Aktualitet

Valdrin Pjetri jep dorëheqjen nga marrja e detyrës së kryetarit të bashkisë Shkodër

Valdrin Pjetri dha sot dorëheqjen nga marrja e detyrës së kryetarit të bashkisë Shkodër.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Pjetri, i cili thekson se “ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës. Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor”.

“Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajësinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem. Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, – nënvizon Pjetri.

Pjetri sqaron se “i ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së kryetarit të bashkisë Shkodër”.

Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që qytetarët i dhanë në fushatë, Pjetri thekson se “ishte një ëndërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai”.

“Së fundi, ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që më kanë mbështetur apo dërguar mesazhe solidariteti në këto ditë të vështira për mua”, tha Pjetri./atsh

Valdrin Pjetri jep dorëheqjen nga marrja e detyrës së kryetarit të bashkisë Shkodër Read More »

Korriku 2019, muaji më i nxehtë në historinë e botës

Muaji korrik 2019 ka qenë muaji më i nxehtë në botë i regjistruar ndonjëherë, njoftoi sot Agjencia Atmosferike Amerikane NOAA, duke konfirmuar matje të publikuara nga Bashkimi Europian para disa ditësh.

“Pjesa më e madhe e planetit ka njohur një nxehtësi të paprecedentë në korrik, me temperaturat që arritën nivele rekord gjatë muajit më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë”, komentoi agjencia amerikane.

“Për shkak të nxehtësisë rekord është reduktuar edhe akulli në detet e Arktikut dhe të Antarktidës në nivelet më të ulëta historike”, theksoi NOAA. /atsh

Korriku 2019, muaji më i nxehtë në historinë e botës Read More »

Tre gjimnaziste shqiptare, pjesë e sfidës së ‘Technovation” që mbështetet nga DASH

Tre gjimnaziste shqiptare janë bërë pjesë këtë vit në sfidën “Technovation” me krijimin e aplikacionit GjejZâ. GjejZâ është një aplikacion që ndihmon gratë shqiptare me qasje në burimet e nevojshme për t’i ndihmuar ato të kapërcejnë pasojat e dhunës me bazë gjinore.

Çdo vit, më 12 gusht, Shtetet e Bashkuara bashkohen me pjesën tjetër të botës në përkujtimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. Këtë vit shënohet 20 vjetori i Ditës së parë Ndërkombëtare të Rinisë, e cila u krijua në 1999 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Sekretari i Zyrës së Global Women’s Issues (S/GWI) kontribuon në përpjekjet e qeverisë amerikane për të promovuar hapësira pozitive për rininë, veçanërisht vajzat, për të mësuar dhe për të jetuar në përputhje me potencialin e tyre. Në kremtimin e Ditës së 20-të Ndërkombëtare të Rinisë, S / GWI u angazhua për të pritur D3C0ders, një ekip femrash zhvilluese të teknologjisë të ndërgjegjshme, në Washington D.C., nga 9 gusht deri në 12 gusht.

Ambasada e Sh.B.A në Tiranë mbështet Qendrën Amerikane në Tiranë, një nga Hapësirat Amerikane të Departamentit të Shtetit, ku D3C0ders kanë bashkëpunuar që prej vitit 2016, kur vajzat ishin 12 vjeç.

Programi ‘Spaces Amerikan’ angazhohet në të gjithë globin me të rinjve e vendeve të tyre pritëse, duke u siguruar atyre një shumëllojshmëri të programeve që kanë për qëllim të përmirësojnë zhvillimin e tyre personal dhe profesional.

Duke iu referuar Këndit Amerikan në Tiranë, D3C0ders thuhet, “është një vend ku të rinjtë, me interes të përbashkët, mund të mblidhen dhe të kenë gjithçka që u nevojiten për të realizuar idetë e tyre. Këto hapësira angazhohen me të rinjve shqiptarë duke ofruar një shumëllojshmëri programimi që rrit zhvillimin e tyre personal dhe profesional.

Këndi Amerikan në Tiranë është aty ku lindi D3C0ders, një grup ambicioz i tre gjimnazistëve shqiptare, Arla Hoxha, Dea Rrozhani dhe Jonada Shukarasi. D3C0ders janë një ekip i dedikuar për nxitjen e ndryshimeve pozitive sociale përmes zhvillimit teknologjik dhe programimit. Përmes seminareve të zhvillimit të aftësive, burimeve të bollshme dhe stafit të angazhuar të siguruar nga Këndi Amerikan në Tiranë, D3C0ders ishin në gjendje të vinin dijet e tyre së bashku dhe të hynin në Sfidën Technovation të këtij viti.

Sfida Technovation është programi më i madh në botë i sipërmarrjes në teknologji për vajzat adoleshente. Technovation u ofron vajzave nga e gjithë bota mundësinë për të mësuar aftësitë e nevojshme për t’u shfaqur si ndërmarrës të teknologjisë dhe udhëheqës në industrinë e STEM. Përmes këtij programi, ekipeve të vajzave adoleshente u kërkohet të identifikojnë një problem në komunitetin e tyre, dhe më pas sfidohen ta zgjidhin atë. Së bashku skuadrat ndërtojnë aplikime telefonike dhe i përdorin ato si një mjet për zgjidhjen e problemit që ata kanë identifikuar në komunitetin e tyre. Duke shprehur pse përqendrimi te vajzat në STEM është kaq i rëndësishëm, D3C0ders deklaruan se, “Vajzat nuk duhet të përjashtohen nga këto mundësi, sepse ndoshta dikush nga ne do të ketë idenë tjetër të madhe, zgjidhjen tjetër të madhe.”

Për konkursin e këtij viti, D3C0ders krijuan GjejZâ, që në shqip do të thotë “gjeni zërin tuaj”. GjejZâ është një aplikacion që ndihmon gratë shqiptare që i nënshtrohen dhunës së partnerit intime me qasje në burimet e nevojshme për t’i ndihmuar ata të kapërcejnë pasojat e dhunës me bazë gjinore. Kur vendosi se çfarë çështje sociale ata donin të merrnin përsipër, ekipi përshkroi duke parë jetën e tyre, si dhe jetën e miqve dhe familjes së tyre, dhe pa një model mbizotërues të dhunës ndaj grave, duke deklaruar hapur se, “dhuna në familje është një ndeshjen këtu në Shqipëri”.

D3c0ders përfshiu informacione mbi shërbimet sociale, hapjen e vendeve të punës, trainimin teknik dhe mundësitë e kursimit, për të paralajmëruar përdoruesit për mundësi të reja dhe për të rritur pavarësinë e tyre financiare, duke zbutur kështu prekshmërinë e tyre ndaj abuzimit të vazhdueshëm.

D3c0ders, si dhe pjesëmarrësit e tjerë në Sfidën Technovation të këtij viti, janë shembuj të shkëlqyeshëm të fuqisë dhe ndryshimit pozitiv që vijnë nga vajzat që futen në fushat STEM. Ndërsa bota feston 20 vjetorin e Ditës së Parë Ndërkombëtare të Rinisë, Qeveria e Sh.B.A ripohon angazhimin për të ndihmuar të gjithë djemtë dhe vajzat të marrin një arsim cilësor që do t’i lejojë ata të jenë forca për ndryshime pozitive në komunitetet e tyre, dhe në të gjithë botën. /atsh

Tre gjimnaziste shqiptare, pjesë e sfidës së ‘Technovation” që mbështetet nga DASH Read More »

Zvërnec-Nartë dhe banjat termale në Bënjë/ Nis konsultimi për përmirësimin e zonave turistike

Krahas projekteve strategjike në infrastrukturën rrugore, aeroporte, porte etj, po investohet edhe në ekonomitë lokale.

Në kuadër të projektit për Zhvillimin e Turizmit dhe Integrimin Urban që po zbatohet me mbështetjen e Bankës Botërore, në katër bashki të vendit Berat, Përmet, Sarandë e Gjirokastër, ka nisur konsulenca mes ekspertëve për përmirësimin e zonave turistike në Zvërnec-Nartë dhe banjat termale në Bënjë.

Zvërnec- Nartë, është padyshim një prej zonave më të bukura përgjatë bregdetit Shqiptar të Adriatikut. Në një sipërfaqe prej rreth 20 000 ha ndërthuret një larmishmëri e gjerë habitatesh me një diversitet të lartë biologjik, çka e shtyu qeverinë shqiptare në vitin 2004 t’i japë statusin peisazh i mbrojtur kësaj zone.

Ndërsa banjat termale të Bënjës, 14 km larg qytetit te Përmetit ka ujëra me baze sulfurore që kanë efekte shumë të larta kuruese.Këto burime u shfrytëzuan nga shteti në vitet 1964-1975 dhe aktualisht shfrytëzohen në mënyre të pa-organizuar nga banorë dhe vizitorë të ndryshëm të cilët zgjedhin për të pushuar pranë tyre.

Konsulentët për kërkimin e tregut në këto zona synojnë finalizimin ideve të integruara për zhvillimin e një produkti turizmi të qëndrueshëm.

Objektiv është përmirësimi i infrastrukturës urbane, rritja e aseteve turistike dhe forcimi i kapaciteteve për zhvillimin e ekonomive lokale të lidhura me turizmin në këto zona të përzgjedhura perla të jugut të Shqipërisë.

Ky projekt ka në total katër komponentë; Përmirësimin e infrastrukturës dhe pjesës urbane; përmirësimin e zonave turistike; zhvillimin e një produkti dhe tregu të turizmit dhe komponenti i katërt lidhet me mbështetjen e zbatimit të këtyre komponentëve./atsh

Zvërnec-Nartë dhe banjat termale në Bënjë/ Nis konsultimi për përmirësimin e zonave turistike Read More »

Regjisori Pëllumb Kulla: Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve për Teatrin e ri Kombëtar

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendjen e publikut qëndrimin e regjisorit, diplomatit dhe profesorit të mirënjohur Pëllumb Kulla që i shtohet zërave të shumicës së artistëve për ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar.

“Për më shumë se 70 vjet ne nuk kemi patur një ndërtesë të përshtatshme për teatrin qendror. Mjafton të them se ajo ishte shumë larg me shoqet e saj të Europës, po se po, por ajo ishte edhe më e papërshtatshme edhe se disa teatro të vendit”, shprehet regjisori Pëllumb Kulla.

Më tej, Kulla shton se, “në atë kompleks të ngritur nga italianët, u bë jetëgjatë një dramaturgji, pjesa më e madhe e të cilës meriton të mos kujtohet më. Mendoj dhe shpresoj se edhe kjo, në korpusin e ri do të realizohet nëpërmjet veçimit të një pavijoni memorialistik, ku mund të ruhej edhe një maket i madh i godinës së teatrit të deritanishëm, ku mund të ekspozoheshin kostumet e paharruara, që nga ai i Hamletit të Shekspirit, Ezopit dhe Kleas të Figuereidos dhe deri tek ato të Halilit dhe Hajries të Kol Jakovës”.

“Në atë ambient muzeal mund të gjenden shfaqje të filmuara apo radiofonike, këndi i dramaturgëve, ai i regjisorëve dhe i skenografëve, makete dekoresh të qëlluara dhe plot elementë që do të plotësonin nevojat shpirtërore të atyre artistëve, që me ashk kërkuan muaj me radhë restaurimin e plotë të ndërtesës. Përshëndes atmosferën optimiste që po krijohet dhe mezi pres ditën kur problemet e teatrit do të fokusohen, jo më tek ndërtimi historik i korpusit teatror, që ndodh njëherë në mijëra vjet, por tek problemet e vërteta dhe të përditshme të teatrit kombëtar, të dramaturgjisë kombëtare. Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve dhe qoftë e afërt dita kur të sakrifikohen ngrehinat e dy teatrove “ndërkombëtarë”, që t’i bëjnë vend ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë”, shprehet Pëllumb Kulla.

“Regjisori, aktori, diplomati dhe profesori i mirënjohur Pëllumb Kulla (që më 1967 ra viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çoi për riedukim në gurore e miniera), me një jetë të tërë kontributesh në botën e skenës dhe spektaklit shqiptar për të cilat është vlerësuar me titullin Mjeshtër i Madh, ka këtë opinion për Teatrin Kombëtar”, shprehet kryeministri Rama duke publikuar qëndrimin e regjisorit, diplomatit dhe profesorit të mirënjohur Pëllumb Kulla për ndërtimin e Teatrit të ri. /atsh

Regjisori Pëllumb Kulla: Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve për Teatrin e ri Kombëtar Read More »

Shuarja e regjisorit Gjergj Xhuvani, Rama: Mik i shtrenjtë nga kohët e vjetra, s’kam fjalë

Kryeministri Edi Rama ndau hidhërimin e thellë për ndarjen sot nga jeta regjisorit të mirënjohur, Gjergj Xhuvani.

“O Zot! U deshën minuta të tëra ta besoja se ishte i vërtetë lajmi i humbjes së Gjergjit. Sa shumë gjëra për të thënë e sa pak fjalë mblidhen bashkë në këtë moment. Miku i shtrenjtë dhe i mirë qysh nga kohët më të vjetra, regjisori Gjergj Xhuvani, nuk i çeli më sytë, pasi mbrëmë përfundoi në Romë, filmin e tij të ri. S’kam fjalë…”, tha Rama.

Xhuvani ndërroi jetë sot në një spital në Romë në moshën 56-vjeçare. I njohur për krijimtarinë e tij kinematografike, këtë vit pritej dhe premiera e filmit të tij të ri ‘Liqeni im’.

Gjergj Xhuvani është një regjisor, skenarist, producent shqiptar. Ai lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë dega Artet dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.atsh

Shuarja e regjisorit Gjergj Xhuvani, Rama: Mik i shtrenjtë nga kohët e vjetra, s’kam fjalë Read More »

500 aplikime për konkursin për patrullë të përgjithshme në Policinë e Shtetit

Sot është afati i fundit për aplikimin për Patrullë e Përgjithshme, në Policinë e Shtetit.

Sipas Policisë së Shtetit, çdo e ri apo i ri i interesuar duhet të shfytëzojë orët në vazhdim për të dorëzuar dosjen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së qarkut ku banojnë.

Këtu mbyllet faza e parë e aplikimit, për të vijuar me procedurat e konkurimit.

Numri i aplikimeve për 500 vende është i lartë dhe kjo është dëshmi e interesit të madh për t’u bërë pjesë dhe për të shërbyer në Policinë e Shtetit. Konkurenca do të rrisë edhe cilësinë e aplikantëve fitues në fund të garës. /atsh

500 aplikime për konkursin për patrullë të përgjithshme në Policinë e Shtetit Read More »

“Plazhi i lirë”/ Lirohen 2000 m2 hapësirë e zaptuar në Himarë dhe Durrës

Vijon operacioni “Plazh i lirë” për lirimin e plazheve publike. Janë liruar rreth 1000 m2 plazh publik në Himarë, i zaptuar në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen rreth 200 kompleteve shezlongë e çadra. Procedohen penalisht nga Policia e Himarës 3 shtetas, pronarë të subjekteve për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pushtimi i tokës”.

Në Durrës janë liruar rreth 1000 m2 plazh, janë sekuestruar rreth 270 komplete shezlongë e çadra dhe Policia e Durrësit ka proceduar penalisht 2 shtetas , pronarë të subjekteve.

Në vijim të planin të posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore”, Policia e Himarës në bashkëpunim me Policinë e Sarandës pas kontrolleve të ushtruara në plazhin e quajtur “Krorës” në Shën Vasil, Himarë, ka konstatuar 3 subjekte tregtare, të cilat zhvillonin aktivitetet e tyre tregtare në mënyrë të paligjshme.
Policia ka sekuestruar rreth 200 komplete shezlongë dhe çadra, të cilat shfrytëzoheshin nga ana e secilit pa kasë fiskale dhe pa leje nga bashkia Himarë.

Në vijim të veprimeve procedurale, Policia ka proceduar penalisht 3 pronarët e këtyre subjekteve: A.L., N.V., dhe A.D.

Operacioni ka vijuar edhe në Durrës, ku Policia në bashkëpunim me trask forcën e ngritur nga prefekti i qarkut në bashkëpunim me Policinë bashkiake në zonën e Katundit të Ri, në pjesën e plazhit, ka liruar rreth 1000 m2 plazh, i zaptuar në mënyrë të paligjshme nga dy pronarë subjektesh, si dhe ka sekuestruar rreth 270 komplete shezlogë e çadra.

Në përfundim të veprimeve Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës , proceduan penalisht shtetasit D.D. e SH.P., për veprat penale “Pushtimi i tokës ” dhe “Fshehja e të ardhurave“. /atsh

“Plazhi i lirë”/ Lirohen 2000 m2 hapësirë e zaptuar në Himarë dhe Durrës Read More »