Aktualitet

Spiropali: Të gatshëm për dialog, por jo për të bërë pazare me opozitën

“Mazhoranca është e interesuar që opozita të ulet në tryezën për reformën zgjedhore dhe të diskutojë mbi çdo platformë që ka të bëjë me rregullat e lojës dhe me rekomandimet e OSBE/ODIHR”, deklaroi mbrëmjen e sotme ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Gjatë një interviste televizive, e pyetur lidhur me deklaratën e kreut të PD-së, Lulzim Basha i cili tha sot se kryeministri Rama ka në tryezë planin e opozitës për reformën zgjedhore duke kërkuar që të zbatohet, Spiropali tha se këto janë shantazhe që mund të bëhen në kopësht, por jo në mjedisin politik.

Ajo tha se “ ne kemi qenë të gatshëm që të ulemi në tryezë me opozitën jashtë parlamentare edhe pse një opozitë që ka dorëzuar mandatet, nuk ka marrë pjesë në zgjedhje i është ofruar një vend në tryezën e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Kanë vendin e tyre, kanë edhe veto madje, por opozita parlamentare është aty sepse i takon me ligj që të jetë në atë tryezë, por është bërë edhe vendi për ta”.

“Po ne nuk mbajmë përgjegjësi për takime apo tryeza të organizuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë në bashkëpunim me ne, ku përfaqësuesit e opozitës ngrihen dhe ikin. Lexojnë trakte politike, deklarata që mund të bëheshin fare mirë nga zyrat e partive, i diskutojnë në këto tryeza ku duhet të diskutohen zgjidhje, të jepen opinione. Kemi një draft të plotë të të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR,jemi të gatshëm që atë ta kthejmë në ligj, ekzaktësisht siç i ka rekomanduar OSBE/ODIHR dhe madje kemi shkuar edhe më tej dhe kemi thënë, sillni ju propozimet tuaja dhe ne jemi të gatshëm t’i votojmë, por ne nuk mund të presim kënd dhe të zvarrisim një proces të tërë i cili është i lidhur ngushtësisht edhe më rrugën tonë të integrimit europian”, deklaroi Spiropali.

“Askush nuk na vendos dot kusht dhe kushtet nuk mund të jenë arsye për të penguar procesin”, nënvizoi Spiropali, duke shtuar se “do të ishte mirë që opozita jashtë parlamentare të bjerë dakord me rekomandimet e OSBE/ODIHR se aty nuk ka as çudira as surpriza, janë e zeza mbi të bardhë, por për çështje që shkojnë përtej nesh, nuk kemi asnjë kompleks jemi të hapur t’i diskutojmë në tryezë”.

Përsa i përket deklaratës së Bashës, ministrja thekson se “mund t’i besosh dhe të marrësh seriozisht një njeri i cili kur ka vënë ultimatume më parë i kanë ecur dhe thua po, ky është një njeri që i qëndron fjalës dhe ka një plan. Po një njeri që ka thënë se zgjedhjet me 30 qershor nuk do të bëhen se jemi ne këtu dhe zgjedhjet u bënë, një person që ka thënë se këtu do të ketë revolucion nëse Edi Rama nuk ikën dhe ja ku është Edi Rama, një njeri që ka kaluar nga Rama ik te Gjiknuri ik dhe gjithë kohën është duke ndryshuar strategjinë e tij elektorale. Më vjen keq po këto shantazhe mund të bëhen në kopësht, por nuk bëhen në mjedisin tonë politik sepse e para nuk mund të zgjedhësh dot tryezën ku je, e dyta nuk zgjedh dot kundërshtarët, kryeministri të ikë, ai tjetri të ikë, këta të gjithë të ikin se do të vijmë ne”, theksoi ministrja.

“Do të vish po, por në bazë të rregullave, me votë kur njerëzit të besojnë. Këta janë katandisur në pikën ku nuk ke më ku ti kapësh. A duam ne që këta të vinë në tryezë? Patjetër. Jemi shumë të gatshëm, çdo platformë që këta ta prezantojnë që ka të bëjë me rregullat e lojës, rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe atë që ne e bashkëndajmë ne jemi të gatshëm ti dëgjojmë dhe ti kthejmë në ligje. Ama, shantazhe të tilla nuk bëjnë dot. Edhe vetë e kanë kuptuar se vëmë re se opozita jashtëparlamentare po merr një kthesë”, tha ajo.

Ministrja riktheksoi se “mazhoranca është e gatshme të ulet në çdo tryezë për të diskutuar, por jo për të bërë pazare me opozitën”

“Ne të gjithë si faktorë politik duhet të jemi në një mendje dhe në një drejtim për këtë proces. Të kemi interesin kombëtar të parin pastaj analizat partiake. Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo tryezë, të diskutojmë, të mos bëjmë deklarata politike por të gjejmë zgjidhje, ama brenda Kushtetutës dhe ligjshmërisë dhe aspak jashtë kornizave. Nuk duam dhe nuk do të bëjmë pazar me ta. Për ne nuk ka kthim pas në Reformën në Drejtësi, që ka qenë një nga kërkesat e artikuluara nga Basha. E vetmja gjë që mund të bëjmë është reforma zgjedhore dhe këtë duam ta bëjmë bashkarisht. Më tolerancë dhe konsensus se kaq nuk besoj se ka ushtruar ndonjë qeveri më parë”, tha ministrja Spiropali./atsh

Spiropali: Të gatshëm për dialog, por jo për të bërë pazare me opozitën Read More »

IPARD/ Mbi 57 milionë euro në dispozicion të fermerëve në thirrjen e dytë

57.68 milionë euro është buxheti i përgjithshëm i Programit IPARD II, në dispozicion të thirrjes së dytë që hapet nga data 30 tetor deri më 16 dhjetor 2019, për mbështetjen e investimeve në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, e akreditur nga Bashkimi Europian për zbatimin e këtij programi, bën të ditur se nga buxheti total për për thirrjen e dytë të IPARD II, 75% ose 43.26 milionë euro janë kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 milionë euro kontribut i buxhetit qeverisë shqiptare.

Programi mbështet me grante që prekin shifrat nga 10 mijë euro në 2 milionë euro për investimet në tre masa kryesore.

Konkretisht për “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” Masa 1: me buxhet total 24.05 milionë euro, me një minimum prej 10,000 euro dhe maksimum 500,000 euro. Përqindja e mbështetjes është 60% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70% për investimet në zonat malore.

“Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” Masa 3: me buxhet total 22.75 milion euro, me një minimum 25,000 euro dhe maksimum 2,000,000 euro. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

“Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” Masa 7: me buxhet total 10.87 milionë euro me një minimum 10,000 euro, maksimumi 400,000 euro. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 65% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit. atsh

IPARD/ Mbi 57 milionë euro në dispozicion të fermerëve në thirrjen e dytë Read More »

“BE të nisë bisedimet me Shqipërinë”, ministri finlandez: Problemet e brendshme të disa shteteve nuk duhet të pengojnë zgjerimin

Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, ka theksuar të mërkurën se qeveria finlandeze mbështet Shqipërinë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Ministri finlandez, gjatë vizitës së tij në Tiranë, nënvizoi se problemet e brendshme të vendeve të BE nuk duhet të influencojnë në zgjerimin e saj drejt Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndodhen në Europë dhe BE duhet të vijojë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Haavisto theksoi gjithashtu se vendi tij është mjaft i kënaqur nga bashkëpunimi me Shqipërinë.

Deklarata e Haavisto u bë sot, gjatë një konferencë të përbashkët me ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

“Edhe për mua është kënaqësi që jam këtu në Tiranë. Patëm një bashkëbisedim të shkëlqyer me ministrin dhe stafin e ministrisë. Pikësëpari, faleminderit për ngushëllimet për viktimat e sulmit të tmerrshëm në shkollë që ndodhi në pjesën lindore të Finlandës, ku pati dhe shumë studentë të plagosur. Dua gjithashtu të shpreh keqardhjen për tërmetin që ndodhi në fund të shtatorit këtu në Shqipëri. Qeveria finlandeze dhe Bashkimi Europian kanë dërguar disa ndihma për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti”, – tha ai.

“Kjo nuk është hera e parë që takohemi, kemi pasur takime të shpeshta dhe frutdhënëse. Kemi qenë në Helsinkit. Finlanda në fillim të qershorit mori presidencën në BE. Qeveria jonë është një koalicion me pesë parti. Kemi një program ambicioz, jo vetëm në lidhje me zgjerimin e BE, por dhe sa i takon klimës dhe mjedisit, duke i vendosur BE objektiva ambicioze për t’u realizuar deri në vitin 2050. Ne jemi mbështetës të mirë, të fortë për zgjerimin e BE drejt Ballkanit Perëndimor”, – tha Haavisto.

“Ballkani Perëndimor nuk është në një cep të Europës, por është në qendër të Europës. Ne mbështesim bashkëbisedimet që po zhvillohen me Malin e Zi dhe Serbinë dhe tani duam që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të nisin bisedimet. Ne nuk jemi të vetëm në marrjen e vendimit, por duhet që vendimi të ketë unanimitetin e të gjitha vendeve anëtare të BE”.

“Jemi në bisedime me gjithë vendet, por dhe me Tiranën në lidhje me progresin e bërë në shtetin ligjor, lirinë e shtypit, çështjen e të drejtave të njeriut, transparencës, jetën parlamentare, që janë shumë të rëndësishme, prandaj ju nxis të vijoni në rrugën që keni ndjekur deri tani. Këto ndryshime nuk bëhen për shkak të anëtarësimit në BE, por për zhvillimin tuaj. Ju jeni pjesë e Europës”, – theksoi Haavisto.

“Ka disa shtete në BE, që kanë problemet e tyre të brendshme, që nuk po ecin siç duhet. Por, problemet e tyre të brendshme s’kanë pse ta pengojnë procesin e zgjerimit. Ne jemi shumë të lumtur për të bashkëpunuar me Shqipërinë në shumë fusha. Jeni kandidat për Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, do nisni presidencën në OSBE, detyrë shumë e rëndësishme që ne në Finlandë e ndjekim me shumë vëmendje. Jeni vend anëtar i NATO-s dhe jemi shumë të kënaqur që jeni në këtë aleancë”, përfundoi Haavisto. /atsh

“BE të nisë bisedimet me Shqipërinë”, ministri finlandez: Problemet e brendshme të disa shteteve nuk duhet të pengojnë zgjerimin Read More »

Siguria në trafik, policia informon nxënësit

Njësia e Trafikut Rajonal të Policisë në Mitrovicë, në vazhdën e angazhimeve dhe qasjen aktive në ofrimin e sigurisë në shkolla, ashtu edhe në fushën e vetëdijesimit dhe parandalimit, që nga fillimi i vitit të ri shkollor 2019-2020, ka vazhduar me implementimin e planit të veprimit ‘siguria në shkolla’.

Sipas Policisë, gjatë muajit shtator zyrtarët policorë kanë mbajtur ligjërata me nxënës të shkollave me temën ‘Njohuri elementare për sigurinë në trafikun rrugor’, ku kryesisht janë përfshirë nxënës të ciklit të ulët.

“Gjatë kësaj kohe ligjëratat i kanë dëgjuar rreth 600 nxënës të 13 shkollave të ndryshme në rajonin e Mitrovicës. Këto ligjërata janë mbajtur nëpër hapësirat shkollore, ku në këtë fazë janë përfshirë shkollat fillore të cilat kanë qasje në rrugë rajonale dhe magjistrale në komunat Mitrovicë, Skenderaj e Vushtrri. Ligjëratat kanë për synim të plotësojnë nxënësit me njohuri shtesë dhe të domosdoshme në fushën e rregullave primare të sigurisë në trafik. Përveç ligjëratave teorike në fushën e sigurisë në trafik, nxënësve u janë ofruar edhe fletëpalosje me ilustrime të rregullave primare e elementare për sigurinë në trafik. Angazhimet policore për ofrimin e sigurisë, si dhe lëmin e këshillimit, edukimit dhe aktiviteteve tjera parandaluese do të jenë të vazhdueshme përgjatë gjith vitit shkollor”, thuhet në njoftimin e Policisë./KosovaPress/

Siguria në trafik, policia informon nxënësit Read More »

Gjirokastër, masa për përputhje me strategjitё kombёtare të arsimit parauniversitar

Në institucionin e Prefektit u zhvillua ditën e sotme një takim pune me drejtoreshën e Zyrës Vendore të Arsimit Gjirokastër- Libohovë-Dropull, Albana Hasani me qëllim trajtimin e problematikave të ndryshme dhe marrjen e masave në pёrputhje me politikat, strategjitё kombёtare dhe kurrikulёn e arsimit parauniversitar të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, i uroi suksese në detyrën e re Hasanit dhe vlerësoi punën e bërë gjatë këtij viti në kuadër të mbarëvajtjes së procesit mësimor, si dhe në cilësinë e arsimit parauniversitar në qarkun tonë.

Ndër të tjera, Prefekti i qarkut kërkoi nga ana e ZVA Gjirokastër-Libohovë-Dropull raportime jo vetëm mujore duke qenë se arsimi është prioritet i institucionit të Prefektit të qarkut Gjirokastër.

Gjatë këtij takimi u diskutua në lidhje me problematikat më të ndjeshme që kanë të bëjnë me çështjen e arsimit të tilla vlerësimet e dosjeve të mësuesve, lëvizjen e nxënësve në shkollat e qytetit, lëvizjet paralele të mësuesve,etj.

Nga ana e drejtoreshës Hasani u paraqitën situatat aktuale të çështjeve të diskutuara dhe masat e marra për zgjidhjen e tyre nga ana e ZVA Gjirokastër.

Në përfundim të takimit, Prefekti i qarkut theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me të gjitha ZVA e qarkut Gjirokastër si dhe me institucionet arsimore në drejtim të përmirësimit të cilësisë së arsimit.//atsh

Gjirokastër, masa për përputhje me strategjitё kombёtare të arsimit parauniversitar Read More »

Kumbaro: Të gjithë bashkë në emër të interesit kombëtar

E ftuar në një studio televizive, deputetja e PS, Mirela Kumbaro foli për integrimin europian të Shqipërisë duke thënë se në këtë rrugë, duhet të jemi të gjithë bashkë në emër të interesit kombëtar.

“Duke patur parasysh datën e rëndësishme që na ofrohet lidhur me integrimin europian, ne na duhet që të jemi të gjithë në tavolinë dhe besoj që askush nuk e ka monopolin të vendosë kush nuk duhet të jetë. Unë besoj dhe këtë e them në emër të mazhorancës, që duhet të jemi të gjithë. Përtej inateve, përtej problemeve të brendshme partiake që mund të ketë, ka një interes që shkon përtej kësaj. Është interesi kombëtar. Këtu, nëse duhet t’i japim dorën njëri-tjetrit, duhet t’ia japim për hir të interesit kombëtar i cili në fakt na detyron që të heqim dorë nga ajo që në fakt presidenti e ka quajtur teka, qoftë dhe të opozitës”, – tha Kumbaro.

Ndërkohë duke folur për Po-në e Bundestagut gjerman, ajo tha se kushtet e paraqitura janë detyra që janë duke u kryer. “Ato që listoi vendimi i Bundestagut gjerman që u quajtën kushte, nuk janë gjë tjetër përveç se një përputhje pikë për pikë me ato detyra që ne i kemi vënë vetes dhe që jemi në një kalendar duke i zhvilluar”, – u shpreh Kumbaro.

Kumbaro u ndal edhe tek raporti i Komisionit të Venecias për ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit Meta. “E rëndësishme për mua, si qytetare, si deputete, – nënvizon Kumbaro, – është fakti që ai mendim paraprak i quajti legjitime zgjedhjet e 30 qershorit. Nëse Komisioni i Venecias e quan tejkalim të kompetencave kushtetuese të presidentit nxjerrjen e dekreteve, do të thotë që mbetet në fuqi dekreti kushtetues, ai me të cilin KQZ zhvilloi dhe organizoi zgjedhjet vendore në 30 qershor”. /atsh

Kumbaro: Të gjithë bashkë në emër të interesit kombëtar Read More »

Shalsi: Papunësia në kuotat më të ulta historike. Në shtator u hapën 12 000 biznese

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi ka theksuar të mërkurën në mbrëmje, se papunësia është në kuotat më të ulta historike 11,7%.

Gjatë një interviste televizive, ministri Shalsi, theksoi se qeveria është e fokusuar në kualifikimin e fuqisë punëtore. Duke folur për rritjen ekonomike ai tha se luhatjet janë normale, në një proces të vazhdueshëm të rritjes ekonomike, teksa shtoi se gjatë muajit shtator numërohen rreth 12 000 biznese të hapura.

“Nëse do t’i referohemi shifrave, papunësia është në kuotat më të ulta historike 11,7%. Nga ana tjetër po bëjmë çmos për kualifikimin e fuqisë punëtore. Ka disa paradokse, kur vjen puna për të interpretuar të dhëna dhe shifra të ndryshme. Unë sapo jam kthyer nga një vizitë në vendet e Lindjes dhe sot Çekia, Sllovenia, Rumania, po ndeshen me vështirësi për kushte më të mira pune dhe paga më të mira. Sot është e vështirë të ndalosh një të ri që gjen kushte më të mira në Gjermani apo vende të tjera të Europës”, – tha Shalsi.

Ministri shtoi se “nëse lexojmë raportin e fundit të shqiptarëve që dalin jashtë Shqipërisë për turizëm është në terma krahasueshme me vendet e zhvilluara. Nga ana tjetër kam një të dhënë, mesatarja e shpenzimeve familjare ka shkuar 74 mijë lekë të reja në muaj. Çështja është se ku jemi, ku e kemi potencialin dhe ku duhet të shkojmë. Sot kemi gjatë muajit shtator 12 000 biznese të hapura dhe 4 000 biznese të mbyllura”.

Duke folur për rritjen ekonomike, sipas Shalsit, në rast se merr qeverisjen kur rritja ekonomike e trashëguar është 0% dhe tenton të rritesh me shpejtësi, ndodh që të kesh dhe luhatje të tilla.

“Në fakt parashikimi për rritje ekonomike nuk kanë qenë vetëm të qeverisë, por edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare. Projeksionin e tyre, institucionet financiare ndërkombëtare e kanë bazuar në disa parametra të cilat janë reale”, – tha Shalsi.

“Dy janë faktorët kryesorë që kanë sjell luhatje. Një është sektori i lojërave të fatit, zyrtarisht i njohur si zëri i ‘Arte dhe Argëtim’ dhe e dyta është sektori energjetik, që për shkak të thatësirës ka ndikuar jo pak”, – theksoi Shalsi.

“Nëse disa vite më parë kishim sektorin energjetik në kolaps, ku gjysma e shqiptarëve nuk e paguante energjinë elektrike, sot e paguajnë dhe ky sektorë e ka kaluar rrezikun. Shqipëria ka nevojë për një stabilitet strukturor në gjenerimin e të ardhurave. Kur shkon nga një rritje ekonomike 0% dhe tenton të ngrihesh, dhe ke një ngritje të vazhdueshme ekonomike, luhatje të tilla janë normale”, tha Shalsi./atsh

Shalsi: Papunësia në kuotat më të ulta historike. Në shtator u hapën 12 000 biznese Read More »

Braçe: Shega e Karavastasë prodhon, punëson dhe eksportohet

“Prodhimet e shegës së Karavastasë, eksportohen jashtë vendit, ndihmon ekonominë dhe rrit punësimin në zonë”, tha sot zv.kryeministri Erjon Braçe.

“Shega e Karavastasë! Nuk janë topat e vitit të ri; Këto janë shegë të kuqe, të pjekura dhe plot shije! Vjelë këtë të dielë dhe paketuar për eksport tani. Ky është prodhim që ndihmon ekonominë, punësimin gjithashtu!”, tha ai.

“Pra, është e rëndësishme që shega piqet, por me e rëndësishme se shega personale është ferma e shegëve që prodhon, punëson, eksporton! Faleminderit Shpëtimit, Ilirit, agronomeve, çdo punëtori në Bedat/Karavasta. Super punë!”, theksoi Braçe. /atsh

Braçe: Shega e Karavastasë prodhon, punëson dhe eksportohet Read More »