Aktualitet

Rama: Në 30 qershor Shqipëria nuk votoi për të majtën po për të drejtën

Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa foto nga puna për pastrimin e territorit në disa bashki, të cilat më herët kanë qenë në drejtimin e së djathtës.

“Vau i Dejës, Përmet, Mat, Selenicë – Vijon papushim heqja e zhulit, plehrave e ferrave nga territoret, ku pas largimit të kryebashkiakëve revolucionarë, punonjësit e pastrimit nuk paguhen më si turistë politikë, për të mbushur radhët e protestave antishtet në Tiranë, po janë kthyer në punën e tyre në shërbim të komuniteteve”, shprehet Rama.

Kryeministri thekson se “meqë ra fjala, deri tani askush s’është larguar nga puna në ish-bashkitë e djathta (përveç ca kokave të mëdha e të pagdhendura politike, që kanë ikur me dorëheqje) dhe do të largohet vetëm kush nuk do të dojë t’i futet punës”.

“Në 30 qershor Shqipëria nuk votoi për të majtën po për TË DREJTËN dhe unë do të bëj çmos që askujt të mos i mohohet padrejtësisht, e drejta për të treguar se e do dhe e bën si duhet, punën që ka”, shprehet Rama. /atsh

Rama: Në 30 qershor Shqipëria nuk votoi për të majtën po për të drejtën Read More »

Rama: Vijojnë kontrollet intensive ndaj abuzuesve

Kryeministri Edi Rama publikoi pasditen e së shtunës disa foto nga Saranda, ku shihet se disa subjekteve u është bllokuar aktiviteti, pasi janë konstatuar në shkelje të ligjit.

Rama shprehet se vazhdon të shtohet goditja ndaj informalitetit. Ai nënvizon se goditje janë dhënë sidomos në zona bregdetare dhe me rëndësi për Shqipërinë, për të pasur zero tolerancë ndaj abuzuesve.

“Përshkallëzohet goditja ndaj informalitetit në zonën e Sarandës, ku një numër i konsiderueshëm subjektesh janë regjistruar, duke paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit dhe një numëri jo të vogël abuzuesish përsëritës, u është bllokuar aktiviteti.

Kontrollet vijojnë intensivisht me fokus mbi zonën bregdetare, sektorin e naftës dhe mallrat e tjera të akcizës me zero tolerancë ndaj abuzuesve”, shprehet Rama./atsh

Rama: Vijojnë kontrollet intensive ndaj abuzuesve Read More »

Festa e birrës ndez atmosferën në natën e tretë

Nata e tretë e festës së birrës në Korçë ka krijuar një atmosferë të shkëlqyer për vendasit dhe turistët e huaj.

E ndarë në dy pole të qytetit, tek sheshi para stadiumit “Skënderbeu” dhe tek Pazari i Vjetër i Korçës, kjo festë ka arritur të konsolidohet dhe t’i sjellë qytetit shumë turistë e vizitorë. Bashkia e Korçës ka bërë të ditur se nata e tretë ka krijuar atmosferë të shkëlqyer për vendasit dhe vizitorët.

“E mrekullueshme nata e tretë e Festës së Birrës tek Pazari i Vjetër.
Atmosferë e shkëlqyer me muzikën e zgjedhur, pjesëmarrje rekord dhe sigurisht birra pa limit”, bën të ditur bashkia.

Në natën e tretë të festës të gjithë janë harruar mes gotave të birrës e gatimeve tradicionale. Për pjesëmarrësit kjo festë mbetet e veçantë dhe sjell shumë gjallëri në qytet.

Për 5 mbrëmje Festa e Birrës në Korçë sjell një atmosferë të veçantë me show birra dhe gatime tradicionale. Festa e Birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e kësaj bashkie. /atsh

Festa e birrës ndez atmosferën në natën e tretë Read More »

Parashikimi i motit

Vendi ynë do të ndikohet sot nga masa ajrore të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët me vranësira të pakëta e mesatare në mesditë. Pranë zonave luginore e përgjatë bregdetit në orët e mëngjesit mjegullinë lokale.

Era do të fryjë nga Veriperëndimi e Juglindja 1-5m/sek, ndërsa përgjatë bregdetit deri 10m/sek.

Valëzimi i forcës 3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/33 Diell pak re
Kukës 15/30 Diell re
Lezhë 22/33 Diell pak re
Dibër 13/30 Diell re
Durrës 19/33 Diell pak re
Tiranë 19/33 Diell pak re
Elbasan 21/35 Diell re
Berat 15/34 Diell pak re
Vlorë 20/32 Diell pak re
Korcë 16/30 Diell re
Gjirokastër 16/34 Diell re
Sarandë 19/32 Diell pak re/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Siviaggia.it: Rilindja e Sazanit, nga një bazë ushtarake e paarritshme, në një ishull turistik

Nga një bazë ushtarake e paarritshme, në një atraksion turistik, ja përse ky ishull i vogël po shndërrohet në një destinacion që nuk duhet humbur, shkruan portali italian që i kushtohet udhëtimeve dhe turizmit, “siviaggia.it”.

Për grekët dhe romakët antikë ishte “Sason”, ndërsa për shqiptarët quhet “Sazan”.

Sazani është një ishull i vogël prej rreth gjashtë kilometrash katrorë, që ndodhet përballë gjirit të Vlorës, në Kanalin e Otrantos. Një shkëmb gjigant që prej dekadash ka qenë një bazë ushtarake e paarritshme, dhe që sot po shndërrohet në një prej atraksioneve turistike kryesore të Shqipërisë.

Në fakt, ishulli është një parajsë e vogël me natyrë të egër dhe të padëmtuar, ku mund të eksplorosh shtigje jo shumë të rehatshme, por jashtëzakonisht tërheqës dhe misterioz, dëshmi e të kaluarës së tij të trazuar ushtarake. Këtu ujërat e kristalta dhe plazhet mbresëlënëse shërbejnë si kundërpeshë ndaj relikteve të Luftës së Ftohtë, një pjesë e të cilave është mbledhur nga arkeologët dhe ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

E kaluara e trazuar e Sazanit shfaqet në çdo cep të këtij shkëmbi gjigant me një kulm prej gati 340 metrash mbi nivelin e detit, mes 3600 bunkerëve të shpërndarë në sipërfaqen e tij dhe galerive nëntokësore të gjata disa kilometra, të ndërtuara për ushtarët e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës.

Gjatë fashizmit, këtu u shfaqën veprat e para të fortifikimit, por edhe rrugë, shtëpi, shkolla dhe teatro. Nga pak, kudo mund të admirohen disa prej godinave të ndërtuara gjatë dominimit italian dhe më pas ato të periudhës së Luftës së Ftohtë, ndonëse një pjesë e mirë e strukturave u shkatërruan gjatë manovrave të fundit të përbashkëta mes forcave ushtarake të NATO-s dhe atyre shqiptare. Mes këtyre u shkatërrua edhe vila që Musolini ngriti në ishull në vitin 1930.

Sazani ndodhet gjysmë ore larg me traget nga Vlora, porti që pret turistët ndodhet në pjesën lindore. Nga këtu, mund të shkohet në këmbë në bregun perëndimor, ku ndodhet Gryka e Xhehenemit dhe Gjiri i Djallit, që përbëjnë një peizazh spektakolar.

Duke vazhduar në drejtim të jugut, do të shihni një prej vendeve më të jashtëzakonshme të ishullit, të mrekullueshmin Plazhi i Admiralit, mes shkëmbinjve që lagen nga ujëra, transparenca e të cilëve është një dëshmi e qartë e izolimit që ka mbrojtur Sazanin, duke i mundësuar që të mos ndotet.

Nga viti 2010, ishulli bën pjesë, bashkë me gadishullin e Karaburunit, në Parkun Kombëtar Karaburun-Sazan, që mund të arrihet nëpërmjet një prej shumë anijeve që nisen nga porti i Vlorës. Këtu mund të admirohet Shpella e Mrekullueshme e Haxhi Aliut, e konsideruar si më e madhja dhe e thella në gjithë Shqipërinë. Një spektakël unik dhe emocionues, si rrallë në botë. /atsh

Siviaggia.it: Rilindja e Sazanit, nga një bazë ushtarake e paarritshme, në një ishull turistik Read More »

Moti i nxehtë në Sarandë, ujitje e përnatshme pemëve dekorative

Kujdesi dhe mirëmbajtja e pemëve dekorative të mbjella në Sarandë është në vëmendjen e bashkisë së qytetit bregdetar.

Punëtorët e sektorit të gjelbërimit në Ndërmarrjen e Shërbimeve të bashkisë Sarandë në këto ditë të nxehta gushti po punojnë për mirëmbajtjen e tyre.

“Janë me qindra pemë dekorative ekzistuese e sidomos ato 600 fidanë pemësh të reja, të mbjella muaj më parë përgjatë shëtitores “Hasan Tahsini”, që nuk e kanë ndjerë thatësirën. Ujitja e tyre është punë e përnatshme e lulishtarëve, që nis pas mesnate e deri sa zbardh mëngjesi”, shprehet bashkia.

Bashkia e Sarandës që prej drejtimit të saj nga kryebashkiaku i ri Adrian Gurma ka nisur punën për pastrimin e qytetit, mirëmbajtjen e gjelbërimit në rrugët e lulishtet e qytetit duke i dhënë kështu një ritëm të ri punës në të gjithë territorin e kësaj bashkie./atsh

Moti i nxehtë në Sarandë, ujitje e përnatshme pemëve dekorative Read More »

Rama: Baxhaku, njeriu i mirë i librave dhe gazetarisë së sojit më të mirë

Kryeministri Edi Rama shpreh pikëllim për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit Fatos Baxhaku.

“E pabesueshme, por fatkeqësisht jeta është edhe kjo, pa u zbutur një fije pikëllimi për Gjergj Xhuvanin, një tjetër mik i kohëve të vjetra, Fatos Baxhaku, njeri i mirë i librave e i gazetarisë së sojit më të mirë, që jetoi me një kuriozitet fëminor për natyrën njerëzore dhe me një dashuri pa zhurmë për brendinë e këtij vendi, sot e humbi betejën me sëmundjen cfilitëse… Lamtumirë Baxhak…!” – shprehet Kryeministri Rama./atsh

Rama: Baxhaku, njeriu i mirë i librave dhe gazetarisë së sojit më të mirë Read More »

Portali “Mësues për Shqipërinë”, testohen 3600 kandidatë

Testimit të informatizuar për punësimin e mësuesve deri tani i janë nënshtruar rreth 3600 kandidatë ndërkohë që procesi do të vijojë deri më datë 22 gusht.

Ky testim, i cili është përgjithësisht i organizuar në 4 seanca provimi gjatë një dite, zhvillohet pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore sipas një kalendari i cili gjendet i publikuar në faqen e QSHA.

Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini thotë se përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, mësuesit emërohen në bazë meritokracie dhe sigurohet që pjesë e sistemit të jenë më të mirët. Sipas saj, garantohet transparenca.

“Vijon procesi i testimit të informatizuar pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore, si fazë e dytë e punësimit nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”. Deri sot, rreth 3,600 kandidatë kanë zhvilluar testimin; Procesi do të jetë deri më datë 22 Gusht. Testimi organizohet sipas profileve të ndryshme të punësimit”, -thotë Shahini.

Nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë” rreth 1,300 – 1,400 mësues priten të punësohen gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Ministrja thotë se përmes portalit, mësuesit emërohen në bazë meritokracie dhe sigurohet që pjesë e sistemit të jenë më të mirët.

Portali “Mësues për Shqipërinë” është një sistem që aplikohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) që prej 5 vitesh, i cili tashmë që në korrik të 2018-ës është bërë pjesë e ligjit të arsimit parauniversitar, që do të thotë se kush nuk zbaton portalin “Mësues për Shqipërinë” ka shkelur ligjin.

Ky mekanizëm është ngritur në funksion të emërimit të mësuesve në bazë meritokracie duke u siguruar që pjesë e sistemit të jenë më të mirët. Ai siguron: transparencë, efikasitet, vetëmenaxhim, portabilitet dhe cilësi të dhënash.

Gjatë vitit 2018-të, janë punësuar rreth 1700 mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Në 4 vite të zhvillimit të portalit janë punësuar rreth 6104 mësues, shifër e cila është në ndryshim të vazhdueshëm sepse punësime ndodhin gjatë gjithë vitit shkollor, të punësuar me kontratë të përhershme dhe përkohshme si mësues zëvendësues.

Çdo vit janë rreth 600-700 pensionistë që lirojnë vendet e punës (me kontrata afatgjata). Ndërkohë janë edhe 600-700 të tjerë me kontrata të përkohshme që lirojnë vendet e punës (ato me leje lindjeje ose pushim mjekësor). Pra, janë rreth 1300-1400 mësues që pritet të punësohen nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”./atsh

Portali “Mësues për Shqipërinë”, testohen 3600 kandidatë Read More »