Aktualitet

Zamira Kita: Godina aktuale nuk ka asnjë vlerë, duhet teatër i ri

Kryeministri Edi Rama sjell kësaj radhe qëndrimin e aktores korçare, Zamira Kita që i shtohet zërave të shumicës së artistëve për ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar.

“Godina aktuale nuk ka asnjë vlerë. Objektet, sendet, garderoba e aktorëve që kanë luajtur në atë skenë, të ruhen në teatrin e ri që do të ndërtohet, të krijohet një muzeum i vizitueshëm për të gjithë”, deklaron aktorja e njohur, Zamira Kita.

Më tej, Kita shton se duke patur përvojën e Teatrit të Korçës, mendoj se duhet ndërtuar një teatër i ri nga themelet.

“Teatri Kombëtar ka një amortizim të plotë, nuk është aspak i përshtatshëm për të dhënë shfaqje, nuk është funksional, as komod. Sado që ta rikonstruktojmë atë, nuk besoj se do bëhet një sallë e mirë, e përshtatshme. Unë jam për një teatër të ri. Pse jo, për një projekt si ai që kemi parë, një projekt modern, që të na mundësojë shumë ambiente në funksion të teatrit, siç kemi parë nëpër botë. Mendoj se debati është shfrytëzuar keq nga segmente politike”, shprehet ajo.

“Aktorja e mirënjohur korçare, Zamira Kita, njëra ndër protagonistet e gjeneratës së ndërmjetme, mes themeluesve dhe më të rinjve të komunitetit teatror shqiptar, shumë e duatrokitur dhe e respektuar për kontributin artistik, ndan opinionin e saj për Teatrin Kombëtar bazuar në një eksperiencë të gjatë e plot pasion në skenën shqiptare”, shprehet Rama duke publikuar qëndrimin e aktores Kita për ndërtimin e Teatrit të ri./atsh

Zamira Kita: Godina aktuale nuk ka asnjë vlerë, duhet teatër i ri Read More »

“Mjalt fest” në Himarë, Klosi: Produktet vendase, ofertë e shtuar në paketën tonë turistike

Nga pedonalja e Himarës ku u cel edicioni i dytë i Mjalt Fest, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi tha se festat lokale shumë shpejt do të kthehen në pika ku do të ketë ekonomi për prodhuesit e zonës, të cilët ofrojnë produktet e tyre për turistët e shumtë që frekuentojnë Himarën dhe të gjithë Shqipërinë.

Në ceremoninë e hapjes së panairit të mjaltit, ku ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, sipërmarrës të zonës dhe mjaft turistë, ministri Klosi theksoi se tashmë me ligjin e zejtarisë ka ardhur koha që pikat e rëndësishme turistike si Himara duhet të kenë vetëm produkte tradicionale shqiptare. Prodhimet e zejtarëve të traditës janë mundësia e artë për të ofruar më të mirën e vendit tonë për turistët e shumtë që frekuentojnë Shqipërinë gjatë sezoni turistik.

Ministri theksoi se një nga produktet që turistët duan të shijojnë kur vijnë në Himarë dhe që duan ta marrin me vete është mjalti, produkt që në këtë zonë është disa llojesh, gjithashtu një nga produktet më të shitura në panairin e qytetit bregdetar.

Ministri Klosi theksoi se festat lokale të organizuara në vende të populluara nga shumë turistë japin mundësinë pushuesve të njohin produktet tona tradicionale. Nga ana tjetër prodhuesit kanë mundësi që të testojnë produktet e realizuara prej tyre. Edhe kryetari i bashkisë vlerësoi festën si një mundësi të shtuar për pushuesit duke krijuar një atmosferë të veçantë.

”Panairi do të jetë i hapur për 2-3 ditë dhe do t’u japë mundësinë të gjithë turistëve të provojnë prodhimet e zonës dhe u jep mundësinë prodhuesve që të shikojnë reagimet e para karshi produktit të tyre. Idea jonë për të realizuar festat lokale në zonat turistike vjen për disa arsye: E para për të pasur mundësinë që prodhuesit vendas të ekspozojnë produktet e të kuptojnë se çfarë u intereson më shumë turistëve. Po ashtu festat lokale i organizojmë për t’i ardhur në ndihmë pushuesve, për të pasur mundësinë që në këto atraksione turistike të shohin se çfarë prodhon komuniteti dhe së bashku me plazhin po ashtu të kenë mundësinë që të njohin dhe provojnë produktet e zonës”, tha ministri Klosi, sipas të cilit objektiv i rëndësishëm është që këto festa të kthehen në traditë.

“Ne do të vazhdojmë gjatë gjithë sezonit për të organizuar së bashku me pushtetin lokal kudo festa të tilla, ku ka atraksion turistik pasi mendojmë që është shumë e nevojshme që Shqipëria të shoqërohet edhe me këto produkte dhe turistët që vijnë në Shqipëri përveç se të ndiejnë mikpritjen shqiptare, të ofruar edhe nëpërmjet projektit Smile Albania të kenë mundësinë që të testojnë edhe produktet vendase. Po ashtu në kuadër të ligjit të zejeve , tashmë ka një mbrojtje për zejtarët dhe për zonat si shëtitorja e Himarës, do të duhet shumë shpejt të ketë vetëm produkt shqiptar, të tregtohen prodhimet që bëhen nga zejtarët, nga ata që kanë një profesion por kanë edhe një traditë, për të ofruar më të mirën e vendit tonë”, tha ministri Klosi nga Himara.

Këtë vit Mjalt Fest mbahet në Himarë, ku përveç një panairi degustimi të mjaltit janë ekspozuar edhe produkte të tjera bio dhe artizanale të zonës, shoqëruar me muzikë dhe argëtim për të gjithë pushuesit. Gjatë ceremonisë u shpallën edhe fituesit e konkursit të mjaltit që përfaqësonin bletaritë më të mira nga katër qytete.

Mjalt Fest u organizua për të parën herë në vitin 2018 në Dhërmi në kuadër të politikave të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të nxitur zhvillimin e festave lokale si mundësi për të promovimin e produkteve tradicionale, bio dhe atraksioneve turistike të zonave të ndryshme në të gjitha bashkitë e vendit./atsh

“Mjalt fest” në Himarë, Klosi: Produktet vendase, ofertë e shtuar në paketën tonë turistike Read More »

Reformimi i burgjeve/Gjonaj shpall garën për rekrutimin e profesionistëve në pozicionet drejtuese

Ashtu siç paralajmëroi pak ditë më parë gjatë një deklarate për shtyp ku tha se të gjithë drejtuesit e burgjeve do të kalojnë në një “sitë” kontrolli, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka urdhëruar menjëherë shpalljen e thirrjes për pozicionin “Drejtor në IEVP”.

Edhe pse ende nuk dihen konkretisht se cilët janë emrat e drejtorëve aktualë që do të shkarkohen nga ky proces verifikimi, informacionet e para bëjnë me dije se procesi është i ndërlidhur edhe me disa raste të hershme të konstatuara si shkelje nga drejtorët e Burgjeve.

Fakti që një sërë drejtorësh do të shkarkohen, vërtetohet pikërisht edhe nga vetë urdhëri i Gjonaj-t për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet në pozicionet e larta drejtuese në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

“Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese”, paralajmëronte Gjonaj në deklaratën e datës 30 Korrik, nisur edhe nga veprimet e konsideruara abuzive të ish-drejtorit të Lushnjës.

Ky reformim konfirmohet edhe nga deklaratat e bëra disa javë më parë ku Gjonaj, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, prezantoi Masterplanin e Sistemit Penitenciar.

Në prani të ambasadorit të Britanisë, Duncan Norman, kryetares së zyrës së Tiranës për Këshillin e Evropës, Jutta Gotzow, dhe përfaqësuesve të Organizatave Ndërkombëtare dhe vendase, Gjonaj garantoi se procesi i përzgjedhjes do të jetë po aq dinjitoz sa ai i rekrutimit të efektivëve në burgje, garë e cila u përshëndet gjerësisht për formën se si u ndërtua dhe rezultatet meritokratike që pasqyruan integritet, moral dhe profesionalizëm.

Vëmendja ndaj sistemit penitenciar në vend është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë ku transformimi i institucioneve të vuajtjes së dënimit po vijon me ritme të larta si në aspektin fizik të godinave, ashtu edhe atë logjistik apo administrativ për të garantuar siguri si dhe duke respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha të drejtat e njeriut për ata që vuajnë dënimin.

Ndërkohë, përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Drejtësisë bën me dije të gjitha kriteret përkatëse që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u bërë pjesë e konkursit ku do të përzgjidhen funksionarët më të denjë për të shërbyer në këtë detyrë të rëndësishme.

Brenda datës 26.08.2019, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, bën verifikimin paraprak të dosjeve të aplikantëve nëse plotësojnë kriteret. Lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret për t’iu nënshtruar testimit do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë dhe në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë brenda datës 26.08.2019./atsh

Reformimi i burgjeve/Gjonaj shpall garën për rekrutimin e profesionistëve në pozicionet drejtuese Read More »

Festa e Kurban Bajramit, besimtarët falin namazin në sheshin ‘Skëndërbej’

Me mesazhe paqeje e harmonie për njëri-tjetrin si dhe lutje për më shumë begati, besimtarët myslimanë falën mëngjesin e sotëm namazin e Kurban Bajramit, në sheshin ‘Skëndërbej’.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu u shpreh se simbolika e kësaj dite është kurbani, si shenjë mirënjohje ndaj Zotit.

“Allahut i intereson devotshmëria jonë. Te Allahu nuk arrin as mishi dhe as gjaku i Kurbanit, por bindja ndaj tij. Kurban Bajrami është dita ku ne i shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit. T’i shohim të gjithë njerëzit me sytë e dashurisë. Allahut i intereson devotshmëria jonë. Dëshmia e sakrificës na bën që ti jemi Zotit mirënjohës. Kjo na nxit të jemi gjithmonë të gatshëm dhe të bëjmë sakrifica për fe dhe atdhe. Kurbani do të thotë afrim të njeriut me krijuesin. Njerëzit nuk duhet t’i ndërpresin shpresat te Allahu”, tha ai ndër të tjera./atsh

Festa e Kurban Bajramit, besimtarët falin namazin në sheshin ‘Skëndërbej’ Read More »

Rama uron besimtarët me pamje nga Xhamia e Pazarit të Gjirokastrës

Me pamje nga rikonstruksioni i Xhamisë së Pazarit të Gjirokastrës, Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Rama ka publikuar edhe foto nga puna për nxjerrjen në dritë të kësaj Xhamie, e cila i mbijetoi shkatërrimeve nga regjimi komunist.

“Me këto pamje të punës së bukur për nxjerrjen në dritë të Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, GËZUAR KURBAN BAJRAMIN”, shprehet Rama.

Xhamia e Pazarit mori statusin monument kulture në vitin 1973.

Pas dekadash lënie në rrënim, Xhamia iu nënshtruar rikonstruksionit për të nxjerrë në dritë vlerat e saj kulturore e artistike duke u kthyer në referencë kyçe të itinerarit turistik në qytetin e gurtë.

Kjo ndërtesë datohet nga mbishkrimi ndërtimor në vitin 1754-55 (1168 h). Në vitin 1967, ajo është mbyllur për adhurim nga regjimi i kohës dhe është përdorur si depo dhe fushë trajnimi për akrobatët. Pas rrëzimit të regjimit në vitin 1991, xhamia është rihapur sërish për adhurim.

Xhamia është në formë kubike, e ndërtuar mbi një kornizë tetëkëndore. Çatia e kupolës kryesore është e mbuluar me gurë. Në anën e djathtë gjendet një tyrbe me çati tetëkëndore e mbuluar me gurë. Gjatë ndërtimit janë përdorur gurë gëlqeror të punuar me ngjyrë të bardhë dhe hiri. Arkitektura e kësaj xhamie përshtatet me arkitekturën e dyqaneve të çarshisë.

Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja, veç nënstrukturave që përmendëm. Salla e lutjeve është katrore në plan, me përmasa të brendësisë 8,85 x 8,95 dhe mbulohet me kupolë mbi trompa në qoshet./atsh

Rama uron besimtarët me pamje nga Xhamia e Pazarit të Gjirokastrës Read More »

Kurban Bajrami, Meta: Të ngrihemi mbi interesin personal, më shumë tolerancë e dialog

“Të ngrihemi mbi interesin personal, të mendojmë për interesin kombëtarë, u shpreh sot Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta në urimin e tij për festën e Kurban Bajramit.

Meta uron besimtarët për më shumë tolerancë, solidaritet, mirësi dhe begati.

“Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, kur ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta, ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit! Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Europa!”, shprehet ai.

Duke folur për ditën e sakrificës së Kurban Bajramit, Meta apelon për më shumë tolerancë e dialog.

“Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t’u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje”, shprehet ai.

“Të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, hyjnore e kombëtare, rreth familjes e kombit ne do t’ia dalim, pavarësisht kostove e sfidave që kërkohen!Nga mot Gëzuar Kurban Bajramin”, përfundon Meta mesazhin e urimit./atsh

Kurban Bajrami, Meta: Të ngrihemi mbi interesin personal, më shumë tolerancë e dialog Read More »

Basha uron besimtarët myslimanë: Zoti ju faltë mirësi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot shqiptarët për festën e Kurban Bajramit.

“Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë myslimanë, ju uroj nga zemra Gëzuar Festën e Sakrificës, këtë kremtim të shenjtë të fuqisë së besimit tek Krijuesi.

Zoti ju faltë mirësi, mbarësi dhe shëndet ju dhe familjeve tuaja dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët kudo ku janë!”, shprehet Basha./atsh

Basha uron besimtarët myslimanë: Zoti ju faltë mirësi Read More »

Zbulohet në Porto Romano 233 ton karburant pa akcizë, subjekti gjobitet me 41 milion lekë

Në kuadër të luftës kundër informaliteti, Strukturat e Administratës Doganore gjatë ushtrimit të kontrolleve në zbatim të planit operacional, i fokusuar tek sektori hidrokarbur dhe produktet e akcizës, konstatuan mungesë të një sasie të madhe të produktit të benzinës, në magazinat fiskale të Porto Romanos.

Gjatë një inspektimi të Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Arlind Gjokuta, në këto magazina, është bërë e ditur, rezultati i kontrollit mbi një subjekt, ndër më kryesorët në tregun vendas.

Gjatë kontrollit të kryer ka rezultuar se ka pasur mangësi në deklarimin në depozitë me rreth 233 mijë litra benzinë. Vlera e munguar nga kjo shkelje dhe penaliteti që iu vendos subjektit është rreth 41 milionë lekë.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta tha se kjo është shkelje për herë të parë dhe për këtë arsye penaliteti që aplikohet është 1-fish mbi vlerën e detyrimit. Në rast përsëritje do të jetë 3-fish dhe për herë të tretë shkon deri në 5-fish të detyrimit dhe revokim të autorizimit për ushtrimin e veprimtarisë.

“Kjo është një nga pjesët e procesit që ne po kryejmë në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial. Ajo që po mundohemi të bëjmë është inventarizimi fizik i të gjithë gjendjes në magazinat fiskale. Krahasimi i gjendjes me sistemin, me deklarimet që kemi në sistem dhe më pas kryqëzimi i informacionit me të gjitha faturat e shitjes dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për të kuptuar që nga momenti i importit dhe deri në pikën fundore gjithë informacioni është i përcjellë saktë dhe gjithë produkti është i fiskalizuar dhe i pasqyruar drejt kundrejt detyrimeve doganore fiskale ndaj shtetit”, tha Gjokuta.

Në muajin gusht fokusi i kontrolleve do të jetë sektori i produkteve të akcizës, duke filluar nga karburanti, pijet alkoolike, kafeja,etj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj theksoi se po bëhet një analizë e plotë me qëllim evidentimin e çdo shkeljeje.

“Ne do të monitorojmë çdo veprimtari ekonomike, në mënyrë që të kuptojmë deri në fund masën e evazionit dhe arritjen e objektivave për ta luftuar atë. Në Porto Romano jemi duke analizuar të gjitha pikat e magazinave doganore për të gjitha subjektet që kanë vendndodhje të depozitave. Gjithashtu do të zhvendosemi edhe në Fier, si dhe në çdo pikë ku ka magazinë doganore. Kjo jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës”.

Ministrja Denaj i bëri apel bizneseve të vlerësojnë dhe të deklarojnë në mënyrë të plotë produktet që tregtojnë. Qëllimi i administratës fiskale nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi i subjekteve për të zbatuar me korrektësi legjislacionin fiskal në fuqi./atsh

Zbulohet në Porto Romano 233 ton karburant pa akcizë, subjekti gjobitet me 41 milion lekë Read More »