Aktualitet

Cakaj në Nju-Jork, pjesë e mbledhjes së nivelit të lartë për zbatimin e strategjisë së OKB-së kundër terrorizmit

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në kuadër të takimeve në Nju Jork, edhe në mbledhjen e nivelit të lartë të organizuar nga Jordania, Franca dhe Zelanda e Re për të diskutuar mbi përpjekjet ndërkombëtare për vënien në zbatim të Strategjisë Globale të OKB-së Kundër Terrorizmit dhe për të shqyrtuar të arriturat e nismave franceze dhe jordaneze mbi përdorimin e platformave te internetit për motive të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

“Pavarësisht fitores ushtarake dhe territoriale mbi ISIL, një sfidë tjetër mbetet angazhimi i përbashkët për të zhbërë hapësirën e mundshme të narrativave që nxisin veprimet ekstremiste dhe të dhunshme. Kjo kërkon një bashkërendim më të gjerë përpjekjesh të kompanive teknologjike, shoqërisë civile, bashkësive fetare e qeverive të vendeve përkatëse, mes tjerash”, tha Cakaj për këtë takim.

“Shqipëria ka qenë historikisht një vend shembull i harmonisë ndër-fetare dhe ka prirë në shumë angazhime luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm nëpërmes mekanizmave të saj të sigurisë. Për më shumë, Shqipëria dallohet në rajon e më gjerë edhe për zhvillimin e kurikulave të veçanta shkollore që kanë për qëllim zhbërjen e interpretimeve të shtrembëruara të doktrinave të ndryshme fetare. Së këndejmi, angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është në përputhje me sfidat bashkëkohore dhe në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë”, theksoi Cakaj. /atsh

Cakaj në Nju-Jork, pjesë e mbledhjes së nivelit të lartë për zbatimin e strategjisë së OKB-së kundër terrorizmit Read More »

Spitali i Ri i Kirurgjisë/ 7 salla operacioni me teknologjinë e fundit, nga tetori, shërbim me standarde të BE

“Nga muaji Tetor do të hapë dyert spitali i ri i kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, një investim prej afro 9 milion eurosh, që do të sjellë pas shumë dekadash, standarde europiane për kirurgjinë shqiptare”, tha sot ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, prezantoi në një intervistë për ERTV, ambientet e këtij spitali, nga dhomat për çdo pacient pajisur me mjete jetike dhe kushte moderne të akomodimit, deri te 7 sallat e operacionit të pajisura me aparatura të teknologjisë së fundit.

“Spitali i ri i kirurgjisë ka një kapacitet prej 120 shtretërish dhe rreth 8000 ndërhyrje në vit, për t’i shërbyer 60 mijë pacientëve. Shtimi i kapaciteteve, infrastruktura dhe aparaturat e reja do të krijojnë mundësinë që në kirurgji tashmë të punohet me dy turne, për të ofruar më shpesh shërbimet e ndërhyrjeve kirurgjikale”, tha ajo.

Në vijim Manastirliu tha se “Ky është një investim i munguar prej dekadash për kirurgjinë shqiptare. Spitali do të ofrojë shërbime terciare të cilësisë së lartë për ata pacientë që vuajnë nga patologji të vështira, do të rrisë ciëlsinë e shërbimit duke ofruar më shumë garanci. Ky spital i ri ofron 7 salla operacioni që janë të pajisura me teknologjinë më të sofistikuar. Nuk ka asgjë që ndryshon nga cilësia e pajisjeve dhe infrastrukturës që janë këtu, me ato të një spitali europian në vendet e BE-së”.

“Tashmë ka përfunduar instalimi i gazrave mjekësorë, janë vendosur aparaturat e nevojshme dhe mobilimi spitalor është në dispozicion. 8 shtretër do të jenë në dispozicion për akomodimin e pacientëve që parapërgatiten për të hyrë në operacion. Si kapacitet, pritet që numri i ndërhyrjeve që do të kryhen në vit të shkojë deri në 8000 mijë ndërhyrje që do kryhen me një infrastrukturë të re dhe mbi 60 mijë pacientë që vijnë edhe për mikrokirurgji apo shërbime të tjera”, shtoi Ministrja e Shëndetësisë.

Manastirliu theksoi se shërbimi i reanimacionit sipas standardeve të BE në këtë spital është një tjetër mjedis me rëndësi. Tashmë aty sigurohen edhe bokset e izolimit në rast se ka infeksion spitalor dhe një pacient duhet mbajtur në izolim.

Sipas Manastirliut, ky investim kompleton investimet e qeverisë shqiptare për kirurgjinë, veçanërisht pas programit për sterilizimin e instrumentave kirurgjikalë, i cili ka reduktuar ndjeshëm numrin e infeksioneve spitalore në vendin tonë.

Ministrja siguroi se një tjetër projekt me rëndësi që nis së shpejti në QSUT është rehabilitimi i spitalit pediatrik dhe i reanimacionit pediatrik, i cili po ashtu do të rrisë standardet e ofrimit të shërbimit për pacientët shqiptarë. /atsh

Spitali i Ri i Kirurgjisë/ 7 salla operacioni me teknologjinë e fundit, nga tetori, shërbim me standarde të BE Read More »

Mbi 2 mijë turistë vendas e të huaj frekuentuan Sazanin dhe Karaburunin vetëm në shtator

Anijet turistike vazhdojnë udhëtimet nga porti i Vlorës drejt Karaburunit dhe Sazanit edhe gjatë muajit shtator.

Porti i Vlorës bën të ditur për ATSH-në se vetëm gjatë muajit shtator mbi 2 mijë turistë vendas e të huaj kanë frekuentuar anijet turistike.

Turistët e huaj kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës si Holanda, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja, Polonia, Italia, Amerika, Hungaria, etj.

“Pavarësisht motit jo të qëndrueshëm turistët kanë frekuentuar anijet turistike edhe gjatë muajit shtator”, – nënvizon porti.

Gjatë periudhës janar-gusht të këtij vitit ka pasur një rritje të fluksit të turistëve si nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe të turistëve të huaj, të cilët kanë udhëtuar me 13 anije turistike drejt ishullit të Sazanit dhe Karaburunit duke e çuar në 37 mijë numrin e tyre.

Sazani dhe Karaburuni janë kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë./atsh

Mbi 2 mijë turistë vendas e të huaj frekuentuan Sazanin dhe Karaburunin vetëm në shtator Read More »

Basha me kryetarët e degëve: PD nis përgatitjet për zgjedhje të parakohshme

“Partia Demokratike nis përgatitjet elektorale për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të njëkohshme vendore”, ka deklaruar kryetari i PD-së Lulzim Basha në një takim me kryetarët e degëve të PD-së, gjatë analizimit të situatës politike ne vend, ndërsa ka shtyrë protestat për shkak të integrimit në BE.

Në takim, kryetari i PD-së Basha ka theksuar së tashmë partia duhet të fillojë menjëherë përgatitjet elektorale dhe për aksion politik.

“Vendi është në një krizë të thelle shumëplanëshe dhe detyra e PD dhe opozitës është të angazhohet seriozisht për të qenë pranë njerëzve dhe për t’i hapur rrugë perspektivës europiane të Shqipërisë.Opozita ka dhënë propozimet e veta për zgjidhjen e krizës në vend, qe kalon përmes zgjedhjeve të njëkohshme parlamentare dhe lokale të parakohshme, me qeveri tranzitore që garantin standardet për zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, shprehet Basha.

Po ashtu Basha shtoi se pranë Partisë Demokratike do të ngrihet shtabi qendror elektoral dhe politik, shtabe që do të shtrihen në mënyrë piramidale në të gjithë vendin.

“Puna do të përqendrohet në planin e ofrimit te zgjidhjes për qytetarët, denoncimeve për aferat korruptive dhe kriminale të qeverisë, bashkimi i faktorëve dhe aktoreve me potencial njerëzor dhe elektoral pranë PD, si dhe hapja e partisë për njerëz me integritet profesional e moral” tha ai.

Gjithashtu, kryetari i PD Lulzim Basha i ka paraqitur Kryetarëve të degëve një kalendar të qartë dhe konkret pune, me përgjegjësi dhe afate të qarta.

Një tjetër diskutim i kryetarit të PD-së Basha me kryetarët e degëve ka qenë edhe shtyrja e protestave për shkak të integrimit të vendit në BE.

“Për aksionin politik, që përfshin edhe protestat, është vendosur që format dhe afatet të përcaktohen në një moment të dytë për të shmangur shfokusimin nga çështjet kryesore që janë aktualisht në vëmendje: fazën finale të zgjidhjes së krizës politike dhe procesi i integrimit europian”, është shprehur Basha. /atsh

Basha me kryetarët e degëve: PD nis përgatitjet për zgjedhje të parakohshme Read More »

Aksidentohet turisti amerikan në Valbonë, banorët e zonës i shpëtojnë jetën

Shpëton për mrekulli turisti nga SHBA i cili u aksidentua duke udhëtuar nga Thethi në Valbonë. Kryetari i bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, falënderoi banorët, institucionet vendore, qendrore dhe spitalore të Tropojës, për ndihmën në shpëtimin e jetës.

“Dje duke udhëtuar nga Thethi në Valbone një turist nga SHBA u aksidentua rëndë. Menjëherë janë angazhuar banorët e zonës, strukturat e pushtetit vendor dhe qendror, ato të rendit dhe i gjithë personeli spitalor i Tropojës duke bërë të mundur në kohë rekord dhënien e ndihmës së parë të specializuar si dhe transportimin me helikopter në Spitalin e Traumës, Tiranë”, sqaroi Byberi.

Po ashtu, kryetari i Bashkisë shton se ky veprim i shpejtë sa human dhe profesional bëri që turisti të ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Falënderoj të gjithë ata që u angazhuan në këtë operacion i cili dëshmon edhe njëherë për cilësitë e larta të solidaritetit dhe virtutet e qytetarëve të Tropojës”, shprehet ai. /atsh

Aksidentohet turisti amerikan në Valbonë, banorët e zonës i shpëtojnë jetën Read More »

Dita Kombëtare e Trashëgimisë/ Hyrje e lirë në muze, parqe arkeologjikë e monumente

Muzeu Historik Kombëtar vazhdon të mbetet një atraksion historik dhe kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj edhe për muajin shtator.

Ky muaj, edhe pas tërmetit të 21 Shtatorit, vazhdon të sjellë një numër të madh vizitorësh në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Shtatori është muaji kur të gjithë kujtojmë Ditët Evropiane të Trashëgimisë dhe 29 Shtatorin, “Ditën Kombëtare të Trashëgiminë”, kur të gjitha vlerat e prekshme dhe të paprekshme bëhen një së bashku me ata që i krijuan dhe i ruajtën ato për t’ia kaluar brezave si dëshmi të identitetit tonë kulturor dhe evropian.

Edhe këtë mëngjes shumë njerëz kanë vizituar Muzeun për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë (nga prehistoria deri në fund të epokës komuniste), të shpjeguara përmes objekteve dhe artefakteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.

Sot, në Muzetë Kombëtarë, Parqet Arkeologjike dhe Monumentet e Kulturës është hyrje e lirë. /atsh

Dita Kombëtare e Trashëgimisë/ Hyrje e lirë në muze, parqe arkeologjikë e monumente Read More »

Air Albania/ “Migjeni”, gati për fluturimet drejt Italisë

“Migjeni, gati për fluturimet e Italisë nga Rinasi”, tha sot kryeministri EdI Rama, ndërsa theksoi se para Vitit të Ri pritet të ulet “Naimi”.

“Ka lezet. Pranë Lasgushit ka mbërritur edhe Migjeni, gati për fluturimet e Italisë nga Rinasi, ku përpara Vitit të Ri do të ulet dhe Naimi, për destinacionet e tjera evropiane”, shprehet ai.

Rreth një muaj e gjysmë më parë, kryeministri Edi Rama dha lajmin se pas “Lasgushit” që mbulon Stambollin, do të ngrihet në fluturim edhe “Migjeni drejt Italisë dhe për Vitin e Ri “Naimi” në një destinacion europian. /atsh

Air Albania/ “Migjeni”, gati për fluturimet drejt Italisë Read More »

“Migjeni”, gati për fluturimet drejt Italisë, Balluku: Shqiponja e dytë tashmë në shtëpi

“Shqiponja e dytë tashmë në shtëpi”, tha sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke iu referuar avionit të dytë të “Air Albania” që pritet të nisë fluturimet në linjën me Italinë.

Avioni Migjeni është avioni më i ri i flotës së Air Albania. Ai është model Boeing 737 800, prodhim i vitit 2016.
Air Albania, e themeluar në maj të vitit të kaluar me qendër në Tiranë, u krijua nga partneriteti i Albcontrol, një degë e Ministrisë Shqiptare të Ekonomisë dhe Turizmit dhe Turkish Airlines.

Fluturimi i parë drejt aeroportit të ri të Stambollit, u krye më 19 prill.

Avioni i parë i “Air Albania”, i cili ka marrë certifikimin pranë Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) sipas kërkesave të kuadrit ligjor vendas dhe direktivave të Bashkimit Europian, do të pasohet nga Migjeni drejt Italisë dhe Lasgushi drejt vendeve të tjera europiane. /atsh

“Migjeni”, gati për fluturimet drejt Italisë, Balluku: Shqiponja e dytë tashmë në shtëpi Read More »