Aktualitet

I përmbushëm detyrat jo një herë, por dy herë rresht. Ndërtojmë shtëpinë europiane në vendin tonë

“Kemi marrë një refuzim për t’u marrë në konsideratë për çeljen e negociatave mbrëmë, por nuk kemi marrë asgjë më shumë se kaq, rruga jonë është e njëjta pa asnjë ndryshim, sepse ato që kemi bërë deri tani e do të vazhdojmë të bëjmë i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë për vendin tonë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin në Detyrë për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mbi dështimin e konsensusit në Këshillin Europian, lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

“Nëse kemi bërë një reformë në drejtësi që vazhdon, natyrisht kemi bërë një reformë që nuk i është kërkuar fare disa prej vendeve që kanë hyrë në BE, jo përpara se të çelnin negociatat pro, as kur kanë qenë në përfundim të tyre, e kemi bërë se është gjëja e duhur për ne dhe popullin tonë”, – theksoi Rama.

Ashtu sikundër do të vazhdojmë, vijoi Kryeministri, po njësoj me plotësimin e parakushteve të vendosur në votën ‘Po’ të Bundestagut për reformën zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR dhe natyrisht në pritje të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Do vazhdojmë më pas me pjesën tjetër që ka të bëjë me pikë për pikë kërkesa të lidhura me funksionim më të mirë të shtetit tonë dhe të sistemit tonë të institucioneve dhe jo sepse e ka kërkuar Gjermania dhe nuk ka absolutisht asnjë lidhje ajo që do të ndodhë në muajt në vijim apo do të ndodhë përpara samitit të Zagrebit ne do t’i bëjmë apo s’do t’i bëjmë, do t’i bëjmë këto dhe gjithë të tjerat pa ndryshuar asgjë”, – theksoi Rama.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “kjo është një përplasje mes të mëdhenjve dhe është një lojë në thonjëza qasjesh dhe interesash që është shumë më e madhe se ne, qoftë ne si Shqipëri, qoftë ne si rajon. Ama nga ana tjetër askush nuk e ka përjashtuar dhe nuk e përjashton perspektivën e integrimit tonë si rajon dhe si vende në BE”.

“Në fund të fundit e kam thënë gjithmonë dhe është dita për ta përsëritur edhe më fort procesi i integrimit është një proces i transformimit të brendshëm nuk është një proces për t’iu pëlqyer të tjerëve, një transformim i brendshëm që përputh legjislacionin’, përputh sistemin e funksionimit të institucioneve me legjislacionin e sistemit të funksionimit të kësaj familje të madhe në funksion të njerëzve tanë”, – tha Rama.

Kryeministri shtoi se “dua ta vë theksin shumë qartë tek fakti se ndërkohë ata të cilët janë jashtë nesh, ata të cilët përfaqësojnë BE e thonë pa ekuivok që në mosarritjen e vendimit të djeshëm përgjegjësia është e brendshme e BE-së, është e papranueshme dhe e pajustifikueshme që këtu mes veti fillon dhe shtrohet diskutimi sikur mosvendimi i djeshëm vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave. Ne i kemi përmbushur detyrat jo një herë, por dy herë rresht”.

Nga ana tjetër, vijoi Rama, nuk mund të mos shtoj se Franca është një nga themelueset e shtëpisë së përbashkët të BE-së, është në të drejtën dhe legjitimitetin e vet që të kërkojë ndryshimin e rregullave brenda një shtëpie, që siç e dëgjuat Presidentin e Francës sot, nuk funksionon.

“Nga ana jonë ajo që mbetet esenciale është të vazhdojmë rrugën që kemi nisur, të vazhdojmë përpjekjet që kemi bërë dhe ndërtimin e shtëpisë europiane në vendin tonë se për këtë është gjithë procesi, pastaj përputhja e qasjeve është një çështje që është më e madhe se ne dhe natyrisht ndikimi ynë në këtë është minimal, për të mos thënë zero”, – tha Rama./atsh

I përmbushëm detyrat jo një herë, por dy herë rresht. Ndërtojmë shtëpinë europiane në vendin tonë Read More »

Hajdari: Për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qenë më afër Europës shtyhet

Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar ndaj vendimit të Francës për të vendosur veton ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Hajdari shprehet se është për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qenë një hap më afër Europës shtyhet për një moment tjetër.

“A ka ndonjë përgjegjës në këtë vend për përkeqësimin e situatës politike dhe ekonomike? Përparësitë që ne duhet të kemi shtohen gjithnjë e më shumë. Pesë prioritetet e Komisionit Europian, vijojnë me 9 kushtet e Bundestagut, shtohen me azilkërkuesit në Francë. Sot Zoran Zaev njoftoi dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Kjo është çështje morali politik dhe përgjegjësie e lartë institucionale. Po këtu tek ne, a ka moral politik dhe përgjegjësi institucionale minimale?”, shprehet Hajdari.

Deputetja i kërkon qeverisë shqiptare të hartojë një plan të detajuar masash, bazuar mbi të gjitha përfundimet e Këshillit Europian, duke përfshire shqetësimet e secilit prej vendeve anëtare që kanë qenë kundër hapjes se negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.

“Të gjitha këto masa që do merren, duhet të konsultohen sa më shpejt me institucionet kushtetuese dhe të monitorohen hap pas hapi. Ky plan veprimi duhet të ketë koston buxhetore reale për mbështetjen e këtij procesi. Në buxhet duhet të specifikohet qartë si do të përballohen shpenzimet për përmbushjen e këtyre detyrimeve,” shtoi ajo duke nënvizuar se angazhimi duhet jetë serioz dhe jo deklarativ. “Të ulemi në tryezë të flasim për çdo pikë, pa dallime politike, apo të çdo lloj përkatësie tjetër, ku në qendër të vëmendjes duhet të mbajmë qytetarin shqiptar”, shprehet deputetja Hajdari. /atsh

Hajdari: Për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qenë më afër Europës shtyhet Read More »

Cakaj: Mungesa e konsensusit për negociatat, pasojë e vizioneve të ndryshme për reformën strukturore të BE

Ministri në Detyrë për Europën dhe për Punët e Jashtme , Gent Cakaj deklaron se pavarësisht mungesës së konsensusit në Këshill për çeljen e negociatave, Shqipëria do të vazhdojë angazhimet e saj reformatore dhe përpjekjet e mëtejme në shërbim të aspiratës evropiane.

Sipas ministrit në detyrë Cakaj, anëtarësimi me Shqipërinë nuk vjen si rrjedhojë e interpretimeve kundërthënëse lidhur me progresin e vendit, por si pasojë e vizioneve të ndryshme për reformën strukturore të Bashkimit Europian në përgjithësi.

“Nuk ka një ujdi absolute për të filluar bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ekziston një pajtueshmëri e plotë se të dy vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet e paraqitura në konkluzionet e qershorit të vitit 2018” -u shpreh Cakaj. /atsh

Cakaj: Mungesa e konsensusit për negociatat, pasojë e vizioneve të ndryshme për reformën strukturore të BE Read More »

Asambleja e Akademisë së Shkencave miraton Gjinushin kryetar

Asambleja e Akademisë së Shkencave ka miratuar ditën e sotme akademikun Skënder Gjinushi, si kryetar të këtij institucioni. Kreu i rikonfirmuar i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi shprehet se kjo shënoi përmbylljen e reformës së Akademisë së Shkencave që sot dëshmoi se qëndron jashtë ndikimeve politike.

“Në Shqipëri reformat shpeshherë janë ngatërruar vetëm me lëvizje njerëzish, nëse kjo edhe në administratë nuk pranohet, në Akademinë e Shkencave jo e jo. Ka pasur një presion të vazhdueshëm që reforma në ASH të ishte njësoj si në ligjin e IAL, që të hiqeshin titujt profesorë edhe ribëhej kjo trupë, që se di kush do e përbënte. Sot ndihem shumë mirë, se nuk u soll vullneti i politikës në Akademinë e Shkencave. Por është e kundërta, fakti që faktorë të ndryshëm në momente të caktuara kanë kundërshtuar, por edhe pengesat e tyre që tregonin qartë që reforma ishte jashtë ndikimeve politike në tavolinë, që kërkonin ndërhyrje në Akademinë e Shkencave. Edhe mesa duket edhe presidenti në një moment u bë palë me këto lloj segmentesh. Por rrjedhimisht, ligji, kuvendi i dha të drejtën Akademisë së Shkencave, sepse Akademia e Shkencave është një institucion autonom. Rektorët i zgjedh vetë trupa e pedagogëve edhe kryetarin e ASH-së e zgjedhin vetë akademikët. Por 43 vota akademikësh vlejnë më shumë se një firmë Presidenti”, shpjegoi Gjinushi.

Kryesia e Akademisë së Shkenca ka miratuar sot edhe statutin e ri të këtij institucioni, duke u bazuar në ligjin e ri “Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë” që ka hyrë në fuqi në 8 tetor. Gjithashtu një nga pikat e tjera që është miratuar gjatë mbledhjes së kryesisë është edhe hapja e vendeve të reja për anëtarë të Asamblesë me titullin “akademikë” dhe “akademik i asociuar”.

“Sot u kurorëzua mbyllja e reformës në ASH nëpërmjet akteve themelore të saj. Prej datës 9 tetor ligji ka hyrë në fuqi, edhe sot u miratua statuti i ri në zbatim të këtij ligji. Këto akte kanë disa risi, sepse bëjnë një hapje të konsiderueshme të ASH-së ndaj pranimeve të reja, duke futur konceptin që anëtarët mbi 75 vjeç lirojnë vendin për anëtarë të rinj apo duke futur statusin e anëtarëve të jashtëm për t’u anëtarësuar të gjithë intelektualët edhe kërkuesit më të suksesshëm, që ka Shqipëria jashtë vendit etj. Por duke futur edhe konceptin që homologët tanë në Kosovë, Maqedoni të Veriut etj., mund të bëhen anëtarë të jashtëm të ASH. Përpos kësaj statuti bën një sërë rregullimesh, për të treguar që ASH është një grup njerëzish, që për meritat e tyre kanë fituar titullin akademikë edhe mblidhen këtu për të mundësuar, ndihmuar qeverinë edhe institucionet e tjera, për të evidentuar rritjet e shkencës përmes botimeve edhe konferencave. Puna bëhet përmes anëtarëve, që duhet të jenë edhe aktiv në atë që bën ASH. Ndërsa, kryesia edhe asambleja kanë vetëm rolin e koordinimit të këtyre aktiviteteve”, shprehet Gjinushi.

Ndërsa, për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave që u bënë me ligjin e vjetër dhe emërimin e tij si kryetar me ligjin e ri shprehet se: “Vetëm në Shqipëri kur ndërrohet ligji, ndërrohet institucionet ndonjëherë. Kjo praktikë është e gabuar, ligjet nuk cenojnë mandatet e caktuara, ligji i ri përpiqet që të rregullojë më mirë funksionimin, madje demokracinë, sigurinë juridike etj. Në rast se shton dispozita kalimtare siç ka ndodh në vitin 2007 edhe siç u përpoqën tani, për të heq mandatet e fituara kjo është e papranueshme, edhe e ka rrëzuar gjykata kushtetuese. Ligjet vijojnë, si vendimet e qeverisë. Sipas ligjit të vjetër presidenti duhet të bëjë vetëm emërim, nuk ka asnjë target tjetër. Edhe ligji i ri ia merr në konsideratë edhe refuzimin edhe thotë: Vendimin e merr asambleja. Pra i jep fuqi, se më parë ishte fare paçavure. Anëtarët e asamblesë edhe kryesisë janë zgjedh me ligjet e vjetra, sepse kështu janë dispozitat, mandatet vazhdojnë. I vetmi rast që cenohen mandatet me ligj të ri është kur ndryshon struktura e institucionit”.

Sa i takon diskutimeve që janë bërë mbi funksionin e tij politik, ku njëkohësisht ka qenë kryetar i Partisë Social Demokrate edhe anëtar i rregullt në ASH, duke bërë edhe kandidimin për kryetar Gjinushi thotë se: “Ligji i ri është më i qartë se tregon se në cilat poste duhet dhënë dorëheqjen, i pari nuk e thotë fare. Kjo është ajo përpjekje e dëshpëruar e presidentit për të gjetur ndonjë lajthitje. Nga viti 1989 jam anëtar i rregullt i ASH. E dyta, dorëheqja nga PSD është datë 15 maj 2019. Dorëheqja është vendim personal. Vetëm, një tjetër të tregon se kur ka hyrë në fuqi dorëheqja jote”. /atsh

Asambleja e Akademisë së Shkencave miraton Gjinushin kryetar Read More »

Gjylameti: Jo-ja e Francës nuk ka lënë Shqipërinë jashtë Europës, Shqipëria aty është

Deputetja socialiste Blerina Gjylameti deklaron se “Jo-ja” e Francës nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë, por buron nga debati i njohur i rritjes së ekstremizmit në Europë kundra zgjerimit të BE-së.
Gjylameti thekson se Shqipëria realizoi një nga reformat më të suksesshme atë në drejtësi, duke shënuar qartësisht një standard të zhvillimit europian. “Jo-ja e Francës buron nga debat i njohur i rritjes së ekstremizmit në Europë që hodhën tezën kundra zgjerimit. Jo-ja e Francës nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë. Shqipëria realizoi një nga reformat më të suksesshme atë në #drejtësi, edhe mbi të gjitha e ka moderuar në mënyrë aq të kujdesshme, ku nuk duhet të harrojmë faktin se të marrësh përsipër të pastrosh drejtësinë e kalbur nga korrupsioni 30 vjeçar, shënon qartësisht një standard të zhvillimit europian. Opozita e baltës me në krye Bashën që po bën sikur i vjen keq për Shqipërinë duke shpifur ende në kurriz të saj, duhet pyes veten se si mund të jetë me Europën kur deri tani shqiptarëve i ka propozuar veç rrëmujë dhe baltë?”, thekson deputetja socialiste.
Deputetja Gjylameti nënvizon se hiperbola e madhe e baltosjes ndaj Shqipërisë, se gjoja vendit tonë nuk iu hapën negociatat nga që qeveria nuk bëri detyrat, është një farsë e madhe, ndërsa vlerëson edhe qëndrimin që mbajti Gjermania në mbështetje të hapjes së negociatave me vendin tonë.

“Jo-ja e Francës nuk ka lënë Shqipërinë jashtë Europës, Shqipëria aty është! Të udhëhequr që prej historisë sonë nga vlerat europiane, harmonia e etniteteve, qasjes ndaj perëndimit dhe Europës fituam emërtimin që në tavolina e ekrane thuhet se “Shqipëria është një vend pro europian”. Hiperbola e madhe e baltosjes ndaj Shqipërisë, se gjoja vendit tonë nuk iu hapën negociatat nga që qeveria nuk bëri detyrat, është një farsë e madhe duke e përdorur mosmarreveshjen e njohur të krizës së azilantëve që BE-ja ka mes saj.

Edhe megjithatë është për t’u vlerësuar pjesa që Gjermania mbështeti Shqipërinë duke i tërhequr vëmendjen dhe politikave të Francës, se nuk janë arsye për mos të hapur negociatat”, deklaroi Gjylameti./atsh

Gjylameti: Jo-ja e Francës nuk ka lënë Shqipërinë jashtë Europës, Shqipëria aty është Read More »

Kush pretendon se na njeh prej “azilantëve”, gjykon qenie humane si problem për çështje te politikës së brendshme

Zv.kryeministri Erion Braçe, ka reaguar pas bllokimit që Franca i bëri hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Braçe ka falenderuar të gjithë liderët e Bashkimit Europian të cilët mbështetën Shqipërinë në rrugëtimin për integrimin europian dhe për deklaratat e tyre që bënë sot në samit.

“Faleminderit shumë për gjithçka, gjithçka, gjithçka, zonja Merkel, kancelare e Gjermanisë. Faleminderit shumë që njeh historinë tonë te dhimbshme prej 1400-tës, aspiratën tonë europiane, te përjetshme, ja dëshmon kujtdo që s’na njeh, zoti Conte, kryeministër i Italisë. Faleminderit shumë për ndihmën, mbështetjen, kursin e reformave, vlerësimin dhe gjykimin e drejtë e të ndershëm, zoti Tusk, president i Komisionit Europian! Faleminderit shumë për vizionin e qartë politik për Europën e sotme e të nesërme, ndarë me ne e për ne, zoti Sassoli, president i Parlamentit Europian. Ju jemi mirënjohës pa fund! Ju na njihni, vlerësoni e gjykoni”‘, shprehet Braçe.

Nga ana tjetër Braçe i është përgjigjur edhe presidentit francez Emmanuel Macron i cili vendosi veton si e vetmi vend që të mos lejonte hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Braçe thekson se argumenti i Macron ishte se ka shumë shqiptarë azilantë në Francë dhe ky është faktor kundër Shqipërisë, por sipas tij, Macron duhet të na shohë si punëtorë pasi punët më të rënda atje i bëjnë shqiptarët.

Madje sipas Braçes, shqiptarët në Francë janë të keqpaguar e të diskriminuar.

Braçe shprehet se, “kush pretendon se na njeh prej “azilantëve”, gjykon me bezdi qënie humane thjesht si problem për çështje të politikës së brendshme, nuk na njeh hiç; duhet te hedhë sytë nga tregu i tij i punës, me siguri duhet ta dijë se nuk është çështje burokratike vizash, por ofertë në atë treg. I bëjmë ne punët tuaja, madje më të rëndat, madje duke keqpaguar e diskriminuar. Të paktën ti njihni shqiptarët si punëtorë”. /atsh

Kush pretendon se na njeh prej “azilantëve”, gjykon qenie humane si problem për çështje te politikës së brendshme Read More »

Rama: Faleminderit SHBA

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit mbi “Konkluzionet e Këshillit Europian për Zgjerimin”.

“Faleminderit SHBA”, shprehet Rama ndërsa publikon edhe qëndrimin e SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë”, thuhet në deklaratën e DASH.

“Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër”./atsh

Rama: Faleminderit SHBA Read More »

SHBA – Jemi te zhgenjyer qe BE nuk hapi negociatat me Shqiperine

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus reagoi pas vendimit të Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke shprehur zhgënjim për këtë vendim.

Reagimi i plotë:
“Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë. Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër.

Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar. I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”.

SHBA – Jemi te zhgenjyer qe BE nuk hapi negociatat me Shqiperine Read More »