Aktualitet

Ligj special kundër krimit të organizuar, në 25 nëntor prezantohet platforma kundër KÇK-së

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në 25 nëntor do të prezantojë platformën kundër KÇK-së (Kap Ç’të Kapësh), një paketë e tërë ligjore mbi bazën e një ligji special kundër krimit të organizuar”.

Në një prononcim për mediet, Rama tha se “njerëzit duan të tjera gjëra ndaj dhe në 25 nëntor do të prezantohet ligji special kundër krimit të organizuar, kundër atyre që kanë kryer vrasje, akte të rënda, përfshirje në trafiqe, për të cilët ka ardhur koha të japin disa llogari të pa mbyllura”.

“Për më tepër do t’ju jepet mundësia të mësoni kur të publikohet dhe ligji special që do të çelë siparin e një lufte të panjohur më parë në Republikën e Shqipërisë kundër krimit të organizuar dhe atyre eksponentëve të krimit që deri më sot ia kanë dalë të përdorin dhe të kenë në dispozicion pasuri të paligjshme”, tha Rama.

Rama tha se ajo që e shqetëson dhe i intereson është dhënia e një shtyse të re të procesit të qeverisjes për një përfundim me sukses të këtij mandati”.

“Kjo fillon me ligjin special kundër të gjithë atyre që janë shpërndarë në territore të caktuara dhe kujtojnë se llogaritë i kanë mbyllur. Por jo, janë të hapura dhe tani është koha për të bërë llogaritë e çdo pasurie të vënë në mënyrë kriminale”, tha Rama. /atsh

Ligj special kundër krimit të organizuar, në 25 nëntor prezantohet platforma kundër KÇK-së Read More »

Meta: Te Gjykata Kushtetuese vija është e kuqe flakë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot duke thënë se se nuk ka ndërmend të tallet me Kushtetutën. “Te Gjykata Kushtetuese, vija është e kuqe flakë”, tha ai në një reagim pas zhvillimeve të ditëve të fundit.

Presidenti Meta shprehet se ”unë nuk kam ndërmend të tallem me Kushtetutën e Shqipërisë. Boll janë tallur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që u votua me konsensues”.

“Te Gjykata Kushtetuese, vija është e kuqe dhe është e kuqe, flakë”, thekson ai./atsh

Meta: Te Gjykata Kushtetuese vija është e kuqe flakë Read More »

Departamenti i Shtetit mbështet projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare

Programi i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore nxit institucionet shqiptare për më shumë projekte mbi ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes një njoftimi për këtë qëllim bën të ditur se përmes këtij fondi mund të fitojë pasuria e gjerë e trashëgimisë kulturore shqiptare, e cila ka nevojë për mirëmbajtje, apo financime të tjera.

Për financimet nga programi i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore Ambasada e SHBA shprehet se do të pranohen projektpropozime deri në fund të muajit nëntor.

“Shqipëria ka një trashëgimi kulturore të pasur dhe programi i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore ofron financim për të ndihmuar në ruajtjen e saj. Ambasada e SHBA pranon projektpropozime për këtë program deri më 30 nëntor 2019,” bën të ditur Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Nëpërmjet këtij programi, Departamenti i Shtetit mbështet projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në tri fusha: Vendet kulturore, si ndërtesat historike, ose site arkeologjike, objektet kulturore dhe koleksionet, si dhe forma tradicionale të shprehjes kulturore, si muzikë tradicionale, gjuhët indigjene dhe zanatet.

“Ky program është një nga mënyrat e partneritetit me Shqipërinë për ruajtjen e trashëgimisë së saj unike kulturore,” shprehet Ambasada e SHBA. /atsh

Departamenti i Shtetit mbështet projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare Read More »

Plotësimi i vakancave, Meta: Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se, nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri se Kushtetuta, e cila ka vetëm një garant të pacenueshëm që është Gjykata Kushtetuese.

Meta tha se kriza e Gjykatës Kushtetuese është tërësisht e zgjidhur.

“Për të gjithë ata që dinë të lexojnë Kushtetutën dhe meqenëse po afron 22 nëntori dita kur populli votoi me referendum Kushtetutën, dhe këto parime të Kushtetutës që janë edhe sot të sanksionuara pavarësisht nga deformimin e pandershme që janë bërë në pabesi ndaj vullnetit të popullit shqiptar gjatë këtyre 21 viteve, kam një paralajmërim të fundit për ata që mendojnë se betimi i Metës me dorën mbi kushtetutë si president ka qenë një proces formal apo ceremonial”, theksoi Meta.

Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri se Kushtetuta e cila ka vetëm një garant të pacenueshëm që është Gjykata Kushtetuese. Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, në përpjekje për të kapur përfundimisht gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri, me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura. Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese”, tha Meta, duke shtuar se, “Parlamenti, me një dekret shpërndahet. Qeveria me mocion mosbesimi rrëzohet. Presidenti me një impeachment, nga një parlament legjitim, jo nga ky, përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese”.

“Nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale do t’i bëj të qartë se kjo është Kushtetutë që mbron popullin dhe do të jetë detyrë e popullit dhe e Presidentit t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore”, theksoi Meta.

I pyetur mbi mundësinë e shpërndarjes së parlamentit, Meta tha se, “besoj se jam shumë i qartë. Secili të zbatojë kompetencat e veta, veprimet do të vazhdojnë të jenë nga presidenti institucionale, dhe në momentin e duhur presidenti do t’i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë që është dhunuar në mënyrën më barbare sidomos këto 2 vite kur është lënë qëllimisht pa gjykatë Kushtetuese. I uroj suksese anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”./atsh

Plotësimi i vakancave, Meta: Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese Read More »

Shmangia e krizës kushtetuese, detyrë imperative/ Kuvendi miraton me 97 vota rezolutën

Kuvendi miratoi me 97 vota pro rezolutën për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

Rezoluta vjen pas nxjerrjes së dekretit nga Presidenti i Republikës “Për emërimin e Marsida Xhaferrllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese”, akt të cilin Kuvendi e konsideron në kundërshtim të hapur dhe flagrant me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe në tejkalim të kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Në rezolutë thuhet se ky veprim delegjitimon fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.

Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese, ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit.

Rezoluta e plotë:

Shmangia e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit.

Kuvendi i Shqipërisë:

Duke vlerësuar se Gjykata Kushtetuese është një organ kushtetues që ka për mision ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe se kjo Gjykatë garanton zbatimin e parimeve themelore kushtetuese nga të gjitha institucionet kushtetuese në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të individit;

Duke vlerësuar se rifillimi i funksionimit të Gjykatës Kushtetuese është jetik, ndër të tjera, për zbatimin e objektivave kushtetues të kontrollit dhe balancave midis pushteteve të shtetit dhe garantimit të të drejtave themelore të njeriut;

Duke vlerësuar se ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 në kuadër të Reformës në Drejtësi, që rivendosën ekuilibra kushtetues për të garantuar funksionimin e sistemit të drejtësisë sipas parimeve të shtetit të së drejtës dhe në respektim të parimit themelor të kontrollit dhe ekuilibrimit reciprok të pushteteve, kanë përcaktuar qartë rregullat për procesin e emërimit dhe zgjedhjes të gjyqtarëve kushtetues, duke përfshirë rregullat, për kriteret dhe procedurën përkatëse për përzgjedhjen e kandidaturave në respektim të pavarësisë, paanshmërisë dhe parimit të luajalitetit kushtetues.

Duke vlerësuar mekanizmin zhbllokues në procesin e emërimeve në sistemin e drejtësisë, si një nga elementët thelbësorë të Reformës në Drejtësi, në zbatim edhe të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, si dhe në qëndrimin e reflektuar në vijimësi në opinionet amicus curiae të Komisionit të Venecias mbi rëndësinë dhe nevojën e mekanizmit zhbllokues me qëllim funksionimin dhe mospengimin e organeve kushtetuese;

Duke mbështetur fuqimisht zbatimin e Reformës në Drejtësi si kriter kyç për sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe për të ardhmen europiane të vendit, reformë që vlerësohet me nota shumë pozitive në progres raportet e Komisionit Europian dhe ku Shqipëria veçohet si shembull për t’u ndjekur nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor;

Duke vlerësuar ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi siç është ngritja dhe funksionimi i organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, si dhe hapat e ndërmarrë për plotësimin sa më të shpejtë të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, për ngritjen e prokurorisë dhe gjykatës speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe duke inkurajuar intensifikimin e zbatimit të reformës në drejtësi në këtë drejtim;

Duke vlerësuar punën e deritanishme të organit kushtetues, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese;

Duke përshëndetur emërimin/zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, konkretisht Besnik Muci emëruar me Dekretin e Presidentit të datës 18 Tetor 2019, emërimin e Arta Vorpsi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datë 8 Nëntor 2019, pas përfundimit të afatit, brenda të cilit duhej të shprehej Presidenti i Republikës, si dhe zgjedhjen e Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji nga Kuvendi si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë pasi u informua se Presidenti i Republikës ka nxjerr dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019 “Për emërimin e Marsida Xhaferrllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese”, dhe duke konsideruar se ky akt është nxjerrë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe në tejkalim të kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës, veprim i cili delegjitimon fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese konstaton:

Kushtetuta përcakton qartë se vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese emërohen/zgjidhen nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Këto organe e ushtrojnë në mënyrë krejt të pavarur kompetencën kushtetuese dhe pa asnjë lloj ndërvarësie mes tyre. Të tre këto organe kufizohen të emërojnë/zgjedhin midis tre emrave të kandidatëve të listuar të parët nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Për Kuvendin dhe Presidentin, përvec kufizimit të emërimit/zgjedhjes të gjyqtarëve kushtetues nga kandidatët e listës që miraton Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka dhe një kufizim kohor për ushtrimin e kompetencës brenda një afati prekluziv tridhjetë ditor.

Mosushtrimi i kompetencës brenda këtij afati nga Presidenti dhe Kuvendi, sjell emërimin si

gjyqtar kushtetues të kandidatit të renditur i pari në listën e miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (neni 125 i Kushtetutës, nenet 7/b, 7/c dhe 7/ç të Ligjit Nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar).

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në datën 08.10.2019 i ka dërguar Presidentit vendimet e tij në lidhje me dy vakanca të krijuara në Gjykatën Kushtetuese, duke i vënë në dispozicion dy lista me kandidatë për secilin vend vakant, me qëllim ushtrimin e kompetencës së tij për të emëruar dy gjyqtarë kushtetues. Me Dekretin e datës 18.10.2019, Presidenti ka emëruar Besnik Muci si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për vendin e dytë ka zgjedhur të heshtë dhe me kalimin e afatit prekluziv tridhjetë ditor, në datën 07.11.2019 Znj. Arta Vorpsi, e renditur e para në listën e miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, konsiderohet e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kushtetutës dhe ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e
Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Presidenti e ushtron

kompetencën e tij duke u kufizuar në emërimin e një prej tre emrave të parë në listën e

3 kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, sipas listës së hartuar për këtë qëllim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Presidenti e ushtron kompetencën e tij duke emëruar anëtarin e Gjykatës Kushtetuese brenda një afati 30 ditor nga dita kur ka marrë vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në rast se brenda këtij afati Presidenti nuk e ushtron të drejtën e tij, kandidati i renditur i pari në vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i emëruar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, (neni 7/b, pika 4 i ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me ndryshime).

Me nxjerrjen e Dekretit nr.11350, datë 13.11.2019 Presidenti i Republikës, duke emëruar
kandidatin tjetër jashtë afatit 30 ditor të përcaktuar shprehimisht nga ligji kushtetues, ka

shkelur njëkohësisht jo vetëm afatin prekluziv brenda të cilit duhej të emëronte gjyqtarin

kushtetues midis tre kandidaturave të listuara të parat në vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por ka emëruar si gjyqtar një kandidat që është listuar në vendin e katërt sipas vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Afati tridhjetë ditor për Presidentin ka mbaruar në datën 07.11.2019, pasi vendimi nr. 132, datë 21.09.2019 i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i është njoftuar Presidentit në datën 08.10.2019, dhe renditja e kandidatëve në listën e miratuar me këtë vendim është: 1. Arta Vorpsi; 2. Fiona Papajorgji; 3. Elsa Toska; 4. Marsida Xhaferllari.

Duke emëruar kandidatin e listuar në vend të katërt në vendimin nr. 132, datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me justifikimin se zgjedhja e dy prej kandidatëve në të njëjtën listë si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese me vendimin e Kuvendit të datës 11.11.2019, e rendit kandidatin e zgjedhur si gjyqtar kushtetues nga Presidenti në tre vendet e para të listës, Presidenti ka marrë në mënyrë abuzive kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është i vetmi organ që ka kompetencën e renditjes së kandidatëve sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organi i vetëm kushtetues që përcakton renditjen e tre të parëve si kandidatë, ndërmjet të cilëve duhet të emërojë ose zgjedhë Presidenti ose Kuvendi.
Qëllimi i këtij rregulli kushtetues dhe ligjor është kufizimi i diskrecionit për të tre organet e

emërtesës, përkatësisht Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, për të vendosur brenda

renditjes së përcaktuar në vendimin e këtij Këshilli.

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Në mungesë të kompetencës për të emëruar gjyqtarin kushtetues, Presidenti, në mënyrë të kundërligjshme ka ndërhyrë në një proces kushtetues. Argumentet Presidentit në letrën e datës 05.11.2019 drejtuar Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në lidhje me radhën e 4 emërimit të gjyqtarëve kushtetues nga Presidenti e Kuvendi, bien ndesh me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, pasi radha nuk përcakton kohën e veprimit të organit, por kompetencën për të vepruar për secilin vend vakant.
Në kushtet kur plotësohen disa vende vakante njëherësh, secili organ ka të drejtë të ushtrojë kompetencën e vet kushtetuese, pa u kufizuar nga zgjedhja e organit tjetër dhe as nga koha e ushtrimit të kësaj kompetence prej secilit organ, duke emëruar/zgjedhur gjyqtarin/gjyqtarët kushtetues në mënyrë të pavarur nga vendimmarrja e organit tjetër.

Nga procedura tërësore e ndjekur, që nga shpallja e vendeve vakante për gjyqtarët kushtetues, nga Presidenti ashtu dhe nga Kuvendi, deri në shqyrtimin, vlerësimin e

kandidaturave dhe njoftimet e vendimeve përkatëse të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për secilin vend vakant të krijuar, është e qartë kompetenca e emërimit/zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues për vendin vakant respektiv, përkatësisht nga Presidenti dhe nga Kuvendi.

Duke vepruar në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të ligjit dhe në mungesë të kompetencës, Presidenti ka kryer një akt të paprecedent duke tentuar të pezullojë një proces kushtetues me procedura ligjore administrative. Dispozitat kushtetuese si dhe ato të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me emërimin dhe zgjedhjen e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk mund të interpretohen në tejkalim të misionit që ato kanë: të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit efikas dhe të pacenueshëm të një organi kushtetues të rëndësisë së veçantë, siç është Gjykata Kushtetuese.
Duke vepruar në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti ka tentuar të bllokojë
emërimin/zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që sjell zvarritjen e rifillimit të

funksionimit të kësaj Gjykate. Për më tepër, ky veprim synon të ndikojë në cenimin e

pavarësisë së këtij institucioni nëpërmjet ndërhyrjeve antikushtetuese në procedurat e

emërimit të gjyqtarëve të kësaj Gjykate.

Presidenti në mënyrë të përsëritur ka kryer veprime në kundërshtim me Kushtetutën, duke nxjerrë akte në tejkalim ose në mungesë të kompetencës së tij kushtetuese dhe ligjore;
Për sa më sipër, Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë Dekretin nul të Presidentit të Republikës nr.11350, datë 13.11.2019.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat, pa krijuar asnjë pengesë, për mundësimin e fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit./atsh

Shmangia e krizës kushtetuese, detyrë imperative/ Kuvendi miraton me 97 vota rezolutën Read More »

Kampionati me pushkë dhe pistoletë sportive, përzgjidhen qitësit më të mirë

“Forcat e Armatosura të Shqipërisë përzgjodhën qitësit më të mirë në kampionatin e zhvilluar për herë të parë me pushkët dhe pistoletat sportive”, tha sot ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Xhaçka shtoi se ndihet e kënaqur nga vajzat dhe djemtë e gjithë strukturave të Forcave të Armatosura, të cilat arritën rezultate mbresëlënëse edhe pse me armë të reja për ta.

“Urime fituesve dhe tashmë me armët e reja, suksese në garat ndërkombëtare!”, shprehet ajo.

Pushkë/Ekipi i vajzave:Forca Tokësore.Policia Ushtarake. ASNI+Forca Ajrore. Pushkë/Ekipi i djemve:Shtabi i Përgjithshëm.Forca Tokësore.Policia Ushtarake

Pushkë/Vajza:Tetar Klodiana Panxhi SHP.Tetar Emiranda Hajdini FT. Ushtar i III Jonilda Alidini

Pushkë/Djem:Nënkolonel Lavdim Çota KM. Tetar Frenci Balla PU. Rreshter Alfred Gjyla

Pistoletë/Ekipi i vajzave: Forca Detare. Forca Tokësore.Komanda Mbështetëse

Pistoletë/Ekipi i djemve: Forca Tokësore. Shtabi i Përgjithshëm.Policia Ushtarake

Pistoletë/Vajza:Nëntoger Imelda Murrja FD. Ushtar i III Jonilda Alidini FT. Ushtar i IV Xhoana Torollari

Pistoletë/Djem:Rreshter Sajmir Çekrezi PU. Rreshter Alfred Gjyla FT. Kapter Dorian Mema FT/atsh

Kampionati me pushkë dhe pistoletë sportive, përzgjidhen qitësit më të mirë Read More »

“Shqipëria punon tokën”, Çuçi: Panairi më i madh bujqësor dhe blegtoral, biznese edhe nga rajoni

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi duke folur mbi edicionin e tretë të panairit më të madh të bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit “Shqipëria punon tokën”, është shprehur se ky është panairi më i madh bujqësor dhe blegtoral, i cili do të sjellë këtë herë, përveç prodhimit autokton shqiptar, edhe biznese nga vendet e rajonit.

“Në mes të Tiranës do kemi një fshat me kafshë, produkte, workshope ku do flitet për bujqësinë, skemat e AZHBR-së, etj.. Do ketë përfaqësues të agroturizmit. Do jetë një panair 360 gradë. E veçanta është që do kemi edhe biznese nga rajoni”, – u shpreh Çuçi, i cili ishte i ftuar në një studio televizive.

Në lidhje me protestën e fermerëve pak ditë më parë, ministri i Bujqësisë tha se ka pritur një grup përfaqësuesish dhe nga ana e këtij institucioni po shihen rrugët e zgjidhjes. “Është normale të ketë të pakënaqur. Sot prita një përfaqësi të shoqatës që protestoi. I bëra me dije që vetëm me dialog mund të kemi rrugëzgjidhje. Ata paraqitën disa pika, po i shohim. Çfarë janë në dorë të Ministrisë së Bujqësisë do i bëjmë”, – tha më tej ministri.

Duke folur për politikat bujqësore, ministri tha se ato kanë bërë që vetëm në 9-mujorin e parë të 2019-ës eksportet bujqësore të rriten me 24%, krahasuar me 2018. “Kjo më bën optimist që politikat që kemi ndjekur kanë dhënë rezultatet e tyre”, – u shpreh Çuçi.

“Sektori i bujqësisë, – tha ai, – është sektor i vështirë. Kudo ka probleme, sepse varet nga kushtet atmosferike. Ti mund të planifikosh çdo gjë, por ajo që ndodh, p.sh., këtë tetor me të nxehtin e pazakontë, ishte e papritur”. /atsh

“Shqipëria punon tokën”, Çuçi: Panairi më i madh bujqësor dhe blegtoral, biznese edhe nga rajoni Read More »

Klosi: Shqipëria vendi i parë europian pa qese plastike më 1 Qershor 2020

Plastika është një kërcënim për mjedisin dhe planetin. Shqipëria do jetë i pari vend europian pa qese plastike më 1 qershor 2020 duke e vendosur kështu në hartën e vendeve lider për veprimet konkrete kundër plastikës dakordësuar kjo edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi përmes një video sensibilizuese për dëmet që sjell plastika në planet shprehet se, “plastika nuk lë vend për jetë”.

“Nëse nuk i themi jo plastikës shumë shpejt situata në planetin tonë do të bëhet kaotike. Sipërfaqet e oqeaneve dhe deteve do të mbushen me mbetje duke rrezikuar jetën e florës dhe faunës në planet. Në oqeane do të këtë më shumë plastikë sesa peshq. Një qese plastike do rreth 500 vjet të dekompozohet duke shkaktuar dëme të pariparueshme në mjedis. Duhet t’i themi jo plastikës së bashku për të shpëtuar planetin”, thuhet në videon sensibilizuese.

Gjithashtu, ministri Klosi zhvilloi një takim edhe me një grup studentësh të cilët i janë bashkuar “Shqipëria vendi i parë europian pa qese plastike, më 1 Qershor 2020”. Një bashkëbisedim i hapur midis stafit të ministrisë së Mjedisit dhe studentëve mbi politikat në mbrojtje të mjedisit dhe rëndësinë e përfshirjes të të rinjve në fushatën mjedisore për një Shqipëri të pastër dhe të gjelbër”, shprehet ministri Klosi. /atsh

Klosi: Shqipëria vendi i parë europian pa qese plastike më 1 Qershor 2020 Read More »