Aktualitet

Turizmi, industria e bujqësia rekord në punësimin e të rinjve

Turizmi, industria dhe bujqësia kryesojnë me numrin më të lartë të të punësuarve në tremujorin e dytë të këtij viti.

INSTAT publikoi shifrat zyrtare të “Anketës Tremujore të Forcave të Punës”, ku citon se, punësimi pësoi rritje në sektorin e shërbimeve me 2,3%, në sektorin e industrisë me 1,5% dhe në sektorin e bujqësisë me 2,2%.

Sipas INSTAT në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është 4,4% në sektorin e industrisë, 5,7% në sektorin e shërbimeve dhe 0,3% në sektorin e bujqësisë.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2019, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,1%.

Në vitet e fundit, turizmi është kthyer në një prej sektorëve më të rëndësishëm në rritjen e ekonomisë së vendit. I konsideruar nga qeveria si një nga motorët kryesorë të rritjes kombëtare, turizmi po përjeton një zhvillim radikal kohët e fundit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e tretë, i cili përbën edhe pikun e sezonit turistik, të huajt shpenzuan mbi 683 milionë euro në Shqipëri për turizëm apo udhëtime të ndryshme ose 16% më shumë se një vit më parë.

Sot sektori i turizmit ka gjeneruar zhvillim ekonomik, punësim dhe mundësi të vetëpunësimit.

Investimet në vepra publike dhe sipërmarrje private bashkëkohore, rritën ndjeshëm numrin e të punësuarve dhe të të ardhurave familjare. Numri i përgjithshëm i vizitorëve të huaj ka shënuar një rritje të konsiderueshme në vitet e fundit, rreth 5 milionë turistë ose 10% më shumë turistë erdhën në vendin tonë, për periudhën janar-gusht 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Ndërsa investimet e huaja kryesisht në atë të çelikut apo sektorin minerar dhe politikat që ka ndërmarrë qeveria në mbështetje të bujqësisë, krahas rritjen së prodhimit dhe eksporteve, po gjenerojnë në vijimësi rritje të numrit të të punësuarve. /atsh

Turizmi, industria e bujqësia rekord në punësimin e të rinjve Read More »

Ndryshon pamja e kartëmonedhave shqiptare

Pas më shumë se 20 vitesh, dizenjoja e kartëmonedhave në qarkullim vjen e rifreskuar dhe me elementë sigurie të përmirësuar, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë.

Banka e Shqipërisë do të prezantojë së shpejti hedhjen në qarkullim të serisë së re të kartëmonedhave që përbën një ngjarje shumë të rëndësishme, një moment të veçantë, jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por për të gjithë shtetin shqiptar./atsh

Ndryshon pamja e kartëmonedhave shqiptare Read More »

Meta, i bindur se Venecia i jep të drejtë

“Presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka qenë mbrojtës i Kushtetutës dhe parimeve të saj”, deklaroi Meta sot pasdite në një konferencë të posaçme për mediet, ndërsa theksoi se do të bashkëpunojë me Komisionin e Venecias.

Në vijim, Meta falënderoi Kuvendin e Shqipërisë për këtë respekt dhe besim të madh që tregon ndaj Komisionit të Venecias ndërsa bëri të ditur se bashkëpunimi i Presidentit të Republikës me Komisionin e Venecias do të jetë i shkëlqyer dhe transparent.

“Në respekt të punës që ata kanë nisur dhe do duhet të bëjnë deri më 11 tetor, iu kemi dhënë një raport paraprak lidhur me disa pyetje që Kuvendi i Shqipërisë u ka drejtuar lidhur me cilësitë e Presidentit të Republikës, i cili është i qartë dhe analitik dhe i shoqëruar me dokumente. Ky dokument do të jetë publik në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës në dy gjuhë, shqip dhe anglisht dhe do jetë i hapur për kontribute jo vetëm për transparencë, por edhe për t’u pasuruar me vërejtje, ide nga juristë vendas dhe ndërkombëtarë sepse kemi të bëjmë me një çështje shumë të rëndësishme dhe një casus në fushën e së drejtës publike dhe do jetë edhe një çështje e rëndësishme për të ardhmen dhe do diskutohet edhe në të drejtën ndërkombëtare”, – tha ai.

Po ashtu Meta theksoi se gjithçka do jetë në dispozicion të opinionit publik të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtarë ku vendi ynë është i anëtarësuar dhe ka detyrime për të përmbushur.

“Kjo është një sfidë që unë e mirëpres. Jam shprehur të jem i hapur edhe më 11 tetor që të jem i hapur për pyetje më 11 tetor nga Komisionit i Venecias. Presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka qenë mbrojtës i Kushtetutës dhe parimeve të saj. Çdo datë për të vendosur një datë për të vendosur një datë propagande, është veprim që synon të shmangë datën më të rëndësishme atë të 18 tetorit. Presidenti do të shkojë në 11 tetor tek Komisioni i Venecias, por ju merruni më shumë për 18 tetorin, çfarë do bëhet për Shqipërinë”, – tha Meta.

Presidenti Meta deklaroi se në Shqipëri janë shkelur parimet e Komisionit të Venecias, duke sulmuar sërish Reformën në Drejtësi.

“Jam këtu për të dhënë përgjigje përtej objektit të punës së Komisionit të Venecias. Për komisionin e Venecias unë kam respektin më të madh. Nuk janë diplomatë që flasin pa përgjegjësi se do ikin nesër dhe do vazhdojnë punën e tyre. Ata janë një referencë edhe për vendet e tjera. Ndaj ka bërë shumë mirë Kuvendi që e ka ftuar. Në vitin 1998 kushtetutën e bëmë me Komisionin e Venecias. Ajo u votua. Pastaj u ndryshua brenda natës dhe nuk u pyet as Venecia as qytetarët, e duartrokitën disa ambasadorë. Kjo situatë është edhe shprehje e një krize kushtetuese institucionale të vendit. Një nga arsyet pse jemi këtu është se janë shkelur rekomandimet e Venecias për Prokurorinë e Përgjithshëm dhe për Gjykatën Kushtetuese. Prandaj duhet t’i kishim dëgjuar ata”, – tha Meta.

Presidenti Ilir Meta pranoi se me caktimin e datës së re të zgjedhjeve ka shkelur vetëm Kodin Zgjedhor duke deklaruar se kjo është tërësisht e parëndësishme.

“Dekreti nga pikëpamja kushtetuese i takon vetëm presidentit të Republikës. Komisioni i Venecias është një nga kushtetutëbërësit. Ndodh një situatë e papranueshme. Shpikim një gjë dhe e shpërndajmë kudo. Të jeni të qetë dhe të bindur se Presidenti ka respektuar Kushtetutën në mënyrë më perfekte. Vetëm në tejkalimin me dy ose tre muaj në Kod Zgjedhor, por jo në Kushtetutë, por kjo është tërësisht e parëndësishme në lidhje me të drejtën për të zgjedhur. Këtë të drejtë e ka përcaktuar Gjykata e Strasburgut. Nëse i çon qytetarit vetëm një kandidat nuk kemi zgjedhje por votim. Në këto drejtime presidenti ka mbrojtur kushtetutën duke parandaluar që antagonizmi të kalojë në pasoja të paparashikueshme”, – tha Meta./atsh

Meta, i bindur se Venecia i jep të drejtë Read More »

Pakti për Universitetin/ Studentët e Arteve, shumë shpejt me mjedise të reja mësimore dhe kreative

Një investim i Qeverisë shqiptare, si një premtim i mbajtur, në kuadër të Paktit për Universitetin, është rikonstruksioni i Universitetit të Arteve në Tiranë. Studentët e këtij Universitetit do të kenë shumë shpejt ambiente të reja mësimore dhe kreative.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti së bashku me rektorin Kastriot Çaushi kanë qenë sot për të ndjekur nga afër punimet në këtë objekt.

“Ndërtesa historike, monument kulture, po i nënshtrohet një rikonstruksioni total të ambienteve të brendshme, që konsiston në sisteme të reja elektrike, hidraulike dhe ngrohje, si dhe punime të restaurimit të fasadës. Do konsolidohen kornizat e dritareve dhe do ndërrohen ato ekzistuese, të cilat janë tepër të degraduara, në bazë të modelit origjinal. Ka filluar procesi i izolimit të soletës dhe gjithashtu instalimet hidraulike dhe elektrike. Shpresojmë që në semestrin e dytë të këtij viti akademik, studentët të hyjnë në ambiente të reja, më komode dhe motivuese për krijimtarinë e tyre artistike”, theksoi Margariti./atsh

Pakti për Universitetin/ Studentët e Arteve, shumë shpejt me mjedise të reja mësimore dhe kreative Read More »

Përafrimi i legjislacionit me BE, miratohet pr/ligji “Për ndryshimet klimatike”

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot pr/ligjin “Për ndryshimet klimatike”.

Relatorja e këtij projektligji Elona Gjebrea, u shpreh se, “qëllimi i këtij projektligji është krijimi i bazës ligjore për integrimin e politikave dhe për masa efektive që mundësojnë plotësimin e detyrimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj Konventës, për arritjen e objektivit final të saj, përmes nxitjes së reduktimit të shkarkimeve GES dhe ruajtjes dhe rritjes së përthithësve e rezervuarëve të vendit; përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në nivel kombëtar dhe/ose lokal dhe evidentimin e arritjeve të vendit në këto drejtime, duke përdorur metodologji sipas modeleve të Konventës dhe të BE-së”.

Për të folur rreth projektligjit e ftuar ishte Ornela Çuçi, zëvendësministre në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si dhe specialistë të tjerë të kësaj ministrie.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve në komision, anëtarët e pranishëm miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë./atsh

Përafrimi i legjislacionit me BE, miratohet pr/ligji “Për ndryshimet klimatike” Read More »

Farudin Hoxha, projektuesi i veprave më të mëdha hidroenergjetike në vend

Akademiku Farudin Hoxha është i njohur si njeriu që udhëhoqi projektimin e veprave më të mëdha hidroenergjetike në vend. Sot në ditën e dyvjetorit të ndarjes së tij nga jeta, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) e kujton profesor Farudin Hoxhën, duke sjellë në vëmendje se edhe në ditët e fundit të jetës, ai ishte i angazhuar me projekte hidrocentralesh më të vegjël.

Farudin Hoxha (20 janar 1935 – 11 shtator 2017) pasi kreu studimin mbi shfrytëzimin hidroenergjetik të lumit Drin, mbi të projektoi Hidrocentralet e Vaut të Dejës, Fierzës e Komanit, Hidrocentralin e Banjës, Bistrica II dhe Bogovës si dhe shumë të tjerë të një fuqie më të vogël.

Janë pikërisht këto hidrocentrale që edhe sot përbëjnë bazën e sistemit tonë të furnizimit me energji elektrike.

“Ka qenë projektues dhe kryetar i grupit të studimit dhe të projektimit të të gjitha digave të hidrocentraleve të mësipërme, me lartësi nga 40 m deri në 167 m, disa prej të cilave nga Komiteti Botëror i Digave të Mëdha, janë klasifikuar ndër më të lartat në Europë. Mund të thuhet se ishte njeriu që ndriçoi shtëpitë tona”, thuhet në njoftimin e KESH. /atsh

Farudin Hoxha, projektuesi i veprave më të mëdha hidroenergjetike në vend Read More »

Ambasada e Italisë, gjashtë bursa për studentët më të mirë

Ambasada e Italisë në Shqipëri ka dorëzuar sot gjashtë bursa për studentë më të mirë të cilët do të mbështeten nga Ambasada për nëntë muajt e ardhshëm.

Ambasada ka theksuar se, “gërshetimi i kulturës shqiptare dhe italiane bëhet gjithnjë e më i ngushtë falë mendjeve të reja që vendosin të studiojnë në Itali”.

“Janë dorëzuar sot gjashtë bursa për studentë më të mirë të cilët do të mbështeten nga Ambasada për nëntë muajt e ardhshëm. Ambasada e Italisë në Tiranë ka kënaqësinë të mbështesë dhe të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të kësaj lidhjeje”, ka nënvizuar Ambasada e Italisë.

Rocco Romano-n, shef i Kancelarisë Konsullore i ka dorëzuar sot bursën studentit Beqir Llani, i klasifikuar në vend të parë. Beqiri do të ketë mundësinë që të vazhdojë studimet në Inxhinierinë Mekatronike në Universitetin e Romës “Tor Vergata”./atsh

Ambasada e Italisë, gjashtë bursa për studentët më të mirë Read More »

Investimet e huaja u rritën në 535 milionë euro në 6-mujorin e parë 2019

Investimet e huaja direkte u rritën në tremujorin e dytë të vitit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në tre muaj sipërmarrësit e huaj investuan 226 milionë euro, ose 8 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për gjysmën e e parë të vitit, vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 535 milionë euro, apo 10,1% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Investimi më i madh i viteve të fundit, është gazsjellësi Trans-Adriatik. Rreth 1.5 miliardë euro është investimi për ndërtimin e seksionit tokësor të tubacionit në Shqipëri, përfshirë këtu koston e tubave, kompresorëve dhe pajisjeve dhe makinerive të tjera të nevojshme për ndërtimin e tubacionit.

Ndërsa investimi tjetër i madh, është ai i hidrocentraleve që po ndërtohen mbi lumin Devoll nga kompania “Statkraft”. Për të vijuar me investimet e rëndësishme në industrinë e naftës dhe atë minerare.

Fitimet e riinvestuara nga investitorët e huaj për gjysmën e parë të këtij viti arritën në 183 milionë euro, 68% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Sipas origjinës së kapitalit, në vitet e fundit investimet e huaja janë dominuar nga Zvicra dhe Holanda.

Në Zvicër është e regjistruar ndërmarrja që po ndërton gazsjellësin TAP, ndërsa në Holandë është e regjistruar “Statkraft Markets”, kompania përmes të cilës norvegjezët e “Statkraft” zotërojnë “Devoll Hydropower”.atsh

Investimet e huaja u rritën në 535 milionë euro në 6-mujorin e parë 2019 Read More »