Aktualitet

AKU, plan vjetor për garantimin e sigurisë ushqimore

“Plani vjetor 2020 i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit do të jetë gur themeli për garantimin e sigurisë ushqimore”, deklaroi sot drejtori i AKU-së, Robert Lili.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit zhvilloi sot takimin e radhës për përmirësimin e planit vjetor të monitorimit mbi bazë risku për vitin 2020, me asistencën e Projektit “Food Safety”, financuar nga BE.

Motoja e këtij takimi ishte: “Të bëjmë ushqimin më të sigurtë, të mbrojmë shëndetin e njerëzve, të bimëve dhe kafshëve”.

Në takim u diskutua për rritjen e efektivitetit të mëtejshëm të veprimtarisë së AKU-së dhe përqasjen e kësaj veprimtarie me praktikat e mira europiane.

Komunikimi i riskut, strategjia e bashkëpunimit me qytetarët dhe jo vetëm, si dhe plani për trajnimin e inspektorëve të AKU-së në funksion të përmirësimit të performancës së tyre ishin pjesë e diskutimit të kësaj tryeze.

Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Robert Lili shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të kontibuar në aktivitetet e planifikuara nga ekspertët e projektit, duke e konsideruar të çmueshme përvojën e tyre në këtë drejtim.

Ai paraqiti vizionin dhe theksoi se, AKU është në krah të ligjit dhe synon zbatim rigoroz të tij, ndaj plani vjetor 2020 do të jetë gur themeli për garantimin e sigurisë ushqimore./atsh

AKU, plan vjetor për garantimin e sigurisë ushqimore Read More »

IPARD II/ Tepelenë, fabrika e parë moderne e përpunimit të mishit

Një qendër grumbullimi dhe përpunimi për mishin me kapacitet përpunues tepër të lartë, ku përllogaritet 600 – 700 krerë për një ditë ka nisur të ndërtohet në Tepelenë.

Lajmi u bë i ditur nga bashkia e Tepelenës, e cila thekson se “ky projekt kap vlerën e rreth dy milion euro dha ka një afat kohor maksimal 24 muaj. Ai do të bëhet i mundur falë iniciativës private dhe mbështetjes maksimale nga ana institucionale nëpërmjet fondeve të IPARD II dhe Qeverisë Shqiptare”.

“Duket e pabesueshme që një investim i standardeve europiane ti shkoj Tepelenës në një kohë kur gjithë tregu blegtoral, të paktën në qarkun e Gjirokastrës megjithëse është baza e ekonomisë për banorët e zonave rurale, vijon me problemet e qëndrueshmërisë së tregut, pa diskutuar këtu për trajtimin dhe standardet që duhet të ketë ky produkt, për të qenë pjesë e një tregu europian”, – shprehet bashkia.

Sipas bashkisë, vlen të theksohet fakti që impianti përpunues i mbetjeve nga aktiviteti është fjala e fundit e teknologjisë, ç’ka do të thotë 0 aktivitet ndotës.

Vendndodhja e objektit është mjaft potenciale për Tepelenën, pasi kap në distancë thuajse të barabartë të treja Njësitë Administrative, e vendosur pranë ish-SMT (Ura e Bënçës).

“Ky lajm i thënë shpesh në takimet elektorale me banorët dhe kryesisht blegtorët, ka qenë një nga detyrimet kryesore të kryetarit të bashkisë Peçi, i cili ka bërë gjithë përpjekjet maksimale, për realizimin e këtij investimi tepër të rëndësishëm që kontribuon mjaft për ekonominë familjare në fshatra, duke krijuar edhe vende të reja pune”, – shprehet bashkia e Tepelenës.

Tepelena është një zonë ku blegtoria mund t’i shërbejë tryezave të mikpritjes përmes bujtinave dhe hoteleve të vegjël të agroturizmit. /atsh

IPARD II/ Tepelenë, fabrika e parë moderne e përpunimit të mishit Read More »

Çuçi pret në takim fermerët që protestuan, nis puna e përbashkët për adresimin e kërkesave të tyre

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ka pritur sot në takim një përfaqësi të grupit të fermerëve që protestuan përpara disa ditësh lidhur me ngërçin e krijuar për shitjen e prodhimeve bujqësore, kryesisht të domates. Në takim u diskutuan me radhë të gjitha kërkesat që fermerët kanë parashtruar.

Ministri Çuçi garantoi fermerët se një grup ekspertësh i kryesuar nga zv/ministri Dhimo Kote ka ditë që po punon për të gjitha çështjet që kanë ngritur fermerët. Ministri garantoi fermerët se kërkesat që lidhen direkt me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, janë thuajse të realizueshme të gjitha.

“Zgjidhjet dhe vendimet merren gjithmonë duke u ulur së bashku në tryezën e punës. Sot ishte takimi i parë me përfaqësinë e një grupi fermerësh që kanë dalë në protestë. Ne kemi ngritur një grup pune në ministri, i kryesuar nga zv.ministri Dhimo Kote, për të adresuar si duhet kërkesat që ata kanë paraqitur. Në ditët dhe javët e ardhshme besoj se do të kemi takime të tjera për të shkuar drejt rezultateve konkrete. Kërkesat që lidhen direkt me Ministrinë e Bujqësisë, janë të parat që besoj se mund të përmbushen së shpejti brenda hapësirave dhe mekanizmave që ne kemi. Nuk do të lemë pa trajtuar as kërkesat e tjera që shkojnë përtej kësaj ministrie,” shprehet Çuçi.

Por kjo do të bëhet duke hapur një diskutim më të gjerë edhe me grupet e tjera të interesit, apo shoqatat e tjera rreth të cilave janë grupuar fermerët. Ndërkohë për kërkesat e tjera që nuk lidhen me Ministrinë e Bujqësisë dhe kërkojnë ndryshim në paketën fiskale, apo kanë efekt në buxhetin e shtetit, do të përfshihen në proces edhe Ministria e Financave, si dhe do të shqyrtohen në qeveri.

“Kurrë më parë s’është bërë kaq shumë për bujqësinë në Shqipëri sa kemi bërë ne. Rritja prodhimit bujqësor dhe nivelit të eksporteve është treguesi më domethënës i këtij fakti. Gjatë këtij viti kemi bërë zero, si asnjë vend tjetër në rajon, TVSH-në për imputet bujqësore. E megjithatë bujqësia ka probleme sepse është një sektor delikat në çdo vend të botës, jo vetëm në Shqipëri. Përtej të gjithave, ne jemi të vendosur të shtojmë mbështetjen dhe lehtësitë ndaj fermerëve,” deklaroi më tej ministri Cuci.

Takimi i sotëm ishte hapi i parë i një pune të përbashkët që do të vijojë në ditët dhe javët e ardhshme për të adresuar si duhet shqetësimet e fermerëve. /atsh

Çuçi pret në takim fermerët që protestuan, nis puna e përbashkët për adresimin e kërkesave të tyre Read More »

Kushtetuesja/Betohen në presidencë, dy anëtaret e zgjedhura nga Kuvendi dhe një nga Meta

Në Institucionin e Kreut të Shtetit u zhvillua sonte ceremonia e betimit përpara Presidentit Ilir Meta, të tre anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese.

Fillimisht në presidencë u betua Elsa Toska për plotësimin e vakancës së parë të Kuvendit që zëvendëson ish-gjyqtarin Vladimir Kristo.

Duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, gjyqtarja Toska u betua para Presidentit Meta: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!”.

Gjithashtu në presidencë u betua dhe anëtarja e re të Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, plotësimi i vakancës së dytë të Presidentit Meta që zëvendëson ish-gjyqtaren, Altina Xhoxhaj.

Duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, gjyqtarja Xhaferllari u betua para Presidentit Meta: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!”. Presidenti Meta i uroi shumë suksese dhe punë të mbarë në këtë detyrë shumë të rëndësishme.

Në Institucionin e Kreut të Shtetit u betua përpara Presidentit Meta dhe anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji. Ky është plotësimi i vakancës së dytë të Kuvendit që zëvendëson ish-gjyqtarin, Bashkim Dedja.

Duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, gjyqtarja Papajorgji u betua para Presidentit Meta: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!”.

Pas betimit të tre anëtareve të Kushtetueses, Meta tha se: “I lumtur që më në fund, pas dy vitesh, fillon sot nga funksionimi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Urime tre anëtareve të reja të kësaj Gjykate, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji”./atsh

Kushtetuesja/Betohen në presidencë, dy anëtaret e zgjedhura nga Kuvendi dhe një nga Meta Read More »

“Një anëtar, një votë”, Balla: Të shtunën, zgjidhen mbi 700 delegatë të Kongresit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ftoi sot anëtarësinë e PS-së, që në 16 nëntor të zgjedhin delegatët e rinj të Kongresit, në një proces, që sipas tij, “do të dëshmojë funksionimin e demokracisë së brendshme në PS”.

Në një prononcim për mediet, Balla tha se “sapo ka përfunduar ndarja e të gjitha materialeve zgjedhore në të gjitha degët e PS-së”.

“Ky është një proces tepër i rëndësishëm që ditën e shtunë përmbyll fazën e parë, zgjedhjen e drejtpërdrejt nga anëtarësia e Partisë Socialiste përmes parimit ‘Një anëtar një votë’ të më shumë se 703 delegatëve nga të 61 bashkitë e vendit”, tha Balla.

Ai tha se në 16 nëntor socialistë do të kenë mundësinë të votojnë në më shumë se 363 qendra votimi në të gjithë vendin, ndërsa shtoi se ato do të jenë të hapura prej orës 08:00-16:00.

“Zgjedhjet për emigracionin do të vijojnë edhe gjatë muajit nëntor. Kemi autorizuar Sekretariatin tonë për Emigracionin për të testuar edhe modele të votimit online apo votimit me postë”, tha ai.

Balla ftoi më shumë se 107 800 anëtarë të PS-së të regjistruar në këtë proces zgjedhor të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm, pasi sipas tij, “PS mbetet fuqia e ndryshimit edhe në aspektin e funksionimit të demokracisë brenda një partie politike, model edhe për parti të tjera”.

Sipas Ballës, “edhe në selinë e PS-së do të hapet një qendër votimi ku rreth 800 anëtarë të PS Tiranë do të votojnë në mënyrë elektronike”.

“Janë më shumë se 1080 komisionerë që janë trajnuar. Për herë të parë kemi zhvilluar dhe një proces prezantimi të kandidatëve për delegatë dhe në këtë moment në bashki të ndryshme të vendit po vijojnë prezantimin para anëtarësisë së partisë, që në 16 nëntor çdo anëtar të ketë të qartë se kush do të jetë delegati që voton”, tha Balla.

Ai shtoi se “çdo proces forcimi të demokracisë së brendshme në PS është shenjë e forcimit të demokracisë në vend”./atsh

“Një anëtar, një votë”, Balla: Të shtunën, zgjidhen mbi 700 delegatë të Kongresit Read More »

Presidenca: Betohen sot pasdite 3 anëtaret e Gjykatës Kushtetuese

Institucioni i Presidentit të Republikës ka njoftuar sot organizimin e ceremonisë për betimin e tre anëtareve të Gjykatës Kushtetuese.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, ka vendosur të thërrasë sot për betim, përpara Presidentit të Republikës, anëtarët e rinj të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

“Zonja Elsa Toska e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 133/2019 datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:00”.

Zonja Marsida Xhaferllari, e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:30.

Zonja Fiona Papajorgji e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 134/2019, datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot më datë 14.11.2019, ora 20:00”, thekson Presidenca.

Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, përfundon njoftimi./atsh

Presidenca: Betohen sot pasdite 3 anëtaret e Gjykatës Kushtetuese Read More »

Shahini, të diplomuarve për Drejtësi: Punësim për ekselentët dhe praktikë 3-mujore për pjesën tjetër

/Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të fakultetit të Drejtësisë nga ku tha se më të mirët do të punësohen në administratën shtetërore me një kontratë 1-vjeçare.

“Si politikëbërës ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që gjenerata juaj po diplomohet në një situatë paqartësish dhe sfidash jo vetëm ekonomike por dhe të tjera. Ndaj jam e lumtur që sivjet ne kemi arritur të ndërmarrim disa masa që unë shpresoj sinqerisht që do arrijnë t’iu ndihmojnë dhe juve që të kyçeni më lart në tregun e punës pas diplomimit. Siç tha dhe dekani, me nismat që kemi ndërmarrë sivjet, portali “Punë të mbarë”, të diplomuarit ekselentë që kanë mesataren 9-10 do ta gjejnë veten në sistemim e administratës publike me një kontratë një vjeçare e cila nëse rezulton e suksesshme vazhdon më tutje në shërbimin civil”, -tha Shahini. Më tej, ajo theksoi se është menduar edhe për pjesën tjetër që nuk hyjnë tek ekselentët.

“Por jo të gjithë kanë mesatare 9 ose 10 e për të gjithë të tjerët ne kemi siguruar një numër shumë me të lartë të praktikave të punës që është një mënyrë tjetër për të hyrë në tregun e punës. 3 muaj praktikë pa pagesë dhe nëse kjo rezulton e suksesshme vazhdon një kontratë në administratën publike. Por nuk është vetëm administrata e vetmja rrugë për të gjetur punësim. Ne jemi në përpjekje të vazhdueshme me sektorin privat që të rrisim numrin e pozicioneve që janë në dispozicion për të sapo diplomuarit”, -tha ministrja. /atsh

Shahini, të diplomuarve për Drejtësi: Punësim për ekselentët dhe praktikë 3-mujore për pjesën tjetër Read More »

Ekspozohen fotografi, harta dhe armatime nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare

Fotografi, harta dhe armatime, nga vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kësaj epopeje të ndritur të kombit shqiptar u ekspozuan sot në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë në Muzeun Historik Kombëtar, institucionin më të madh të kujtesës historike kombëtare.

Në ekspozitë gjenden edhe libra të kohës së luftës, si edhe libra të shkruar nga dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët veç aktit heroik të sakrifikimit për lirinë e Atdheut na kanë lënë edhe një trashëgimi të çmuar letrare.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në çeljen e ekspozitës tha se “pushtimi i Shqipërisë nga fashistët italianë më 7 prill 1939, ishte një ndër aktet e para agresive të fashizmit në Europë. Kjo datë ka hyrë në histori si dita e parë e pushtimit fashist, por edhe si dita e parë e rezistencës së armatosur antifashiste të popullit shqiptar. Me pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania hitleriane filloi një periudhë edhe më e rëndë, por dhe heroike për Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Operacioni i qershorit përfundoi me disfatën e gjermanëve, të cilët patën mbi 3000 të vrarë dhe të plagosur. Më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtimi gjerman”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte pjesëtare e Koalicionit të madh Antifashist Botëror. Misionet e huaja të vendeve aleate kanë dhënë kontributin e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Misioni i parë britanik kryesohej nga majori Billi Maklin. Në tetor 1943, Drejtoria e Operacioneve Speciale mori udhëzim të dërgonte në Shqipëri një mision të nivelit të lartë, të kryesuar nga gjeneral brigade Edmond Dejvis, i cili do të bashkrendonte punën e grupeve angleze, që vepronin në Shqipëri. Pas kapjes rob të Dejvisit misioni britanik u plotësua nga Norman Wheeler dhe Alan Palmer. Kryetar i Misionit Ushtarak Amerikan në Shqipëri ka qenë Thomas Stefan, ndërsa majori Ilia Ivanov ka qenë kryetari i Misionit Ushtarak Sovjetik.

Në fillim të pranverës 1944 Ushtria Nacionalçlirimtare numëronte afro 30 mijë partizanë efektivë, përveç mijëra të tjerëve, që mbushën radhët e çetave territoriale e të njësiteve guerrile të qyteteve. Gjatë mësymjes pranverore prill-maj 1944, forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare i dhanë armikut 50 goditje kryesore, duke i shkaktuar të vrarë e të plagosur dhe robër, si dhe i zunë shumë armë, municione e materiale luftarake.

Kështu u përgatitën kushtet për mësymje të përgjithshme strategjike, e cila çoi në çlirimin e plotë të vendit. Mësymja e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dallohet nga pjesëmarrja e madhe e forcave partizane në luftime të shkallës operativo strategjike, nga zhvillimi i operacioneve dhe i betejave vendimtare për çlirimin e zonave, krahinave dhe qyteteve kryesore, deri në çlirimin e plotë të vendit, me reparte të përqendruara./atsh

Ekspozohen fotografi, harta dhe armatime nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare Read More »