u stakuan për masë sigurie. Rreth 60% e defekteve janë në linja ajrore, ku një pjesë e mirë e tyre u dëmtuan nga moti i keq.

Pogradec/ Në orën 21:05 u stakua për 10 minuta energjia elektrike me kërkesë të Policisë Pogradec për shkak të rënies se zjarrit tek një banese, deri në sqarimin e rrethanave të incidentit dhe për të parandaluar përshkallëzimin e përhapjes së vatrës së zjarrit. Fideri në fjalë furnizon me energji elektrike të gjithë zonën turistike bregu i liqenit Pogradec.

Himarë/ Në zonën e Himarës në orën 21:45 për shkak të defektit në kabinën Private Lefter Kumi u provokua stakimi i Fiderit 1 Himare. Grupet e gatishmërisë së OSHEE-së lokalizuan defektin me shkëputjen nga rrjeti të kësaj kabine dhe rikthimin e energjisë pas 27 minuta. Grupet punuan për riparimin e defektit në linjën TM që furnizon kabinat private Vasillaq Strakosha, Fotiadhi dhe Sofie Bishe. Kjo pjesë linje TM u dëmtua për shkak të zjarrit dhe lidhjes së shkurtër tek kabulli TU i kabinës Private Lefter Kumi. Edhe në këtë segment u rikthye energjia në orën 23:45.

Falë masave të mara, pavarësisht kushteve të motit, u garantua furnizimi tek të gjithë hidrovorët në rang vendi. Grupet e OSHEE punuan në kushtet e motit të keq për riparimin e dëmtimit të fiderit 11 Biçukas për shkak të rënies së një peme mbi linjë.

Operatori i Sistemit të Transmetimit OST, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare si dhe Autoritet Portuale raportojnë se nuk ka pasur probleme pavarësisht motit me reshje të dendura dhe erëra të fuqishme që përfshiu vendin.

Janë marrë të gjitha masat për të kthyer në normalitet që në orët e para të mëngjesit, të gjithë sektorët e goditur nga moti i keq./atsh

Kthehen në normalitet të gjithë sektorët e goditur nga moti i keq Read More »

Fluks turistësh të huaj në parqet arkeologjike, 130.785 vizitorë në 6 muaj

Parqet arkeologjike në vendin tonë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë gjashtë mujorit të parë të 2019.

Këto parqe në Shqipëri kanë pritur 130.785 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2019. Pra mbi 10 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë.

Shqipëri ka një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalanë e Gjirokastrës, atë të Lëkurësit në Sarandë, kalanë e Krujës, të Beratit, Elbasanit, kalaja e Petrelës në Tiranë, ajo e Ali Pashës në Tepelenë, kalaja e Rozafës në Shkodër etj. Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik në Berat, muzetë arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeun e armëve dhe atë Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.

Këto parqe kanë interes pasi tregojnë historinë dhe kulturën si dhe janë dëshmi e gjurmëve që ka lënë historia në to. /atsh

Fluks turistësh të huaj në parqet arkeologjike, 130.785 vizitorë në 6 muaj Read More »

Merr flakë në Gadishullin e Karaburunit anija turistike “Aqua Marine”/Detaje

Drejtoria e Përgjithshme Detare kanë zbardhur detaje të reja mbi djegien e anijes turistike “Aqua Marine”, në Gadishullin e Karaburunit.

DPD bën me dije se është njoftuar për zjarrin nga kapiteni i anijes, Nikolla Janku, ndërsa ngjarjen ja ka konfirmuar edhe pronari i “Aqua Marines”, Edmir Mamushi.

Ndër të tjera, DPD publikon edhe emrat e pesë personave, që ndodheshin në ekuipazhin e anijes dhe që arritën të shpëtonin, duke u hedhur në det e dalë në breg.

Njoftimi i plotë

Ne baze te situates se ndodhur ne bordin e anijes turistike AQUAMARINE e cila ishte akostuar ne gadishullin e karaburunit per shkak te kohes se keqe te ndodhur ne daten 28/07/2019 gjate gjithe dites.

Sot ne oren 05:51 Kapteneria e Portit Vlore u njoftua nga kapiteni anijes A/T Black Pearl Z.Nikolla JANKU , se anija turistike Aquamarine ishte perfshire ne flak te medha ne largesi e cila ndodhej e akostuar ne plazhin e Dhim Kushtes ne Karaburune.
Ekuipazhi anijes akuamarine kishte kete ekuipazh ne bord:
Ervis Hoxha Kapiten
Edison Shaha Marinar

Erald Hoxha Marinar
Renato Kociu Marinar
Benard Alluashaj Motorrist

05:55 U kontaktua me kapitenin e A/T AKUAMARINE z. Ervis HOXHA dhe pronarin Edmir MAMUSHI dhe me konfirmuam se rreth ores 03:45, anija eshte perfshire nga flaket si pasoje e nje mase elektrike. Perfshirja e anijes ne flak ka qene e menjehershme dhe skan pasur kohe te mernin masa per fikjen e zjarrit dhe jane hedhur ne det te gjithe personat.

Deklarojne se jane anijet e rojes bregdetare por skan harritur ta shuajne, 5 persona ne bord kane dalur ne breg pa lendime, vetem deme materjale.

05:59 U njoftua Kapiteni i Portit per gjithe situaten e ndodhur deri ne at moment.
06:05 U komunikua me QNOD e cila ishte ne djeni per ngjarjen dhe kishte mare njoftim nga policia Kufitare

Ne bord gjendeshin rreth 230 litra naft, te cilat u dogjen totalisht gjate procesit te flakve.
Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave dhe zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

I kerkojme nga Rregjistri Detar Shqiptar si organi kontrollues dhe çertifikues i anijeve qe te marrin masa dhe te te jenë te rreptë në inspektimet dhe çertifikimet e anijeve dhe standartet e tyre.

Drejtoria e Pergjithshme Detare

Merr flakë në Gadishullin e Karaburunit anija turistike “Aqua Marine”/Detaje Read More »

Ja si parashikohet të jetë moti

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura dhe reshje shiu që në orët e para të ditës.

Reshjet do të jenë me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave dhe stuhive më të përqendruara në Veriperëndim të vendit, deri në orët e mëngjesit. Gjatë ditës, reshjet do të mbeten të herëpasherëshme me intensitet të ulët.

Era do të fryjë Juglindje-Jugperëndim 1-10m/sek, përgjatë vijës bregdetare era deri në 15m/s. Valëzimi i forcës 2-3.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/28 Diell shi rrufe
Kukës 17/28 Diell shi
Lezhë 19/29 Diell shi rrufe
Dibër 15/26 Diell shi
Durrës 20/29 Diell shi
Tiranë 21/31 Diell shi
Elbasan 20/31 Diell shi
Berat 16/31 Diell shi
Vlorë 19/30 Diell shi
Korcë 16/24 Diell shi
Gjirokastër 15/31 Diell shi
Sarandë 19/30 Diell shi/atsh

Ja si parashikohet të jetë moti Read More »

Policia Kufitare dhe FNSH ndërhynë në tri raste të vështira në ndihmë të turistëve

Falë ndërhyrjes së shpejtë nga Policia Kufitare dhe FNSH, u është dhënë ndihma e parë 5 shtetasve nga Shkodra dhe Kosova në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit, të cilët rrezikuan mbytjen. Pesë shtetasit u transportuan për në qendrën spitalore, ku gjendja shëndetësore e tyre është jashtë rrezikut për jetën.

Po në të njëjtin vend u dha ndihma dhe 9 shtetasve Çekë të cilët kishin ngelur të izoluar dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit, jeta e tyre u vu në rrezik. Falë ndërhyrjes së Policisë të 9 shtetasit kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën. Njëkohësisht edhe në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një plazhist i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit.

Policia e Shtetit, ju bën thirrje të gjithë pushuesve të tregojnë kujdes maksimal pasi deti aktualisht është i trazuar dhe me dallgë të mëdha. Policia e Shtetit sugjeron pushuesit dhe turistët që të shmangin lëvizjet me mjete lundrimi, si motor uji apo varka deri në qetësimin e detit.

Policia Kufitare ka rritur patrullimin me mjetet e saj lundruese në det dhe është angazhuar maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë çdo pushuesi që i rrezikohet jeta në det.

Në ndihmë të Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht edhe shërbimet e Policive Vendore si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me patrullim tokësor/atsh

Policia Kufitare dhe FNSH ndërhynë në tri raste të vështira në ndihmë të turistëve Read More »

Platforma e bashkëqeverisjes, 28454 ankesa të zgjidhura në nivel qendror

Në platformën e bashkëqeverisjes “Shqiperiaqeduam.al”, në nivel qendror, numri i ankesave të zgjidhura kap vlerat e 28454 nga 41218 numri total i ankesave të regjistruara.

Numri total i ankesave të zgjidhura në nivel qendror është 28 454 nga 41 218 që është numri total i ankesave të regjistruara.

Në nivel vendor numri total i ankesave të zgjidhura është 3463 nga 7236 raste të regjistruara.

Ndërkaq, në platformë janë shënuar 10 raste të spikatura suksesi gjatë kësaj jave nga të cilat 7 nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe 3 nga ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Po kështu, në platformën e bashkëqeverisjes numri total i regjistrimeve të reja kap vlerat e 18468 ndërsa numri total i llogarive është 108934./atsh

Platforma e bashkëqeverisjes, 28454 ankesa të zgjidhura në nivel qendror Read More »