Aktualitet

Tirana shpallet zyrtarisht Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022

Tirana ka triumfuar në Amiens të Francës, ku mes 5 qyteteve kandidate mundi të shpallej zyrtarisht si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022! Lajmin e bukur e ka dhënë mbrëmjen e sotme vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku Tirana u vlerësua për fokusin që ka pasur tek të rinjtë, duke filluar nga ata më të vegjlit me çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave e deri te studentët me rikonstruksionin e konvikteve, apo krijimin e një sërë lehtësirave që ofron tashmë karta e studentit e kthyer në një realitet.

“Tirana është zyrtarisht fituese e çmimit European Youth Capital 2022! Super lajm për qytetin e veçanërisht për të rinjtë që do jenë motori i vitit europian të rinisë 2022”, shkruan Veliaj.

Tirana ishte përzgjedhur si një nga pesë qytetet kandidate për t’u zgjedhur si Kryeqyteti Evropian për të rinjtë 2022. Nga dhjetëra qytete të Europës që aplikuan, mes pesë qyteteve finaliste ishte renditur edhe Tirana, krahas Kazanit (Rusi), Poznań (Poloni), Varaždin (Kroaci) dhe Baia Mare (Rumani). Qytetet finaliste për EYC 2022 u përzgjodhën nga një panel i pavarur si Parlamenti Evropian, Komiteti i Rajoneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, etj. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve rinore si: Tirana Art Fest, Java Evropiane, Ditët e hapura të edukimit të BE, Ditët Rinore të Start Up-eve, Ditët e Rrjetëzimit të të Rinjve dhe Bizneseve etj./atsh

Tirana shpallet zyrtarisht Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022 Read More »

Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve/ “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash”

Në Ditën Universale të të Drejtave të Fëmijëve, partnerët ndërkombëtarë të zhvillimit kërkojnë nga institucionet shqiptare të reflektojnë mbi arritjet dhe sfidat për të siguruar që çdo fëmijë të gëzojë të drejtën e fëmijërisë në Shqipëri.

Shqipëria ka një kornizë të mirë legjislative, por qeverive vendore duhet t’u shkojë më shumë mbështetje, veçanërisht në zonat e thella, në mënyrë që të sigurohen shërbimet e duhura të integruara të kujdesit shoqëror për fëmijët dhe familjet e cënueshme.

Veprimtaria mbështetet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, UNICEF, Save the Children, Terre des hommes, World Vision, Partnerë për Fëmijë, Fshatrat e Fëmijëve SOS në Shqipëri dhe Nisma ARSIS.

Këtë vit, Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve është gjithashtu 30-vjetori i Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve.

Në Shqipëri u festua me aktivitete të drejtuara nga fëmijë dhe të rinj në Korçë, ku fëmijë dhe të rinj të Shqipërisë folën për të drejtat e tyre.

Nën temën “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash”, fëmijët ngritën zërin që të drejtat e tyre të respektohen dhe realizohen për çdo fëmijë, me fokus te bashkëmoshatarët më të pafavorizuar dhe më të cenueshëm, duke kërkuar adresimin e nevojave të tyre themelore.

Pa fjalime nga të rriturit, veprimtaria u mbajt si një seancë dëgjimore për të gjitha pyetjet dhe çështjet shqetësuese të ngritura nga fëmijët dhe të rinjtë, përmes shfaqjeve të tyre, për sfidat ekzistuese për të drejtat e arsimit, mbrojtjes, pjesëmarrjes dhe shëndetit.

Veprimtaria mblodhi së bashku fëmijë dhe të rinj nga Burreli, Durrësi, Elbasani, Korça, Shkodra, Tirana dhe Vlora, me shfaqje teatrale ndërvepruese, histori personale në formën e bisedave TEDx, këngë beatbox, lojëra për të drejtat e fëmijëve, shfaqje me video, shkëmbime me influencues të famshëm , ekspozita, etj.

Fëmijët u përshëndetën nga disa prej figurave të njohura publike në Shqipëri dhe mbështetës të të drejtave të fëmijëve – Roland Hysi, Luiza Gega dhe Vitmar Basha, të cilët treguan historitë e tyre personale dhe u dërguan mesazhe frymëzuese fëmijëve.

Të pranishëm në këtë veprimtari ishin përfaqësues nga qeveria shqiptare, autoritetet vendore, si dhe nga organizatat ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, duke përfshirë Ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, Dr. Roberto De Bernardi – Përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri, Artina Morava – Drejtore e Programit World Vision, Alketa Lasku – Drejtore Vendore e Terre des hommes, Anila Meço, Drejtore Vendore e Save the Children, Teuta Shkenza, Drejtore Kombëtare e Fshatrave të fëmijëve SOS në Shqipëri, Julinda Vokopola Zëvendësdrejtore e e Nismës ARSIS dhe Ingrid Jones – Drejtore Ekzekutive e Partnerë për Fëmijë.

Të gjithë ata dëgjuan çështjet që kanë rëndësi për fëmijët shqiptarë dhe kërkesat e tyre për një shoqëri që ofron një të ardhme të mirë për të gjithë fëmijët.

Për të katërtin vit me radhë veprimtaria u organizua, u moderua dhe u prezantua nga fëmijë dhe të rinj, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, UNICEF, Terre des hommes, Save the Children, World Vision, Partnerë për Fëmijë, Fshatrat e Fëmijëve SOS dhe Nisma ARSIS. Ky aktivitet u mbështet edhe nga bashkia e Korçës./atsh

Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve/ “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash” Read More »

Haki Çako emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile

Këshilli i Ministrave emëroi sot Haki Çakon, drejtor të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, institucion i cili u formua pas ndryshimeve strukturore qe iu bë Emergjencave Civile.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, u vendos që Çako të jetë në krye të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile i është nënshtruar ndryshimeve në strukturë, në kuadër të projektligjit të ri për Mbrojtjen Civile. Ajo tashmë është transformuar në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Sipas Këshillit të Ministrave, ky vendim hyn në fuqi menjëherë./atsh

Haki Çako emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Read More »

Shpronësimet për interes publik në segmentin Skelë-Ujë i Ftohtë, miratohet vlera shtesë

Në mbështetje të Kushtetutës, të ligjit “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi sot që:

Në tabelën me emërtimin “Lista e pasurive të paluajtshme, pronë private, që do të shpronësohen për interes publik, të cilat preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Skelë – Ujë i Ftohtë, Bashkia Vlorë (Zona I, Skelë – Shkolla e Marinës)”, që i bashkëlidhet vendimit nr. 661, datë 8.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të dhënat për numrin rendor 56 ndryshohen.

Vlera shtesë, prej 5 403 681 (pesë milionë e katërqind e tre mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) lekësh, e kësaj pasurie, i shtohet vlerës së përgjithshme të vendimit nr.661 dhe do të përballohet nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Planifikimi urban”.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. /atsh

Shpronësimet për interes publik në segmentin Skelë-Ujë i Ftohtë, miratohet vlera shtesë Read More »

Kleanthi Zeka në sitën e Vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot një seancë dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Kleanthi Zeka, prokuror pranë prokurorisë së Apelit Vlorë.

Trupa gjykuese për subjektin e rivlerësimit përbëhej nga Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.

Subjekti Kleanthi Zeka do të përballet me procesin e Vetingut për tre kriteret e vlerësimit: ligjshmërinë e pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional. /atsh

Kleanthi Zeka në sitën e Vetingut Read More »

Dashuria për Shqipërinë e kthyer në mision për çiftin shqiptaro-amerikan

“Dashuria për Shqipërinë, kulturën, muzikën shqiptare është kthyer në mision për çiftin shqiptaro-amerikan”, tha sot Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

Majko shprehet se “Mario Rrapaj nga Vlora dhe Carson Dorsi nga Amerika janë një çift bashkëshortësh që jetojnë në Dallas, Texas në SHBA dhe ku po i kushtojnë rëndësi të veçantë promovimit të artit, kulturës e muzikës shqiptare atje”.

“Dorsi e njohur ndryshe si “Albanian Girl” është soprano amerikane, e cila tani në repertorin e saj përfshin vetëm këngë në gjuhën shqipe. E pranishme në një konkurs të sipërmarrësve të muzikës, në Universitetin e Texasit të veriut, ajo paraqiti një projekt për zhvillimin e një database të muzikës shqiptare në mënyrë digjitale, i cili u vlerësua me 2 çmime. Bashkëshortët prej disa kohësh kanë themeluar edhe fondacionin kushtuar muzikës shqiptare, “International Albanian Music Foundation” ndërsa në të ardhmen kanë ambicie për zhvillimin e një projekt të rëndësishëm në krijimin e një platforme për shqiptarët në Diasporë me muzikë shqiptare”, shprehet ai. /atsh

Dashuria për Shqipërinë e kthyer në mision për çiftin shqiptaro-amerikan Read More »

Traget i ri modern në linjën Vlorë – Brindizi

Prej 23 nëntorit qytetarët do të udhëtojnë nga Vlora drejt Brindizit, me tragetin e ri “PRINCE”.

Trageti është 152 metra i gjatë, ka 150 dhoma me kushte shumë të mira, 2 restorante, 1 piano bar, 1 kafe bar, ambiente për fëmijë dhe një kapacitet prej 1000 pasagjerësh, 300 automjetesh dhe 30 kamionë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se nga hyrja në linjë e këtij trageti, parashikohet që qytetarët të përfitojnë çmime më ekonomike, deri në 30% me lirë, se sa çmimet e deri tanishme.

Trageti i ri lundron me një shpejtësi prej 17 nyje në orë dhe udhëtimi do të zgjasë 4 orë. “Kjo është një punë konkrete për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve dhe për të ndërtuar”, bën të ditur MIE./atsh

Traget i ri modern në linjën Vlorë – Brindizi Read More »

Fauna në Malin e Tomorrit, pamjet spektakolare të kaprojve, derrit të egër e ariut të murrmë në pyll

Vendosja e moratoriumit për ndalimin e gjuetisë në pyje dhe shtimi i zonave të mbrojtura natyrore po sjellin gjithnjë e më shumë rigjenerimin e faunës së egër dhe të pasur shqiptare.

Mali i Tomorrit ka qenë shënjestra e radhës e kamerave të stafit të zonave të mbrojtura, të cilat kanë fiksuar në këtë habitat të lëvizin lirshëm kafshë si kaprolli, derri i egër apo edhe ariu i murrmë.

“Kamerat kurth në Parkun e Malit të Tomorrit, ofrojnë spektaklin e pyllit me pamjet e kaprojve, derrit të egër apo ariut të murrmë. Zonat e mbrojtura janë një shtëpi e sigurtë për zhvillimin e faunës dhe një aset i çmuar për biodiversitetin tonë,” shprehet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Fauna në Malin e Tomorrit është mjaft e pasur. Në terrene e pjesë pylli takohet më shpesh ariu i murrmë, por nuk mungojnë as ujku, dhelpra, kunadhja, baldosa, derri i egër, apo lepuri i egër. /atsh

Fauna në Malin e Tomorrit, pamjet spektakolare të kaprojve, derrit të egër e ariut të murrmë në pyll Read More »