Aktualitet

Vlora destinacion për turistët nga Italia, rekord hyrjesh në port

Gjatë muajit gusht, në portin e Vlorës është regjistruar një numër rekord hyrjesh të udhëtarëve që mbërrijnë me tragetet që përshkojnë linjën detare Brindisi-Vlorë e kthim.

Në periudhën 1-18 gusht, në pikën kufitare të këtij porti kanë hyrë mesatarisht çdo ditë, më shumë se 1000 persona, çka përbën një shifër të paregjistruar në të paktën 20 vitet e fundit.

Gjatë sezoneve verore paraardhëse, fluksi i ardhjeve me tragete nga Italia arrinte pikun në periudhën 15 korrik deri në ditët e para të gushtit, ndërkohë që, më pas, ai shfaqej në kahun e kundërt, ndërkohë që emigrantët ktheheshin në itinerarin Vlorë-Brindisi, për të udhëtuar drejt vendit fqinj, apo shtete të tjera, ku jetojnë e punojnë.

Drejtori i Portit të Vlorës, Adi Malaj, tha për ATSH-në se, prezenca e fluksit të lartë të hyrjeve në pikën kufitare të portit të Vlorës gjatë muajit gusht, lidhet me strukturën e udhëtarëve, të cilët janë në më shumë se 90%, turistë italianë, që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet verore në bregdetin tonë.

Kjo u pasqyrua edhe në treguesit e një dite më parë, kur me dy tragetet e linjës detare Brindisi-Vlorë, mbërritën më shumë se 800 turistë, kryesisht qytetarë italianë, të cilët do të qëndrojnë për pushime në Vlorë për periudha të ndryshme kohore, që shkojnë në më shumë se një javë.

Sipas Malajt, pritshmëritë janë që fluksi të vazhdojë edhe për ditët në vijim, kur, porti i Vlorës do të vijojë të jetë një nga pikat hyrëse të turistëve të huaj që vijnë për pushime në vendin tonë.

Kjo reflektohet edhe në mjediset e plazheve në bregdetin e gjirit të Vlorës apo më në jug, kur, turistët nga vendi fqinj janë të shumtë dhe prania e tyre është e dukshme.

Kjo ndodh edhe në mjedise të tjera publike, përgjatë Lungomares, apo në lokalet e shumta përgjatë saj, ku italishtja është një nga gjuhët që dëgjohet më shumë.

“Ka shumë bashkëqytetarë të mi, që kanë ardhur këtë vit në Vlorë për të pushuar”, më thoshte dy ditë më parë, Mimo, një 48-vjeçar nga Napoli, që ka mbërritur këtu në fillimjavën e shkuar, së bashku me bashkëshorten dhe vajzën.

Mjaft turistë nga vendi fqinj, janë bërë pjesë e auditorit për aktivitetet e shumta që po zhvillohen gjatë këtyre ditëve në Vlorë, mes të cilave edhe ato që organizohen nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë, apo Bashkia.

Bregdeti i bukur, çmimet e arsyeshme, infrastruktura e përmirësuar dukshëm dhe hapësira atraktive të tilla, si Lungomare me lokalet e shumta, apo bulevardi i rikonceptuar së fundi, Vlorë-Skelë, përbëjnë disa nga faktorët dhe pikat e forta për treguesit e lartë të këtij sezoni veror, të turistëve të huaj nga Italia, krahas atyre nga vende të tjera.

Për të përballuar këta tregues numerikë në rritje të turistëve të huaj, krahas atyre nga qytete të ndryshme të vendit dhe për të krijuar atmosferë të kënaqshme pushimi, Bashkia dhe strukturat e tjera, po zbatojnë një program të posaçëm masash që janë orientuar në garantimin e standardeve të nevojshme të sigurisë, pastërtisë e qetësisë.

Ndërkohë, në pikën kufitare të portit të Vlorës, është intensifikuar puna dhe është shtuar personeli i nevojshëm për të përballuar fluksin e përpunimit të trageteve.

Aktualisht, funksionojnë 9 sportele, nga të cilat 6 për pasagjerë dhe 3 për automjetet, gjë që garanton standarde të kënaqshme kohore për procedurat e kontrollit dhe parandalon radhët. //atsh

Vlora destinacion për turistët nga Italia, rekord hyrjesh në port Read More »

Problemet mendore që shkaktohen nga rrjetet sociale

Jo vetëm depresion por edhe simptoma të tjera të shëndetit të keq mendor, nga ankthi tek pagjumësia, deri tek stresi kronik dhe mungesa e vetëbesimit si dhe pak sport, këto janë disa prej efekteve negative që shkaktohen mbi të gjitha tek vajzat adoleshente nga përdorimi i vazhdueshëm i medies sociale, sipas një studimi të publikuar në “The Lancet Child & Adolescent Health” dhe të realizuar nga “UCL Great Ormond Street Institute of Child Health” në Londër.

Sipas një studimi të zhvilluar mes intervisave direkte me rreth 10 000 adoleshentë të moshës 13-16 vjeç, tregon se të lidhurit vazhdimisht në rrjetet sociale, “Facebook”, “Instagram”, “WhatsApp”, “Twitter” dhe “Snapchat”, ose të paktën tre herë në ditë dhe më shumë, lidhet me një përkeqësim të shëndetit mendor dhe fizik.

Me sa duket më shumë e vuajnë femrat. Gati 60% e impaktit psikologjik të shkaktuar mes të rejave nga rrjetet sociale vjen nga ekspozimi i tyre i lartë ndaj bulizmit kibernetik dhe të mungesës së aktiviteteve më të shëndetshme. Këto adoleshente flenë më pak, flenë keq dhe bëjnë pak ushtrime fizike dhe jetë në ajër të hapur.

Këta faktorë psikologjikë negativ që vijnë nga përdorimi i rrjeteve sociale, nga ana tjetër influencojnë vetëm në masën 12% tek meshkujt. /atsh

Problemet mendore që shkaktohen nga rrjetet sociale Read More »

Mbi 1 mijë turistë në ditë në Sazan, Leli: Në gatishmëri për mbajtjen pastër të ishullit

Çdo ditë Vlora vizitohet nga qindra turistë, vendas dhe të huaj dhe vetëm ditën e sotme në ishullin e Sazanit kanë zbritur mbi një mijë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli thotë se numri i lartë i turistëve kërkon ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve për të mbajtur pastër ambientin.

“Vetëm sot në Ishullin e Sazanit kanë zbritur mbi një mijë njerëz. Të paktën ky ka qenë informacioni i fundit që na ka ardhur nga përfaqësuesit dhe operatorët turistikë që operojnë me lëvizjet e turistëve, të cilët kanë shkuar mbrëmë në darkë shumë të shqetësuar për situatën e ndotjes dhe të plehrave që kanë dëmtuar mjedisin në ishull. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i punonjësve të bashkisë në bashkëpunim me “Smile Albania”, me atë që duam në fund fare t’i ofrojmë të gjithë turistëve, një buzëqeshje më tepër në një vend ku ka pafund resurse turistike për t’i treguar vizitorëve”, – tha Leli.

Sipas tij, aksioni i pastrimit përkthehet në një standard të ri në shërbimin që u ofrohet turistëve.

“Por, mesa duket situata e krijuar nga vizitorët e shumtë dhe ndonjëherë të papërgjegjshëm dhe me sjellje jo korrekte për sa i përket mbrojtjes së natyrës, ka krijuar një situatë problematike të plehrave dhe ne do të jemi bërë gati të gjithë për të shkuar dhe për t’i dhënë Sazanit sipas kërkesës së operatorëve një aksion pastrimi. Kjo do të jetë fillesa e punës për të pasur një standard tjetër në shërbimin dhe në shërbesat që operatorët turistikë në bashkëpunim me institucionet e tjera të ofrojnë për të gjithë operatorët turistikë dhe të gjithë turistët që vizitojnë Sazanin”, – theksoi ai.

Leli ka ndarë edhe një mesazh për të gjithë qytetarët.

“Mesazhi është shumë i madh. Pasuria që kemi nuk është vetëm e jona, por i takon brezave dhe na takon të gjithëve të jemi qytetarë të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha të kujdesemi mbi vlerat e mëdha të natyrës për të cilat nuk u lodhëm aspak, por që duhet t’i ruajmë për t’i shërbyer brezave të tjerë”, – përfundoi ai.

Vlora këtë vit ka pritur fluks turistik ndërkohë që rezervimet e shumta që bënë të huajt një vit më parë, e renditën Vlorën si një nga qytetet më të vizitueshme në vend./atsh

https://www.facebook.com/1638687229694574/videos/815235625544964/?t=0

Mbi 1 mijë turistë në ditë në Sazan, Leli: Në gatishmëri për mbajtjen pastër të ishullit Read More »

Nga mjekësia, tek aviacioni/ FA, 12 bursa të plota studimi në akademitë ushtarake në Turqi

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi sot se Forcat e Armatosura kanë mundësi të shumta arsimimi dhe karriere jashtë vendit.

“Mundësi të shumta për arsimim jashtë vendit dhe karrierë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. 12 bursa të plota studimi në akademitë ushtarake turke, duke filluar që nga mjekësia e deri tek aviacioni”, shprehet ajo.

Po ashtu Xhaçka thekson se nuk ju duhet të paguani asgjë. “Duhet vetëm të plotësoni kriteret që i gjeni në linkun më poshtë dhe shumë shumë vullnet”, shprehet ministrja duke vënë në dispozicion linkun.

Ministria e Mbrojtjes ka shpallur kriteret për 12 bursa për studime në Akademitë Ushtarake të Turqisë.

“Qendra e Personel Rekrutimit, do të rekrutojë kandidatë për studime në Akademitë Ushtarake të Turqisë, 12 (dymbëdhjetë) të drejta studimi si më poshtë vijon: Akademia Ushtarake e Forcës Tokësore 4 (katër) kuota. Akademia Ushtarake e Forcës Detare 2 (dy) kuota. Akademia Ushtarake e Forcës Ajrore 4 (katër) kuota. Universiteti i Shkencave Mjekësore “GATA” 2 (dy) kuota”, thuhet në njoftimin e MM.

Po ashtu bëhen të ditur dhe afatet kohore për dorëzimin e dokumentacionit pranë Qendrës së Personel Rekrutimit deri në 21 gusht 2019. /atsh

Nga mjekësia, tek aviacioni/ FA, 12 bursa të plota studimi në akademitë ushtarake në Turqi Read More »

Inflacioni/ Çmimet në Shqipëri u rritën poshtë mesatares së BE-së në korrik

Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit sipas metodologjisë së Eurostat në muajin korrik 2019 është 1,4%, ose nën mesataren e rritjes së çmimeve në Bashkimin Europian, për këtë muaj që ishte 1,5%

Rritja më e madhe e çmimeve prej 2,9%, vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante”, me 2,2%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,7%, “Veshje dhe këpucë” me 0,5%, “Shëndeti” me 0,3%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,2% secili, “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 1,2% pasuar nga grupi “Transporti” me 0,4%.

IÇK është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri. IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve. Shporta e IÇK përmban 331 produkte, ndërsa ajo e IHÇK përmban 329 produkte. /atsh

Inflacioni/ Çmimet në Shqipëri u rritën poshtë mesatares së BE-së në korrik Read More »

Gazmend Paja: Jam pro teatrit të ri dhe zhvillimit

Aktori i njohur i humorit, Gazmend Paja u shpreh sot pro teatrit të ri dhe zhvillimit.

“Fryma është pozitive, edhe ata që nuk kanë qenë dakord, janë bërë të logjikshëm dhe kanë kuptuar se kjo është në të mirë. Jam pro teatrit të ri, unë respektoj maksimalisht legjendat që kanë kaluar dhe janë gjallë, por jam edhe natyrë që e dua zhvillimin për vete dhe për ata që do vijnë pas nesh”, tha Paja, duke folur për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Le ta mbajmë atmosferën pozitive, bashkëpunuese, tha ai, duke shtuar se “ndoshta artistit nuk i duhet teatër se artin e tij e bën kudo, por jam për një teatër të ri se jam pro zhvillimit”.

Kryeministri Edi Rama ndau qëndrimin e Gazmend Pajës për çështjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa u shpreh se “Gaz Paja s’ka nevojë për asnjë prezantim besoj”. /atsh

Gazmend Paja: Jam pro teatrit të ri dhe zhvillimit Read More »

Basha: Beteja në Shkodër, e çdo shqiptari që nuk pranon padrejtësinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se beteja në Shkodër është beteja e çdo shqiptari që nuk pranon dhunën, papunësinë dhe padrejtësinë.

Kryetari i PD-së Basha shton se qëllimi ynë është “t’i nxjerrim këta banditë dhe hajdutë nga institucionet, nga parlamenti, nga bashkitë e pushtuara dhunshëm, t’i nxjerrim nga lokalet dhe hotelet luksoze, t’i nxjerrim nga studiot e mediave të kapura, t’i nxjerrim nga ekonomia, e t’i çojmë para ligjit”.

“Tu vëmë prangat dhe t’i pastrojmë institucionet dhe rrugët e Shqipërisë, të pastrojmë ekonominë shqiptare nga këta banditë dhe hajdutë dhe t’ua kthejmë Shqipërinë njerëzve”, shprehet ai. /atsh

Basha: Beteja në Shkodër, e çdo shqiptari që nuk pranon padrejtësinë Read More »

19 gushti, Dita Botërore e Fotografisë

Fotografia i ka fillimet te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.

Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë, fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.Në historinë e fotografisë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi”, e cila përfshinë fotografi të vjetra 150 vjet, e të cilat ruhen në Shkodër./KosovaPress

19 gushti, Dita Botërore e Fotografisë Read More »