Aktualitet

Ndriçim Xhepa: Teatri Kombëtar duhet shembur, vlerat e traditës të ruhen me fanatizëm në arkivat e godinës së re

Aktori i njohur i skenës shqiptare, Ndriçim Xhepa pranon se Teatri Kombëtar duhet prishur dhe duhet të ngrihet një godinë e re.

Në vijim të qëndrimeve të aktorëve të njohur që mbështesin prishjen e Teatrit Kombëtar, kryeministri Edi Rama shpërndau sot qëndrimin e Ndriçim Xhepës, i cili konstaton problemet që ndesh prej shumë vitesh në institucionin ku punon prej 37 vitesh.

“Duke pasur parasysh kondicionet në të cilat është ndërtuar kjo ndërtesë nga italianët, vitet që kanë kaluar mbi afatin e ekzistencës së saj, pra, trefishi i kohës, duhet prishur dhe duhet të ngrihet një godinë e re. Dhe vlerat e traditës së këtij institucioni për më shumë se 70 vjet, duhet të ruhen me fanatizëm nëpër arkiva të një teatri serioz sepse kam përshtypjen se nuk jemi aq të respektueshëm dhe dinjitozë në ruajtjen e vlerave të gjeneratave të kaluara, ashtu si ndodh në çdo institucion dinjitoz europian. Janë këto disa probleme, që unë i konstatoj prej shumë vitesh në institucionin ku punoj prej 37 vitesh”, u shpreh Xhepa.

Ndriçim Xhepa, tha Rama, “ka bërë histori me peshë të posaçme në skenën e Teatrit Kombëtar”.

“Ai është ngjitur me mijëra e mijëra herë në atë skenë dhe ka të drejtën e një nostalgjie mijëra e mijëra herë më të fortë, se sa disa figura që rolin e tyre më të spikatur në karrierën teatrale, kanë atë të protestuesit për mbrojtjen e një Turpi Kombëtar, siç është sot gërmadha që gabimisht quhet akoma teatër kombëtar”, tha Rama.

Kryeministri kujton se “edhe Ndriçim Xhepa është një demokrat i orëve të para, të cilin s’e ka lidhur kurrë asgjë me Partinë Socialiste, pavarësisht se si qytetar i nderuar që është në radhë të parë, ai s’ka bërtitur apo sharë ndonjëherë në publik, siç bëjnë demokratikasit e dalluar shqiptarë”.

“Ja çfarë mendon aktori ynë i madh, për çështjen e teatrit dhe ja se sa thjeshtësisht bukur, e sheh ai edhe ruajtjen e historisë së teatrit kombëtar. E cila s’ka asnjë lidhje me muret prej tallashi të karakatinës së “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane, si një ngrehinë e përkohshme për argëtimin pas pune”, tha Rama./atsh

Ndriçim Xhepa: Teatri Kombëtar duhet shembur, vlerat e traditës të ruhen me fanatizëm në arkivat e godinës së re Read More »

Ristani: E vetmja rrugë për PD-në, ta mundë Ramën me zgjedhje, jo me llafe

Ish-sekretari i Përgjithshëm demokrat, Arben Ristani tha sot se Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm.

Ristani reagoi sot ndaj sulmeve të analistëve pranë opozitës në media, që i cilësojnë kritikat e tij si “goditje” ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Zgjedhjet u mbajtën – edhe përkundër përbetimeve të disa personave publikë, analistëve proopozitarë, njërit prej të cilëve jam i detyruar t’i përgjigjem sot me këtë shkrim. Besoj ju kujtohet solemniteti i atyre që përbetoheshin se nuk do lejonin zgjedhje më 30 qershor – solemnitet që mbante nënshkrimin viral #metoo”, tha Ristani.

Sipas tij, jo vetëm që zgjedhjet u mbajtën, “por mesa duket këtë vit në horizont nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, pa Ramën kryeministër”.

“Ky ishte përbetimi tjetër i madh që bëhet tym. Në këtë situatë jam shprehur se PD mund dhe duhet ta mundë në zgjedhje – dhe jo në llafe – Ramën dhe Rilindjen, si e vetmja rrugë qe kemi, edhe pas këshillave dhe insistimit të partnerëve ndërkombëtare, evropianë dhe amerikanë”, theksoi Ristani.

“Ideja se ne duhet të flisnim kur ishte koha për të folur, ndaj tani duhet të heshtim përgjithmonë, më shtyn të mendoj se, sipas kësaj aksiome Gjekmarkiane, njeriu politik është i destinuar të jetojë paradoksin e mërzitshëm në të cilin, nëse flet jashtë llafollogjisë së miratuar nga lidershipi, je i dënuar të quhesh automatikisht ose i shitur, ose i hatërmbetur. Nga ana tjetër, nëse njeriu politik i mbështet dhe miraton tezat e lidershipit, me shpresë dhe besim në vërtetësinë e tyre, ai duhet të heshtë përgjithmonë, pasi duhet të kishte folur kundra tyre më parë”, tha Ristani.

“Ku do na shpjerë ky qëndrim? Uniteti grushtbashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbërthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës”, përfundoi ai. /atsh

Ristani: E vetmja rrugë për PD-në, ta mundë Ramën me zgjedhje, jo me llafe Read More »

Shkarkohet kryetari i Gjykatës së Lartë, KPA: Xhezair Zaganjori nuk justifikon pasurinë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi sot nga detyra kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Komisioneri Publik kishte ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit trupi gjykues i të cilit kishte konfirmuar në detyrë kreun e Gjykatës së Lartë.

Sipas Komisionierit Publik, Zaganjori nuk justifikon deklaratat e pasurisë së tij.

Në vendimin e publikuar gjatë seancës së sotme ku Zaganjori nuk ishte i pranishëm, KPA theksoi se kryetari i Gjykatës së Lartë nuk mbulon pasurinë me burime të ligjshme dhe ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë.

Trupi gjykues theksoi se “Zaganjori ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe ka kryer deklarim të pasaktë. Në lidhje me shpenzimet e shkollimit të fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjermani për periudhën 2010 dhe 2019, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë i saktë në deklarimin e shpenzimeve të kryera dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar likuiditetet e përdorura për shpenzimet e kryera”.

“Trupi gjykues shqyrtoi çështjen në tërësi. Bazuar në aktet e administruara dhe provat e paraqitura, arriti në konkluzionin se duhet ndryshuar vendimi i KPK dhe vendos shkarkimin nga detyra të Xhezair Zaganjorit”, deklaroi sot trupi gjykues i KPA duke ndryshuar vendimin e KPK-së./atsh

Shkarkohet kryetari i Gjykatës së Lartë, KPA: Xhezair Zaganjori nuk justifikon pasurinë Read More »

PD: Nuk e dorëzojmë Shkodrën tek 6%

Shkodranët nuk njohin vendimet që shkelin liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe do të reagojnë me vendosmëri në mbrojtje të tyre’.

Deklarata është bërë nga ish-deputetja e PD-së Izmira Ulqinaku mesditën e sotme nga Shkodra, ku foli për vendimin e gjykatës që i ka njohur mandatin e kryebashkiakut, Valdrin Pjetrit.

‘Kushtetuta e detyron kryebashkiaken Ademi të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit në mënyrë të ligjshme e kushtetuese’, tha ajo.

‘Shkodra nuk mund të qeveriset nga pakica e 6% -shit dhe nuk do t’i dorëzohet krimit’, theksoi Ulqinaku.

Deklaratë e PD, dega Shkodër, Izmira Ulqinaku:

Sot, përmes mediave, të gjithë shkodranët janë njohur me aktin e rradhës të farsës së 30 qershorit. Don Kishoti që ‘triumfoi’ me ‘mullinjtë e erës’ në votime moniste si në kohën e diktaturës komuniste, u shpall fitues i votimeve socialiste nga një gjykatës i vënë nën presion nga ethet e vettingut që i rri mbi kokë sistemit të drejtësisë në vend.

Partia Demokratike e Shkodrës është e vendosur në mbrojtjen e Kushtetutës, Dekretit të Presidentit të Republikës dhe ligjeve të këtij vendi.

Asnjë vendim i asnjë institucioni në shkelje ligjore, të lirive e të drejtave themelore të njeriut, nuk do të njihet nga banorët e Bashkisë së Shkodrës. Çdo përpjekje për t’ju imponuar shkodranëve përmes institucioneve të kapura dhe që shkelin Kushtetutën, Dekretin e Presidentit dhe ligjet e Shqipërisë, do të përballet me vendosmërinë e njohur të shkodranëve.

Në 2015-ën, përmes një procesi gjithëpërfshirës, të lirë, demokratik dhe të njohur nga të gjitha forcat politike në vend dhe nga ndërkombëtarët, janë zgjedhur kryebashkiakët e ligjshëm në 61 bashkitë e vendit, mes tyre edhe Bashkia e Shkodrës.

Këta kryebashkiakë kanë detyrimin kushtetues, ligjor por edhe moral të qëndrojnë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësve të tyre me një proces të ligjshëm dhe kushtetues.

Partia Demokratike Shkodër i bën thirrje Edi Ramës dhe sejmenëve të tij lokalë, të mos e provokojnë Shkodrën e shkodranët me individë të emëruar dhe jo të zgjedhur nga vota e qytetarëve.

E kemi përsëritur dhe e përsërisim edhe sot: Shkodra nuk mund të qeveriset nga 6% e atyre që edhe me dhunë, u detyruan të bëhen pjesë e farsës së 30 qershorit.

Shkodranet nuk kane per te pranuar kurre qe edhe Bashkine Shkoder tia dorëzojnë krimit te organizuar, tia dorezojne perfaqesuesit te emeruar prej tyre.

Çdo përpjekje për të vepruar ndryshe, është e dështuar dhe do të përballet me rezistencën qytetare, paqësore të të gjithë popullit që me 30 qershor i dha përgjigjen këtij regjimi duke e braktisur masivisht.Klsh

PD: Nuk e dorëzojmë Shkodrën tek 6% Read More »

Meta: “Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka”

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të heqë dorë nga shantazhet dhe presionet ndaj institucioneve të tjera duke penguar zbatimin e dekretit të tij për zgjedhjet e 13 tetorit. Ai tha se Shqipëria ndodhet në një teatër të madh politik e absurd dhe iu bëri thirrje si maxhorancës ashtu dhe opozitës t’i japin fund. Presidenti iu drejtua tre liderëve politikë në vend, Edi Ramës, Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit duke i quajtur ‘artistë’.

“Ajo që na shqetëson më shumë është ky Teatri i madh politik, absurd, i cili kërcënon që Shqipëria të dërrmojë çdo mundësi për të çelur negociatat në 17-18 tetor. Prandaj dhe njëherë iu bëj thirrje të gjithëve, në mënyrë të veçantë të tre artistëve t’i japin fund këtij absurdi të marrin masa për zgjedhjet vendore më 13 tetor sepse qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë qetësi, normalitet, një qeverisje vendore të ligjshme dhe legjitime dhe po kështu që garanton llogaridhënie për të gjitha shqetësimet e tyre.

Zgjedhjet vendore nuk besoj se zgjidhin gjithçka por ky është një detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm. Në radhë të parë është detyrim për kryeministrin që të heqë dorë nga shantazhet dhe presionet ndaj gjithë institucioneve të tjera duke penguar zbatimin e këtij dekreti dhe padyshim është përgjegjësi e gjithë të tjerëve të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit.
Kam formalizuar dhe një letër dërguar sekretarit të OSBE për të negociuar me të dyja palët për arritjen e një zgjidhje sa më të shpejtë në ditët në vijim, pasi nuk kemi kohë për të parandaluar jo vetëm përshkallëzimin e kësaj situate por edhe e padenjë për një vend që duhet të jetë shembull”, deklaroi Meta.

Ai tha se kam insistuar prej kohësh për një dialog të qëndrueshëm, jo për demagogji por për marrje përgjegjësish nga të gjitha palët.
“Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka. Sot jemi në një situatë kaotike në të gjitha drejtimet. Opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë. Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk takohen me njëra-tjetrën, rruga e kapjes së të gjitha institucioneve nga njëra anë dhe rruga tjetër e de legjitimimit të gjitha institucioneve. ne kemi nevojë për një rrugë, rruga e përbashkët e anëtarësimit në BE”, tha ai.

Meta: “Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka” Read More »

Dy mijë individë flamingosh vizitorët e korrikut në lagunën e Nartës

Flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe me ngjyrë mjaft interesante, janë rikthyer gjatë këtyre ditëve të nxehta korriku në ‘shtëpinë e tyre’ në Kriporet dhe lagunën e Nartës.

Afro dy mijë individë flamingosh adultë, janë përqendruar tashmë në një digë duke u përpjekur të folezojnë sërish, pasi tashmë memorandumi i gjuetisë e ka kthyer këtë vend në një habitat të sigurt për këta shpend interesant.

Gjithashtu këto zogjtë lozonjarë tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, herët në fillim dite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij. Ata janë kthyer në një destinacion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.

Laguna e Nartës, renditet e dyta më e madhe nga rëndësia për shpendët e ujit. Në këtë lagunë janë rreth 20,000 shpendë dimërorë të rreth 40 llojeve, duke u kthyer në një habitat shumë të pasur, gjithashtu vendushqimi për pelikanin dhe ku takohen rregullisht flamingot.

Laguna e Nartës ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km 2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur. /atsh

Dy mijë individë flamingosh vizitorët e korrikut në lagunën e Nartës Read More »

Rikthehet në jug Turtle Fest, mijëra turistë dhe mbi 45 DJ nga e gjithë bota spektakël në rivierën shqiptare

Bregdetit tonë të mrekullueshëm të jonit do t’i shtohet akoma më shumë atmosfera këtë fundjavë nga tingujt e një prej festivaleve më argëtuese jo vetëm për pushuesit, por dhe për adhuruesit e zhanreve të ndryshme muzikore.

Festivali Turtle Fest do të hapë dyert e performancave fantastike në një prej perlave të plazheve të jugut, Drymadhes, duke nisur nga e premtja në mbrëmje deri të djelën, përkatësisht në datat 26, 27 dhe 28 korrik.

“Është koha për Turtle Fest. Evenimenti i njohur muzikor për të rinjtë shqiptarë dhe europianë, vjen verën e vitit 2019, në edicionin e tij të 8-ë. 3 netë muzikë, spektakël në brigjet e detit jon, në Drimadhë! Mijëra vizitorë, mbi 45 DJ më të famshëm nga gjithë bota do të shijojnë muzikën, natyrën dhe pamjet spektakolare të rivierës së jugut, në Shqipëri”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. /atsh

Rikthehet në jug Turtle Fest, mijëra turistë dhe mbi 45 DJ nga e gjithë bota spektakël në rivierën shqiptare Read More »

Miratohet ndërtimi i parkut eolik të energjisë elektrike në Topojë, Fier

Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe të veprave ndihmëse në Njësinë Administrative Topojë, Qarku Fier, nga shoqëria “Max Energy”, sh.p.k.

Elementët e miratuar janë:

a) Emri i aplikuesit: “Max Energy”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS i aplikuesit: L77003205H;
c) Tipi i centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;

d) Numri i njësive gjeneruese të burimit gjenerues të energjisë dhe kapaciteti i tyre në MË: 1 (një) turbinë me kapacitet 3 MW;
dh) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 24 muajve, nga marrja e lejes së ndërtimit;
e) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Njësia Administrative Topojë, Qarku Fier;
ë) Afati i miratimit të ndërtimit: 48 muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi;

f) Koordinatat e tokës: sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
g) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit dhe vënies në punë, me synimin që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe dokumentacionit të projektit;
gj) Shoqëria “Max Energy”, sh.p.k. ka detyrimin që: i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “Max Energy”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj;

t’i japë falas, në formë royalty, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sasinë e energjisë elektrike (por jo më të vogël se 2% të sasisë vjetore të prodhimit ose konvertimin e saj në vlerë). Në rast konvertimi në vlerë monetare, këto të ardhura derdhen tërësisht në buxhetin e shtetit;
të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. /atsh

Miratohet ndërtimi i parkut eolik të energjisë elektrike në Topojë, Fier Read More »