Aktualitet

Vlorë/Pastrimi i rrjetit të ujësjellës kanalizimeve, në funksion të plotë për sezonin turistik

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë, vijon punën e nisur prej disa ditësh për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve dhe stacioneve të pompimit.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Dorian Xhelili, për punën e realizuar në këtë drejtim shprehet se, “që në orët e para të mëngjesit të së martës, krahas pastrimit të rrjetit janë kryer edhe punime për mirëmbajtjen e linjës së ujërave të zeza, përgjatë të gjithë zonës së shëtitores kryesore të qytetit deri në Lungomare”.

Grupet e punës të Ujësjellës Kanalizime në Vlorë, janë angazhuar çdo ditë për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve dhe riparimin e defekteve të mundshme në këtë rrjet.

Xhelili tha se, javën e kaluar janë kryer pastrimet në pjesën e stacioneve të pompimit që ndodhen në këtë zonë dhe tani po vijon puna në të gjithë pjesët e tjera të rrjetit që ndodhet në këtë shëtitore.

Pastrimi i rrjetit të Ujësjellës Kanalizimeve, thekson ai, ka një rëndësi të veçantë për qytetin bregdetar të Vlorës, i cili aktualisht ka një fluks të shtuar turistësh dhe pushuesish ndaj dhe angazhimi ynë është më i madh.

“Në sheshin e Flamurit në Vlorë puna është përqendruar në pastrimin e kanaleve të ujrave të bardha të cilat derdhen në hidrovorë. Kemi përfunduar investimin tonë në rrjetin e ujësjellës kanalizove përsa i takon pjesës Muze të qytetit, shtrimin e linjës së re të kanalizimeve dhe puna do të vijojë me lidhjen e pjeses së re me linjës ekzistuese” – shpjegoi Xhelili.

Sipas tij, pjesë të ndryshme të qytetit deri tek rruga Transballkaniake janë pastruar dhe puna sistemi po funksionin normalisht. Ai u shpreh se, hedhja e mbetjeve nga bizneset apo qytetarët mbetet problem ndaj kërkoi mbështetjen e tyre për mirëmbajtjen e mjedisit të pastër.atsh

Vlorë/Pastrimi i rrjetit të ujësjellës kanalizimeve, në funksion të plotë për sezonin turistik Read More »

Kredia për bujqësinë arriti në rreth 4.7 miliardë lekë

Bujqësia është si një sektor me potenciale të mëdha për të rritur kreditimin.

Me një kontribut në rritje në ekonominë e vendit, punësimin dhe eksportet, bujqësia është kthyer tashmë në vëmendjen e plotë të politikave të qeverisë duke sjellë interes të shtuar edhe të biznesit për sipërmarrje të reja në shumë fusha që ofron bujqësia.

Sipas të dhënave zyrtare, bujqësia përbën 1,4% të portofolit total të kredisë për biznesin. Në mesin e këtij viti, vlera e portofolit të kredisë për bujqësinë arriti në rreth 4.7 miliardë lekë.

Ekspertët presin që huadhënia të zgjerohet edhe më shumë për periudhën në vijim, nxitur edhe nga skemat e ndryshme të mbështetjes që po aplikon qeveria në bashkëpunim me programet e huaja.

Ndërkohë që skema e garancisë financiare për fermerët, me një fond prej 75 milionë euro, është një tjetër mbështetje për fermerët, që u krijon akses për kredi nga bankat tregtare. atsh

Kredia për bujqësinë arriti në rreth 4.7 miliardë lekë Read More »

“Infermierë për Shqipërinë”, ndryshime në konkursin e radhës në shtator

Portali “Infermierë për Shqipërinë” për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë tashmë është pjesë e ligjit të ri të kujdesit shëndetësor dhe konkursi i radhës i cili do të hapet në muajin shtator do ketë disa ndryshime.

Zëvendesministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli shpjegoi në një intervistë televizive se risia këtë herë është fakti që kandidatët mund të përzgjedhin se ku duan të punojnë duke aplikuar deri ne tre njësi vendore, dhe jo më në qarqe.

“Kanë të drejtë të aplikojnë për vende pune në tre njësi vendore, pra e zgjedhin vet se ku duan të shkojnë të punojnë. Testimi do të bëhet në mënyrë të informatizuar edhe kjo është risia tjetër e këtij portali ndryshe nga tre portalet e tjera. Testimi i informatizuar natyrisht do të bëhet tek Qëndra e Shërbimeve Arsimore ose QSHA siç quhet ndryshe”-u shpreh zv/ ministrja e Shëndetësisë

Konkursi ndahet ne dy pjesë, ku fillimisht ngarkohen në portal dokumentet për të aplikuar, nota mesatare, eksperienca në pune, masteri dhe gjuhet e huaja dhe pjesa e dytë është testimi i njohurive, i cili këtë herë do të bëhet i informatizuar dhe do të zhvillohet brenda muajit shtator. 15 gushti është afati i fundit për të aplikuar.

“Dokumentacioni vlerësohet me 30 pikë në total, për studentët e ekselencës ka edhe një bonus i cili është 10 pikë plus. Testimi është patjetër shumë i rëndësishëm dhe atij i janë lënë në dispozicion 70 pikë. Nëse merr më pak se 40 pikë atëherë nuk kualifikohesh për të kërkuar vendin e punës, duhet të marrësh patjetër mbi 40 pikë. Rezultati gjenerohet në moment, gjithësekush sapo ka mbaruar provimin ka në dorë edhe rezultatin”-tha Rakacolli

Pas përfundimit të procesit kandidatët thirren dhe u ofrohen vende pune. z.tosku/atsh

“Infermierë për Shqipërinë”, ndryshime në konkursin e radhës në shtator Read More »

Moti,parashikohet me kthjellime dhe zhvillim vranësirash

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti në vend do të ndikohet nga masa ajrore më të freskëta e të paqëndrueshme.

Për ditën e sotme moti parashikohet me kthjellime dhe zhvillim vranësirash.

Reshjet e shiut do të bëhen të pranishme në mesditë e pasdite në veri të cilat parashikohet të jenë në formë të lokalizuar rrebeshe afatshkurtra në këto zona.

Era do të fryjë nga veriperëndimi e lehtë dhe përkohësisht mesatare në bregdet, duke sjellë valëzim të forcës 2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 24/34 shi diell
Kukës 21/34 shi diell
Lezhë 24/34 shi diell
Dibër 21/32 shi diell
Durrës 23/33 re diell
Tiranë 26/34 re diell
Elbasan 25/37 re diell
Berat 22/38 re diell
Vlorë 24/36 diell
Korçë 21/33 diell
Gjirokastër 20/38 diell
Sarandë 23/36 diell/atsh

Moti,parashikohet me kthjellime dhe zhvillim vranësirash Read More »

Investimet në sektorin e ujit, dyfishohet numri i përfituesve në 7 muajt e parë të vitit

Furnizimi i pandërprerë dhe rritja e cilësisë së ujit të pijshëm është përfituar në këta shtatë muaj të parë të vitit nga 2 herë më shumë banorë të zonave urbane ku janë kryer investime.

Kështu, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se investimet në sektorin e ujit, modernizimi dhe transformimi rrënjësor në infrastrukturë kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe rritjen ekonomike drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Sipas kësaj ministrie, vetëm në 7-mujorin e parë të vitit, skuadra e AKUM ka bërë një punë të konsiderueshme duke 2-fishuar numrin e banorëve të zonave urbane që kanë përfituar nga këto investime, ndërkohë parashikohet që brenda vitit 2020 ky numër të 4-fishohet duke impaktuar 1.1 milion banorë.

Infrastruktura e shërbimeve për qytetarët është në fokus të punës së mëtejshme të autoriteteve shtetërore. /atsh

Investimet në sektorin e ujit, dyfishohet numri i përfituesve në 7 muajt e parë të vitit Read More »

Rilindja urbane në Dhërmi, i rikthen shkëlqimin e munguar prej vitesh

Dhërmiu, fshati i 30 kishave monument kulture të kategorisë së parë në bashkinë e Himarës dhe një ndër fshatrat më të bukur të jugut, po rilind falë investimeve që po kryhen.

Rilindja Urbane në Dhërmi, po i jep këtij fshati një pamje të denjë për të mirëpritur turistët e shumtë por dhe banorëve një investim të munguar prej një dekade, si pjesë e programit qeverisës “100 fshatrat”.

Investimet në këtë zonë kanë për qëllim të rikthejë vlerat historike dhe kulturore të Dhërmiut dhe kthimin e tyre në produkt turistik të zonës, krahas plazheve të mrekullueshme.

Kryeministri Edi Rama duke ndarë një album me foto ku shihet ndryshimi rrënjësor i Dhërmiut shprehet se, “deri dje i zhytur në zymtinë e harresës, sot Dhërmiu i vjetër po rinis të shkëlqejë, falë programit tonë të Rilindjes Urbane dhe një pune prej milingonash, gur pas guri e tjegull pas tjegulle”.

Projekti i ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon shndërrimin e Dhërmiut në një qendër autentike dhe atraktive jo vetëm për turizmin bregdetar, por edhe për zhvillimin e turizmit kulturor të zonës.

Dhërmiu në territorin e tij ruan mbi 40 objekte kulti, monumente historike si dhe natyrore. Gjurmët e gjetjeve arkeologjike dëshmojnë se jeta në këtë fshat i ka fillesat që në prehistori. Sot fshati Dhërmi dhe plazhet e mrekullueshme përreth tij presin turistë të shumtë, sidomos gjatë sezonit veror. /atsh

Rilindja urbane në Dhërmi, i rikthen shkëlqimin e munguar prej vitesh Read More »

Kulluri: Basha ik! Je i paaftë!

“Partinë po e mban peng një njeri i paaftë dhe pa asnjë lloj përgjegjësie për dështimet”, deklaroi sot ish-anëtar i Këshillit Kombëtar PD- së, Edvin Kulluri, ndërsa thekson se PD nuk bind se është alternativë më e mirë se qeverisja Rama.

Kulluri akuzon se nuk transparencë brenda partisë dhe është shndërruar në një opozitë e “forcës së zakonit”.

“PD zyrtare ka 6 vjet që vetëm kundërshton, kritikon, denoncon dhe replikon me qeverinë! PD zyrtare nuk bind se është më e mirë se banda e Ramës në pushtet, nuk krijon alternative dhe ekip të besueshme. PD zyrtare nuk dëgjon brenda partisë se si mund të jetë me demokratike, me transparente, me krijuese, me alternativë, me e djathtë, me e drejte dhe me reflektuese. PD zyrtare është shndërruar në opozitë e “forcës së zakonit”! “, shprehet ai

Po ashtu, Kulluri shton se demokratë u lodhën nga bojkoti dhe duke bërë hapa pas.

“Pasqyrë e keqe e vetës dhe kundërshtarit por jo oferte më e mirë qeverisëse! Mjafton rrumpalla në politikën e jashtme me rastin e Memorialit të Grushtit të Shtetit në Turqi për të kuptuar se ç’shëmti është ky lidership! Demokratet u lodhën, u robtuan nëpër protesta, bojkote dhe marrëzitë e një njeriu dhe rrethit të tij besnik duke bërë vetëm “hapa pas” dhe “asnjë hap para”! “, shprehet ai.

Gjithashtu, Kulluri thekson se “partinë po e mban peng një njeri i paaftë dhe pa asnjë lloj përgjegjësie për dështimet e një pas njëshme! Po i tërheq dëshpërishmisht nga “gënjeshtra në gënjeshtër”.

“10 revolucione imagjinare ka drejtuar deri tani dhe Rama ndërkohë ka arritur çdo fitore prej humbjeve të PD! Nëse ke halle të tuat, këto nuk janë hallet e PD dhe shqiptarëve! Bëhu burrë dhe ik, por ti nuk je i tillë, se burrat nuk fshihen dhe nuk gënjejnë! Burrat mendojnë, burrat bashkojnë, burrat luftojnë, burrat prijnë, burrat fitojnë! Dhe kur nuk i arrijnë këto, ikin “si burrat”!”, thekson Kulluri duke iu drejtuar kreut të PD-së, Lulzim Basha./atsh

Kulluri: Basha ik! Je i paaftë! Read More »

Sezoni turistik, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor 415 inspektime në subjekte të ndryshme

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), ka zhvilluar inspektimet dhe gjatë kësaj jave në bregdet nga veriu në jug për të garantuar një sezon turistik të sigurt.

Gjatë kësaj jave në bregdet janë kryer 415 inspektime ku 68 janë ri-inspektime. Këto inspektime janë përqendruar në bare, subjekte akomuduese dhe në prodhimet ushqimore.

Në bare dhe restorante janë bërë 155 kontrolle, 72 kontrolle në subjekte akomoduese dhe 40 kontrolle në prodhuesitë ushqimorë. Nga kontrollet e kryer janë marrë 8 masa administrative, 2 vendime për mbyllje provizore të subjekteve dhe janë bërë 36 paralajmërime.

ISHSH ka si mision garantimin dhe respektimin e kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik si dhe është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, me përjashtim të inspektimit të veprimtarive në fushën farmaceutike. /atsh

Sezoni turistik, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor 415 inspektime në subjekte të ndryshme Read More »