Aktualitet

Shqipëria drejt turizmit elitar/ Klosi: Lungomare e ka shndërruar Vlorën në perlë të turizmit mesdhetar

Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh në një emision televiziv për turizmin në vend ku nënvizoi se Lungomarja ka rritur shifrat e turistëve në Vlorë.

“Lungomare e ka rritur turizmin në Vlorë dhe e ka shndërruar atë në një perlë të turizmit mesdhetar dhe realizimi i plotë i Lungomares do e shndërrojë Vlorën në një pol shumë të fortë të turizmit shqiptar”, – tha ai.

Duke folur për zonën e jugut, Klosi tha se ajo zonë është projektuar si zonë elitare ku do ndërtohen hotele me 4 dhe 5 yje.

“Zona e jugut edhe në strategjinë tonë të zhvillimit të turizmit është projektuar e gjitha si zonë elitare ku edhe lejet për të ndërtuar hotele dhe strukturat akomoduese do të jenë të gjitha të standardeve 4 dhe 5 yje, sidomos 5 yje për ta afruar zonën elitare”.

“Zona e rërës do kërkojë që të ketë masë dhe do ketë hotele masive”, – vazhdoi Klosi duke thënë se, – “Sot Golemi është destinacioni kryesore sepse ka hapësira për të pritur shumë turistë sepse ajo që do të ndodhë është kjo hotelomania që shumë biznese po kërkojnë të bëjnë vila dhe hotele dhe ky besoj është hapi i 2-të, për të shkuar te hapi i 3-të, turizmi elitar.”

Duke prekur edhe zonën e veriut, ministri tha se Lezha ka një potencial shumë të madh dhe të pashfrytëzuar zhvillimi turistik. “Në Lezhë bëmë një mbyllje të sezonit para dy ditësh dhe mendimi im, nëse ka një destination në Shqipëri që do zhvillohet HST destinacioni i Shëngjin-Velipojës që ka përmasa të mëdha të pashfrytëzuara akoma. Shëngjini dhe Velipoja janë potencialet më të pazbuluara të turizmit shqiptar që është shumë e mundur të zhvillohet shpejt. Është destinacion sepse rruga e Kombit e ka bërë shumë të afërt dhe me Kosovën”, – u shpreh ministri.

E gjithë zona e Shëngjinit dhe Velipojës do të kontribuojnë që Shqipëria më në fund të shihet si një destinacion i bukur për turizëm.

“Kam qenë në Lezhë në dy aktivitete shumë interesante. I pari ishte një organizim i një festivali për të rinj që Ministria e Turizmit bëri së bashku me një kompani të huaj për të organizuar një festival ku në zonën e Shëngjinit erdhën rreth 5000 të rinj dhe ishte një spektakël. Kam bindjen që vazhdimi i këtyre lloj aktivitetesh dhe nëse shkojnë në 10 festivale për vitin tjetër, shpresoj se do jemi tamam në startin e paraqitjes së Shqipërisë si një zonë shumë të bukur për turizmin”, – tha ministri Klosi.atsh

Shqipëria drejt turizmit elitar/ Klosi: Lungomare e ka shndërruar Vlorën në perlë të turizmit mesdhetar Read More »

Pasojat nga tërmeti, Qeveria cakton 6 milionë dollarë nga fondi rezervë

Qeveria ka miratuar një fond prej 6 milionë dollarësh për përballimin e nevojave të familjeve të dëmtuara nga tërmeti dhe përmbytjet që pasuan 21 shtatorin. Gjatë konferencës për shtyp pas marrjes së këtij vendimi, Kryeministri ka deklaruar se kjo shifër marrë nga fondi rezervë i emergjencave në buxhet do të plotësohet nëse bilanci i dëmeve rritet.

“Kemi vendosur pjesën e fondit rezervë në aktin normativ dhe janë rreth 6 milion dollarë në dispozicion sot, por është një shifër bazë, sepse kostot janë më të larta dhe do duhet të plotësohen edhe me elementë të tjerë”, – u shpreh Kryeministri.

Ai tha se shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti do të rindërtohen.

“Ne atyre që kanë humbur shtëpinë do u bëjmë shtëpinë. Lojëra me lekë nëpër duar nuk do ketë. Kush ka humbur shtëpinë do të marrë shtëpinë. Kush do që ta bëjë vetë, është i lirë ta bëjë nuk do paguajë asnjë taksë. Kjo është ajo që do bëjmë”, – deklaroi Kreu i Qeverisë. /a.sh/j.p/

Pasojat nga tërmeti, Qeveria cakton 6 milionë dollarë nga fondi rezervë Read More »

Qershor-Gusht/ 13.1% më shumë turistë të huaj vizituan Shqipërinë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar

Shqipëria mbetet një ndër destinacionet e preferuara nga turistët e huaj dhe gjatë sezonit turistik të këtij viti.

Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria gjithnjë e më shumë po bën për vete turistë dhe vizitorë të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror.

Kryeministri Edi Rama bëri publike sot të dhënat e INSTAT për numrin e turistëve në periudhën qershor-gusht 2019.

“Mirëmëngjes me Shqipëria turistike që duam. Në periudhën qershor-gusht 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë rritur me + 13.1%, krahasuar me qershor-gusht 2018”, shprehet Rama.

Gjatë stinës së verës kulmon edhe interesi i turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët shprehin interes për turizmin bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor të Shqipërisë.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./atsh

Qershor-Gusht/ 13.1% më shumë turistë të huaj vizituan Shqipërinë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar Read More »

Kryemadhi: Rama t’u përgjigjet 5 pikave të opozitës, pastaj dialog

“Platforma me 5 pika, që i është dërguar kryeministrit Rama është një strukturë strategjike që kërkon palë nga mazhoranca dhe opozita për zgjidhjen e krizës politike”, tha sot në një prononcim për media para selisë së PD-së, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ndërsa theksoi se Rama t’u japë përgjigje pyetjeve dhe të vijë në PD.

Kryemadhi tha se “është një strukturë strategjike që thotë një palë nga mazhoranca, një palë nga opozita dhe një palë nga ndërkombëtarët. Ajo është një nga 9 pikat e kushteve të Bundestagut. E gjithë kjo strukturë dhe ato 9 kushte dhe janë të domosdoshme”.

Në lidhje me deklaratën e një dite më parë që Kryeministri bëri “se është i gatshëm të shkojë deri në PD për zgjidhjen e krizës politike”, Kryemadhi u shpreh se ai duhet të kthejë përgjigje për platformën dhe më pas të vijë për dialog në PD.

“Duhet të nxjerrim vendin nga kriza dhe t’i japim shansin të gjithëve për një jetë më të mirë. Kemi të pashprehur Francën dhe kemi Holandën me një qëndrim të frikshëm për Shqipërinë. Rama ka 5 kushte dhe duhet të kthejë njëherë përgjigje për ta dhe pastaj hajde në PD të flasim”, tha ajo. /atsh

Kryemadhi: Rama t’u përgjigjet 5 pikave të opozitës, pastaj dialog Read More »

IPARD II/ Hapet thirrja për aplikime, afat deri më 16 dhjetor

Hapet thirrja për aplikime në programin IPARD II mbështetje për bujqësinë, nga data 30 Tetor-16 Dhjetor 2019.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Autoriteti Menaxhues në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton (30 tetor-16 dhjetor) datën për çeljen e thirrjes së dytë për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të Programit IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim zhvillimin e Sektorit Agro-Ushqimor.

Thirrja është e hapur për të gjithë personat (persona fizikë dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor, ose të agro-përpunimit dhe rural me fokus në masat e mbështetjes : : “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët: Qumësht, mish, fruta, perime, vresht.

Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm: Qumështi dhe përpunimi i qumështit, përpunimi i mishit, përpunimi i frutave dhe perimeve, vera.

Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus të veçantë në sektorët e
mëposhtëm: Sigurimi dhe Prodhimi i bimëve medicinale dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative, kërmijve, Përpunimi dhe tregëtimi në nivel ferme i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat perimet dhe verës); Përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra apo të kultivuara, kërpudhave, vaji i ullirit, mjalti, peshku dhe produktet e peshkut, prodhimi dhe tregtimi i vajrave esenciale; Akuakultura (në ujëra të ëmbla dhe të kripur): Turizmi rural dhe i Natyrës; Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale; Punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures; Prodhimi i energjisë së rinovueshme.

Programi IPARD II bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian dhe mbështet me grande investimet në sektorin rural shqiptar. /atsh

IPARD II/ Hapet thirrja për aplikime, afat deri më 16 dhjetor Read More »

Tërmet artificial në PD/ Rama: Njësoj si një karrocë me kalë, t’i thotë një treni hap krahun

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “tërmeti në Partinë Demokratike është tërmet i realizuar me metoda artificiale, solidariteti im është për ata që janë prekur nga tërmeti natyral”.

Në konferencën për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjes për koment ndaj deklaratës së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, Kryeministri ka në dorë zgjidhjen e krizës politike dhe se keni në tryezën tuaj platformën antikrizë të opozitës së bashkuar dhe ose do të zgjidhni atë ose do të hapni krahun, Rama tha se “mendoj që më e rëndësishme sesa të harxhojmë kohën e njëri tjetrit dhe të njerëzve me procesin: “ai tha, por ti si thua”, le të merremi me njerëzit, me problemet reale”.

“Tërmetet artificiale unë kam në dorë t’i krijoj, por s’kam në dorë t’i parandaloj kur ndodhin diku tjetër. Tërmetet larg qoftë natyrale askush nga ne si ndalon dot, ajo që ne kemi në dorë është të bëjmë atë që kemi në dorë, atë çfarë nuk kemi në dorë as nuk e bëjmë dot dhe as më tepër nuk e imponojmë dot. Është njësoj si një karrocë me kalë, t’i thotë një treni hap krahun”, – nënvizoi Rama./atsh

Tërmet artificial në PD/ Rama: Njësoj si një karrocë me kalë, t’i thotë një treni hap krahun Read More »

Polica e sigurimit në ndërtim, Rama: Çmimi i jetës, i pakrahasueshëm me asnjë çmim tjetër

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se masa e qeverisë për të detyruar ndërtuesit të marrin policën e sigurimit do të mirëpritet nga të gjithë pasi vetëm kështu mund të përballohen fatkeqësi që sipas tij nuk mund të përkufizohen vetëm me tërmetet, pasi edhe përmbytjet po bëhen mjaft të shpeshta dhe shteti nuk mund të marrë gjithmonë përsipër koston e dëmshpërblimeve. I pyetur gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar ditën e mërkurë menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, ku u morën edhe një sërë vendimesh të rëndësishme në drejtim të përballimit të fatkeqësive të tilla natyrore, lidhur me faktin se një masë e tillë mund të rrisë çmimet e apartamenteve nga ana e ndërtuesve, Kryeministri tha jeta është gjithmonë e para dhe së për të nuk ka çmim.

“Së pari, çmimi i jetës është i pakrahasueshëm me asnjë çmim tjetër. Së dyti shpresoj që ata që ndjenë dhe e panë atë që të gjithë ndjenë dhe panë të mos harrojnë, sepse dhëntë Zoti mos e kemi një të dytë në kohën që na ka mbetur në tokë, ama është shumë e rëndësishme që të garantohet plotësisht që ajo që blen është ajo që paguan dhe është ajo që të takon. Kështu që, kjo ka një efekt të dyfishtë në raport me blerësin dhe të shumëfishtë në raport me komunitetin, shoqërinë dhe patjetër me pronën, sepse një ndërtues që shkel lejen, thashë, të paktën me këtë test, që nuk ishte një test i lehtë, edhe godinat me shkelje nuk kanë shfaqur shenja pasojash, sepse me sa duket janë ndërtuar me themele shumë të forta me idenë që të shtojmë ujë e të shtojmë miell gjatë kohës. Pra të fokusohemi te nevoja që kemi dhe të mos harrojmë që godinat me shkelje cenojnë edhe pronën e të tjerëve rreth e rrotull, cënojnë komunitetin, ambientin, etj.. Kështu që, nuk besoj se kjo masë nuk do përshëndetet nga kushdo që ka pasoja tërmetesh artificiale në sferën ku strehohet dhe nuk është se e shpikëm ne. Është një masë që përdoret në të gjithë botën,” u shpreh Kryeministri Rama.

Sipas tij, futja e kompanive të sigurimit besoj është e domosdoshme. “Është një marrëdhënie e mbyllur, jo e hapur që shkojnë njerëzit blejnë apartamente dhe pastaj ngelen me gisht në gojë, sepse nuk e kanë pronën e tyre, edhe pse jetojnë aty, pra kanë një strehë dhe s’kanë një pronë, as nuk e shesin dot, as nuk e vendosin dot kolateral, sepse kur shkojnë në hipotekë është diçka që nuk mund të regjistrohet. Ky është një mashtrim që duhet të marrë fund. Pastaj ankohen te shteti ndërkohë që është marrëdhënie palësh dhe ajo duhet garantuar dhe atë marrëdhënie palësh nuk mund ta garantojë dot askush por e garanton vetëm ligji dhe sistemi i mbrojtjes që krijohet me ligj. Kështu që, futja e kompanive të sigurimit besoj është e domosdoshme, aq më tepër që është dhënë edhe informacioni mbi dëmshpërblimin e menjëhershëm nga kompani sigurimi të një numri jo të vogël familjesh. Këto familje, që nuk më rezulton se ishin familje të pasurish, kanë pasur urtësinë që të sigurojnë banesat, apo apartamentet e tyre dhe sot që flasim nuk janë në pritje të planeve tona por kanë marrë menjëherë ndihmë nga kompani sigurimi. Për më tepër, s’është çështje thjesht tërmeti, por kemi përmbytjet që janë për 1001 arsye të shpeshtuara së fundmi. E patë dhe e shikoni vazhdimisht çfarë ndodhi vetëm para pak ditësh jo shumë larg Shqipërisë. Këto duhet të përfshihen të gjitha në një sistem sigurimesh sic e ka e gjithë bota normale. Kush dëmtohet, së paku është i siguruar që do marrë mbrapsht atë që ka humbur,” deklaroi kreu i qeverisë. /atsh

Polica e sigurimit në ndërtim, Rama: Çmimi i jetës, i pakrahasueshëm me asnjë çmim tjetër Read More »

Krijohet policia vullnetare/ Kushtet për t’u bërë pjesë

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin organizmin dhe funksionimin e policimit vullnetar.

Sipas vendimit të publikuar nga Këshilli i Ministrave, Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me këto të fundit për sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare. Për dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale.

Po ashtu për dhënien e ndihmës për rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore. Për kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit, si edhe për përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv.

Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili caktohet nga drejtuesi i strukturës vendore. Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.

Sipas vendimit të qeverisë, kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë 6. Të jetë shtetas shqiptar;Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar; Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike; Të ketë përfunduar arsimin e mesëm; Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; Të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

Po ashtu janë dhe tre kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë. Kështu shtetasit vullnetar duhet të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë dhe të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.

Polici vullnetar sipas vendimit të marrë sot na Këshilli i Ministrave, ka të drejtë: Të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet, përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit. Të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, në ndihmë të strukturave policore;
Të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, të përcaktuara me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë; Të kërkojë në mënyrë individuale vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e punës vullnetare të dhënë prej tij nga struktura vendore e policisë; Të kryejë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas programeve të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Polici vullnetar gjatë shërbimit dheose jashtë tij ka përgjegjësi: Të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm; Të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit, për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit; Të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit; Të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar; Të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi në nivel vendor i Policisë së Shtetit. Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij të kryera në kundërshtim me ligjin.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për përzgjedhjen, trajnimin, organizimin, drejtimin dhe trajtimin e policit vullnetar. Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë. Kontrata e vullnetarizmit përcakton të drejtat, detyrat, kushtet dhe kriteret e nevojshme për kryerjen e shërbimit të policimit vullnetar.

Forma dhe përmbajtja e kontratës tip, efektet, kohëzgjatja, përfundimi apo zgjidhja e saj, si dhe procedurat e ankimit, të pranimit dhe të ushtrimit të së drejtës së ankimit përcaktohen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, nxjerr aktet nënligjore në zbatim të tij. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi./atsh

Krijohet policia vullnetare/ Kushtet për t’u bërë pjesë Read More »