Aktualitet

Veliera nga Katari, qytetarë e turistë në bordin e anijes historike

Një pritje dinjitoze iu rezervua ardhjes së Velierës nga Katari në brigjet e Sarandës, e konsideruar një muze në miniaturë mbi trashëgiminë e detarisë.

Në ceremoninë e pritjes ndodheshin qytetarë të Sarandës dhe autoritete të larta. Ata u pritën nga qytetari i parë i Sarandës, Kryetari i bashkisë, Adrian Gurma, nga deputeti i qarkut të Vlorës, Alket Hyseni, nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, nga ambasadori i Katarit në Republikën e Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Ali Bin Hamad Al-Marri, nga drejtoresha e portit të Sarandës, Kozeta Statha e autoritete portuale.

Në tapetin e kuq, të shtruar për nder të ardhjes së Velierës historike nga Katari, duke mbajtur në duar banerin ku shkruhej në gjuhën angleze “U pafshim më 2022”, që mbante ekuipazhi i sapozbritur nga anija, u bënë foto mes tyre dhe autoriteteve të larta.

Përveç përshëndetjeve zyrtare, ekuipazhi i anijes dhe publiku i pranishëm, u përshëndetën me një buqetë këngësh, vallesh dhe melodish, nga interpretues të vegjël të Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Pas kësaj, autoritetet dhe publiku bënë vizita në anije, e cila është një muze në miniature.

Në kuvertën e anijes, Kapiteni i saj, Mohamed Yousef Al-Sada, i mirëseardhi autoritetet e larta, i falënderoi për pritjen dhe u dhuroi si suvenir Velierën “Fateh Al Khair 4”, të punuar në dru.

Nga ana e vet edhe zoti Gurma i dhuroi disa suvenire kapitenit Mohamed Yousef Al-Sada, në emrin e vet personal dhe të insitucionit të bashkisë.

Për gazetarët që shoqërojnë udhëtimin e Velierës “Fateh Al Khair 4”, Kryebashkiaku Adrian Gurma dha një intervistë, gjatë së cilës vlerësoi ardhjen e kësaj anijeje si një mundësi të artë për promovimin e Sarandës.

“Saranda dhe unë, u shpreh nder te tjera Kryebashkiaku Gurma,- duhet ta ndjejmë veten me fat, për faktin që jemi shqiptarët e parë që presim ardhjen e kësaj veliere sot. Ne, shqiptarët jemi ndoshta populli më sportdashës i futbollit. Ne jemi plot shpresë që fati do të na dojë duke e bërë Kombëtaren tonë pjesë të kampionatit Botëror të Futbollit, që e ka emrin “Katar 2022”, tha për mediat e Katarit kreu i bashkisë së Sarandës, Gurma.

Anija do të vazhdojë të jetë e hapur per t’u vizituar nga publiku sarandiotë edhe gjatë ditës së sotme, prej ores 16:00 deri në orët e vona të mbrëmjes./atsh

Veliera nga Katari, qytetarë e turistë në bordin e anijes historike Read More »

Dosja 184 në Prokurorinë e Dibrës, PD: Veprim për të varrosur hetimet

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se kalimi i dosjes nr. 184 në Prokurorinë e Dibrës është praktikisht mënyra për varrosjen e hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar së ekzistuari si e tillë dhe me urdhër të Edi Ramës, është shndërruar në një prokurori private që nuk ndëshkon krimin e vjedhjes së zgjedhjeve, por e mbron atë. Sot, media zbuloi vendimin skandaloz për të varrosur dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër”, theksoi Bardhi.

Sipas tij, kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës është praktikisht mënyra për varrosjen e hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve.

“Publikimi i përgjimeve nga gazeta prestigjioze gjermane BILD u faktoi shqiptarëve se në vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër, partia në pushtet kishte vepruar si një organizatë e mirëfilltë kriminale”, – nënvizoi Bardhi.

Ai tha se “heqja dorë nga hetimi dhe kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës, me urgjencë dhe në fshehtësi, në prag të ngritjes së SPAK-ut, është qartazi shmangie e kalimit të kësaj dosje tek SPAK-u”./atsh

Dosja 184 në Prokurorinë e Dibrës, PD: Veprim për të varrosur hetimet Read More »

Siguria ushqimore/ Kontrolle në zonat turistike, gjobiten me 6.1 milionë lekë dhe bllokohen 4 subjekte

Në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik veror, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka kryer një sërë kontrollesh për të garantuar sigurinë ushqimore në vend dhe për të siguruar vijimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik.

Nga kontrollet e kryera në këto subjekte u konstatua: ushtrim aktiviteti i palicencuar, kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP), si dhe etiketim i parregullt i produkteve.

Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative si në vijim: 12 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 6,100,000 lekë, si dhe “Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit” për 4 subjektet./atsh

Siguria ushqimore/ Kontrolle në zonat turistike, gjobiten me 6.1 milionë lekë dhe bllokohen 4 subjekte Read More »

Në 20 ditë të gushtit, 1 milion turistë të huaj hynë në Shqipëri, ose 16,5 % më shumë se sa i gjithë gushti i kaluar

Kryeministri Edi Rama ka ndarë lajmin e mirë se në njëzetë ditët e para të këtij gushti, kanë hyrë në Shqipëri plot 1 milion turistë të huaj, ose 16,5 % më shumë, se sa i gjithë gushti i kaluar.

“Shifra rekord e turistëve në regjistrin e pashaportave të huaja gjatë gushtit, i takoi Luisës, njërës prej dy vajzave të familjes Forster nga Austria, të cilën kur hyri sot në Portin e Sarandës, së bashku me motrën dhe prindërit, e priti një surprizë e këndshme.

Në njëzetë ditët e para të këtij gushtit, kanë hyrë në Shqipëri plot 1 milion turistë të huaj ose 16,5 % më shumë, se sa i gjithë gushti i kaluar.

Rritja që po shënon turizmi vit pas viti, është një arsye e madhe për të besuar gjithnjë e më shumë tek ky vend dhe e ardhmja e tij, po edhe për të rritur më shumë përpjekjet tona, në çdo aspekt, si qeveri, si bashki e si komunitete, si qytetarë e njerëz të zakonshëm të këtij vendi. Që Shqipëria ta kthejë turizmin në një burim krenarie kombëtare dhe fuqi gjithnjë e më të madhe zhvillimi ekonomik e social”, shprehet Kryeministri Rama. /atsh

Në 20 ditë të gushtit, 1 milion turistë të huaj hynë në Shqipëri, ose 16,5 % më shumë se sa i gjithë gushti i kaluar Read More »

Fatura elektronike, si do të veprohet në rastet kur nuk ka internet

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpjeguar detaje teknike që lidhen me procesin e ri të faturës elektronike, ndërsa paketa e re ligjore për jetësimin e këtij sistemi, ka nisur të konsultohet me grupet e interesit.

Ka raste kur fiskalizimi i faturës nuk do të jetë i mundur në momentin e lëshimit të faturës, për shkak të mungesës së internetit.

Sipas tatimeve në këto situata emetuesi do të lëshojë faturë të blerësit, së bashku me të gjitha karakteristikat e tij, por në vetvete fiskalizimi nuk do të bëhet në momentin e lëshimit të faturës. Emetuesit do të ruajnë faturat që lëshuan në pajisjen që përdorën (arkën ose të ngjashme). Çdo mesazh do të futet në dosjen e vet të cilësuar “RegisterInvoiceRequest___.xml”. Pasi emetuesi të lidhet me internetin do të bëjë fiskalizimin e faturave të tij përmes portalit.

Çdo faturë duhet të regjistrohet në shërbimin e fiskalizimit dhe pas regjistrimit të suksesshëm faturës i caktohet FIC, e cila shtypet në faturë. /atsh

Fatura elektronike, si do të veprohet në rastet kur nuk ka internet Read More »

Operatori i Sistemit të Transmetimit, garanton 100% rrjet të sigurt të furnizimit me energji elektrike

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) përmbyll me rezultate pozitive 6-mujorin e parë të vitit 2019.

Falë punës dhe përkushtimit të ekipit është realizuar një rrjet 100% i sigurt transmetimi dhe furnizimi të energjisë.

Investimet e bëra në këtë sektor kanë reduktuar në masë humbjet në rrjet duke rritur cilësinë e shërbimit dhe të ardhurat.

Performanca e rrjetit gjatë kësaj periudhe, krahasuar me 6-mujorin e parë 2018, regjistroi ulje me 37% të stakimeve të energjisë, 46% më pak stakime tranzitore dhe kohëzgjatja e stakimeve u reduktua me 18,9%.

OST bën të ditur se në 6-mujorin e parë të vitit u ulën me 49,6% GWh humbjet në rrjet, krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe kostoja e transmetimit u reduktua me 23%.

Gjithashtu, si rrjedhojë e miradministrimit financiar të fondeve, OST ka arritur të kursejë 143 mln lekë nga fondi i tij i prokurimeve, ose 7% më pak nga fondet e parashikuara./atsh

Operatori i Sistemit të Transmetimit, garanton 100% rrjet të sigurt të furnizimit me energji elektrike Read More »

Mbrojtja e malit të Tomorit, mision i panegociueshëm

“Mbrojtja e malit të Tomorit është misioni ynë i përbashkët dhe i panegociueshëm”, tha sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama iu referua dëgjesës publike që zhvilloi dje ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi me ekspertë të mjedisit për malin e Tomorit.

“Mbrojtja e malit të Tomorit (kafshuar me vite e vite nga guroret e babëzisë) dhe e shumë pjesëve të bukura të trupit të Shqipërisë, të kërcënuara nga lekistë grabitqarë, pseudobiznesmenë e pseudogjykatës që po mbledhin lekët e fundit, para se të shporren nga Vetingu, është misioni ynë i përbashkët dhe i panegociueshëm”, tha sot Rama.

Gjatë dëgjesës së djeshme me ekspertë mjedisorë, edhe ministri Klosi u zotua se mali i Tomorit do të mbrohet dhe do të apelohet vendimi i gjykatës që “rrëzoi” VKM-në për shpalljen e Malit të Tomorit, Zonë të Mbrojtur. /atsh

Mbrojtja e malit të Tomorit, mision i panegociueshëm Read More »

Porti i Sarandës pret velierën e lashtë nga Katari

Veliera e lashtë nga Katari, e konsideruar një muze në miniaturë mbi trashëgiminë e detarisë në Katar do të prekë sot portin e Sarandës.

Porti i Sarandës është ndalesa e parë në Shqipëri për velierën “Fateh Al Khair 4”, e cila do të jetë e disponueshme të vizitohet nga qytetarët.

Ndërkohë që në sheshin e portit të Sarandës do të organizohet ceremonia e pritjes, me prani të autoriteteve qendrore e vendore, bën të ditur Porti.

Banorët e Sarandës dhe turistët e pranishëm në pritje, do të kenë mundësinë të hyjnë dhe të shohin nga brenda anijen, ku do të njihen me velierën, si dhe me kulturën detare të Katarit.

Atyre do t’u shpërndahen edhe suvenire që simbolizojnë Botërorin “Qatar 2022”. Gjithashtu veliera është e pajisur me ekrane të mëdha për të prezantuar stadiumet dhe përgatitjet e tjera të infrastrukturës sportive ku do të mbahen ndeshjet e Botërorit të Futbollit “Qatar 2022”.

Anija e llojit “Boom Safari” është e punuar prej druri, me gjatësi 110 këmbë dhe gjerësi 27 këmbë dhe me kapacitet mbajtës prej 200 tonësh./atsh

Porti i Sarandës pret velierën e lashtë nga Katari Read More »