Aktualitet

Ish-ambasadori austriak, Johan Sattler “Qytetar nderi” i Vlorës

Ambasadori austriak në largim Johan Sattler, nga dita e sotme është “Qytetar Nderi” i Vlorës. Lajmi është bërë i ditur nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli i cili i ka dorëzuar edhe titullin ambasadorit Sattler.

“Një mik i veçantë, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johan Sattler, që nga sot është “Qytetar Nderi i Vlorës”. Pata kënaqësinë që ti dorëzoja titullin më të lartë vendor, këtij njeriu me vlera që duke filluar nga sot, do të jetë në grupin e njerëzve më të nderuar të këtij qyteti”, tha Leli.

Kryebashkiaku vlerësoi se Sattler dha kontributin e tij personal dhe të shtetit austriak për investimin për qendrën e fshatit Dukat.

“Vëmendja e mikut tone Sattler ndaj Vlorës, u mishërua edhe në hapjen e Konsullatës së Nderit të Austrisë në qytetin tonë, mbas 104 vitesh, duke treguar miqësinë dhe lidhjen tonë të hershme me shtetin austriak”, tha Leli.

Ambasadori premtoi që edhe pse këtë herë larg Vlorës, në një detyrë tjetër, do t’i ketë të forta lidhjet me qytetin, duke qenë “kumbari” i binjakëzimit të Vlorës me një nga qytetet më të zhvilluara të Austrisë. /atsh

Ish-ambasadori austriak, Johan Sattler “Qytetar nderi” i Vlorës Read More »

Rendi dhe siguria/ 70 të proceduar në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 2 janë ndalur dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Fier dhe 2 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lire.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 9 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë. Në të gjithë territorin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën. Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në Korçë. Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 4 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Durrës. /atsh

Rendi dhe siguria/ 70 të proceduar në 24 orët e fundit Read More »

1 milion turistë u pritën në Morinë nga 10 të rinj të “Smile Albania 2”

Në pikën kufitarë të Morinit nga 10 qershor deri më 10 shtator, kanë kaluar 1 milion turistë që janë pritur nga 10 të rinj të “Smile Albania 2”.

“Për 60 ditë, 10 të rinj të përfshirë në projektin “Smile Albania 2” të Ministrisë së Turizmit e Mjedisit zbatuar nga AKZM, AdZM, punuan në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit”, shprehet kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici.

Gjici shton se ata pritën me buzëqeshje dhe informacion për destinacionet turistike, historinë, traditat, vlerat natyrore, turistët e huaj që vizituan vendin tonë dhe çekuan në Shqipëri përmes kësaj Pikë Kalimi Kufitar.

“Nga periudha 10 qershor deri më 10 shtator, të këtij viti, në Pikën e Kalimit Kufitar Morin kanë kaluar mbi një milion vizitorë”, thekson ai./atsh

1 milion turistë u pritën në Morinë nga 10 të rinj të “Smile Albania 2” Read More »

Shkarkimi i Metës/Ekspertët e Venecias: Në 11 tetor publikojmë raportin

Ekspertët e Komisionit të Venecias kanë zhvilluar sot një takim me anëtarët e Komisionit Hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Takimi i nisur në orën 9:00 është mbajtur në zyrat e Kryesisë së Kuvendit.

Pas takimit Kaarlo Tuori, Drejtues i delegacionit u shpreh se ata kanë mbledhur informacionin që kërkonin nga takimet e zhvilluara. Ai theksoi se raporti do të prezantohet në 11 tetor.

“Kemi mbledhur shumë informacion. Kemi marrë informacionin që kërkonim. Raportin do ta prezantojmë në 11 tetor kur në Venecia do të kemi seancën plenare të Komisionit të Venecias” tha ai për mediet.

Ndërsa kreu i Komisionit Hetimor, Ulsi Manja tha pas takimit se, “me delegacionin e Komisionit të Venecias në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe objektivitetin e trajtimit të kësaj çështje nga ana e Komisionit Hetimor të ngritur me vendimin nr.84/2109 të Kuvendit të Shqipërisë.

“Ndamë pikëpamjen që Komisioni Hetimor dhe Komisioni i Venecias do ta trajtojnë këtë rast në aspektin ligjor duke u nisur nga parimet dhe standardet më të larta profesionale dhe kushtetuese dhe me objektivitet maksimal , me qëllim vendosjen e një tradite juridike parlamentare të parin në llojin vet për Shqipërinë”, tha Manja.

Ekspertët e Komisionit të Venecias po zhvillojnë një takim edhe me përfaqësues të shoqërisë civile./atsh

Shkarkimi i Metës/Ekspertët e Venecias: Në 11 tetor publikojmë raportin Read More »

Kristina, studentja e sapodiplomuar punësohet pasi aplikon tek Zyra e Punës

Kristina, studente e sapodiplomuar pas aplikimit pranë Zyrës Vendore të Punësimit në Tiranë u punësua pranë një subjekti.

Kristina pas diplomimit u përfshi në programet e Nxitjes së Punësimit nga Zyra e Punësimit Tiranë dhe u referua pranë një institucioni të administratës publike për të kryer praktikën profesionale.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka bërë të ditur se në përfundim të programit, ajo sërish u trajtua si punëkërkuese dhe në përshtatje me profilin e saj akademik, iu ofruan disa pozicione pune.

Nga intervistat e zhvilluara, Kristina rezultoi fituese pranë një subjekti në pozicionin arkëtare zyre.

Modernizmi i Zyrave të Punës ka mundësuar shërbim më të mirë për qytetarët./atsh

Kristina, studentja e sapodiplomuar punësohet pasi aplikon tek Zyra e Punës Read More »

Shqipëria me shkallën më të lartë të punësimit në rajon, rritje me 3.4 % në tremujorin e dytë 2019

Rritja e numrit të të punësuarve po ndjek trendin pozitiv të qëndrueshëm nga muaji në muaj.

Sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, publikuar sot nga INSTAT, shkalla e papunësisë në vend arrin në nivelet më të ulta historike në shifrat 11.5%. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,9 pikë përqindje ndërsa me tremujorin e parë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje.

Në tremujorin e dytë 2019, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,4 %, nga më të lartat në rajon vlerësuar në vazhdimësi edhe nga institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, Komisioni Europian, etj.

Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2018, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 3,4% dhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, ky tregues u rrit me 2,1%.

Vlen për t’u përmendur se shkalla zyrtare e papunësisë tek të rinjtë shfaq tendencë në rënie e cila, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, është 1,7 pikë përqindje më e ulët, ndërsa me tremujorin e parë 2019 ka pësuar një rënie prej 1,3 pikë përqindje.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u shpreh se ky është një lajm i mire për ekonominë.

“Anketa tremujore e forcave të punës, publikuar sot nga INSTAT, konfirmon efektivitetin e politikave nxitëse për punësimin. Në tremujorin e dytë 2019, papunësia vazhdoi rënien duke kapur nivelin historik prej 11.5%, ndërsa numri i të punësuarve gjithsej krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, u rrit me 3.4 %, duke konsoliduar shkallën e punësimit në 61.4% nga më të lartat në rajon. Ndërkohë shkalla e papunësisë tek të rinjtë shfaq tendencë në rënie e cila krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, është 1,7 pikë përqindje më e ulët” – tha Denaj.

Rritje të punësimit kanë patur sektorët bujqësi, tregti, shërbimet mbështetëse, aktiviteti informatik dhe telekomunikacioni.

Raporti i publikuar sot nga INSTAT tregoi sërish efektivitetin e politikave të ndërmarra nga qeveria që shkon në favor të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe nxitjes së punësimit.atsh

Shqipëria me shkallën më të lartë të punësimit në rajon, rritje me 3.4 % në tremujorin e dytë 2019 Read More »

Mbi 51 mijë adresime në platformën e bashkëqeverisjes, hapet rubrikë e re për biznesin

Platforma e bashkëqeverisjes shqiperiqeduam.al ka kapërcyer numrin e 51 mijë adresimeve, ndërsa së fundi është hapur edhe rubrika e veçantë për biznesin, që i vjen në ndihmë biznesi të ndershëm.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Edi Rama tha se “adresimet janë të natyrave të ndryshme”.

“Ankesat më së shumti janë për nivelin vendor dhe qendror, por edhe nga studentët që janë interesuar për Paktin për Universitetin. Janë jo vetëm pyetje por dhe sugjerime dhe ide”, tha Rama.

Duke folur për rubrikën e posaçme për biznesin, Kryeministri theksoi se “kjo do të krijojë një akses të shpejtë në qeveri për çdo problem që biznesi has në qasje me administratën dhe për çdo çështje që mbetet pezull në punën e tyre”.

“Dua t’i ftoj të gjithë ata që merren me biznesin që të shkarkojnë aplikacionin shqiperiaqeduam.al dhe të mos humbasin kohë fare duke pritur që një zgjidhje e vonuar t’u vijë përmes rrugësh të vjetra, fatkeqësisht tradicionale, përmes rryshfetit, mikut e me radhë, por të harxhojnë ato 2-3 minuta dhe menjëherë do të kenë në krah ministrin përkatës, autoritetin përkatës dhe do të gjendet zgjidhje në kohë reale”, tha Rama.

Por sipas tij, “duke iu drejtuar platformës ata japin një kontribut të madh pasi në këtë mënyrë do të evidentohen jo vetëm aspekte problematike të funksionimit të administratës, por edhe individë problematikë që bëhen bashkë për vonesa të pajustifikuara dhe të pazgjidhura”.

Rama shprehu besimin se përfshirja e rubrikës së posaçme për biznesin në platformën e bashkëqeverisjes është një dritare e re e rëndësishme për të fuqizuar partneritetin mes qeverisë dhe çdo biznesi të ndershëm.

“Sidomos në këtë fazë ku jemi në një përpjekje të madhe kundër informalitetit dhe kur biznesi i ndershëm që është edhe shumica e biznesit, kërcënohet vijimësisht edhe nga konkurrenca e pandershme e atyre që u shmangen ligjit dhe bëjnë evazion”, tha Rama. /atsh

Mbi 51 mijë adresime në platformën e bashkëqeverisjes, hapet rubrikë e re për biznesin Read More »

Hapen 74 vende pune në Agjencinë e Kadastrës, Lame: Jo ndërhyrje, vlerësoj vetëm profesionistët

Artan Lame, Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, gjatë një deklarate për media ka njoftuar një reformë thellë në administratë për rritjen e profesionalizmit.

Ai ka njoftuar se janë hapur 74 vende pune për inxhinierë e arkitektë…etj, ndërsa ftoi të gjithë të rinjtë e të rejat që duan të aplikojnë, të besojnë se profesionalizmi i tyre do vlerësohet.

“Kadastra ka përmbyllur fazën e parë të riorganizimit, duke prodhuar një strukturë të ri dhe efikase. Ky riorganizim ka sjell një uljen drastike të numrit të ankesave, nga rreth 1000 e disa ankesa të gjetura përpara se të ngrihej kjo agjenci, në vetëm rreth 200 të tilla”, tha Lame.

“Mbyllja e këtij procesi të riorganizimit, hap dyert për procesin e radhës. Sfidat kryesore e Kadastrës sot janë dy, rishikimi i hartografisë në të gjithë vendin dhe ngritja e nivelit profesional”, tha ai.

Sot, shtoi Lame, kemi 400 jurist të të gjitha shkollimeve, nga ato jashtë vendit dhe ato brenda vendit dhe si rezultat kemi qindra gjyqe e halle për trualli në të gjithë vendin”.

“Nuk po i hy analizës se si është arritur te ky deformim profesional në 20 vitet e fundit, por reforma për profesionalizmin do të vijoj. Thithja e inxhinierëve është nevojshme dhe do hapet gara për punësimin e 74 specialistëve në strukturën e Kadastrës. Kërkesat janë për Arkitekturë, Gjeodezi, Inxhinierë, të cilët nuk do kenë kontratë të përkohshme, por do të jenë punonjës në strukturë të Agjencisë”, tha Lame më tej.

“Këto 74 vende ndahen në të gjithë Republikën e Shqipërisë, ku Vlora dhe Tirana mbajnë numrin më të lartë. Djemve dhe vajzave që kanë vullnet për punë të kenë besim te unë dhe të aplikojnë për punë pasi do vlerësohet profesionalizmi i tyre. I bëjë thirrje të gjithë familjarëve të mi, ministrave, deputetëve dhe të gjithë zyrtarëve të mos vijnë te unë për punë, pasi unë kërkoj profesionist dhe do vlerësoj vetëm profesionistët”, tha Lame më tej.

“Në Kadastër ka me qindra profesionistë kokëulur, ka me dhjetra shefa e drejtorë që janë bërë të tillë pa futur mik, por thjesht me forcat, krahët dhe mendjen e tyre. Të gjithë kërkojmë të zgjidhim nyje e pronës dhe nyja e pronës zgjidhet vetëm me profesionalizëm; dhe pastaj, të njëjtët njerëz që ankohen për çfarë kanë hequr, më kërkojnë me aman e me derman të fus në punë njërin a tjetrin jashtë profilit. O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat e miqtë, të dyja nuk bëhen dot! Së bashku po e nisim edhe këtë reformë dhe vetëm së bashku mund ta çojmë atë përpara”, deklaroi Lame./atsh

Hapen 74 vende pune në Agjencinë e Kadastrës, Lame: Jo ndërhyrje, vlerësoj vetëm profesionistët Read More »