Aktualitet

Anija nga Katari zgjedh brigjet shqiptare si një ndër pesë destinacionet e Mesdheut

Një anije e vjetër katariane me vela po lundron aktualisht në vendet e rajonit në një turne që quhet “Fatah Al Khair 4”. Deri tani ka vizituar Turqinë dhe Greqinë dhe më 20 gusht 2019 do të mbërrijë në brigjet shqiptare.

Në vendin tonë, ndalesa e parë e anijes katariane me vela do të jetë Saranda më 20 gusht 2019, ku pritet të mbërrijë në portin e qytetit bregdetar shqiptar në orën 6 pasdite, duke valëvitur flamujt kombëtarë të Shqipërisë dhe të Katarit.
Me këtë rast, do të organizohet një pritje e madhe në shëtitoren e qytetit. Banorët e Sarandës dhe të pranishmit në këtë pritje do të kenë mundësinë të hyjnë dhe të shohin nga brenda anijen, ku do të njihen me vetë anijen si dhe me kulturën detare të Katarit. Atyre do t’i shpërndahen edhe suvenire që simbolizojnë Botërorin “Qatar 2022”.
Pas qëndrimit dy ditor në Sarandë, anija do të niset për në qytetin e Durrësit dhe do të arrijë në portin e tij më 24 gusht në orën 6 pasdite. Edhe në këtë qytet të lashtë të historisë dhe kulturës shqiptare, do të ketë një pritje dhe disa aktivitete argëtuese me banorët e qytetit dhe vizitorët e plazhit.

Më datë 25 gusht, aktivitetet e lidhura me lundrimin “Fatah Al Khair 4” do të transferohen në Tiranë. Për dy ditë, në sheshin “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit dhe tek parku i liqenit, do të zhvillohen disa surpriza të këndshme dhe do të organizohen aktiviteteve kulturore dhe sportive në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës.

Këto aktivitete do të jenë të hapura për të gjitha grupmoshat, gjatë të cilave do të shpërndahen dhurata dhe suvenire me logo të Botërorit “Qatar 2022”.

Anija e cila ka në bord 15 marinarë katarianë, ka dy vela dhe është e llojit “Boom Safari” e punuar prej druri, me gjatësi 110 këmbë dhe gjerësi 27 këmbë, dhe ka kapacitet mbajtës prej 200 tonësh. Kjo anije konsiderohet një muze në miniaturë që pasqyron trashëgiminë detare të Katarit. Gjithashtu ajo është e pajisur me ekrane të mëdha për të prezantuar stadiumet dhe përgatitjet e tjera të infrastrukturës sportive ku do të mbahen ndeshjet e Botërorit të Futbollit “Qatar 2022”.

Lundrimi “Fateh Al Khair 4” për vitin 2019 do të zgjasë katër muaj dhe do të përshkruajë rreth 4400 milje, nisur nga Bosfori e deri në Xhenova të Italisë.

Konkretisht destinacionet e tij për këtë vit do të jenë pesë vende të Mesdheut, përkatësisht Turqia, Greqia, Shqipëria, Kroacia dhe Italia. /atsh

Anija nga Katari zgjedh brigjet shqiptare si një ndër pesë destinacionet e Mesdheut Read More »

Vijon operacioni “Plazh i lirë”, lirohen rreth 2800 m2 hapësirë e zaptuar në mënyrë të paligjshme

Operacioni për lirimin e plazheve publike ka vijuar në Shëngjin të Lezhës. Si rezultat i këtij operacioni të policisë është liruar rreth 2800 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme dhe janë sekuestruar 542 shezlongë dhe 271 çadra të vendosura në mënyrë të paligjshme, në hapësirat publike.

Shtatë subjekte janë konstatuar se ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike (rërës), pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga bashkia Lezhë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit G.F., F.K, M.N., E.Ll., Gj.J., E.C. dhe P.Z. për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave”.

Gjithashtu, janë referuar materiale hetimore shtesë për shtetasin A.N. me detyrë ish – Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, i proceduar dhe më parë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme.

Operacioni po vijon çdo ditë, me shtrirje në të gjithë zonat bregdetare, në territorin e Qarkut Lezhë. /atsh

Vijon operacioni “Plazh i lirë”, lirohen rreth 2800 m2 hapësirë e zaptuar në mënyrë të paligjshme Read More »

Basha: Pjetri fshehu të kaluarën, kriminel i rangut të tretë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sërish sot lidhur me dorëheqjen nga detyra të Valdrin Pjetrit, ndërsa u shpreh se “Edi Rama futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhjetëra kriminelë.

Basha tha se “krahasuar me Edi Ramën, Valdrin Pjetri është një kriminel i rangut të tretë, një trafikant i dënuar droge që ka fshehur të kaluarën e tij”.

“Është Edi Rama ai që futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhe i bëri deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës. Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare”, tha ai.

Sipas Bashës, “Shqipëria u kthye në parajsën e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe korrupsionit”. /atsh

Basha: Pjetri fshehu të kaluarën, kriminel i rangut të tretë Read More »

Suela Konjari: Të tejkalojmë bindjet partiake, Teatri është mbi partitë

Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Suela Konjari ftoi sot të gjithë kolegët artistë dhe specialistët që t’i tejkalojnë bindjet partiake, pasi Teatri është mbi partitë.

Për çështjen e Teatrit Kombëtar, ajo tha se “shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin”.

“Kur mbaron një shfaqje teatri, melodia e parë që vjen për aktorin në skenë janë duartrokitjet e publikut. Me këtë dua të them, ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistët, që t’i tejkalojnë bindjet partiake, teatri është mbi partitë. Shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin. Teatri na jep mundësinë që ta duam njëri-tjetrin dhe ta besojmë. Shpresoj që të arrijmë më të mirën e mundshme”, tha ajo.

Duke ndarë këtë opinion të Konjarit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Suela Konjari i përket gjeneratës që doli në skenë në vitet e vështira të ndryshimit të sistemeve dhe spikati me rolet e saj përpara publikut të Teatrit Kombëtar”.

Në çështjen e shumëdebatuar të godinës së teatrit, Rama tha se “ajo ndan të njëjtin opinion me shumicën dërrmuese të komunitetit teatror”./atsh

Suela Konjari: Të tejkalojmë bindjet partiake, Teatri është mbi partitë Read More »

Sezoni turistik/ Pastrim i përditshëm përgjatë bregdetit në Lungomare

Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Vlorë po punojnë me ritme të larta për mirëmbajtjen dhe pastrimin e trotuareve në Lungomare.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë inspektimit të kryer përgëzoi punonjësit për punën e bërë në sistemimin e trotuareve të dëmtuar dhe në pastrimin përgjatë bregdetit.

“Vlora këtë vit pavarësisht klimës politike që i parapriu sezonit turistik është vizituar këtë verë nga me shumë njerëz se më parë. Detyrë e të gjithëve është të presim turistët dhe të mirëmbajmë hapësirat publike, të cilat kanë pafund abuzim mbi pastërtitë, ndotjen e mjedisit, dëmtimet gjatë ditës dhe natës”, – tha Leli.

Sipas tij, punonjësit punojnë gjatë gjithë kohës me turne, ditë dhe natë.

“Në Lungomare janë 22 punonjës të dedikuar vetëm për këtë shëtitore, punonjës të ndërmarrjes së gjelbërimit, të rrjetit të ujësjellësit, të ndriçimit. Punojnë 24 orë për të pasur maksimunin e shërbimit”, – theksoi Leli.

Kryebashkiaku Leli kërkoi bashkëpunim më të madh qytetar dhe një përkujdesje më të madhe të të gjithë atyre njerëzve që përdorin hapësirat për biznese që në fund fare i kanë hapësira përfitimi.

“Rritja e ndjeshmërisë është maksimumi që mund të bëjmë për të patur një qytet të pastër”, u shpreh Leli./atsh

Sezoni turistik/ Pastrim i përditshëm përgjatë bregdetit në Lungomare Read More »

Zvërnec/Festa e Shën Mërisë

Besimtarët e krishterë ortodoksë kremtojnë sot Festën e Shën Mërisë, një nga festat më të mëdha të kalendarit ortodoks.

Ashtu si çdo 15 gusht, ritet fetare u kremtuan edhe në Manastirin e Shën Mërisë në Zvërnec, ku i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili i uroi gëzuar festën të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe të kenë sa më shumë harmoni me njëri-tjetrin. “Më herët njerëzit kanë pasur vështirësi të vinin në manastir, por tani falë investimit që kemi bërë pak kohë më parë vizitorët që vijën në manastir janë gjithmonë e më të shumtë. Ky manastir është kthyer në destinacionin më të vizituar të pikave turistike dhe historike që Vlora ka”, – theksoi Leli.

Kryebashkiaku Leli u shpreh se “ngelem mirënjohës për këdo që përpiqet të punojë të tregojë qytetari, të mbajë në standardet e duhura këto objekte të kultit, të cilat janë edhe vende pelegrinazhi për të gjithë turistët e vizitorët”.

Pas pelegrinazhit në këtë kishë, besimtarët festuan në familjet e tyre ditën që njihet ndryshe nga besimtarët si “Dita e ngjitjes së Zonjës”. Në traditën e lashtë shqiptare, shqiptaret e quajnë këtë festë edhe si “Pashka e verës”, ose “Pashka e vogël” për të simbolizuar rëndësinë e kësaj dite të shënuar. Besimtarë nga zona të ndryshme të vendit mblidhen së bashku pranë manastireve apo kishave qe mbajnë emrin e Nënës së Zotit dhe pasi përfundojnë liturgjinë, vendasit shtrojnë panaire për nder të gjithë të ardhurve ku krahas ushqimit ka edhe këngë edhe valle.

Ashtu si “Pashka e Madhe”, Ringjallja e Krishtit, që bie zakonisht në pranverë, edhe “Pashka e verës” është një gërshetim i dhimbjes së kthyer në gëzim. Si Jezu Krishti, edhe Virgjëresha Mari u ringjallën dhe lanë pas varre bosh.

Nga data 1-15 gusht janë dy javë kreshmë (agjërim) dhe ditën e festës besimtarët kungohen me Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Pas liturgjisë hyjnore, kreshma prishet dhe vendin e kreshmës e zënë panairet pranë manastireve dhe kishave, që mbajnë emrin e Shën Mërisë.

Zvërnec/Festa e Shën Mërisë Read More »

Bulevardi “Ismail Qemali” në Vlorë, Rama: Pas dekadash degradimi, rritet fuqia tërheqëse e qytetit turistik

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Bulevardi “Ismail Qemali” në Vlorë, ku pas dekadash degradimi e zymtie të pistë, po rritet fuqia tërheqëse e qytetit turistik.

“Pak nga pak po del në dritë edhe Bulevardi “Ismail Qemali” në Vlorë, ku pas dekadash degradimi e zymtie të pistë, po rritet fuqia tërheqëse e qytetit turistik, vlera e apartamenteve e njësive tregtare, mundësitë e punësimit e të vetëpunësimit përmes shërbimeve, interesi për investime të mëdha private në turizëm. Gur gur bëhet mur e mur mur bëhet kalaja, duke përballuar padurimin epik të vlonjatëve dhe sharjet e përqeshjet e atyre që për çdo punë kanë një llaf të keq për të thënë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “së shpejti edhe Sheshi i Ri i Flamurit dhe të tjera akoma… Vlora që Duam. Shqipëria që Duam”./atsh

Bulevardi “Ismail Qemali” në Vlorë, Rama: Pas dekadash degradimi, rritet fuqia tërheqëse e qytetit turistik Read More »

Vlorë, Ujësjellës Kanalizime në gatishmëri për furnizimin me ujë të qytetit

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë është në gatishmëri të plotë për të siguruar furnizimin normal me ujë në të gjithë qytetin e Vlorës.

Punonjësit e UK Vlorë punuan ditët e fundit në Stacionin e Pompimit të Ujësjellësit Nr.6, që është pjesë e stacionit kryesor që furnizon me ujë qytetin.

Sipas UK, Vlorë u riparua një pompë, pjesët e të cilës janë specifike që nuk gjenden në tregun tonë dhe kanë mbërritur nga kompania prodhuese që gjendet në Angli.

Pjesë e punës së kësaj ndërmarrje ishte edhe riparimi i avarisë në rrjetin e ujësjellësit pranë pallatit Nr.1271 përballë Shkollës “Ismail Qemali”, si dhe defektin te rruga e “Çipajve”.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë prej disa ditësh po punon edhe për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve dhe stacioneve të pompimit./atsh

Vlorë, Ujësjellës Kanalizime në gatishmëri për furnizimin me ujë të qytetit Read More »