Aktualitet

Basha: Zgjidhje krizës përmes parimeve, jo pazareve

Zgjidhje për krizën aktuale në vend sipas kryetarit të opozitës, Lulzim Basha do t’i jepet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe sipas tij, ato do të përsëriten.

Në takimin me strukturat e Partisë Demokratike në Cërrik, kryetari i opozitës Lulzim Basha, u fokusua tek gjendja e rëndë ekonomike, sipas tij, një nga arsyet që krijoi shumicën refuzuese Rama ik.

“Shqiptarët janë të papunë për shkak të vjedhjes dhe të hajdutërisë së Edi Ramës të cilën nuk e ka parë dhe nuk e ka njohur Ballkani. Shikoni Milot Balldrenin, 7-fish koston e rrugës, shikoni Orikum Vlorën. Vetëm këtë javë shikoni vjedhjet që bëjnë me tenderin e uniformës së policisë, dyfish i çmimit, nga 15 milionë në 30 milionë. Shikoni aferën tjetër me kasat fiskale siç e paralajmëruam para disa muajsh, çdo biznes do të paguajë tarifë shtesë” -tha Basha.

Më tej, ai shprehu vendosmërinë e opozitës se kriza nuk do të marrë fund përmes një marrëveshjeje politike – pazar, sikurse ai vetë e cilësoi.

“Kjo krizë do të zgjidhet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe krizat do të përsëriten. Në Europë çdokush që kapet me këto krime shkon para drejtësisë. Kjo krizë nuk do të mbyllet pa çuar para drejtësisë të gjithë pushtetarët e kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm me politikanë me pranga në duar”- tha lideri i opozitës./atsh

Basha: Zgjidhje krizës përmes parimeve, jo pazareve Read More »

Anija “Oriku” shpëton 5 shtetas iranianë në detin Egje

“Oriku” dhe ekuipazhi i saj shpëtuan jetët e para në detin Egje që nga dislokimi atje rreth 3 javë më parë.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka duke theksuar se “detarët tanë shpëtuan 2 gra dhe 3 burra me shtetësi iraniane dhe ia dorëzuan kolegëve të tyre të Rojës Bregdetare turke”.

Anija e Forcës Detare shqiptare “Oriku” dhe ekuipazhi i saj u nisën për në misionin e NATO-s në detin Egje me datë 12 korrik. 21 pjesëtarët e kontingjentit të XIII shqiptar në misionin “Sea Guardian”, u nisën nga Flotilja Detare e Pashalimanit, ku u përcollën nga drejtuesit e Forcës Detare, familjarët dhe kolegët e tyre.

Anija “Oriku” është duke zëvendësuar në zonën e operacionit simotrën e saj “Butrinti”, e cila patrullon prej 6 muajsh në detin Egje. “Oriku” po patrullon në Egje dhe do të qëndrojë atje, deri në fund të vitit, ndërkohë që kontingjenti i XIII do të shërbejë atje për rreth 3 muaj.

Anijet e Forcës sonë Detare patrullojnë prej 2 vitesh e gjysmë në detin Egje ku kanë parandaluar dhe shpëtuar mijëra emigrantë të paligjshëm. Anijet shqiptare janë pjesë e grupit të gatshëm të anijeve të NATO, Standing NATO Maritime Group 2 (SNMG2), në detin Egje./atsh

Anija “Oriku” shpëton 5 shtetas iranianë në detin Egje Read More »

Artan Imami: Dakordësi dhe nevojë urgjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar

Aktori i njohur Artan Imami shpreh dakordësinë dhe nevojën emergjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar.

Në vijim të qëndrimeve të aktorëve të njohur që mbështesin prishjen e Teatrit Kombëtar, Kryeministri Edi Rama shpërndau sot qëndrimin e aktorit Artan Imami.

“Një godinë, e cila t’u shërbejë artistëve dhe mbi të gjitha publikut, i cili edhe pse në kushte tërësisht të papërshtatshme, për asnjë moment nuk e ka braktisur skenën e teatrit. Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos cënuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone. Mua nuk më zë gjumi nga qejfi se do të bëhet një teatër i ri modern, në vend të këtyre pamjeve të tmerrshme që shohim me gjendjen aktuale. Më vjen ndër mend një takim i vitit ‘87 apo ‘88 me Ismail Kadarenë dhe ndërkohë që po bisedonim, dikush e pyeti se si duket niveli i teatrit. Ai ia kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit, ku po binte suvaja dhe thotë: Po ja, ashtu si kjo godinë”, thekson Imami.

Duke ndarë këtë qëndrim, Kryeministri Edi Rama thekson se “Artan Imami është një tjetër protagonist tanimë i hershëm i skenës së Teatrit Kombëtar, i cili është ngjitur në atë skenë qysh “kalama”, si një ndër talentet më të spikatura të gjeneratës së re të viteve ‘80 dhe sot ai ka një opinion të qartë në debatin për të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar”./atsh

Artan Imami: Dakordësi dhe nevojë urgjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar Read More »

Dita Ndërkombëtare e rojtarëve mjedisorë, 100 të tillë në zonat e mbrojtura në Shqipëri

Sot është Dita Ndërkombëtare e rojtarëve të mjedisit, e cila për të 4-tin vit festohet edhe në Shqipëri.

Mbrojtësit e natyrës janë ata që çdo ditë janë në terren, janë aty kur bie zjarr, nuk lejojnë të priten pemët, evidentojnë vlerat natyrore të parkut dhe të gjitha këto i bëjnë në bashkëpunim me komunitetin dhe edukojnë çdo ditë nxënësit e shkollave me dashurinë për natyrën.

Agjencia Kombëtare e Zonave të mbrojtura ka mbi 100 rojtarë mjedisorë në trupën e saj, të cilët punojnë me përkushtim.

Në kuadër të kësaj dite çdo AdZM ka zhvilluar sot aktivitete në Zonat e Mbrojtura. Misionit të ruajtjes së natyrës prej tre vitesh i janë bashkuar dhe nxënës të apasionuar pas natyrës, të përzgjedhur nga shkollat pranë Zonave të Mbrojtura.

Agjencia Rajonale për Zonat e Mbrojtura Korçë në bashkëpunim me projektin “Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë” dhe me të rinjtë e Smile Albania organizuan një aktivitet në Parkun Kombëtar të Prespës.

Pasi u njohën me detyrat dhe përgjegjësitë e një rojtari mjedisor ata ecën në një prej shtigjeve të shumta që ka Parku Kombëtar të Prespës duke u njohur me potencialet natyrore për zhvillimin e turizmit.

Ndërsa stafi i AdZM Berat së bashku me të rinjtë e Smile Albania, pastruan një pjesë të kalasë së Beratit nga mbetjet plastike.

Dita e Botërore e rojtarëve të mjedisit ose Rangers-ave u vendos si e tillë për të vlerësuar punën e palodhur dhe rolin e tyre të rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave të spikatura të trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

Ata sigurojnë që vizitorët të njohin, zbatojnë dhe respektojnë rregullat e frekuentimit, kujdesen për mbrojtjen e florës dhe faunës, për parandalimi i zjarrit, ruajtjen e hapësirave publike, infrastrukturës, veprave të artit dhe mobilimit urban në parqe./atsh

Dita Ndërkombëtare e rojtarëve mjedisorë, 100 të tillë në zonat e mbrojtura në Shqipëri Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se dita e parë e muajit gusht parashikohet me mot të kthjellët e me zhvillim vranësirash në mesditë në zonat malore.

Reshje shiu të izoluara në mesditë në zonat malore.

Mjegullinë lokale në orët e mëngjesit.

Era do të fryjë Veri-Veriperëndim 1-10 m/sek. Përgjatë vijës bregdetare jugore deri në 15 m/s.

Valëzimi në dete parashikohet i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/34 Diell
Kukës 19/33 Diell shi
Lezhë 21/34 Diell
Dibër 17/32 Diell shi
Durrës 22/32 Diell
Tiranë 23/34 Diell re
Elbasan 22/34 Diell
Berat 19/35 Diell
Vlorë 22/33 Diell
Korçë 17/29 Diell
Gjirokastër 17/35 Diell
Sarandë 21/32 Diell re/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Delfinët spektakël të pazakontë në brigjet e Karaburunit

Delfinët kanë dhuruar spektakël për turistët në Karaburun, pranë shpellës së “Haxhi Alisë”.

Delfinët duket se kanë mirëpritur praninë e pushuesve si dhe i kanë ururar mirëseardhjen duke ofruar një spektakël me kërcime në ujërat e detit Jon para turistëve që ishin duke lundruar me anije drejt Karaburunit.

Kryeministri Edi Rama ka uruar mirëmëngjes me pamje nga spektakli i delfinëve në Karaburun.

“Mirëmëngjes dhe me spektaklin e pazakontë që këta delfinë kanë dhuruar dje në brigjet e Karaburunit, ju uroj një muaj sa më të mbarë”, shprehet Rama.

Nuk është hera e parë që delfinët dhurojnë spektakël në ujërat shqiptare.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë.

Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/359829668275976/?t=0

Delfinët spektakël të pazakontë në brigjet e Karaburunit Read More »

Vlorë/Formalizim të gjithë abonentëve të Ujësjellësit

Drejtori i Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime në Vlorë, Dorian Xhelili, kërkoi sot angazhim gjithnjë e në rritje për realizimin e reformës së ujit dhe formalizimin e të gjithë klientëve tanë.

Në analizën për 6 mujorin e parë të vitit 2019, Xhelili, mbajti raportin e punës së bërë gjatë kësaj periudhe.

E ndërsa vlerësoi realizimet, Xhelili e vuri theksin tek ecuria e mëtejshme e reformës së ujit, veçanërisht te biznesi, por pa lënë pas as familjarët, si dhe pajisjen me kontatorët matës.

Kreu i ujësjellësit kërkoi angazhim maksimal edhe në drejtim të eleminimit në kohë të avarive, si dhe zgjidhjes së ankesave të qytetarëve.

Në analizë morën pjesë edhe përgjegjësit e Ujësjellësit në Njësitë Administrative. Drejtuesit e Drejtorive në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime, folën mbi realizimin e treguesve ekonimiko-financiarë, si dhe për çështjet që i përkasin Degës Teknike.

Në fund të analizës, u përcaktuan detyrat për 6 mujorin e dytë të këtij viti./atsh

Vlorë/Formalizim të gjithë abonentëve të Ujësjellësit Read More »

Shahini: Nuk ka rritje tarifash për studentët

Përgjysmimi i tarifave dhe dhënia e bursave do të vazhdojë edhe vitin tjetër akademik 2019-2020 po në të njëjtën formë që është proceduar në gjysmën e parë të këtij viti falë mbështetjes financiare nga qeveria në kuadër të Paktit për Universitetin.

Kështu deklaroi ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një prononcim për gazetarët duke theksuar se në shtator të tjerë kategori studentësh do të shtohen në listën e përfituesve, pasi kanë pasur probleme me plotësimin e dokumenteve.

“Nuk ka rritje tarifash. Tarifat që botohen nga Universiteti, janë tarifat e vendosura për t’u paguar nga një student. Ne atë tarifë do ta përgjysmojmë. E subvencionojmë direkt nga buxheti i shtetit”, tha ministrja, duke shtuar se “janë disa grupe interesi që kanë ngritur shqetësime se nuk janë përfshirë ose që përfshirja e tyre është vështirësuar ngaqë duhen më shumë dokumente. Dhe ne i kemi marrë parasysh, po bëjmë llogaritjet e nevojshme dhe do i përfshijmë në shtator.”

Gjithashtu, Shahini deklaroi se sa i përket bursave ato do të vijojnë të akordohen si për ekselentët ashtu edhe për studentët me nevoja të veçanta në vlerën 10 mije lekë në muaj.

“Bursa do marrin studentët ekselentë me notën mesatare 9-10 si edhe të gjithë studentët në nevojë. Bursa është 10 mijë lekë të reja. Në pjesën e parë të vitit kemi pasur problem me studentët që nuk kanë pasur një llogari bankare. Ne i ftojmë studentët që të angazhohen këtë vit, ti kenë llogaritë bankare në kohë”, tha ministrja./atsh

Shahini: Nuk ka rritje tarifash për studentët Read More »