Aktualitet

Historia e bashkëshortëve Hysaj që tronditi një institucion për birësimin e fëmijës

“Ky fëmijë është motivi për të jetuar dhe gëzimi i jetës sonë”, shprehet Altin Hysaj, i cili bashkë me bashkëshorten e tij iu plotësua dëshira për të birësuar një fëmijë, pas ankesës drejtuar platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”, për shkak të zvarritjes së procedurave kërkesës së tyre.

Kjo histori shkaktoi tërmet në strukturat shtetërore të birësimit. Rasti i Altinit nuk është vetëm një histori njerëzore, por edhe një leksion për të gjithë ata që shkelin dhe anashkalojnë ligjin.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me rastin e Altinit dhe bashkëshortes së tij, të cilët gjetën më në fund zgjidhjen e shumëpritur.

“Mirëmëngjes dhe me rastin e Altinit që pasi e shkroi problemin e tij te shqiperiaqeduam.al, jo vetëm gjeti zgjidhjen e shumëpritur, por edhe tronditi fort një institucion, ju uroj një fundjavë të bukur”, shprehet Rama

Altini shprehet se “bashkë me bashkëshorten time vendosëm që në 2016 të birësonim një fëmijë. U mblodh bordi drejtues që na dha ne përshtatshmërinë për të birësuar dhe rritur një fëmijë. Muajt, vitet kalonin dhe nuk po e merrnim vesh pse nuk po na i jepnin. Na nxirrnin pretekstin se përshtatshmëria ishte marrë me të njohur, sikur nuk kishim shtëpi të rregulluar. Megjithatë e rregullova shtëpinë po aty u pa që problemi nuk ishte shtëpia, por ishte problemi i lekëve , rryshfeti. Ka qenë shumë e vështirë se lija punën unë dhe nusja dhe vinim këtu, na u bë stres, në familje stresi është i pranishëm gjithandej”.

Më pas Altini vendos ti drejtohet me një kërkesë platformës së bashkëqeverisjes.

“Në tetor të vitit 2016 kam aplikuar pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit për birësimin e një fëmije . Në shkurt të vitit 2017 u bë mbledhja e Bordit dhe vendosi miratimin e kërkesës sime. Një nga kushtet ishte qe ne të rregullonim shtëpinë, që të krijonim shtëpinë, që të krijonim kushtet optimale për rritjen e fëmijës. Pasi e përfunduam rregullimin e shtëpisë në maj të 2018 drejtoresha nuk ka bërë asnjë veprim të mëtejshëm për përfundimin e procedurave dhe birësimi nuk po realizohet . Edhe pse kam plotësuar të gjitha kushtet asnjë s’po më përgjigjet. Kërkoj zgjidhjen e ngërçit dhe një përgjigje zyrtare se përse nuk po realizohet birësimi”, shkruan në letrën drejtuar platformës Altin Hysaj.

Me rekomandimin e bashkëqeverisjes u krye një hetim nga Task Forca Antikorrupsion, nga të cilët u morën masat ndëshkimore ndaj personave përgjegjës për pengesat në procesin e birësimit.

Lenada Caroshi , Kryetare komanduar e Komitetit Shqiptar të Burësimeve thekson se “çështja është dërguar në Prokurori dhe janë disa pika që i paraqet drejtimi administrativ për një punonjës të administratës publike, largimi nga puna, nga statusi i nëpunësit civil”.

Më 9 tetor ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha në Kuvend se “jemi angazhuar për një reformë të thellë në fushën e birësimit dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”.

Altini thotë se “fëmija u mor dhe është motiv për të jetuar. I falënderoj të gjithë ata që më përkrahën dhe më në fund u zgjidh e drejta”./atsh

Historia e bashkëshortëve Hysaj që tronditi një institucion për birësimin e fëmijës Read More »

Fluks turistësh në Krujë, vetëm në një ditë 2100 vizitorë

Rreth 2100 turistë vendas e të huaj vizituan ditën e djeshme qytetin e Krujës, 32 km larg nga kryeqyteti, Tirana.

Shumica e vizitorëve ishin nga Kosova dhe Kina, por nuk munguan edhe turistë nga vende të ndryshme si Italia , Polonia, Zvicra, etj.

Përgjegjësi i Zyrës së Turizmit në bashkinë Krujë, Drini Masha, tha sot për ATSH-në se “gjatë muajve shtator-tetor në qytetin e Krujës, pas përfundimit të sezonit të verës ka pasur një dyndje të turistëve në qytetin e Krujës”.

“Turistët kanë shfaqur shumë interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë”-, thekson Masha.

Sipas tij, Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Në gjashtë mujorin e parë të 2019 muzetë e Krujës janë vizituar nga 43 mijë vizitorë.

Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të parë Pazarin apo kalanë./atsh

Fluks turistësh në Krujë, vetëm në një ditë 2100 vizitorë Read More »

Cakaj: Nëse e ardhmja e BE është në pikëpyetje, Shqipëria nuk mund të ofrojë përgjigje

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, pas vendimit negativ për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, tha se ky vendim vjen nga vizionet e ndryshme të shteteve anëtare për të ardhmen e BE.

“Ky vendim nuk vjen nga dështimi i Shqipërisë për të qëndruar në lartësinë e nevojshme të standardeve për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, por shfaqet në rrethana ku BE është në një proces të shqyrtimit të vetvetes”, – tha Cakaj.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u trajtuan në mënyrë identike”, – shtoi Cakaj, – “sepse të dy vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për çeljen e negociatave dhe e dyta sepse shtyrja e këtij vendimi nuk ka të bëjë më performance, por me faktorë të tjerë që karakterizojnë BE-në”.

Duke folur për reformat shtetformuese në vend, Cakaj tha se, “Shqipëria është duke bërë një reformë në drejtësi të pakrahasueshme në rajon e më gjerë. Përsëri, ky vendim u shty sepse ky vendim nuk lidhet me meritat e vendeve aspirante”.

Duke bërë një rezyme të situatës, ministri tha se, “Këshilli Europian, në maj të këtij viti ka dhënë përgjigjen e tij të qartë pas një shqyrtimi të hollësishëm. KE ka konfirmuar se Shqipëria ka bërë gjithë çfarë është e nevojshme për të merituar çeljen e negociatave. Në qershor të 2019, për shkak të problemeve të brendshme dhe asesi për shkak të gjykimeve negative për Shqipërinë, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme vendosi dhe një herë shtyrjen në tetor. Ja ku jemi në tetor dhe nuk kemi marrë pëgërjen e merituar. Kjo është shtyrja e tretë për një vendim që është i thjeshtë. Nëse e ardhmja e BE është në pikëpyetje, Shqipëria nuk mund të ofrojë përgjigje”.

Pavarësisht shtyrjes së tretë, Cakaj thotë se puna në Shqipëri do të vazhdojë dhe integrimi europian i Shqipërisë është një proces i pakthyeshëm.

“Procesi i zgjerimit do të vazhdojë në mënyrë paralele me reformimin e brendshëm të BE. Shtyrja e vendimit për çeljen e negociatave nuk do të thotë që në Shqipëri duhet të ketë vonesa për të realizuar të gjitha reformat që kanë nisur. Shqipëria do të vazhdojë punën përmbajtësore në 5 prioritetet kyçe dhe po ashtu në adresimin e të gjitha çështjeve që janë paraqitur në qëndrimet zyrtare të Bundestagut. Jo thjesht se kjo është e nevojshme për rrugën europaine të Shqipërisë por seeps janë të nevojshme për ta bërë Shqipërinë europiane”, – u shpreh Cakaj në konferencë.

“Vendet anëtare mund të mos kenë forcën e mjaftueshme për të ndryshuar qëndrimin e Francës ama të gjithë konsiderojnë se Shqipëria ofron një model shembullor të reformave në rajon. Edhe një herë nënvizoj se Shqipërisë i takon ajo që është qëllimi themelor i këtij procesi, ndërtimi i Europës dhe jetësimi i idealeve të saj në Shqipëri”, – deklaroi Cakaj./atsh

Cakaj: Nëse e ardhmja e BE është në pikëpyetje, Shqipëria nuk mund të ofrojë përgjigje Read More »

Parlamenti i nxënësve/ Zgjidhen 140 kryetarët nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në gjithë vendin

140 kryetarë nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do të përfaqësojnë shkollat e bashkive të tyre në “Parlamentin e nxënësve”.

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, bëri të ditur sot se “u mbyllën zgjedhjet e para për “Parlamentin e Nxënësve”.

“Jam super e impresionuar me angazhimin dhe seriozitetin e garuesve dhe mezi po pres që deputetët e rinj të themelojnë parlamentin dhe të fillojmë me debatet për cilësinë e shërbimit arsimor nëpër shkolla”-, theksoi Shahini.

Ministrja Shahini shprehet se “për të gjithë ata që nuk kanë marrë votat e duhura për të qenë pjesë e parlamentit, kini parasysh se do të organizojmë aktivitete në secilën bashki”.

Në fokus primar të “Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë”, i cili do të shërbejë si një organ këshillimor pranë MASR, është zhvillimi dhe thellimi i çdo lloj politike që synon drejtpërdrejtë përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve në vend, rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike, si dhe angazhimin e shtuar të tyre në vendimmarrje./atsh

Parlamenti i nxënësve/ Zgjidhen 140 kryetarët nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në gjithë vendin Read More »

Kpet me 27 kg “pluhur të bardhë”, ar.më dhe municione luftarake, ja kush është shqiptari që u dënua në Itali

Një shqiptar është dënuar me 5 vjet burg në Itali, pasi u kap pak muaj më parë me 27 kg “pluhur të bardhë”.

Bëhet fjalë për shtetasin Qemal Shaskaj, i cili u arrestua në dhjetorin e vitit të kaluar në një banesë në Gulianello, një fshat i provincës Cori, pas një bastisje në zonë të karabinierëve.

Ai u shpall fajtor nga gjykata për posedim dhe trafik të lëndëve psikoaktive dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie, ndërkohë Prokuroria kishte kërkuar 9 vjet burg për shqiptarin.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Shaskajt, u gjetën dy çanta, brenda të cilave kishte 27 kilogramë “miell i bardhë” i ndarë në 25 pako, me vlerë tre milionë euro.

Përveç sasisë së “pluhurit të bardhë”, shqiptarit iu gjetën dhe sekuestruan edhe armë e municione luftarake, të cilat i kishte fsheur në një tunel pranë apartamentit ku banonte.

Shqiptari, i cili dyshohet se është person kyç i një organizatë të strukturuar që trafikonte lëndë psikoaktive në Italinë Qendrore, njihej si murator në zonë, por provat e zbuluara nga hetimet vërtetuan se ai e përdorte këtë profesion për t’u maskuar.

Kpet me 27 kg “pluhur të bardhë”, ar.më dhe municione luftarake, ja kush është shqiptari që u dënua në Itali Read More »

8 abonentë kapen “MAT” duke vjedhur energjinë. Ja skema që përdornin! Vijon aksioni i OSHEE-s

Tetë abonentë po procedohen penalisht, pasi akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Kështu, në 5 ditët e fundit janë kryer mbi 300 kontrolle të posaçme nga strukturat pranë Drejtorisë Rajonale OSHEE Tiranë për “verifikimin dhe matjen” e energjisë elektrike, në zbatim të ligjit dhe procedurave përkatëse.
Nga kontrollet këtyre ditëve janë zbuluar këta abonentë që vidhnin energji elektrike përmes skemave të ndryshme, kryesisht “ndërhyrje në matës”, duke ulur gjendjen e konsumit apo mosregjistrim real të konsumit të kilovatëve. Mes tyre, janë proceduar 4 abonentë që ushtronin aktivitet privat, ndërsa zonat ku janë zbuluar shkeljet janë kryesisht në “Tirana e Re” dhe “Don Bosko”.

“Rastet e konstatuara janë raportuar pranë organeve kompetente ligjzbatuese, referuar nenit 137 të Kodit Penal, sipas të cilit “Çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik, me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet”. OSHEE vijon t’u bëjë thirrje abonentëve të zgjedhin rrugën ligjore të pagesës së detyrimeve dhe të shmangin abuzimet, pasi kontrollet do të vijojnë pa toleruar askënd”, thuhet në njoftimin e OSHEE.(BalkanWeb)

8 abonentë kapen “MAT” duke vjedhur energjinë. Ja skema që përdornin! Vijon aksioni i OSHEE-s Read More »

I mituri shqiptar në Siri/ Rama: Plan për nxjerrjen nga kampi, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë

Kryeministri Edi Rama foli sot lidhur me rastin e fëmijës shqiptar në kampin e ISIS, histori që u bë publike mbrëmjen e djeshme në mediet italiane.

Kryeministri u shpreh se ka komunikuar me babain e djalit, të cilit i ka sqaruar se kjo çështje nuk varet nga ne, ndërsa theksoi se “ka një plan me partnerët për t’i larguar gratë dhe fëmijët nga ato kampe”.

“Dua të ndaj sot një shpjegim lidhur me një shqetësim që kam marrë prej një numri të konsiderueshëm bashkëqytetarësh në Itali, këtu, apo edhe në vende të tjera, mbi një emision të mbrëmshëm të RAI-t, kushtuar një të mituri shqiptar në një kamp në Siri. Për fat të keq ai emision drithërues sipas të gjitha përshtypjeve të marra, unë vetë nuk e kam ndjekur, ka lënë të kuptohet se çështja e djalit të mitur është një çështje thjesht vullneti nga ana e ambasadës tonë në Turqi, apo e Ambasadorit”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo është tërësisht e pavërtetë”. “E vërteta është që prej disa kohësh unë kam nxjerrë një urdhër, një material i klasifikuar që nuk mund ta ndajmë dot me publikun për shkak të sensibilitetit të lartë lidhur me personat që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë, në funksion të organizatës terroriste dhe kriminale ISIS”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “shqetësimi ynë ka qenë i lidhur me nevojën për të aksesuar pikërisht këto kampe, ku ka një numër grash dhe fëmijësh”.

Rama informoi se “në bashkëpunim me partnerë amerikanë, ne kemi zhvilluar një proces të tërë identifikimi dhe disponojmë të dhëna mbi identitetin e shumë prej personave, por janë të dhëna shumë sensitive për shkak se ata njerëz janë të rrezikuar në jetën e tyre në mënyrë të përditshme”.

“Tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as nga ambasada, as ambasadori, sepse aksesi dhe gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët. Ne kemi punuar intensivisht, kemi një plan të tërë veprimi të rakorduar me partnerët tanë kryesorë. Ka një sërë grupesh të përfshira në këtë proces. Nuk mund të ndaj më shumë informacione, por dua t’i them të gjithëve se po të ishte një çështje ambasadash apo ambasadorësh edhe vendet e tjera do të kishin tërhequr individët dhe në radhë të parë gratë dhe fëmijët, që janë viktima të drejtpërdrejta të zgjedhjeve të gabuara të prindërve apo të afërmve, që janë të përfshirë në një situatë dramatike që nuk është zgjedhja e tyre”, – tha Rama.

Kryeministri informoi se ka komunikuar me të afërm dhe babain e djalit dhe ia ka sqaruar se kjo është një çështje që nuk varet nga ne, nuk është çështje e strukturave tona diplomatike, sepse nuk bëhet fjalë për kampe refugjatësh të zakonshëm.

“Natyrisht që gazetarët mund të hyjnë në këto kampe, sikundër kolegë të shumë kanaleve të njohura botërisht kanë shkuar dhe kanë arritur të filmojnë deri dhe brenda trupave të ISIS, por nuk është e njëjta gjë, përkundrazi është krejt tjetër për të zhvilluar një operacion tërheqjeje të personave që duhen liruar nga ajo situatë”, – tha Rama.

Duke shprehur gjithë keqardhjen, Kryeministri tha se “kjo është e vërteta dhe se së fundmi situata është edhe më e komplikuar”. “Ju e dini shumë mirë se në atë territor ka një situatë përplasjeje luftarake. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën që kemi bërë dhe siç e thashë jemi në koordinim të plotë më partnerët. Ju e patë besoj edhe një thirrje që u bëri Presidenti i SHBA-së vendeve europiane për të tërhequr njerëzit. Asnjë vend deri më sot, përfshi edhe Italinë fqinje ku është transmetuar ky emision dramatik, nuk ka bërë tërheqjen e njerëzve, sepse është një operacion vërtetë i komplikuar”, – tha Rama.

Sidoqoftë, Kryeministri siguroi se “fokusi ynë ka qenë qysh në fillim dhe mbetet tek gratë, të miturit dhe në bashkëpunim me partnerët si SHBA dhe po ashtu edhe me autoritetet turke, ne kemi arritur të grumbullojmë jo pak informacion. Kemi arritur të organizojmë kontakte dhe një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet, si dhe është përgatitur gjithë infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe një plan specifik masash për trajtimin e tyre pastaj këtu në Shqipëri”, – tha Rama.

Por, Kryeministri theksoi se ajo është një zonë ku nuk ka autoritete dhe prandaj edhe kontaktet janë të ndërmjetme dhe transferimi i tyre në kampe me struktura të specializuara është hapi i parë për të bërë, pastaj transferimi përfundimtar.

“Besoj se ky shpjegim është i mjaftueshëm për të nënvizuar faktin se informacioni i dhënë sikur kjo është një çështje vullneti dhe thjesht sikur kërkohet vënie në veprim nga ana e ambasadës nuk është i vërtetë, nuk qëndron”, – tha Rama. /atsh

I mituri shqiptar në Siri/ Rama: Plan për nxjerrjen nga kampi, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë Read More »

Shahini në Vlorë: Sondazhi Kombëtar i Studentëve dikton nevojat në universitete

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, është takuar me pedagogët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, ku i ka informuar rreth rezultateve të Sondazhit Kombëtar të Studentëve.

Ajo e ka cilësuar si shumë të rëndësishme që mesazhi i qartë i studentëve të lexohet po aq qartë edhe nga ana e universiteteve në Shqipëri.

Sipas sondazhit, studentët deri diku janë të kënaqur me pedagogët e tyre dhe ky vjen si një lajm pozitiv për Institucionet Arsimore të Larta në Shqipëri. Por ministrja e vë theksin tek përmirësimi i ofertës së universiteteve në lidhje me programet që kanë vlerë për zhvillimin ekonomik dhe social të qarkut të Vlorës në veçanti dhe Shqipërisë në përgjithësi.

Ajo nënvizon se programet e reja duhet të kenë përmbajtje mjaft të mirë, në mënyrë që të fuqizojnë pjesën e praktikës dhe të bëjnë lidhjen me prioritetet kombëtare për zhvillim ekonomik.

Ministrja Shahini ka premtuar se udhëzimi për hapjen e programeve të studimit do të botohet së shpejti, me shpresën që të ndihmojë në përmirësimin e aplikimeve që vijnë nga universitetet./atsh

Shahini në Vlorë: Sondazhi Kombëtar i Studentëve dikton nevojat në universitete Read More »