Aktualitet

Balla: Meta nuk e ka kompetencën të shpërndajë parlamentin, sheh ëndrra me sy hapur

“Presidenti i Republikës nuk e ka kompetencën të shpërndajë parlamentin, ndërsa Kuvendi e ka kompetencën për ta shkarkuar Presidentin”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një konferencë për shtyp, Balla iu përgjigj pyetjes mbi mundësinë që ekziston që Presidenti të shpërndajë parlamentin.

“Më gjeni nenin në Kushtetutë ku thuhet kjo kompetencë. Unë di që në Republikën e Shqipërisë Presidenti zgjidhet nga Parlamenti dhe parlamenti nuk zgjidhet nga Presidenti. Kush kupton sadopak jurisprudencë në këtë vend e di që Kuvendi e ka të drejtën ta shkarkoj Presidentin e Republikës sipas një procesi rigoroz Kushtetues, që buron nga një raport i komisionit hetimor”, tha Balla.

Balla tha se “Presidenti i Republikës sheh ëndrra me sy hapur kur flet edhe për dekret që mund të shpërndajë parlamentin”.

“Të mos harrojmë që të vetmen lidhje që ka Presidenti me Kuvendin, është thirrja e seancës së parë të Kuvendit, pas procesit zgjedhor”, tha Balla. /atsh

Balla: Meta nuk e ka kompetencën të shpërndajë parlamentin, sheh ëndrra me sy hapur Read More »

Punësimi i të rinjve/Denaj: Rritje me 3.4% e nxënësve në shkollat profesionale

Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbështet zhvillimin e arsimit profesional praktik dhe modern për të plotësuar nevojat e biznesit me fuqi punëtore të kualifikuar.

E pranishme në konferencën e parë të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, theksoi rëndësinë e kualifikimit të fuqisë punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës.

Në këtë konferencë morën pjesë dhe Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, Sekretarja e Shtetit të landit Rheinland-Pfalz në Gjermani, Daniela Schmitt, Drejtori i Dhomës së Zejtarisë së Koblenzit, Ralf Hellrich si dhe Presidenti i Dhomës Kombëtare të Zejtarise, Luan Bregasi.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja u shpreh se qeveria është e angazhuar për zhvillimin e një sistemi arsimor profesional të orientuar drejt kurrikulave bashkëkohore të bazuara mes ndërthurjes së teorisë me praktikën.

Numri i nxënësve në shkollat e arsimit profesional është rritur në mënyrë të ndjeshme, me rreth 3.4%, falë vëmendjes së shtuar të qeverisë ndaj arsimit profesional në vitet e fundit, duke synuar një përshtatshmëri më të madhe me nevojat e tregut të punës dhe biznesit.

Numri i nxënësve në 35 shkollat e arsimit profesional në vend është rreth 20 mijë. Megjithatë ministrja Denaj u shpreh se ky numër është i pamjaftueshëm për nevojat e tregut të punës dhe në këtë drejtim duhet të rritet bashkëpunimi mes qeverisë, biznesit dhe aktorëve në tregun e punës.

Gjithashtu, Ministrja theksoi se gërshetimi i teorisë me praktikën është tepër i rëndësishëm për arsimin profesional.

“Arsimimi dual, me 50 % kohë në trajnim dhe 50% kohë në punë, është një edukatë gjermane, të cilën mund ta adoptojmë në kushtet shqiptare, për të parë aty ku nevojat janë të përshtatshme për të realizuar një objektiv të tillë”, tha Denaj.

Në zbatim të ligjit “Për nxitjen e punësimit, i miratuar këtë vit, është krijuar dhe Agjencia e Kombëtare e Punësimit dhe Arsimit Profesional, e cila bashkon në një institucion të vetëm Shërbimin Kombëtar të Punësimit me Qendrat e Formimit Profesional.

Nëpërmjet krijimit të Agjencisë, vlerësoi znj. Denaj, do të ridimensionohet procesi i ndërmjetësimit, në mënyrë që ai të mos ndodhë vetëm në momentin e ndërmjetësimit në zyrat e punës, por edhe më herët lidhur me nevojat për trajnime dhe kualifikime të fuqisë punëtore.

Ministrja Denaj u ndal edhe në rëndësinë që ka roli i “zejtarëve” në kuadër të zhvillimit ekonomik të vendit dhe u shpreh se MFE do të vijojë punën e saj për të stimuluar zejtarët, në mënyrë që aftësitë e tyre të trashëgohen ndaj brezit të ri.

Një prej masave më të afërta që do ndërmerret, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Zejtarisë është krijimi i Regjistrit të Zejtarëve, i cili do të mbajë informacionin për çdo zejtar dhe biznes zejtar.

Ministrja shprehu vlerësimin edhe për mbështetjen që qeveria e Gjermanisë ka dhënë për zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri, nëpërmjet projekteve të ndryshme, të cilat kanë rritur nivelet e kurseve të arsimit profesional dhe kapacitetet në të gjitha nivelet./atsh

Punësimi i të rinjve/Denaj: Rritje me 3.4% e nxënësve në shkollat profesionale Read More »

Braçe-Bashës: Lexo për domaten e vendit, në 2018-ën bujqit shqiptarë eksportuan 75 mijë tonë

“Taksa 100 lekë për domaten, i bën më të shtrenjta eksportet tona”, tha sot zv/kryeministri Erion Braçe, ndërsa i përgjigjet kryetarit të PD-së Lulzim Basha në lidhje me deklaratën e tij se fermerët paguajnë taksë 100 lekë për kg për domaten në import.

“Lexo Lylzim, lexo për domaten e vendit! Mëso që bilanci tregtar i domates në këtë vend është ky: Për vitin 2018-të, bujqit shqiptarë eksportuan 75 mijë tonë domate; Vlera e tyre 44 milionë dollarë! Janë para që në shumicën e tyre i kanë marrë bujqit e zakonshëm, kudo. Për vitin 2018, tregtarët shqiptarë importuan, 4 mijë tonë domate; Vlera e tyre 3 milionë dollarë! Pra, importi i domates në Shqipëri është veç 5% e sasisë së eksporteve tona, vlera e importit të domates në Shqipëri është veç 7% e vlerës së eksporteve tona! Diferenca është shumë e thellë, suficiti në këtë rast është shumë i madh. Pra, jemi thuajse eksportues neto në domate!”, shprehet Braçe.

“Boll u fole punëtorëve për idiotësi, domethënë taksë 100 lekë për kg për domaten në import!! Kuptoje që bujqit tanë as që i llogarisin importet e domates, po fare! Ajo që ti thua, nuk do shtrenjtojë 4 mijë tonë domate importi, do bëjë pa diskutim me të shtrenjta eksportet tona, për shkak të reciprocitetit që do vendosin të njëjtat vende ku ne eksportojmë! Ti mirë nuk i ke bërë kujt mirë, por mos i bëj dëm bujqve shqiptarë!”, thekson zv.kryeministri. /atsh

Braçe-Bashës: Lexo për domaten e vendit, në 2018-ën bujqit shqiptarë eksportuan 75 mijë tonë Read More »

Bregdeti i Adriatikut dhe Jonit, pasuri e çmuar për të rinjtë

Tirana mikpriti sot takimin e organizatave më të mëdha rinore të vendeve Adriatiko-Joniane, në një kohë kur kryeqyteti shqiptar është finalist për t’u shpallur “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022.

Eurorajoni Adriatiko-Jonian (AIE), në kuadër të Nismës AI-NURECC organizoi në kryeqytetin shqiptar Forumin e parë vjetor të Organizatës Rinore Adriatiko-Joniane duke u përqendruar në rolin e të rinjve për të krijuar kushtet e një dialogu të hapur midis Rinisë Adriatiko-Joniane, Organizatave Rinore dhe strukturave dhe aktorëve të EUSAIR.

Në fjalën e hapjes kryetari i qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi njëherazi dhe zv.president i Eurorajonit Adriatiko-Jonian theksoi se Tirana bëhet qyteti i vetëm që nisma AI Nurecc ka pasur dy ndalesa, ku dhe një vit më parë u diskutua për inovacionin dhe teknologjinë dhe sot ku mori jetë forumi i organizatave rinore të hapësirës Adriatiko-Joniane.

“Bregdeti, zona e Adriatikut dhe Jonit është një pasuri e çmuar për të rinjtë, sepse potenciali i turizmit, agroturizmit, agrikulturës përfshirë nevojat e sotme për zhvillim të territorit, teknologjisë dhe inovacionit në këto fusha kanë nevojë për dialog, network, shkëmbim eksperiencash. Pikërisht ky është qëllimi që organizatat rinore të punojnë së bashku mbi këto mundësi dhe për të strukturuar po ashtu të ardhmen e tyre duke u mbështetur tek pikat e forta të territoreve ku jetojnë”, u shpreh zoti Dalipi.

AI-NURECC është një iniciativë e përbashkët e palëve të interesuara kryesore që përfaqësojnë rajone, qytete, dhomat e tregtisë dhe universitetet e zonës Jon, EUSAIR. /atsh

Bregdeti i Adriatikut dhe Jonit, pasuri e çmuar për të rinjtë Read More »

Standardet, garanci për sigurinë ushqimore

Konferenca “Siguria ushqimore përmes përshtatjeve legjislative dhe standarteve të cilësisë”, mblodhi bashkë sot në Tiranë, ekspertë të fushës përfaqësues të Confindustria Albania-Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri si dhe të ftuar nga sektorët e linjës, të cilët vunë theksin në domosdoshmërinë e standardeve që garantojnë sigurinë ushqimore të konsumatorëve.

Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen Eduart Shalsi, i pranishëm në këtë aktivitet u shpreh se, ky takim është shumë aktual dhe i nevojshëm.

Në kushtet kur vendi ynë aspiron aderimin në Bashkimin Europian dhe siguria ushqimore është një nga prioritet dhe kushtet për integrimin europian, “temë e një rëndësie të veçantë që kërkon përmirësime institucionale, si dhe investime në rregulla të forta, laboratore moderne, mbikëqyrje të rreptë, edukim dhe trajnim të vazhdueshëm është siguria ushqimore”, – tha Shalsi.

“Duhet kuptuar që nuk është çështje e një institucioni apo agjencie të vetme, por një koordinim midis aktorëve, institucioneve qeveritare dhe sipërmarrjes private në një kontekst global, ku shkëmbimi i informacioneve, eksperiencave dhe ekspertizës është një garanci për përballimin me sukses të kësaj sfide komplekse”, – tha ministri Shalsi.

Seminari u organizuar nga Ambasada italiane në Tiranë dhe u ndoq me shumë interes nga përfaqësuesit e bizneseve dhe institucioneve të ndryshme.atsh

Standardet, garanci për sigurinë ushqimore Read More »

Buxheti 2020, platformë e posaçme për marrjen e mendimit qytetar

Marrja e mendimit qytetar se ku duhet të shkojnë investimet gjatë vitit 2020 në Bashkinë Fier po bëhet jo vetëm përmes takimeve të drejtëpërdrejta me qytetarët, por dhe online.

Platforma www.buxhetim.al synon të forcojë demokracinë vendore dhe mund të përdoret nga celulari i çdo qytetari, duke u dhënë mundësi atyre që të shprehin mendimin e tyre mbi prioritetet e buxhetit.

Konkretisht, përmes kësaj platforme qytetarët mund të zgjedhin 3 prioritete që mendojnë se duhen mbështetur me buxhetin 2020 dhe të komentojnë specifikisht llojin e ndërhyrjes që nevojitet.

Platforma www.buxhetim.al ka si qëllim përfshirjen e qytetarëve në hartimin e buxhetit të bashkisë, në mënyrë të thjeshtë, transparente dhe efektive.

Çdo qytetar mund të shprehë prioritetet e tij mbi zërat e buxhetit, direkt nga telefoni ose kompjuteri./atsh

Buxheti 2020, platformë e posaçme për marrjen e mendimit qytetar Read More »

Buxheti 2020/ KQZ kërkon shtesë fondi, Fino: Nuk ka para për luks

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2020” për KQZ-në.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përfaqësua nga Ylli Merkaj, Sekretari Përgjithshëm i KQZ-së dhe Mirela Gega drejtoresha e financave.

Merkaj tha se ishin dakord për miratimin e fondeve për KQZ nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

“Fondet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë në të njëjtin nivel të krahasuar me vitin tjetër”, tha Merkaj duke kërkuar që në buxhetin e 2020 të shtohet fondi me 20.144 milionë lekë për blerjen e dy furgonave, shtesë për pagat pasi janë punësuar 71 punonjës, por edhe shtimin e një kati në godinën e saj”.

Relatori Bashkim Fino tha se nuk ka para për luks për KQZ, Reforma Zgjedhore mund të ndryshojë strukturën e KQZ.

“Projektbuxheti i KQZ-së është korrekt, dy pretendimet që ka nuk ekzistojnë, pasi mund të marrë furgon me qira. KQZ ka volum të madh pune, por vetëm në zgjedhje.” Ne kemi dhënë një godinë të re të mirë, moderne dhe nuk pretendoj se duhet shtuar një kat”, tha ai.

Po ashtu, Fino shtoi se “jemi në procesin e Reformës Zgjedhore dhe mund të ndryshojë struktura totale e KQZ dhe mund të mos ketë aq shumë administratë, ku sipas reformës zgjedhore të ketë ndryshime strukturore dhe pa mbaruar kjo reformë Ministria e Financave nuk do japë para për luks”. /atsh

Buxheti 2020/ KQZ kërkon shtesë fondi, Fino: Nuk ka para për luks Read More »

Rikonstruktohet shkolla 9 vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk”

Shkolla 9-vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk” është rikonstruktuar me fondet që u mblodhën për bamirësi nga ‘Panairi Turk i Bamirësisë’ qe u organizua në maj 2019 nga Ambasada Turke.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Ahmet Yörük mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të kësaj shkolle.
“Ta gëzojnë mësueset dhe nxënësit e shkollës “Mustafa Kemal Atatürk” oborrin dhe fushën e volejbollit dhe të basketbollit, e cila është rikonstruktuar me fondet që u mblodhën për bamirësi nga ‘Panairi Turk i Bamirësisë’ që u organizua në maj 2019 nga Ambasada Turke”, u shpreh ai.

“Ndjejmë kënaqësi që të mbështesim këta fëmijë që janë e ardhmja e Shqipërisë”, theksoi ambasadori Yörük.

“Falënderojmë bashkëshortet e zyrtareve të Ambasadës, si dhe të gjithë ato që kontribuuan dhe morën pjesë. Gjithashtu Air Albanian e cila kontribuoi në mobilimin e ambienteve të shkollës si dhe zyrën e TIKA-s në Tiranë që bëri të mundur realizimin e këtij projekti”, u shpreh ambasadori turk. /a

Rikonstruktohet shkolla 9 vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk” Read More »