Aktualitet

Prokurori i Durrësit që përfaqësoi interesat e krimit dhe të tjerë të larguar nga vetingu, nuk do i shpëtojnë ndëshkimit

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se asnjë nga njerëzit e drejtësisë që përpiqen të përfitojnë çfarë të mundin përpara se të spastrohen nga sistemi përmes Vetingut, nuk do mbetet pa u ndëshkuar.

Duke iu referuar rastit të prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji, i cili ka shantazhuar ish-kreun e Kadastrës së Durrësit, Kryeministri tha se drejtësia do të vendoset shumë shpejt.

“Fatkeqësisht po shohim që pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka edhe një efekt negativ të përkohshëm, por shumë të rëndë mbi qytetarët, sepse shumë prokurorë e gjykatës, që janë të zhytur deri në fyt dhe që e dinë shumë mirë që s’kanë asnjë shans ta kalojnë Vetingun, po e shfrytëzojnë pushtetin që iu jep ligji me moton “të kapim, çfarë të kapim”. Ju e patë vetë, javën e kaluar, një rast flagrant i shkeljes së ligjit, i transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë në përfaqësues të interesave të krimit, që, sigurisht nuk do i shpëtojë ndëshkimit”, – u shpreh Rama gjatë takimit të përjavshëm të Bashkëqeverisjes.

Kryeministri theksoi se sistemi i pastruar do pastrojë ata që ndëshkohen nga Vetingu një kusht detyrues ky i vënë edhe nga Bashkimi Europian.

“Dua ta theksoj sot, atë që kam thënë që në ditën e parë, duke mirëkuptuar edhe mungesën e mirëkuptimit të qytetarëve, edhe qytetarë të dëshpëruar që thonë “pse kjo ishte” dhe që nuk kuptojnë, apo janë të papredispozuar psikologjikisht të kuptojnë që ndërrimi i një sistemi drejtësie kërkon kohë, ajo që kam thënë që në krye të herës ka qenë që, Vetingu do pastrojë dhe sistemi i pastruar do pastrojë ata që ndëshkohen nga Vetingu. Më vjen shumë mirë që, ky është kthyer edhe në një kusht detyrues nga BE,” u shpreh Kryeministri.

Kreu i qeverisë ishte mjaft i qartë kur tha se asnjë përfitim në rrugë kriminale nuk do mbetet pa u gjykuar dhe se të çdo pasuri e paligjshme e vënë nga gjyqtarë e prokurorë me të tilla manovra do të sekuestrohet.

“Të jenë të sigurt të gjithë që ata të cilët Vetingu i përjashton do të rikthehen para prokurorëve, gjykatësve për të dhënë llogari për pasuritë e tyre të pajustifikuara! Të jenë të sigurt të gjithë ata që bëjnë krime, edhe sot që flasim, ndaj qytetarëve për të përfituar para të zezë deri dhe për të marrë “rroga”, shpërblime të majme nga organizata kriminale, se, drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë!” – u shpreh Kryeministri Edi Rama. /atsh

Prokurori i Durrësit që përfaqësoi interesat e krimit dhe të tjerë të larguar nga vetingu, nuk do i shpëtojnë ndëshkimit Read More »

Hajdari: Sistemi zgjedhor i Kosovës duhet të jetë frymëzim për vendin tonë

Kryetarja e e grupit parlamentar të opozitës, Rudina Hajdari, deklaroi sot se zgjedhjet në Kosovë, treguan se sistemi zgjedhor është i orientuar nga qytetarët, sistem i cili duhet të jetë frymëzim për vendin tonë.

“Urime Kosovës për zgjedhjet e lira dhe që të gjitha palët politike pranuan rezultatet me qetësi. Kosova tregoi që është një shtet me një demokraci që po rritet dita-ditës dhe duhet të jetë frymëzim edhe për vendin tonë”, – tha ajo.

Hajdari thekson se sistemi zgjedhor i Kosovës duhet të jetë frymëzim për vendin tonë.

“Sistemi zgjedhor i Kosovës është një sistem i orientuar drejt qytetarëve, duke i dhënë mundësi atyre që mbjellin shpresë tek njerëzit të votohen dhe të qeverisin vendin. Ky sistem zgjedhor duhet të jetë frymëzim për vendin tonë për të çrrënjosur ata që kanë mbytur shpresën në Shqipëri. Politikanët tanë i druhen një sistemi të tillë pikërisht, sepse rrezikohet elita e vjetër politike e këtij vendi, të cilët duan të mbajnë pushtetin e tyre me çdo kusht, duke mos u interesuar interesi publik”, – tha ajo.

Po ashtu, Hajdari tha se politikanët shqiptarë që urojnë Kosovën sot, refuzojnë sistemin e ri zgjedhor.

“Është ironik fakti që janë pikërisht këta që urojnë Kosovën sot, që me “mbipushtetin” që kanë, mbajnë vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë mbrapa. Ndërkohë nga ana tjetër refuzojnë të konsiderojnë një sistem të ri më demokratik dhe më përfaqësues, vetëm e vetëm për të mbajtur karriget e tyre, duke e lënë vendin në një krizë politike dhe institucionale”, – thekson ajo.

Në fund Hajdari shprehu urimet për zgjebet në Kosovë për frymën e re që u përcoll në zgjedhje.

“Urime Kosovë për frymën e re që përçove dhe shembullin e një demokracie që kur ekziston vullneti politik, mund të forcohet dhe të jetë funksionale”, – u shpreh ajo./atsh

Hajdari: Sistemi zgjedhor i Kosovës duhet të jetë frymëzim për vendin tonë Read More »

Soreca: Gjyqtarët si mjekët, ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca i krahasoi sot gjyqtarët me mjekët. Ata, tha ai, “ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato nëse janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm”.

Duke folur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të rinj të shkollës së Magjistraturës ai ka inkurajuar gjeneratën e re të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë diplomuar. Ai uroi 25 magjistratët e rinj nga Shkolla Shqiptare e Magjistraturës që morën diplomën e tyre sot.

“Diplomimi juaj është i rëndësishëm sot më shumë se kurrë. Ju përfaqësoni shpresën e ardhshme të sistemit të drejtësisë dhe pritshmëritë e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ne flasim shumë për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë, dhe këto janë me rëndësi thelbësore, por ajo që me të vërtetë ka rëndësi dhe që do të vihet vazhdimisht në provë është integriteti juaj personal. Zgjedhjet që do të duhet të bëni kur të jeni nën presion, dhe të jeni të sigurt se do të ketë presion, ato do të jenë më të vështirat në shërbimin tuaj ndaj drejtësisë”, – tha Soreca.

“Kam pasur fatin në jetë të frymëzohem nga magjistratë të mëdhenj. Individë që nuk kishin frikë nga asgjë, përveç një gjëje: se nuk do të arrinin t’i shërbenin drejtësisë! Ata frymëzuan brezat e ardhshëm, ata e bënë një komb krenar. Tani ju e keni atë detyrë, të frymëzoni brezat e ardhshëm dhe ta bëni një komb krenar dhe besimplotë në sistemin e drejtësisë. Unë, personalisht, besoj se kjo ndjenjë është motivimi më i madh me të cilin mund të punohet dhe patjetër që ka shpërblimin më të madh që mund të ëndërrosh”, – u shpreh ai.

“Urime shkollës, profesorëve të drejtësisë dhe të gjithë kolegëve tuaj më të vjetër për ndihmën, mësimdhënien dhe mbështetjen që ju kanë dhënë gjatë studimeve. Të mësuarit për një magjistrat nuk mbaron kurrë dhe ju e dini më mirë se unë, por ju e kaluat me sukses provimin e hyrjes dhe të gjitha provimet e tjera që mund të ofrojë kjo shkollë. Ne në BE jemi do të mbështesim të mësuarit tuaj të vazhdueshëm, përmes projekteve, trajnimeve dhe ekspertizës sonë ligjore. Ekzistojnë disa instrumente në nivel evropian nga të cilat mund të mësoni dhe të shkëmbeni eksperiencat me kolegë të tjerë në sistem. Shfrytëzojini ato”, – theksoi ambasadori Soreca.

“Një herë, një koleg gjyqtar më tha: “Gjyqtarët janë si mjekët. Ata ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato nëse janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm”. Nuk ka asgjë më të keqe dhe më shkatërrimtare për shpirtin sesa padrejtësia apo drejtësia e vonuar. Pra, ndërsa jeni krenarë sot dhe me të drejtë, ju keni edhe një përgjegjësi të re të madhe për nesër. Krenohuni me arritjet tuaja dhe shërbeni me përulësi nesër. Paçi të gjithë një karrierë të shkëlqyer përpara! Gjithashtu, një urim i madh për familjet, partnerët apo miqtë tuaj që janë sot këtu dhe janë po aq krenarë për ju!” – tha Soreca./atsh

Soreca: Gjyqtarët si mjekët, ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato Read More »

Bylykbashi: Zgjedhjet në Kosovë, leksion për politikën shqiptare

“Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë një leksion i madh për politikën ‎shqiptare, por mbi të gjitha janë një këmbanë e fortë për qeverinë. Zgjedhjet demokratike kërkojnë vullnet politik”, tha sot ish-bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, ndërsa thekson se zgjidhja qëndron te plani me pesë pika i opozitës.

Në një deklaratë për mediet, Bylykbashi tha se “Kosova dha një mësim të madh se zgjedhjet bëhen demokratike, kur në vend të parë vjen interesi i zgjedhësve dhe kur qeveria ka vullnet për të zbatuar ligjin,‎ që garanton të drejtën e zgjedhësve dhe të kandidatëve që konkurrojnë të lirë e pa presion”.

Po ashtu Bylykbashi tha se Partia Demokratike është e angazhuar për të gjitha këto, në mënyrë që t’u sigurojë shqiptarëve zgjedhje demokratike dhe rotacion demokratik me votë.‎

“Partia Demokratike është e bindur që vetëm zbatimi i plotë dhe i vërtetë i rekomandimeve të ODIHR na hap rrugën për zgjedhje demokratike dhe për këtë ka propozuar një plan me pesë pika, në bazë të të cilit qëndron vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme”, – thekson ai./atsh

Bylykbashi: Zgjedhjet në Kosovë, leksion për politikën shqiptare Read More »

Thaçi për zgjedhjet: Kosova dëshmoi pjekuri të lartë politike

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi uroi qytetarët e Kosovës për zgjedhjet që ai i ka quajtur shembullore.

Sipas tij Kosova dëshmoi edhe njëherë pjekuri të lartë politike dhe demokratike.

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tani të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”. /KosovaPress/

Thaçi për zgjedhjet: Kosova dëshmoi pjekuri të lartë politike Read More »

OSHEE: 250 milionë lekë investime në 4 vitet e fundit

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, me investimet në rritje vit pas viti në drejtim të përmirësimit të rrjetit dhe të cilësisë së furnizimit të qytetarëve me energji elektrike ka arritur sot të të reduktojë jo vetëm ndërprerjet e paplanifikuara dhe kohën e riparimit të dëmit të shkaktuar, por edhe nivelin e humbjeve në rrjet çka shkaktonte një gropë të madhe në buxhetin e kësaj kompanie.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga OSHEE, në saj të investimeve që në 4 vitet e fundit kanë arritur në plot 250 milionë lekë është arritur që sot të ketë 44% më pak ndërprerje të paplanifikuara të energjisë, periudhë kjo e krahasuar me dy vite më parë.

“Investimet tona, falë kontributit tuaj, nuk ulin vetëm nivelin e humbjeve dhe abuzimet, por rrisin edhe cilësinë e furnizimit me energji”, shprehet OSHEE.

Nga ana tjetër Operatori i Shpërndarjes deklaron se në në të njëjtën periudhë kohe është mundësuar që të rritet me 67% koha e riparimit të defekteve në rrjet. Konkretisht në vitin 2017 nevojiteshin mesatarisht 53 minuta ndërsa në vitin 2019 skuadrat në terren arrijnë të riparojnë defektet në një kohë mesatare prej 20 minutash.

Gjithashtu, një tjetër element mjaft i rëndësishëm është pikërisht ofrimi i shërbimit të pandërprerë, duke bërë që sot të reduktohet me afro 30% koha e kufizimeve të energjisë elektrike për abonentët. /atsh

OSHEE: 250 milionë lekë investime në 4 vitet e fundit Read More »

Basha uron LDK dhe LVV: Kosova votoi për ndryshim

– “Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj si shtet demokratik. Populli i Kosovës votoi për ndryshim duke mandatuar opozitën për të udhëhequr në rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik”, deklaroi sot kryetari i PD-së Lulzim Basha, ndërsa i shprehu urimet më të përzemërta për fitoren e LVV dhe LDK, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Basha tha se forcat politike në Kosovë mbajtën qëndrim europian në zgjedhje.

“Përgëzime udhëheqësve të forcave të tjera politike garuese në këto zgjedhje që me qëndrimet e tyre europiane japin garanci për ecjen përpara të Kosovës”, tha ai.

Po ashtu Basha vlerësoi profesionalizmin e policisë si dhe pjesëmarrjen masive në zgjedhje të popullit të Kosovës.

“Dje populli i Kosovës dha një shembull frymëzues me pjesëmarrjen civile dhe masive në zgjedhje, Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm të lartë në ndalimin e menjëhershëm të atyre që cenuan sekretin e votës së lirë duke e fotografuar atë. Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionuese dhe se meriton sa më parë vendin dhe rolin e saj në të gjitha institucionet dhe proceset ndërkombëtare. Urime Kosovë!”, shprehet ai. /atsh

Basha uron LDK dhe LVV: Kosova votoi për ndryshim Read More »

Rama uron Kosovën për zgjedhjet e suksesshme parlamentare

Kryeministri Edi Rama uroi sot Kosovën për zgjedhjet e suksesshme parlamentare.

“Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën”, tha Rama.

Kosova zhvilloi dje zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në bazë të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197.966 vota ose 25,79%. E dyta është LDK 192.300 ose përkthyer në përqindje 25,05%.

Partia Demokratike e Kosovës është e treta dhe ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave.

Kurse, koalicioni AAK-PSD, ka marrë 89.287 vota ose 11,63%. Koalicioni Nisma socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re ka marrë 37.786 vota ose 4,92 për qind./atsh

Rama uron Kosovën për zgjedhjet e suksesshme parlamentare Read More »