Aktualitet

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, Meta: Më shumë vëmendje e përkujdesje

Presidenti i Republikës, Ilir Meta apeloi për më shumë vëmendje e përkujdesje me dashuri e dhembshuri.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti dje në një takim një grup të moshuarish.

Gjatë bashkëbisedimit me ta, Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë që shoqëria jonë, në shembullin e Shenjtores Nënë Tereza, të kujdeset me më shumë dashuri dhe vëmendje për pjesëtarët e saj.

“Përkujdesja dhe vëmendja ndaj sfidave dhe problematikave me të cilat përballen të moshuarit është detyrim i të gjithë shoqërisë sonë”, nënvizoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta theksoi se institucionet shtetërore në veçanti, duhet të tregojnë më shumë respekt e përkujdesje për moshën e tretë, për hallet e tyre, pasi kontributi e përvoja e prindërve dhe gjyshërve tanë është një aset i çmuar për sot e të ardhmen.

Shoqëria jonë, veçanërisht brezi i ri, jo vetëm duhet të mësojë nga eksperienca juaj, por duhet t’i investojë këto përvoja në edukimin e brezit të ri, me ndjenjën e punës, të ndershmërisë, përgjegjshmërisë e seriozitetit, por edhe me ruajtjen e forcimin e ndjenjës sonë kombëtare”, – tha Presidenti Meta, teksa theksoi se problemi më i madh sot është mbajtja e të rinjve në vendin tonë, sepse largimi i tyre masiv do të sjellë pasoja katastrofike për shoqërinë në të ardhmen.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi se në këtë ditë të të moshuarve duhet të vlerësojmë edhe rolin e tyre në familje dhe në shoqëri.

“Gjyshërit janë shpesh mbështetje e madhe për nipërit dhe mbesat e tyre, jo vetëm me kujdesin në rritjen e tyre, por edhe me edukimin e transmetimin e eksperiencave jetësore. Por nga ana tjetër, të moshuarit kanë nevojë për mbështetjen e familjes e të fëmijëve të tyre, veçanërisht në situata të vështira e në pamundësi shëndetësore”, u shpreh Presidenti Meta gjatë takimit./atsh

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, Meta: Më shumë vëmendje e përkujdesje Read More »

Fuqizimi i grave, Felaj: Injoranca kërcënon sot më së shumti

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj deklaroi se ajo që i kërcënon më shumë sot gratë dhe vajzat është injoranca.

E pranishme në aktivitetin e zhvilluar sot nga Instituti për Gratë në Politikën e Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare, Felaj u shpreh se, “siguria është një nocion shumë i gjerë, shumë i rëndësishëm. Projekti i këtij instituti në vetvete ka lidhje me fuqizimin e grave dhe vajzave dhe njëkohësisht me zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të grave dhe vajzave si kontribuese aktive në fushën e sigurisë”.

“Nëse do më pyesni se çfarë i kërcënon sot më shumë gratë dhe vajzat përgjigja do ishte injoranca. Kjo është arsyeja pse mendoj se të këmbëngulësh në arsimimin gjithnjë e më të plotë të gjithë shoqërisë tonë, sigurisht edhe të gjithë vajzave dhe grave”, tha Felaj.

“Është shumë e rëndësishme po ashtu edhe të bësh politika që rrisin aksesin e vajzave dhe grave në çështjet e dijes”, u shpreh ajo.

“Ta përdorësh ligjin në funksion të këtij qëllimi dhe ne si ligjvënës na takon ta bëjmë këtë. Kjo padyshim që ka një vlerë të padiskutueshme”, shtoi ajo.

Felaj theksoi gjithashtu se, “ekstremizmi i dhunshëm është një fenomen që kërcënon gratë dhe vajzat dhe duhet luftuar me çdo kusht”.

“Aksesi i grave dhe vajzave në jetën publike është i rritur edhe në ato sektorë apo fusha ku dikur janë parë si enkas për gjininë tjetër, edhe aty shihet rritja e prezencës së grave. Ky është një shembull i mirë. Prezenca jonë e bën shoqërinë më tolerante”, tha Felaj.

“Ne flasim për gratë dhe vajzat në politikë. Natyrisht sot janë kontributore shumë më shumë se një dekadë më parë. Ka shumë gra deputete, ministre, ka shumë gra këshilltare bashkiake”, u shpreh Felaj. /atsh

Fuqizimi i grave, Felaj: Injoranca kërcënon sot më së shumti Read More »

Paketa antikorrupsion/ Klosi: Biznesi dhe qytetarët, detyrim për mbrojtjen e mjedisit

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, zhvilloi një seancë dëgjimore me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. Në fjalën e tij për prezantimin e paketës antikorrupsion në fushën e mjedisit, ministri u shpreh se kjo paketë eliminon të gjithë hallkën burokratike që e çon administratorin e një biznesi në një raport të vështirë me shtetin, për të pasur mundësi që të luftojmë për mbrojtjen e mjedisit.

“Njëkohësisht, duhet të krijojmë të gjitha hapësirat që biznesi dhe qytetarët ta shikojnë mbrojtjen e mjedisit si detyrim ndaj Shqipërisë turistike dhe gjeneratave që do të vijnë”, – theksoi Klosi.

Gjithashtu, ai u shpreh se kjo paketë është edhe reformë mjedisore për heqjen e qeseve plastike nga përdorimi, lejet mjedisore online, venddepozitimet, për një Shqipëri të pastër me mjedis të mbrojtur e të qëndrueshëm etj. Pas prezantimit, anëtarët e komisionit i drejtuan ministrit pyetje të ndryshme sa i përket paketës në fjalë.

Më tej, mbledhja e komisionit vazhdoi me shqyrtimin e dy projektligjeve “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”. Të ftuar për këto projektligje ishin Belina Ikonomi zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Tedi Bushaj nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Arbian Mazniku nënkryetar i bashkisë Tiranë.

Zëvendësministrja Ikonomi dhe nënkryetari i bashkisë Tiranë Arbian Mazniku, bënë një prezantim të plotë të dy projektligjeve të paraqitura, ku theksuan se nëpërmjet këtij projekti mundësohet krijimi i një shtrati me regjim hidraulik efecient, për të eliminuar problematikën e përmbytjeve në këtë zonë, si dhe krijimin e hapësirave të nevojshme të zhvillimit urban të zonës.

Pas diskutimeve dhe pyetjeve e përgjigjeve nga deputetët, kryetari i komisionit Niko Peleshi i hodhi projektligjet në votim ku u miratuan nga anëtarët e komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi. /atsh

Paketa antikorrupsion/ Klosi: Biznesi dhe qytetarët, detyrim për mbrojtjen e mjedisit Read More »

Diskriminimi kundrejt personave të moshës së tretë, i papranueshëm

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kërkon më shumë kujdesje për moshën e tretë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda, kërkon nga të gjithë më shumë kujdes dhe respekt për moshën e tretë.

“Moshimi është një proces i jetës. Diskriminimi kundrejt personave të moshës së tretë është i papranueshëm,si në aspektin legjislativ ashtu në aspektin moral. Respekto përvojën!” – shprehet Gajda. /atsh

Diskriminimi kundrejt personave të moshës së tretë, i papranueshëm Read More »

Rama në SHBA në ceremoninë e ndërrimit të komandës së shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtnant Rrahman Rama, me ftesë të Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për herë të parë mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta, që është mbajtur në bazën e përbashkët të ushtrisë amerikane “Myer-Henderson Hall” në Uashington.

Gjatë kësaj ceremonie gjeneral Rama e uroi personalisht gjeneralin Milley, të cilit i dëshiroi suksese në mandatin e tij 4-vjeçar dhe i shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve në zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së.

Pozita e shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta konsiderohet pozita me e lartë në strukturën e ushtrisë amerikane, ku gjeneral Mark Milley do të jetë këshilltari më i lartë i Presidentit të SHBA-ve, Sekretarit të Mbrojtjes dhe i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për çështje që ndërlidhen me sigurinë kombëtare të SHBA-ve. Gjenerali Mark A. Milley është emëruar shefi i 20-të i Shtabit të Forcave të Përbashkëta, duke e zëvendësuar gjeneralin Joseph Dunford, i cili për 4 vjet ka qëndruar në këtë pozicion mjaft të rëndësishëm. /KosovaPress/

Rama në SHBA në ceremoninë e ndërrimit të komandës së shefit të Shtabit të Forcave të Përbashkëta Read More »

Mbrojtjet nga përmbytjet e Vjosës, ministri Çuçi inspekton një tjetër investim

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është duke kryer një tjetër investim në Fier për mbrojtjen e tokave nga përmbytjet. Ministri Bledi Çuçi pa nga afër kantierin e punimeve për ndërtimin e peneleve mbrojtës pranë fshatrave Ferras e Qarr.

“Kjo është një nga ndërhyrjet më të rëndësishme për të mbrojtur nga përmbytjet dhe gërryerja tokat e fshatrave Ferras e Qarr. Ndërtimi i urës në autostradën Fier-Vlorë e kishte devijuar të gjithë rrjedhën e lumit, duke bërë që ujërat të vërshonin në këto toka. Me 6 penelet që po ndërtojmë praktikisht pengojmë marrjen e tokës nga lumi”, tha ministri Çuçi.

Investimi kap vlerën e rreth 53 milionë lekëve. Në përfundim të tij garantohet mbrojtja e qindra hektarëve tokë bujqësore që përmbytej dhe gërryhej nga vërshimi i ujërave të lumit Vjosa.

Kjo zonë ka qenë problematike që prej ndërtimit të urës së re në autostradën Fier-Vlorë, pasi devijoi rrjedhën e lumit.

Punimet deri më tani janë realizuar në masën 90%. Përpara sezonit të dimrit investimi do të jetë i përfunduar. Ministri shoqërohej në këtë vizitë nga kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi dhe deputetët e qarkut.atsh

Mbrojtjet nga përmbytjet e Vjosës, ministri Çuçi inspekton një tjetër investim Read More »

Avokati i Popullit: Përmirësim statusit të të moshuarve

Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, Avokati i Popullit bën thirrje për përmirësim të statusit të të moshuarve.

Avokati i Popullit, si një institucion që garanton të drejtat dhe liritë themelore te njeriut, ka në prioritetet e punës së tij edhe mbrojtjen e të drejtave të të moshuarve duke i vlerësuar të moshuarit për autoritetin e tyre, mençurinë, përvojën jetësore, duhet të eliminojmë neglizhencën dhe përjashtimin e tyre si pjesë përbërëse e familjes dhe e komunitetit,

“Për të garantuar të drejtat e të moshuarve, për siguri sociale, për të punuar, për akses në shërbimet e kujdesit shëndetësor, për një transport falas për të moshuarit mbi moshën 70 vjeç etj, kërkohet miratimi i Statusit të Moshës së Tretë. Ndër vite kemi kërkuar me insistim nga administrata shtetërore dhe veçanërisht ministritë e linjës, miratimin e Statusit të Moshës së Tretë”, shprehet avokati.

Po ashtu, Avokati i Popullit shton se “Shteti dhe vetë shoqëria shqiptare duhet të vazhdojnë të forcojnë mekanizmat socialë dhe ekonomike në mbështetje të të moshuarve”. //atsh

Avokati i Popullit: Përmirësim statusit të të moshuarve Read More »

Ndryshon ligji për pajisjet mjekësore, Manastirliu: Kontroll që në doganë, më shumë siguri për pacientët

Për herë të parë regjistrimi i pajisjeve mjekësore do të kryhet përpara hyrjes së tyre në treg, duke rritur sigurinë për pacientët”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi sot në Komisionin e Shëndetësisë ndryshimet lidhur me projektligjin “Për pajisjet mjekësore”, të cilat do të sjellin një përmirësim të procedurave rregullatore të sektorit, të lidhura me prodhimin, importimin dhe regjistrimin e pajisjeve të tilla.
“Ndryshe nga më parë kur pajisjet mjekësore regjistronin pasi kishin hyrë në treg, me ligjin e ri që ne propozojmë forcohen masat në kontrollin e tregut të pajisjeve mjekësore, duke kryer procesin e regjistrimit që në doganë. Do të monitorohet i gjithë zinxhiri, deri në daljen në treg, duke filluar nga pajisjet dentare të implantueshme, deri te pajisjet mjekësore të teknologjisë së lartë”, – tha Manastirliu.
Ajo theksoi se “projektligji i ri, i cili garanton cilësinë dhe ruajtjen e standardeve më të mira mbi pajisjet mjekësore që prodhohen, importohen apo tregtohen në Republikën e Shqipërisë është përafruar me legjislacionin e BE-së”.
“Për herë të parë përcaktohet një proces licencimi për pajisjet mjekësore, që nuk ekzistonte më parë. Gjithashtu do të vendosen rregulla të mirëpërcaktuara edhe për blerjen e pajisjeve online, i monitoruar nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, – tha Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi theksoi se një ndryshim i rëndësishëm është përfshirja e pajisjeve mjekësore që rimbursohen.
“Për herë të parë do të ketë një listë të rimbursueshme të pajisjeve mjekësore që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me qëllim garantimin e aksesit në ofrimin e kujdesit shëndetësor të të gjithë qytetarëve. Aktualisht ne ofrojmë rimbursimin e fishave të diabetit falas deri në 25 vjeç dhe me këtë projektligj i hapet rrugë rimbursimit të pajisjeve mjekësore, përmes një liste të mirëpërcaktuar”, – u shpreh Manastirliu.
Duke nënvizuar se në vend janë regjistruar rreth 6000 pajisje apo grupime pajisjesh mjekësore, Manastirliu theksoi para komisionit se do të merren masa për çdo subjekt që shkel ligjin.
“Janë shtuar 8 penalitete për subjektet që shkelin ligjin, duke filluar nga masat administrative me gjobë për mosdeklarim importi apo vendosjen në treg të pajisjeve në kundërshtim me ligjin, deri në revokim licence në rast të shkeljes së rregullave më shumë se një herë”, – tha Manastirliu./m.m/j.p/

Ndryshon ligji për pajisjet mjekësore, Manastirliu: Kontroll që në doganë, më shumë siguri për pacientët Read More »