Aktualitet

Denaj: 257 të punësuar vetëm në muajin korrik në Qarkun e Vlorës

Me qëllim garantimin e një sezoni veror sa më të sigurt dhe cilësor kanë vijuar takimet e Task Forcës së Turizmit, këtë herë në zonën e Himarës.

E pranishme në këtë takim ishte Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, kryetari i Bashkisë Jorgo Goro, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj, bëri një bilanc të rezultateve të arritura në kuadër të zbatimit të Planit Operacional, në luftë kundër informalitetit.

Gjatë muajit korrik në të gjithë rajonin Vlorë – Himarë dhe Sarandë, janë realizuar 755 kontrolle nga të cilat, rreth 40% kanë rezultuar me shkelje.

“Konstatojmë se ka një rritje të ndërgjegjësimit të biznesit për t’u regjistruar në organet përkatëse përpara sesa të regjistrohet në Booking.com, megjithatë pajisja me kupon tatimor mbetet shqetësues, pasi nuk është ende në nivelin e duhur. Kemi vënë re edhe një rritje të denoncimeve nga ana e qytetarëve dhe kjo tregon frymën e mirë të bashkëpunimit, e cila duhet të vazhdojë. Një problem tjetër mbetet edhe mosdeklarimi i rregullt i punonjësve, si dhe deklarimi jo i plotë i pagës. Konstatojmë që ka punonjës të cilët një pjesë të rrogës e marrin në zarf, një pjesë e marrin nëpërmjet llogarisë bankare, sikurse ka shumë biznese të cilët nuk i kanë të regjistruar të gjithë punonjësit. Një në 7 punonjës nuk i kanë të deklaruar dhe Inspektoriati i Punës vazhdon inspektimet dhe ky fenomen bëhet më shqetësues gjatë sezonit turistik, kur rritet edhe punësimi sezonal. Janë të paktën 257 të punësuar vetëm në muajin korrik për gjithë rajonin Vlorë – Himarë. Megjithatë, ky numër po të krahasohet me numrin e hoteleve që operojnë mbetet i vogël, ç’ka do të thotë që punësimet ndodhen në forma të tjera dhe mendojmë që ne mund ta rrisim më tej përpjekjen tonë për të ndërmjetësuar nëpërmjet Zyrave të Punës. Përsëri në raport me ligjshmërinë kërkesa që të gjithë të punësuarit të jenë të deklaruar dhe të paguar në 100% të vlerës së tyre të rrogës është absolute dhe ne do të vazhdojmë inspektimet dhe në këtë aspekt, përveç atyre të shkeljeve të administratës tatimore”, tha ministrja Denaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, gjithashtu theksoi se sfidë mbetet ende rritja e aftësisë profesionale të burimeve njerëzore. Në këtë aspekt një rol të konsiderueshëm ka pasur edhe zhvillimi i shkollave profesionale, ku në Vlorë janë funksionale tre.

“Për vitin akademik numri i studentëve ishte 1,350 në të tri shkollat. Vetëm shkolla profesionale Hoteleri – Turizmit ka 625 studentë. Mbetet një numër i vogël, ç’ka do të thotë që kemi akoma punë për të bërë edhe në këtë drejtim për të rritur numrin e studentëve që dalin nga shkollat profesionale. Konstatojmë se ka një numër shumë të vogël të vajzave që janë gati 133. Mund të vijë kjo si rezultat për rajonin e jugut edhe për faktin që ka emigrim të popullsisë. Ne duhet të ngremë një politikë më afatgjatë si në raport me punësimin, ashtu edhe me rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore”.

Një tjetër pikë ku u ndal ministrja Denaj, në takimin e Task Forcës së Turizmit ishte dhe puna që duhet të bëjë administrata tatimore për ndërgjegjësimin e subjekteve për të lëshuar kuponin tatimor.

“Në qoftë se ne të gjithë kthehemi në kërkues të zbatueshmërisë së ligjit, rrisim jo vetëm ndërgjegjësimin, por edhe luftën ndaj evazionit. Gjithashtu e rëndësishme është edhe denoncimi i rasteve abuzive përmes të gjitha mjeteve të komunikimit. Në ditët e fundit të kësaj jave, ne do të kemi një aplikacion që quhet Stop-Informaliteti dhe që shkarkohet lehtë dhe të përdoret nga të gjithë. Është koha të ndihmojmë strukturat e administratës tatimore, si dhe të anagazhohemi të gjithë në luftën kundër informalitetit, pasi qëllimi i përbashkët është rritja e të ardhurave, realizimi i më shumë investimeve publike, si dhe garantimi i konkurrencës së ndershme”.

Ministrja Denaj, i bëri thirrje bizneseve që të respektojnë me korrektësi detyrimet ligjore, si dhe të përfitojnë nga lehtësitë fiskale që ka ndërmarrë qeveria shqiptare siç është reduktimi i shkallës së TVSH-së në masën 6%, për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm./atsh

Denaj: 257 të punësuar vetëm në muajin korrik në Qarkun e Vlorës Read More »

Rama publikon mesazhet e qytetarëve për plazhet e zaptuara: Ky sezon do të jetë i fundit me këtë hall të madh

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se lufta për çlirimin e plazheve nga zaptuesit, falë edhe qytetarëve që nuk heshtin vazhdon papushim.

Lidhur me aksionin për rivendosjen e ligjit në çdo centimetër katror të bregut të Shqipërisë, Kryeministri Rama shprehet se “ky sezon do të jetë i fundit me këtë hall të madh për njerëzit dhe turp të madh për vendin e për shoqërinë”.

“Vazhdon pa pushim lufta për çlirimin e plazheve nga zaptuesit, falë edhe qytetarëve që nuk heshtin. Ky sezon do të jetë i fundit me këtë hall të madh për njerëzit dhe turp të madh për vendin e për shoqërinë. Me ligjin e ri për vijën bregdetare, përgjegjësinë për mbrojtjen e kësaj pasurie publike, të pushuesve e të bizneseve të rregullta, pa miq nëpër bashki e pa lekë për zyrtarucët bashkiakë, do ta marrë shteti”, nënvizon Rama.

Kreu i qeverisë ka publikuar edhe dy mesazhe dhe disa fotografi që sipas tij i kanë ardhur nga qytetarë të ndryshëm, mes tyre edhe sikur lexohet në tekst edhe demokratë lidhur me luftën anti-informalitetit.

“Na zure bashkitë, por të paktën na lirove plazhet. Bashkitë i paskan pas për vete partia jonë dhe jo për demokratët e vërtetë”, shkruhet në një nga mesazhet.

Policia e Shtetit vijon aksionin anti informalitet në të gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim përfitimin. /atsh

Rama publikon mesazhet e qytetarëve për plazhet e zaptuara: Ky sezon do të jetë i fundit me këtë hall të madh Read More »

Mali i Tomorrit zonë e mbrojtur/ Qindra firma kundër Gjykatës, i bashkohen edhe turistët e huaj

Disa ditë pas zbardhjes së vendimit të gjykatës Administrative, që refuzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shpalljen e Malit të Tomorrit zonë të mbrojtur, banorë të Beratit, vizitorë madje edhe turistë të huaj, vijojnë të firmosin peticionin kundër vendimit të Administratives.

Nga dita e shtunë dhe aktualisht, janë mbledhur qindra firma pro mbrojtjes së vlerave natyrore të Malit të Tomorrit, miratuar me vendim qeverie si Park Kombëtar.

Të angazhuar në mbrojtjen e pasurive natyrore, krahas promovimit të atraksioneve turistike, janë edhe të rinjtë e Smile Albania, në qarkun e Beratit, në guidën e të cilëve, Mali i Tomorrit është nga më të frekuentuarit dhe me interes gjithnjë e në rritje për t’u vizituar nga turistët./atsh

Mali i Tomorrit zonë e mbrojtur/ Qindra firma kundër Gjykatës, i bashkohen edhe turistët e huaj Read More »

Spiropali: Në vend të presidentit ka mbetur karikatura e vetë Ilir Metës

“Në vend të presidentit na ka mbetur një karikaturë e vetë Ilir Metës, deklaroi sot, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënëse e Qeverise, Elisa Spiropali, ndërsa i përgjigjet Metës për kthimin e ligjit për Kodin Penal.

“Nga lartësia e maleve ku thotë se po ngjitet me Çelebiun e tij, Baba Xhikja lëshoi dje një tjetër krisëm nga dyfeku presidencial. Me një fjalor të katandisur si mos më keq ai qëlloi mbi shumicën dhe opozitën parlamentare, ai na rikujtoi se nuk kemi më President, po në vend të Presidentit na ka mbetur një karikaturë e vetë Ilir Metës”, shprehet ajo.

Po ashtu Sipiropali shprehet se për kthimin në Parlament të ndryshimeve në Kodin Penal nuk habitemi.

“Nuk kemi si presim ndjeshmëri nga Baba Xhikja për hurin në stadiume, sigurinë ushqimore, bllokimin e akseve rrugore e të veprave, vjedhjen e pronësisë intelektuale, dëmtimin e zonave të mbrojtura, për mjekët, policët apo zyrtarët e goditur për shkak në detyrës. Kur votojmë shtrëngimin e litarit të ligjit kundër dhunës në sport apo dhunuesve në tërësi, nuk kemi ç’presim tjetër nga Baba Xhikja i zjarrit të kërcënimeve ndaj zgjedhjeve, i dekreteve molotov për destabilizimin e vendit, i fjalimeve halucinante kundër ambasadës amerikane dhe delegacionit të BE-së në Shqipëri”, shprehet Spiropali.

Më tej, Spiropali shton se “Qeni i kthyer në manar në krahët e tij, tifozët skocezë të kthyer në elektorat në sytë e tij, tërmeti apokaliptik i kthyer në qëndrim zyrtar me vulën e tij dhe ngjitja majë maleve e projektuar si karshillëk kreshnikësh ndaj botës mbarë, në mendjen e tij, flasin qartë që presidenti na ka lënë”.

“Ka mbetur vetëm hija dhe vula e Baba Xhikes në presidencë, prej ku çeta e tij e mbledhur grusht nën dritën e hënës, pret tërmetin dhe urdhrat nga mali për të shkrepur dyfekun”, shprehet Spiropali./atsh

Spiropali: Në vend të presidentit ka mbetur karikatura e vetë Ilir Metës Read More »

Pronari i markatës që u gjobit i përgjigjet Ramës: Reformat më bënë më të fortë, gati investimi i radhës

Pasi u gjobit për mos lëshim të kuponit tatimor në lokalin e tij markata e peshkut, vetë biznesmeni Ylli Hidri ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama dhe shprehjes që në demokraci dy gjëra janë të sigurta vdekja dhe taksat.

“Haha vallaj vdekjen e disha, por kët gjë jo, por me të thon të drejtën me reformat që jan bër jam bër akoma me i fort. Gati investimi radhës për 2020. Kuponi toleranc zero .✌Edi Rama”, ka reaguar Hidri ndaj Kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj biznesmenit Ylli Hidri, pasi lokali i tij markata e Peshkut u gjobit për mos lëshim kuponi.

“Falemnerit Yllo, ne katunarët e Tironës e dum shtetin, dihet ajo punë, por pa shaka, rrofsh që s’mi provokove nervat me ndonjë mesazh allasoj. Miqësia miqësi, po llogaria llogari”, shprehet Rama.

Pronari i markatës që u gjobit i përgjigjet Ramës: Reformat më bënë më të fortë, gati investimi i radhës Read More »

Policia kujton 4-ër efektivët e rënë gjatë operacionit për kapjen e Dajtit

Policia e Shtetit ka zhvilluar të mërkurën homazhe në përkujtim të 10 vjetorit të vrasjes së 4 efektivëve të policisë, nga Dritan Dajti.

Familjarë, miq, të afërm dhe personalitete të Policisë së Shtetit kanë zhvilluar këtë paradite homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve, për 4 efektivët që ranë në krye të detyrës, teksa po kryenin një operacion policor për kapjen e të kërkuarit Dritan Dajti.

Zv/Ministrja Rovena Voda, e pranishme në aktivitet, në fjalën e saj theksoi se , “Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, u shtohen yjeve të përjetshëm të mbrojtësve me jetë – të jetëve njerëzore, duke shtuar lavdinë e tyre në altarin e nderit të punonjësve të Policisë që kryejnë sakrifica sublime në emër të detyrës, duke mëshiruar cilësitë e vyera të njerëzve të devotshëm për përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit dhe të betimit për kryerjen e detyrës me nder dhe integritet”.

“Nderimi i tyre me titullin e lartë “Dëshmorë të Atdheut”, është një tjetër yll lavdie që ndriçon në Flamurin e Policisë së Shtetit dhe shpreh qartësisht vlerësimin e qeverisë shqiptare për njerëzit e ligjit, por edhe vendosmërinë e saj për lartësimin e emrit të dëshmorëve të policisë si dhe ruajtjen e dinjitetit të organizatës, duke njohur sakrificat ekstreme të punonjësve të saj, siç është rasti i këtyre katër dëshmorëve”, theksoi Voda.

“Dhjetë vjet më parë dora makabre e krimit nuk kurseu plumbat ndaj ruajtësve të ligjit dhe u mori jetën para kohe katër punonjësve të Policisë së Shtetit, sot dëshmorë të atdheut. Vrasja në krye të detyrës e mbrojtësve të ligjit, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, rënë në detyrë me 7 gusht 2009, shënoi një tronditje të thellë për familjarët, kolegët e tyre në radhët e Policisë dhe miqtë e tyre. Kjo ngjarje e tmerrshme tingëlloi fuqishëm si kambanë e fortë alarmi për reagim në bllok kundër dorës së krimit dhe nevojës për drejtësi”, shtoi Voda.

“Ne nderojmë sot me solemnitet këta dëshmorë, punonjës të përkushtuar ndaj detyrës, të cilët fatkeqësisht humbën jetën heroikisht në përballje me krimin për të garantuar sigurinë e cdo qytetari dhe mposhtur egërsinë e botës së krimit. Shokët dhe kolegët e tyre, ne të gjithë, përulemi para tyre në shenjë respekti dhe nderimi të merituar. Ata, vijoi Voda, e merituan uniformën e Policisë së Shtetit dhe ishin të denjë për profesionin që kishin zgjedhur, kishin cilësi dhe zemër polici trim, manifestuan guxim dhe zell punonjësi të përkushtuar”.

“Fatosi, Altini, Kastrioti dhe Sajmiri ishin të devotshëm, nuk kishin stepje apo ndalje në plotësimin e detyrave dhe zbatimin e urdhrave, nuk dallonin e kujt është përgjegjësia por vepronin në grup. Ata manifestuan cilësitë më të larta të një punonjësi Policie por edhe vlera njerëzore që i kishte bërë shumë të dashur me kolegët, shumë të vlerësuar nga eprorët dhe të respektuar nga qytetarët”, tha Voda.

“Ceremonia e sotme, këtu në Varrezat e Kombit, synon t’u bëjë nderimin e duhur dhe të merituar, duke i rreshtuar krah heronjve dhe dëshmorëve të kombit, për të mbetur të pavdekshëm në përjetësi dhe qirinj të pashuar në rrëfimin e rrugës së sakrificave të përgjakshme për rend e qetësi publike të efektivave të Policisë së Shtetit, në përballje dhemb për dhemb me kriminelët dhe njerëzit antishtet dhe triumfin e kauzës për zbatimin me vendosmëri të ligjit”, shtoi zv/Ministrja Voda.

Ajo bëri të ditur se aktualisht janë 224 punonjës të policisë, të rënë në detyrë. “Asnjë institucion tjetër ligjzbatues i Shtetit Shqiptar, nuk ka kaq shumë të rënë e dëshmorë sa Policia e Shtetit”, tha Voda.

“Ministri i Brendshëm, zoti Sandër Lleshaj, i vetëdijshëm për këtë fakt pikëllues, që në ditët e para kur mori detyrën, organizoi takime periodike me të gjithë familjarët e punonjësve të rënë në detyrë. Qëllimi ishte të njihej me problemet dhe shqetësimet e familjarëve të tyre, fëmijëve, bashkëshorteve, prindërve. Me qëllim lehtësimin sadopak të dhimbjes dhe përballimin e vështirësive të natyrshme të jetës së përditshme, Ministria e Brendshme ka përgatitur një paketë mbështetëse ndaj familjarëve të policëve të rënë në detyrë”, tha Voda.

“Familjarët e të rënëve të Policisë nuk kanë më prindërit, bashkëshortin, njeriun e tyre të dashur, por ne do të jemi familja e tyre e madhe. Një nga premtimet që kemi bërë është vendosja e të gjithë të rënëve të Policisë në varrezat e dëshmorëve. Por kjo nuk është e gjitha. Policia e Shtetit dhe gjithë agjencitë ligj zbatuese kanë detyrimin të prodhojnë sa më shumë rend e siguri. Akti i sotëm, në nderim të dëshmorëve, në këtë ceremoni postmortore përkujtimore, shpreh vlerësimin e qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme për të rënët në detyrë”, tha ajo.

“Ndaj ky është momenti për një apel të fortë për këdo, të rreshtohet në krah të Policisë së Shtetit, institucioni që sakrifikon më shumë e përditë, deri sakrifica sublime, por fatkeqësisht merr mbi supe jo rrallë here, baltën e akuzave të pamerituara. Policia është dhe mbetet vetëm e Shtetit, ndaj të duam policët dhe Policinë, të respektojmë ligjin”, përfundoi Voda.

Zv/drejtoresha e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, në fjalën e mbajtur prej saj, duke vlerësuar katër të rënët në detyrë, theksoi se emri i secilit prej tyre, është gdhendur me gërma të arta në memorien e historisë, në pjesën më të lavdishme të saj.

“Sot është një ditë e veçantë, ditë dhimbjeje, krenarie dhe reflektimi, dhe ndjej se jo vetëm unë, por cilido prej jush sot, do ta kishte të vështirë për të radhitur fjalët në nderim të veprës dhe sakrificës më sublime të kolegëve Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari e Altin Dizdari”, tha Hajnaj

“Ata sot nuk janë fizikisht mes nesh, mes të dashurve të tyre, por emri i secilit prej tyre është gdhendur me gërma të arta në memorjen e historisë, në pjesën më të lavdishme të saj. Ata janë nderi dhe krenaria jonë, e familjarëve të tyre, ata sot e përjetë janë Nderi i Kombit”.

“Vepra sublime e katër kolegëve që ne përkujtojmë sot, si ajo e qindra dëshmorëve të tjerë të Policisë, është burim frymëzimi për gjithë brezat, shembull i sakrificës, dinjitetit dhe përkushtimit, duke mos kursyer as veten për të mbrojtur jetën”, tha Hajnaj.

Sipas saj, “Fatosi, Kastrioti, Altini dhe Sajmiri 10 vite më parë , në Durrës dhanë jetën gjatë një operacioni shumë të vështirë për kapjen e një personi shumë të kërkuar. Ata ishin oficerë të ndershëm, të përkushtuar, të përgjegjshëm për detyrën, ndaj ata sot nderohen me krenari nga të gjithë. Kolegët tanë që tashmë prehen në altarin e kombit, u ndanë prej nesh nga plumbat e krimit të organizuar, dhe ende sot shpirti i tyre nuk gjen paqe deri në dhënien e drejtësisë së merituar për dorën vrastare”, vijoi ajo.

“Ne humbëm katër kolegë, ndër më të mirët, familjarët humbën babin e devotshëm, bashkëshortin e virtytshëm, vëllain shembullor. Qytetarët humbën shëmbëlltyrat e qytetarisë së këtij vendi”, shtoi Hajnaj.

“Të nderuar familjarë të dëshmorëve të Atdheut! Ju nuk jeni vetëm tani e asnjëherë. Ju jeni pjesë e jona dhe dera e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit, nuk do te jetë kurrë e mbyllur. Vëmendja e shtuar për ju nga Qeveria dhe Ministri i Brendshëm, janë ngushëllim dhe lehtësim i dhimbjes që kolegët tanë lanë pas. Shumë fëmijë të Dëshmorëve të Policisë, po vijojnë rrugën e baballarëve të tyre dhe ky është një tjetër motivim për organizatën tone, në luftën ndaj krimit”, theksoi zv/Drejtoresha e Policisë së Shtetit.

“Dëshmorët e Policisë, janë heronjtë e vërtetë të realitetit të sotëm, pasi duke sakrifikuar gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre, e bëjnë këtë vend më të sigurt për të jetuar dhe punuar. Ata janë shembuj frymëzimi dhe motivimi për të gjithë ne. I përjetshëm kujtimi i tyre”, përfundoj Hajnaj.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, u qëlluan për vdekje nga Dritan Dajti gjatë një aksioni për arrestimin e këtij të fundit në zonën e plazhit në Durrës 10 vite më parë.

Ndaj Dajtit u zhvillua një seancë gjyqësore e tej zgjatur, teksa muajin shkurt te këtij viti Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dritan Dajtit. Ky vendim i cili uli atij 1/3 e dënimit u shoqërua me reagime të shumta, ku mazhornca ri-theksoi rëndësinë çuarjes përpara të Reformës në Drejtësi dhe realizimit të sa më shpejtë të vettingut të gjyqtarëve./atsh

Policia kujton 4-ër efektivët e rënë gjatë operacionit për kapjen e Dajtit Read More »

Gjobitet ‘Markata e Peshkut’, Rama-pronarit: Yllo, mend për herë tjetër me kuponat

Mos dhënia e kuponit tatimor i ka kushtuar edhe restorantit të Yllit të peshkut në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama është shprehur se megjithëse e do shumë se është punëtor i madh pronarin e këtij restoranti, të cilin e ka afër shtëpisë së tij, sërish ligjin e do më shumë.

Prandaj i tërheq vëmendjen Kryeministri pronarit të restorantit, herë tjetër duhet të lëshojë kupona.

Kryeministri kujton edhe shprehjen e famshme angleze që thotë se ka dy gjëra të sigurta në demokraci vdekja edhe taksat.

“Yllin e famshëm të Peshkut në Tiranë, e dua shumë se është punëtor i madh. Po Ligjin e dua edhe më shumë. Pranej Yllo, se t’kom ene katunarin tim anej nolt, men për her tjetër me kuponat. Ene mos e harro inglizin, që thot “Dy gjona jon t’vdekme për robin n’demokraci, vdekja ene taksat”, ka theksuar Rama./atsh

Gjobitet ‘Markata e Peshkut’, Rama-pronarit: Yllo, mend për herë tjetër me kuponat Read More »

Banorët e Vunoit me një ambulancë tërësisht të rehabilituar

Nga veriu në jug, të gjitha qendrat shëndetësore po pësojnë transformim përmes rikonstruksionit, modernizimit të aparaturave dhe rritjes së cilësisë së shërbimit.

Banorët e Vunoit kanë tashmë një ambulancë tërësisht të rehabilituar. Tashmë pushuesit dhe banorët e zonës do marrin shërbimet mjekësore në kushte me standarde moderne dhe ku stafi është në shërbim të tyre 24 orë.

“Shërbimi parësor ofrohet sot në kushte shumë më të mira, si për banorët e fshatit, ashtu edhe për pushuesit në muajt e verës. 80 qendra transformuam dhe 100 të tjera rehabilitohen brenda vitit”, shprehet ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Transformimi i ambulancës së Vunoit është pjesë e programit të qeverisë për rikonstruksionin e “300 qendrave shëndetësore” dhe ambulancave në të gjithë vendin.

Përveç restaurimit, kjo qendër shëndetësore e re, u pajis edhe me mjete të nevojshme mjekësore./atsh

Banorët e Vunoit me një ambulancë tërësisht të rehabilituar Read More »