Aktualitet

Plan i përbashkët me policinë dhe doganat për rritjen e sigurisë në port

Rritja e mëtejshme e parametrave të sigurisë në portin më të madh në vend, ishte tema kryesore e takimit të zhvilluar të premten mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Gjon Bardhi dhe Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu.

Pas një analize të detajuar të situatës, bashkëbiseduesit u ndalën tek nevoja për të rivlerësuar masat e sigurisë në territorin e portit. Duke shprehur vlerësimin e Autoritetit Portual përkundrejt mbështetjes maksimale që po japin Policia e Shtetit dhe Doganat në këtë përpjekje, Vengu theksoi gatishmërinë e APD-së për të pasur një bashkëveprimin edhe më efektiv me institucionet ligjzbatuese që operojnë në hapësirat portuale.

Si pika hyrëse/dalëse kryesore në vendin tonë, Porti i Durrësit luan një rol kyç nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe duhet të jetë brenda çdo standardi me elementët e sigurisë, u tha ndër të tjera në këtë takim. Në këtë drejtim u miratua një plan i përbashkët veprimi mes Autoritetit Portual Durrës dhe institucioneve ligjzbatuese, i cili përfshin një numër masash konkrete që synojnë rritjen e sigurisë në Portin e Durrësit në planin afat-shkurtër.

Në takim morën pjesë gjithashtu dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, z. Lorenc SHEHU, Drejtori Vendor për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Ndue Doçi dhe përfaqësues të tjerë të Policisë së Shtetit./atsh

Plan i përbashkët me policinë dhe doganat për rritjen e sigurisë në port Read More »

Rama nga Zvicra me policin shqiptar: Të fala të gjithëve

Kryeministri Rama nga Zvicra ku ndodhet për të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Botëror, publikoi një videomesazh të veçantë me një polic shqiptar.

“Ja shqiptarët që ruajnë Zvicrën, siç ruajnë edhe Kombet e Bashkuara, siç ruajnë edhe shumë vende”, – thotë Rama.

Polici konfirmon prejardhjen e tij nga Gjilani, teksa Kryeministri e pyeti se nga ishte.

“Të fala të gjithëve në Gjilan, në Kosovë, në Shqipëri nga policia shqiptare e Zvicrës”, – thotë Rama teksa përfundon videomesazhin special./atsh

Rama nga Zvicra me policin shqiptar: Të fala të gjithëve Read More »

Siguria ushqimore/ Aksioni vijon çdo ditë nga veriu, në jug të vendit

Drejtoria Rajonale e Autoritet Kombëtar të Ushqimit (AKU) Fier bëri të ditur sot, se ditën e enjte ka kryer 13 kontrolle zyrtare tek Operatorët e Biznesit Ushqimor (me origjinë shtazore, joshtazore dhe produktet e mbrojtjes së bimëve) dhe për shkeljet e konstatuara vendosi 3 masa administrative “gjobë” me vlerë 300.000 lekë, për tregtim të produktit mish pa vulë dhe pa certifikatë veterinare.

Gjithashtu njofton AKU, janë vendosur 4 masa administrative “Paralajmërim” si dhe është lënë detyra e korrigjimit të mangësive të konstatuara; Janë marrë 4 mostra për kryerjen e 4 analizave laboratorike dhe është vendosur masa administrative “Bllokim Produkti” për 21 kg mish (viçi dhe qengji) i konstatuar i pasigurt për konsum human.

AKU në sajë të monitorimeve rigoroze të kryera për çdo ditë garanton të gjithë konsumatorët për sigurinë e produkteve të cilat konsumojnë dhe fton që bashkërisht të bëhemi edhe më të fortë nëpërmjet rubrikës “Denonco”./atsh

Siguria ushqimore/ Aksioni vijon çdo ditë nga veriu, në jug të vendit Read More »

Basha në gjykatë me akuzën për falsifikim dokumentesh

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen për kreun e PD, Lulzim Basha, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e kësaj partisë Ilir Dervishi.

Për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë bën të ditur se ka mbyllur një ditë më parë hetimet duke dërguar dosjen në gjykatë, ndërsa e ka vënë në dijeni kreun e PD, për marrjen të pandehur me akuzën për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampava ose i formularëve”, ndërsa ka pushuar akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Basha dhe dy zyrtarët e PD, do të shkojnë si të pandehur në gjykatën e Tiranës përballë Prokurorisë, në kuadër të dosjes numër 645 të vitit 2018. Objekti i akuzës, sipas prokurorisë bën fjalë për transferimin e pagesës prej 650 mijë dollarë nga Partia Demokratike me qëllim lobimin në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha sqarojnë në dokumentin e dorëzuar në gjykatë se për këtë çështje të merren të pandehur kryedemokrati Basha, ish-sekretari i i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani dhe financieri i kësaj partie, Ilir Dervishi me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Sipas prokurorisë, një rëndësi të posaçme ka patur dëshmia e Gazment Bardhit, sekretar i përgjithshëm i PD.

Gjatë fazës së mbledhjes së provave Lulzim Basha, Arben Ristani dhe ish-financieri i PD janë paraqitur dy herë në prokurori për të dhënë shpjegime./atsh

Basha në gjykatë me akuzën për falsifikim dokumentesh Read More »

Menaxhimi i armëve/ 20 ekspertë nga Policia e Shtetit trajnim nga SHBA

“20 ekspertë nga Policia e Shtetit përfunduan një Trajnim Kombëtar të përqendruar njëjavor mbi Sigurinë Fizike dhe Menaxhimin e Stokut të Armëve të Vogla, Armëve të Lehta dhe municioneve të tyre”, shprehet Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Ambasada SHBA-së, thekson se “Trajnimi u financua nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe u organizua nga SEESAC e UNDP dhe është pjesë e aktiviteteve për forcimin e masave të sigurisë së kontrollit për armët e vogla dhe armët e lehta në Shqipëri, të financuara nga Shtetet e Bashkuara”.

“Qëllimi kryesor i trajnimit ishte forcimi i kapaciteteve të personelit të ngarkuar me planifikimin, menaxhimin dhe ruajtjen e rezervave të armëve të vogla, armëve të lehta, dhe municioneve të tyre”, shprehet Ambasada./atsh

Menaxhimi i armëve/ 20 ekspertë nga Policia e Shtetit trajnim nga SHBA Read More »

Program rajonal për investime në veri të Shqipërisë

Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi prej 200.000 euro për asistencë teknike për përgatitjen e një programi rajonal investimesh në Veri të Shqipërisë.

Ky është hapi i parë i një programi më të gjerë asistence teknike, që do të zbatohet në partneritet me FSHZH-në për të mbështetur rajonin me një vlerë deri në 3 milionë euro.

Asistenca teknike do të përfshijë vijën bregdetare të Adriatikut midis Shëngjinit dhe Velipojës, bregun e liqenit të Shkodrës, lumin Buna dhe portën e Koplikut në Alpet shqiptare, si dhe një pjesë të territoreve të bashkive të Shkodrës, Lezhës dhe Malësisë së Madhe.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, BEI do të asistojë FSHZH për përcaktimin e strategjisë së turizmit të integruar dhe përmirësimit urban të Portës Bregdetare të Alpeve, marrjen në konsideratë të aseteve natyrore dhe potencialet e zonës, si dhe çështjet mjedisore.

“Duke ndihmuar për hartimin e një programi investimesh në infrastrukturën publike bazuar në potencialin e turizmit rajonal dhe një analize të thelluar të mangësive në infrastrukturën ekzistuese, Banka do të kontribuojë në zhvillimin e potencialit të pashfrytëzuar të Shqipërisë së Veriut”, tha Alessandro Bragonzi, përfaqësuesi i BEI-t për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Ky partneritet ilustron mbështetjen e BEI-t ndaj autoriteteve shqiptare për zhvillim të qëndrueshëm që sintentizon planet dhe sektorët ekzistues dhe u jep përparësi investimeve strategjike.

“FSHZH në rolin e vet si agjenci zhvillimore rajonale përmes kësaj nisme synon të sigurojë vizionin strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm të portës së Alpeve që sintetizon planet ekzistuese, strategjitë sektoriale dhe investimet strategjike të mëparshme e të kohëve të fundit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit sheh te BEI një partner të rëndësishëm nga i cili ka marrë mbështetje të vazhdueshme prej shumë vitesh, për të realizuar misionin e vet në mbështetje të objektivave të qeverisë shqiptare. Përmes kësaj nisme ne kemi ndërmend të ndërtojmë një program gjithëpërfshirës investimesh, që do t’i përgjigjet nevojave dhe potencialeve territoriale, përmes një qasjeje të integruar ndërhyrjesh, duke përmirësuar atraksionet e kësaj zone, duke nxitur potencialin e gjenerimit ekonomik, duke investuar te njerëzit dhe shërbimet, si dhe duke përmirësuar shërbimet publike”, tha Dritan Agolli, drejtor Ekzekutiv i FSHZH. /atsh

Program rajonal për investime në veri të Shqipërisë Read More »

Brandi turistik i Gjirokastrës, në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Selanik

Shqipëria po merr pjesë në edicionin e 35-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në Selanik që zhvillohet nga data 8 deri 10 nëntor 2019.

36 subjekte private që përfaqësojnë industrinë e turizmit në Qarkun Gjirokastër, tur-operatorë, hoteleri, kulinari, artizanat dhe shërbime të tjera si dhe bashkitë Gjirokastër, Tepelenë, Përmet do të përfitojnë nga ky panair për partneritete të reja dhe marrëveshje përmes takimeve mes pjesëmarrësve dhe blerësve nga vende të ndryshme.

Prezantimi i brandit turistik të Qarkut Gjirokastër, është misioni që kanë marrë përsipër, përfaqësimi i organizuar i pavijonit të Shqipërisë. Oferta e këtij qarku është përtej qytetit të Gjirokastrës, trashëgimi e UNESCO-s, por edhe të promovojë turizmin e aventurës, historinë, kulinarinë, e një rajoni të pasur në kulturë dhe traditë.

Ndërsa nxitja e turizmit rajonal dhe promovimi i destinacioneve turistike shqiptare e rajonale është epiqendra e njërit prej eventeve më të rëndësishëm të turizmit, që vjen si prolog i misionit të qeverisë për zhvillimin e industrisë së turizmit gjithëvjetor në Shqipëri. /atsh

Brandi turistik i Gjirokastrës, në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Selanik Read More »

Java Kombëtare e Ujit, Balluku: Investime për furnizim 24 orë për të gjithë qytetarët

Në kuadër të Javës Kombëtare të Ujit në Shqipëri, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me zëvendësministrin, Hantin Bonati dhe kreun e AKUM, Alqi Bllako, ishin në shkollën “E Kuqe” në Tiranë, ku biseduan me nxënës të kësaj shkolle rreth vlerave të ujit, por edhe rëndësisë së mos shpërdorimit të tij.

Në bisedën me nxënësit, ministrja Balluku e cilësoi tepër të rëndësishëm rolin e tyre për ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë për një çështje kaq jetike, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se në vitet e fundit Qeveria shqiptare ka investuar shumë në rrjetin ujësjellës me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët, jo vetëm në zonat urbane por dhe ato rurale.

“Vitet e fundit Qeveria shqiptare ka investuar shumë në sektorin e ujit. Pavarësisht se Shqipëria është një nga vendet më të pasura me rezerva ujore të ëmbla, nuk kemi pasur rrjete funksionale sidomos në zonat rurale. Ne sot jemi duke investuar shumë në këtë pjesë që t’i ofrojmë të gjithë banorëve të Shqipërisë, kudo që ata jetojnë, si në zonat rurale ashtu dhe në qytete, sepse nganjëherë edhe qytetet i kanë linjat e amortizuara dhe të vjetra, ujë të pijshëm 24 orë pasi, siç ju e dini uji i pijshëm është një e drejtë e çdo qytetari”, tha ministrja Balluku.

Ministrja kërkoi që nxënësit e kësaj shkolle të bëhen shembull edhe për moshatarët e tyre dhe jo vetëm për ujin por edhe për çështje të tjera sensitive.

“Dua që ju të jeni një shembull për të gjithë fëmijët e tjerë dhe të gjithë shkollat e tjera në vendin tonë. Është shumë e rëndësishme që ju të luani rol në shoqëri. Shkolla është detyrim për të gjithë, siç është puna për të gjithë, kurse roli i një njeriu, i cili punon për mbrojtjen e planetit , për të sensitivizuar të tjerët, për çështje që janë çështje jetike, është një veprim që jo të gjithë e bëjnë. Dhe ju, që jeni këtu duhet të bëheni shembull për fëmijët e tjerë. Vullnetarizmi ndoshta në ditët e sotme është ajo që duhet të bëjmë, si për të mbrojtur mjedisin, si për të ndihmuar shtresat në nevojë”, theksoi ministrja Belinda Balluku.

Zëvendësministri Bonati krahas kujdesit që duhet treguar në menaxhimin e ujit u ndal edhe tek një tjetër shqetësim, siç është ndotja e tij që vjen nga plastika. “Ne duhet të kemi shumë kujdes në përdorimin e ujit. Gjithashtu, kujdes në çështjet e ujit duhet të kemi dhe nga plastika që është një nga problematikat kryesore sot në botë. Përveç mbrojtës së burimit ujor dhe konsumin e tij duhet ta mbrojmë këtë ujë për të ardhmen. Për ne uji është baza e jetës dhe duhet të kujdesemi të gjithë për të”, u shpreh Bonati.

Kreu i AKUM, Alqi Bllako, ndau me nxënësit angazhimin e Agjencisë që drejton, që brenda një kohe shumë të shkurtër në të gjithë Shqipërinë të ketë furnizim të pandërprerë dhe me cilësi me ujë të pijshëm. “Ne jemi të angazhuar në të gjithë Shqipërinë dhe po bëjmë të mundur që brenda shumë pak kohe të sigurojmë furnizim të pandërprerë dhe cilësor, jo vetëm për gjithë qytetet tona, por për të gjithë banorët e Shqipërisë sepse është një fakt shumë i rëndësishëm, ne jemi vend i bekuar, jemi vendi i dytë në Europë sa i përket burime ujore”, nënvizoi Bllako.

Gjatë këtij aktiviteti, së bashku me nxënësit e klubit të mjedisit në shkollën “E Kuqe” u demonstrua një prej mënyrave të matjes së cilësisë së ujit të pijshëm./atsh

Java Kombëtare e Ujit, Balluku: Investime për furnizim 24 orë për të gjithë qytetarët Read More »