Aktualitet

Asnjë cm2 i truallit nuk do preket nga asnjë privat, mbi të do të ndërtohet vetëm Teatri i Ri Kombëtar

“Asnjë centimetër katror i truallit të Teatrit nuk do të preket nga asnjë privat dhe mbi të do të ndërtohet vetëm Teatri i Ri Kombëtar”, deklaron Kryeministri Edi Rama.

Rama sqaron se pjesa që do t’i jepet privatit në këmbim të një teatri të ri është pjesa përtej murit rrethues.

Duke publikuar pamje nga kjo zonë e cila duket se ka degraduar për shkak të gjendjes së mjeruar në të cilët ndodhet, Kreu i Ekzekutivit nënvizon se “është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, NË KËMBIM TË TEATRIT TË RI që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit”.

“Është folur e stërfolur, shpifur e stërshpifur, akuzuar e stërakuzuar, për truallin e teatrit që do “kafshohet” nga privati! Në fakt ASNJË CM2 i truallit të teatrit nuk do të preket nga asnjë privat dhe mbi të do të ndërtohet VETËM TEATRI I RI KOMBËTAR! Ndërsa po, është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, NË KËMBIM TË TEATRIT TË RI që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit!

Dhe trualli në fjalë është ky që do të shikoni në këtë video.

Shikojeni dhe më thoni: A është ky truall një vlerë arkeologjike, historike, kombëtare apo kulturore, që po e humbet Shqipëria me këtë partneritet Publik-Privat për Teatrin e Ri Kombëtar? Dhe nëse jo, a nuk i’a vlen që në këmbim të këtij trualli, i cili do t’i bashkëngjitet pronave private përreth, Shqipëria të përfitojë një Teatër të Ri Kombëtar të denjë për Shqipërinë që duam? Shikim të mbarë”, shprehet kryeministri. /atsh

Asnjë cm2 i truallit nuk do preket nga asnjë privat, mbi të do të ndërtohet vetëm Teatri i Ri Kombëtar Read More »

Moti/Reshje shiu parashikohen me intensitet të ulët

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet i kthjellët e me zhvillim të vranësirave në mesditë në pjesën jugore dhe lindore.

Reshje shiu parashikohen me intensitet të ulët lokal në mesditë deri në pasdite në zonat malore dhe pjesën jugore.

Mjegullinë lokale në orët e mëngjesit.

Era do të fryjë Veri-Veriperëndim 1-10 m/sek. Përgjatë vijës bregdetare jugore deri në 15 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 19/32 Diell
Kukës 19/31 Diell shi
Lezhë 21/32 Diell
Dibër 17/29 Diell shi
Durrës 22/32 Diell
Tiranë 22/32 Diell re
Elbasan 21/32 Diell shi
Berat 22/33 Diell shi
Vlorë 23/33 Diell
Korçë 19/28 Diell shi
Gjirokastër 19/33 Diell shi
Sarandë 21/32 Diell re/atsh

Moti/Reshje shiu parashikohen me intensitet të ulët Read More »

Turistët e huaj të mahnitur me Shqipërinë: Do të kthehemi sërish

Turistë të huaj nga Suedia, Norvegjia Franca, Gjermania, Irlanda e Kina ndanë përshtypjet e tyre për natyrën e mrekullueshme të vendit tonë, historinë e kulturën, si dhe mikpritjen tradicionale që përcillet nga të rinjtë e Smile Albania.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video me përshtypjet e turistëve të huaj të cilët janë mirëpritur nga të rinjtë e “Smile Albania”.

“Ne vijmë nga Suedia. Vizituam Shqipërinë dhe do të kthehemi sërish këtu”, u shprehën një grup turistësh nga vendi nordik.

Një turiste nga Kina tha se e ka shijuar shumë eksperiencën shqiptare. “Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe fantastik. Shpresoj që njerëzit e vendit tim të vijnë dhe të shijojnë miqësinë me këto njerëz dhe pamje të mrekullueshme”, u shpreh turistja kineze.

“Vitin që kaloi, kaluam nga Shqipëria për në Greqi. Na pëlqeu aq pak sa pamë dhe vendosëm të ktheheshim për të vizituar nga veriu në jug. Kemi ngelur të mahnitur nga ajo që kemi vizituar”, tha një çift turistësh nga Franca.

“Ne jemi nga Irlanda, kemi udhëtuar nëpër Shqipëri 2 javë. Ajo që mund t’ju them është se njerëzit janë fantastik, vendet janë të mrekullueshme dhe çdo njeri duhet të vijë dhe të përjetojë një eksperiencë që ndodh një herë në jetë”, u shprehën turistët nga Irlanda.

Ndërsa turistë nga Gjermania u shprehën se “na pëlqen gjithçka në Shqipëri. Kështu është super. Ne do kthehemi sërish këtu në Shqipëri”, tha vajza nga Gjermania./atsh

Turistët e huaj të mahnitur me Shqipërinë: Do të kthehemi sërish Read More »

“Lungomare”, model i zhvillimit të turizmit që ka tërhequr edhe investitorë të huaj

“Na gjeti krejt të papërgatitur përfundimi i “Lungomares” dhe rritjen e volumit të punës e përballuam me mjaft vështirësi”,- më thoshte dy vjet më parë, në fillim të muajit shtator të 2017-ës, bashkëpronari i një prej lokaleve më të njohura përgjatë shëtitores në Vlorë.

Sipas tij, fluksi i klientëve në ato dy muaj u rrit ndjeshëm, çka i detyroi atë dhe ortakun, të rekrutonin personel me mangësi në formim, por me dëshirën për të punuar. Sot, dy vjet më pas, ai ndjen siguri në investimin që ka bërë, ndërkohë që, të ardhurat i janë shtuar dhe beson se do t’i shtojë edhe më tej gjatë kësaj vere.

Në sezonin veror të dy viteve të shkuara, ndërkohë që projekti i “Lungomares” sapo kishte përfunduar, kjo pjesë e bregdetit vlonjat, u bë edhe epiqendra e performancës turistike në Vlorë dhe më gjerë. Me transformimin e thellë infrastrukturor, pamjen tërheqëse estetike, dimensionin funksional dhe elementët e tjerë atraktivë, “Shëtitorja” u shndërrua në vetëm pak muaj në polin më të rëndësishëm të qytetit të Vlorës.

Sot, Lungomare është pasqyra e dinamikës së zhvillimit të qytetit, e jetës dhe argëtimit, e ekonomisë dhe shpresës. Vetëm gjatë këtij viti, përgjatë saj, u hapën dhe nisën aktivitetin 7 subjekte të reja hotelerie, ndërkohë që, krahasuar me dy vite me parë, kapaciteti akomodues hotelerik ka regjistruar një rritje me të paktën 4 herë.

Një trend i theksuar rritjeje është shënuar edhe në drejtim të lokaleve, bareve dhe restoranteve. Në gjeografinë e strukturën e këtij sektori, ka një ndryshim tërësor. Numri i subjekteve është rritur me me më shumë se 40 përqind, krahasuar me 2017-tën, ndërsa cilësia dhe në përgjithësi, standardi i shërbimit, as që mund të krahasohen. Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, dinamika e transformimit ka qenë aq intensive sa, sot mund të thuhet me bindje që, “Lungomare” është shndërruar në një model për zhvillimin e turizmit, në një model të suksesshëm, ku, efektiviteti i investimit është mjaft i dukshëm.

Në këtë pjesë të bregdetit, kanë investuar individë dhe biznese nga Vlora, Tirana, qytete e krahina të ndryshme të Shqipërisë, ashtu si edhe nga Kosova, Italia, Turqia e vende të tjera. Në këtë këndvështrim, “Lungomare” është një mjedis ku bashkëjetojnë e konkurrojnë, filozofi të ndryshme të të bërit biznes, ku zhvillohen interesa, ku janë shkrirë kufijtë mes shteteve, ku individët nuk vlerësohen me atë se “nga vijnë”, por me “çfarë bëjnë”.

“Të ardhurat e mia dhe të ortakut tim, janë aktualisht dy herë më të larta se sa dy vite më parë”, thotë pronari i lokalit që përmenda në hyrje të shkrimit.

Ai saktëson se, transformimi i vijës bregdetare nga Skela në Ujin e Ftohtë, ka krijuar një atmosferë tjetër, ka shtuar fluksin e pushuesve, të cilët shëtisin mbrëmjeve, por edhe konsumojnë një darkë, apo një gotë verë, një pije freskuese etj.

Ndërkohë, Mesoja, bashkëpronar i një tjetër restoranti gjithashtu të njohur, e çon edhe më tej argumentin e vet.

Ai shprehet se, shtimi i fluksit të turistëve, veçanërisht atyre të huaj, u shoqërua edhe me elementë të tjerë të zhvillimit.

“E them pa ngurrim, se, ne gjatë këtyre dy viteve kemi mësuar nga të huajt. Kemi mësuar si të përgatitemi, të sillemi dhe të veprojmë në kushtet e fluksit të shtuar dhe si të jemi të sjellshëm me klientët, të cilët prenotojnë dhe janë të gatshëm të presin, mjafton që të shijojnë një darkë apo drekë të mirë e të shijshme me prodhime deti dhe verë”, thotë Meso.

Ai shton se, në periudhën e verës, janë të detyruar të punojnë vetëm me rezervime, të cilat bëhen edhe një ditë më parë dhe klientët, në pjesën më të madhe janë turistë të huaj, nga Italia, Anglia, Franca, Spanja, Rusia, Ukraina, Bjellorusia.

Ndërkohë, për Vasil Bedinin, operatorin e suksesshëm dhe të njohur të turizmit, projekti i “Lungomares”, ishte themeli i një perspektive ndryshe për turizmin. “Network-u” i hoteleve dhe restoranteve që ai ka krijuar për të përballuar kontratat dhe marrëveshjet me agjencitë turistike, e ka bazën në këtë hapësirë të Vlorës. Këtu, ku ai ka ndërtuar një nga hotelet më të njohura në të gjithë bregdetin dhe ku ka bërë bashkë simotra të tjera hotelerike, sipas një modeli bashkëkohor kooperimi.

Në këndvështrimin e tij, “Shëtitorja”, ka ndryshuar gjithë vijën bregdetare, por ka transformuar edhe mentalitetin për të shfrytëzuar bukuritë natyrore, në funksion të zhvillimit. Dhe, turizmi, si themel i këtij zhvillimi, tashmë ka një nga modelet e veta, atë model që ka bërë bashkë qytetarë nga Vlora, Shqipëria dhe mjaft vende të tjera. Për Bedinin, sezoni turistik shtrihet shumë më tepër se muajt e verës. Nga muaji maj deri në tetor, për të është një periudhë intensive dhe turistë nga vende të ndryshme të Evropës, shijojnë bukuritë e bregdetit vlonjat. Kontratat i mbyll qysh një vit më parë dhe impenjimi i vetëm gjatë sezonit për të, është të plotësojë standardet e parashikuara në marrëveshje

“Lungomare”, si një hapësirë kompakte, përfshin në vetvete resurse dhe optimizëm, realitete dhe dëshira për të synuar standarde, të krahasueshme me ato të vendeve më të përparuara.

Në vetëm dy vite, çdo pjesë e kësaj hapësire është shndërruar në mundësi për individin dhe individët në përgjithësi. Parkingjet nëntokësore në pallatet e banimit, dikur të braktisura, sot janë funksionalë dhe gjenerues të ardhurash e kapacitete punësimi sezonale. Apartamente banimi, dikur “të vdekura” në pjesën më të madhe të vitit, tashmë janë shndërruar në kapacitete të turizmit familjar. Hapësirat e kateve të para, të brezit të dytë e të tretë, në godinat e ngritura në 10 vitet e fundit, të lëna “pas dore” deri vonë, tashmë po bëhen gradualisht pjesë efektive e rrjetit të shërbimeve.

Arben Breshani, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Qarkut të Vlorës, thotë se, në këndvështrimin ekonomik projekti i “Lungomares”, ridimensionoi parametrat e tregut të ndërtimeve, duke vënë në eficensë investime “të stacionuara” në vite. Me përfundimin e projektit, jo vetëm u riaktivizua ky treg, me një intensitet në rritje, por në skemën e tij, janë përfshirë aktorë nga vende të tjera. Krahas Italianëve, shqiptarëve nga Kosova, apo nga Maqedonia e Veriut, qytetarë nga Norvegjia, nga Gjermania, nga Polonia, Turqia, nga Rusia, Ukraina, por edhe nga vende të tjera, kanë blerë apartamente banimi në këtë pjesë të bregdetit. Në këtë mënyrë, tregu i turizmit në Vlorë ka fituar klientë të garantuar që frekuentojnë qytetin një pjesë të vitit, por edhe mundësi për shtim të fluksit nga vendet respektive, si rrjedhojë e efektit zinxhir.

Ky sezon veror në Vlorë po përjeton një dinamikë në rritje. Turistët e huaj, vijojnë të shtohen në vjimësi, ndërkohë që gjeografia e vendeve nga ata vijnë po pasurohet me emra të rinj.

Për herë të parë në Vlorë kanë mbërritur turistë nga Venezuela, ndërkohë që ka shtim të atyre nga Sllovenia e Kroacia. Dhe për ta, Vlora është e bukur, sepse, siç shprehej një çift bashkëshortësh nga Sllovenia, “ka një bregdet tërheqës, plazhe të bukura, ushqim të mirë e të shëndetshëm dhe krahas tyre edhe një hapësirë atraktive rrëzëllitëse, veçanërisht në orët e mbrëmjes, siç është “Lungomare”, ku funksionojnë lokale të mrekullueshme”.

“Lungomare ka krijuar një raport të ri mes qytetit dhe turizmit, mes mundësive dhe perspektivës gjithnjë e më të prekshme”, thotë Breshani./atsh

“Lungomare”, model i zhvillimit të turizmit që ka tërhequr edhe investitorë të huaj Read More »

Meta: Shqipëria ka nevojë për zgjidhje tani, në shtator do jetë shumë vonë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka theksuar sot që vendi nuk duhet të kalojë në kundër kohë.

“Të mos kalojmë në KundërKohë! Ky është pikërisht momenti kur koha nuk punon më për ty dhe ti fillon e gënjen veten se do gjesh një rrugë justifikimi për dështimin tënd të sigurt”, është shprehur Meta.

“U ndodh shpesh fëmijëve kur kanë përpara provimin e një lënde që nuk i tërheq fare. Nuk e zënë me dorë librin për një kohë të gjatë dhe vazhdojnë e luajnë duke gënjyer veten se kanë ende kohë para provimit”, ka shtuar Meta.

Por, ka nënvizuar ai, “vjen një moment, kur koha nuk punon më për ty dhe kalon në KundërKohë. Atëherë fillon e mendon si të justifikosh dështimin tënd në provimin që ti s’mësove kur duhej. Kuptohet, zakonisht prindërve u thuhet se fajin e kishte Zysha, se ishte e keqe dhe e padrejtë. Por fëmijëve u falen sjellje të tilla dhe ato u kthehen në mësim për të ardhmen. Ndërsa politikanëve jo!”

“Për më tepër të një vendi që ka shpërdoruar kaq shumë kohë dhe mundësi në tre dekadat e fundit. Të një vendi që në vitet 2000, 2001 ishte gati me të njëjtin ritëm integrues si Kroacia dhe shumë para Serbisë e Malit të Zi”, ka theksuar Meta.

“Se ku ështē Kroacia, dihet prej vitesh, por edhe Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu. Po kështu edhe sakrifikimi i çeljes së negociatave për Maqedoninë e Veriut nuk mund të jetë, as zgjidhje, dhe as shpëtimi i fytyrës tonë që nuk duam t’i plotësojmë detyrimet që i dinë të gjithë”, ka shtuar Meta.

“Populli ynë nuk e meriton të mbetet i fundit në rajon, për shkak të liderëve të tij të llastuar! Kemi dhe fare pak kohë për të mos kaluar në KundërKohë! Nuk na mjaftoi që ishim në KundërKohë me gjithë qytetërimin Perëndimor për 45 vite?”, ka vijuar Meta

Presidenti ka theksuar se, “duhet hequr dorë urgjentisht nga kokëfortësia për të ecur në dy rrugë përjashtuese, jodemokratike dhe jo europiane, që s’kanë pikë takimi, jo vetëm me njëra-tjetrën, por që të dyja e nxjerrin vendin për një kohë të pacaktuar nga rruga europiane e sigurt dhe e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët”.

“Duhet Lidership dhe Lidershipi jep zgjidhje në interes të të gjithë vendit! Në mënyrë që 18 tetori të jetë një ditë e gëzueshme për mbarë shqiptarët dhe rikthimi, jo vetëm të shpresës e sigurisë për të ardhmen, por në radhë të parë të të rinjve tanë. Shqipëria ka nevojë për zgjidhje! Tani! Në shtator do jetë shumë vonë! Aq më tepër pas 18 tetorit të sakrifikuar për mungesë përgjegjësie ndaj vendit”.

“Shqipëria është lodhur me marrëveshje tejet të vonuara, që sakrifikojnë të ardhmen e saj, për të shpëtuar karrierat e politikanëve të papërgjegjshëm, në emër të gjoja stabilitetit që ata e minojnë çdo ditë me sjelljet dhe mosveprimet e tyre. Shqipëria e para! Me vepra, jo fjalime!”, ka nënvizuar Presidenti Meta./atsh

Meta: Shqipëria ka nevojë për zgjidhje tani, në shtator do jetë shumë vonë Read More »

Soreca: Të rinjtë, ambasadorët e kulturës së Shqipërisë në BE

“Edukimi i të rinjve do të thotë progres për një vend” , deklaroi sot kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadori Luigi Soreca, në aktivitetin për fituesit e bursës Erasmus+, që u mbajt në ambientet e Europe House në Tiranë.

Soreca nënvizoi gjatë takimit se, këta të rinj meritojnë të gëzojnë të njëjtat të drejta si miqtë e tyre në BE.

“BE ka dyfishuar buxhetin nga 15 në 30 milionë euro në kuadër të programit Erasmus +”, tha ambasadori Soreca.

Sipas tij, “edukimi i rinisë është e ardhmja dhe në thelb të së ardhmes qëndron arsimi”.

“Pa edukim të mirë shoqëritë tona nuk mund të kenë progres”, tha Soreca, duke shtuar se, “të rinjtë e Shqipërisë meritojnë të gëzojnë të njëjtat të drejta si miqtë e tyre në BE”.

“Mos harroni që ju do të jeni ambasadorët e kulturës së Shqipërisë në BE”, tha ai në mesazhin drejtuar të rinjve shqiptarë./atsh

Soreca: Të rinjtë, ambasadorët e kulturës së Shqipërisë në BE Read More »

Xhaçka i kthen përgjigje Metës: Tërmetet nuk parashikohen, dekreto ligjin për “Mbrojtjen Civile”

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka i ka kthyer përgjigje shqetësimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për rrezikun që i kanoset vendit tonë nga një tërmet i përmasave të mëdha.

Përmes shkresës zyrtare, ministrja Xhaçka shprehet se pas konsultimeve me specialistë të fushës, rezulton se tërmetet janë një fenomen i paparashikueshëm, ndërkohë që vë në dukje vëmendjen maksimale të Qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes ndaj fatkeqësive natyrore.

Ministrja Xhaçka thekson se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë në këto 30 vite për t’u përballur me emergjencat, duke përmendur kapacitetet e shtuara reaguese, profesionalizmin e personelit përgjegjës dhe koordinimin efikas institucional.

Gjithashtu, ministrja Xhaçka fton Presidentin e Republikës të dekretojë sa më shpejt ligjin “Për Mbrojtjen Civile”, i cili pritet të reformojë tërësisht qasjen e institucioneve ndaj fatkeqësive natyrore.

“Jam njohur përmes shkresës, datë 29.07.2019, me shqetësimin e ngritur nga ju, lidhur me rrezikun që i kanoset vendit tonë dhe mbarë rajonit, nga një tërmet i përmasave apokaliptike që pritet të godasë së shpejti, jo vetëm Shqipërinë por mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përfitoj nga rasti për t’ju informuar ju, e përmes jush edhe mbarë opinionin, pas konsultimeve me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), se aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmologët tanë dhe çdo sizmolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj”, i drejtohet Xhaçka Metës.

Duke theksuar se tërmetet janë të paparashikueshëm, Xhaçka i kujton Metës reagimin e Tselentis, i cili është shprehur disi i çuditur mbi lajmin e rremë, siç e quan ai duke thënë se, ‘nuk mundem dhe asnjëherë nuk kam bërë asnjë parashikim specifik për tërmete’.

“Shpresoj që përgjigjja e sizmologut të sipërcituar, e cila përputhet edhe me qëndrimet e sizmologëve shqiptarë e sizmologëve në mbarë botën, i jep një përgjigje ezauruese arsyes së shqetësimit tuaj: tërmetet janë të paparashikueshëm”, shton ministrja.

Sidoqoftë, vijon ajo, përfshirja juaj në debatin lidhur me përgatitjen e Shqipërisë për t’u përballur me emergjencat e fatkeqësitë natyrore është e mirëpritur. Kjo, tha Xhaçka, është një çështje, së cilës edhe Qeveria e Shqipërisë, dhe institucioni që unë drejtoj i kemi kushtuar vëmendje maksimale.

“Unë nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria është sot më e përgatitur për t’u përballur me emergjencat, sesa në çdo moment tjetër gjatë 30 vjetëve të fundit. Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i burrave dhe grave që mbulojnë këtë sektor është i jashtëzakonshëm dhe koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi i përballuan pasojat e tërmetit në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona”, tha ajo.

“Ndërkohë, shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana juaj. Është një ligj i hartuar me ekspertizën e mbështetjen e ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, dhe që do të transformojë qasjen e vendit tonë ndaj emergjencave duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja, parandalimi e zvogëlimi i riskut”, shkruan Xhaçka.

“Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore, përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten të pakontrollueshme e të paparashikueshëm”, përfundon Xhaçka./atsh

Xhaçka i kthen përgjigje Metës: Tërmetet nuk parashikohen, dekreto ligjin për “Mbrojtjen Civile” Read More »

Luftar Paja: Jam për Teatër të ri Kombëtar, siç i takon Shqipërisë

Aktori i njohur shqiptar Luftar Paja deklaron se “jam për Teatër të ri Kombëtar, me të gjitha përmasat që i takon një teatri nacional shqiptar”.

Në vijim të qëndrimeve të aktorëve të njohur që mbështesin prishjen e Teatrit Kombëtar, Kryeministri Edi Rama shpërndau sot qëndrimin e Luftar Pajës.

“Ne si artistë kemi harruar gjërat kryesore dhe merremi me llaçin dhe tullat. Duhet të shtojmë forcat për llaçin dhe betonin artistik. Teatri Kombëtar e ka emrin Teatri Kombëtar dhe aty nuk duhet të vijnë vetëm ata që banojnë në Tiranë, por ata që e meritojnë të vijnë në teatër. Teatri është i gjithë Shqipërisë. Qëllimi im kryesor është që të ketë një teatër siç i takon Shqipërisë”, shprehet Paja.

Duke ndarë këtë qëndrim, Kryeministri Edi Rama thekson se “Luftar Paja është një tjetër protagonist i skenës sonë kombëtare, i cili shprehet pa asnjë ngurrim në krah të shumicës së komunitetit teatror që kërkon ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar”.

“Ai jep një mesazh kuptimplotë për të gjithë ata që sikur të merreshin me artin, aq sa merren me protesta për tullat e për llaçin (ajo godinë në fakt s’ka as tulla, po tallash e qereste), do kishin lënë me siguri më shumë vepra se sa fjalime për qerestenë”, thotë Rama. /atsh

Luftar Paja: Jam për Teatër të ri Kombëtar, siç i takon Shqipërisë Read More »