Aktualitet

Hyseni: Presidenti i Republikës është katandisur në një portal shantazhi

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni shprehu sot keqardhjen që Presidenti i Republikës është katandisur në një portal shantazhi.

I ftuar në një studio televizive, Hyseni komentoi paralajmërimin e Kreut të Shtetit për një kallëzim penal ndaj kreut të KED-së, Ardian Dvorani.

“Presidenti është katandisur në një portal prodhimi videosh sikurse talebanët, që thoshin se së shpejti do të dali një video e Mulla Omarit”, tha Hyseni.

“Prej 4-5 ditësh Presidenti po përpiqet të indoktrinojë në opinionin publik sikur do të dalin çudira. Si jurist i kujtoj Kodin Penal ku ka një nen të posaçëm që detyron zyrtarët e shtetit që sapo të bien në dijeni të një vepre penale duhet të bëjnë kallëzimin penal”, tha Hyseni.

Ai shprehu bindjen se në rastin konkret kemi të bëjmë me një marrëzi të Presidentit, pasi nëse ka një provë të një vepre penale, vetë Presidenti po shkel ligjin prej 4- 5 ditësh.

Po ashtu, Hyseni tha se “Presidenti është në konflikt të hapur interesi pasi po atakon një nga gjyqtarët që e ka gjykuar më parë”.

Me qëndrimin ndaj ambasadorëve, Hyseni tha se “Presidenti ka krijuar një precedent shumë të rrezikshëm sot”.

I pyetur nëse është në dijeni të një shantazhi ndaj anëtares të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Hyseni tha se “nuk kemi dijeni dhe po të kisha dijeni do të kisha bërë kallëzim penal, por nuk duhet ngatërruar nëse ka debat mes kolegësh”. /atsh

Hyseni: Presidenti i Republikës është katandisur në një portal shantazhi Read More »

SHBA, krenare dhe e palëkundur në partneritetin me Shqipërinë

Në takimin e zhvilluar sot me temë “NATO dhe siguria përballë teknologjisë”, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones është shprehur se infrastruktura e teknologjisë 5 G është vërtetë komplekse.

Ajo nënvizon faktin se në gjithë këto 20 vite të karrierës së saj, nuk ka parë asnjë temë që kërkon më shumë kuptim, në mënyrë që të formulohet një politikë koherente.

Leyla Moses Ones tha në fjalën e saj, “SHBA ka në plan promovimin e paqes dhe të begatisë në rajon në përputhje me planin për paqe”.

Ajo shtoi gjithashtu se e quan veten me fat që përfaqëson Shtetet e Bashkuara në Shqipëri duke nënvizuar se “ka pak vende në botë që janë kaq të palëkundura në këtë partneritet me SHBA dhe Shqipëria me të drejtë na bën shumë krenar për këtë”.

vijon…/atsh

SHBA, krenare dhe e palëkundur në partneritetin me Shqipërinë Read More »

“Travelling Balkans”: Të jetosh në Shqipëri si një nomad dixhital

Nëse ndiqni faqen time të udhëtimit Anita Hendrieka, atëherë do ta kuptoni që unë aktualisht ndodhem në Shqipëri. Dy vitet e fundit kam jetuar në Shqipëri dhe tani kam një vizë qëndrimi, që më lejon të qëndroj për një vit, shkruan travellingbalkans.com.

”Ka shumë arsye, pse unë zgjodha të jetoj në Shqipëri. Sipas mendimit tim, Shqipëria është lokacioni më i mirë në Europë për nomadët dixhitalë dhe, më thjeshtë, ja përse:

Internet i shpejtë

Për habinë time, Shqipëria ka një internet jashtëzakonisht të shpejtë, më të shpejtë se nga çfarë kam pasur ndonjëherë në Zelandën e Re dhe në Britaninë e Madhe. Dhe më mirë akoma? Unë paguaj 2 000 lekë në muaj (15 €) për shpejtësinë më të madhe.

Gjatë dy viteve që kam jetuar këtu, nuk kam pasur ndonjë problem me internetin. Është i thjeshtë për t’u vendosur. Unë punoj në një kompani të quajtur “Meno” këtu në Sarandë.

Wi-Fi është i arsyeshëm në kafene, restorante e tjerë, kështu që mund të gjesh gjithmonë një vend të mirë për të punuar. Natyrisht, interneti është pika më e rëndësishme kur bëhet fjalë për një nomad dixhital. Gjithmonë duhet të keni një lidhje të shpejtë, të besueshëm dhe të shpejtë dhe Shqipëria e ofron vërtet atë.

Vlera e parasë

Shqipëria është ndër 3 vendet e para në Europë kur bëhet fjalë për të përballuar kostot. Kostoja e të jetuarit këtu si një turist është jashtëzakonisht e arsyeshme. Për një shtëpi me 2 dhoma gjumi, 2 banjo unë paguaj 150 € në muaj. Energjia elektrike është afërsisht 2500-4000 lekë (19 € – 31 €), uji është afërsisht 2000 lek (15 €) dhe Wi-Fi është 2000 lek (15 €).

Kjo do të thotë që kostoja ime totale mujore për të jetuar këtu është afërsisht 200 € në muaj (pa përfshirë ushqimin). Për sa i përket ushqimit, ju mund të keni një vakt të plotë këtu për 1-3 €, birra mund ta gjeni nën 1 € dhe, një bukë është 50 lekë (0,39 €).

Kultura e pasur dhe historia magjepsëse

Vendosa të qëndroj në Shqipëri kryesisht sepse jam vërtet e magjepsur nga kultura dhe historia këtu. Kultura është kaq e pasur, ndryshe nga kudo tjetër në Europë. Ndonjëherë kur udhëtoj në Europë më duket sikur disa vende kanë humbur shumë nga kultura e tyre në vetëm 20 vitet e fundit, por Shqipëria është ndryshe.

Ka kaq shumë për të mësuar këtu dhe më duket me të vërtetë magjepsëse. Jugu dhe Veriu janë krejtësisht të ndryshëm gjithashtu. Unë jetoj në jug, Sarandë, ku njerëzit besojnë në mallkime, bëjnë një sy gjumë në orët e pasdites dhe ndonjëherë flasin duke i kthyer fjalet mbrapsht.

Historia në Shqipëri është gjithashtu tërheqëse pasi komunizmi ra në 1990, dhe më pas në 1997 shpërthyen trazirat civile pasi një skemë piramidale nënkuptonte që një shumicë e shqiptarëve të humbnin gjithçka që zotëronin.

Gjatë periudhës së komunizmit, Shqipëria mund të krahasohet me të njëjtat regjime të tmerrshme si Koreja e Veriut. Gjatë komunizmit u ndërtuan mbi 600,000 bunkerë në të gjithë vendin dhe ju mund të gjeni ende rreth 160,000 të tillë që ekzistojnë ende. Madje, disa janë shndërruar në hotele, restorante dhe madje edhe sallone tatuazhesh.

Historia është shumë e hershme, dhe vendi po rimëkëmbet me një ritëm të shpejtë. Këtë ndryshim vura re që herën e parë që udhëtova në Shqipëri.

Ushqim i shijshëm

Unë e dua ushqimin, mbase shumë, kështu që kur vizitoj një vend, më pikon zemra, e thënë fjalë për fjalë. Ushqimi është shumë i rëndësishëm kur udhëtohet. Gjatë vizitës tuaj në një vend, ju mund të provoni ushqimin e Ballkanit që është një nga më të mirët, veçanërisht në Shqipëri!

Në jug, ju mund të gjeni ushqimet e detit më të freskëta, ndërsa ushqimet më të shijshme në veri, mund të gjeni tava me mish dhe perime dhe supa të shijshme. Ajo që adhuroj më shumë në Shqipëri është përdorimi i përbërësve të freskët. Ndihem e ngopur dhe e shëndetshme pasi kam ngrënë një vakt në Shqipëri sepse nuk përmban konservues dhe të gjithë përbërësit janë të freskët dhe zakonisht i kultivojnë jashtë kopshteve të tyre.

Lajmi më i mire për vegjetarianët është se ofrohen edhe shumë pjata pa mish. Ata mund të provojnë një pjatë të quajtur ”Speca te mbushura” e cila është e mbushur me speca, ose një pjatë të thjeshtë me perime të pjekura në skarë do të ishte gjithmonë e shijshme.

Nëse jeni një mishngrënës, atëherë duhet të gëzoheni sepse në Shqipëri gatuhen pula të pjekura në skarë, mish derri dhe qengj. Ofrohet gjithçka për këdo që jeton në Shqipëri. Kur mbërrini në Shqipëri sigurohuni që të filloni me një tur ushqimi për t’u njohur me ushqimin e vendit!

Shumë për të bërë dhe parë në kohën e lirë

Ka shumë gjëra për të bërë në Shqipëri. Unë jetoj në jug të Shqipërisë në bregdet dhe mund të konfirmoj që riviera shqiptare ka plazhet më të bukura që kam parë në Europë.

Ka kaq shumë plazhe dhe limane të fshehura, si dhe fshatra të vegjël tradicionalë, dhe një kryeqytet të gjallëruar. Ju nuk do të mërziteni kurrë nëse jetoni në Shqipëri sepse ka shumë për të parë dhe bërë.

Vendet fqinje epike

Nëse keni këmbë të dëmtuara dhe doni të shihni dhe përjetoni vende të reja, atëherë kjo do të ishte shumë e lehtë këtu. Shqipëria kufizohet me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi, të gjitha këto vende të bukura me një histori dhe kulturë interesante.

Unë do iu rekomandoja të vizitonit Kosovën nëse vendosni të qëndroni në Shqipëri. Natyra është mahnitëse, ushqimi është i jashtëzakonshëm, dhe Prishtina është një nga qytetet më të lezetshme ku kam qenë! //aatsh

“Travelling Balkans”: Të jetosh në Shqipëri si një nomad dixhital Read More »

Feja, si një instrument për paqen në Ballkan

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen”, organizuar në bashkërendim me Departamentin e SHBA ka deklaruar se dialogu dhe paqja duhet të mbizotërojnë si themeli i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vendet e Ballkanit.

“Është fjala e përbashkët, paqe, ajo që është vlera kryesore, e drejtë universale dhe e domosdoshme për të gjithë njerëzimin, pa dallim feje, përkatësie etnike, race, gjinie, kulture, shtrese sociale, ekonomike, apo çfarëdo qoftë kategorizimi tjetër. Mbi të gjitha dhe absolute është përkatësia e grupeve të njerëzimit në të drejtat dhe liritë universale të njeriut të cilat duhet të mundësohen njëlloj nga të gjithë sepse privimi i ndonjë të drejte a lirie natyrisht sjell deri në paqartësi dhe kjo është shprehja më e moderuar, por nëse ajo vazhdon e zgjerohet me përfshirjen e grupit të të pakënaqurve atëherë do të reflektojë në konflikte me përmasa të gjëra me ndjenjë diskriminimi dhe do të pasohet me rezistencë të bashkuar ndaj autoriteteve qeveritare, bashkësive etnike lidhur me përkatësinë e tyre fetare,” u shpreh Xhaferri.

Ai shtoi se, praktikimi i një feje nuk duhet të jetë në dëm të një feje tjetër, apo në diskriminimin e një feje tjetër, pasi liria e shprehjes u nënshtrohet rregullave të përgjithshme dhe duhet të jetë në përputhje me ligjin e kushtetutën.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Serbisë, Nikola Selakovic, në emër të Presidentit Aleksandër Vuçiç u shpreh se në Ballkan duhet të ekzistojë dialogu ndërfetar për të shmangur sfidat dhe rreziqet kundër paqes. Ai shtoi se në Serbi ekziston sot ligji më liberal në botë sa i takon lirive fetare.

“Parakusht për dialogun është garancia për lirinë e fesë. Barazia e komuniteteve fetare pavarësia e tyre nga shteti dhe ndalimi i çdo lloj rreziku janë ngritur sot në nivelin e Kushtetutës, ku një zë të veçantë zë ligji i kishave dhe komuniteteve fetare, që në vitin 2006, i cili njeh të gjitha fetë që ekzistojnë në Serbi. Është një nga ligjet më liberalë në botë. Model i bashkëpunimit mes kishës dhe shtetit,” u shpreh ndër të tjera Selakovic.

Ndërkohë, Ambasadori amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare, Sam Brownback i pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen” ka vlerësuar Shqipërinë si një vend me tradita fetare dhe si vendin perfekt për të organizuar këtë konferencë.

Në fjalën e tij, Brownback thotë se “për fat të keq është më e thjesht të ndahemi se sa të bashkohemi. Është detyra jonë të përdorim fenë si një instrument për paqen”. Ambasadori amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare inkurajoi ndërveprim mes përfaqësues të ndryshëm fetar dhe ftoi dhe përfaqësuesit politik të dialogojnë.

“Ju inkurajoj të gjeni mënyrat për të ndërvepruar. Inkurajoj dhe përfaqësuesit politikë. Unë shpresoj që të ketë më shumë dialog mes përfaqësueseve të politikës dhe atyre fetarë. Politika është larg fesë, por duhet të shikojmë ndryshime ligjërisht, kështu ne ndërtojmë një shoqëri të qëndrueshme. Dialogu kuptimplotë, mund të ndodhë dhe duhet të ndodhë”, nënvizoi Brownback. /atsh

Feja, si një instrument për paqen në Ballkan Read More »

Soreca viziton panairin “Shqipëria punon tokën”: BE mbështet me krenari Shqipërinë

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ka vizituar panairin bujqësor “Shqipëria punon tokën” në Tiranë, ku fermerë nga i gjithë vendi janë mbledhur për të paraqitur pasurinë e prodhimit bujqësor të Shqipërisë.

Ambasadori shprehet se ndjehemi krenar të shihnim edhe fermerë që kanë përfituar nga fondet IPARD dhe projektin e financuar nga BE-ja që mbështet sigurinë ushqimore në Shqipëri

“Krenarë të shihnim edhe fermerë që kanë përfituar nga fondet IPARD dhe projektin e financuar nga BE-ja që mbështet sigurinë ushqimore në Shqipëri. BE-ja mbështet me krenari Shqipërinë në zhvillimin ekonomik të sektorit të saj bujqësor”, thekson Soreca.

“Jam i gëzuar që u takova edhe me Altin Prengën nga “Mrizi i Zanave” dhe Alfred Markun nga “Rapsodia”, të cilët e kanë bërë të njohur ushqimin tradicional shqiptar në të gjithë botën. Bashkimi Europian do të vazhdojë t’i mbështesë fermerët shqiptarë, përmes fondeve IPARD, për diversifikimin e aktiviteteve dhe shërbimeve bujqësore”, tha Ambasadori i BE-së Luigi Soreca. /atsh

Soreca viziton panairin “Shqipëria punon tokën”: BE mbështet me krenari Shqipërinë Read More »

504 të punësuar në një javë nga Zyrat e Punës

Zyrat e Punës po funksionojnë si instrumente strategjikë të punësimit në të gjithë vendin. Vetëm në një javë (7-14 nëntor) në gjithë vendin janë 504 të punësuar përmes Zyrave të Punës.

Konkretisht, duke iu referuar shifrave të punësimit sipas qarqeve, vihet re se numri më i madh i të punësuarve është në Tiranë me 174 persona dhe Durrës ku janë punësuar 57 persona.

Ndërsa në Berat rezultojnë 44 persona të punësuar, në Fier 37 të punësuar, në Korçë 16 të punësuar, në Dibër 17 të punësuar, në Elbasan 46 të punësuar, në Gjirokastër 25 të punësuar, në Kukës 16 të punësuar, në Lezhë 19 të punësuar, në Shkodër 25 të punësuar dhe në Vlorë 28 persona të punësuar.

Falë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, çdo shtetas tashmë ka mundësinë që jo vetëm të kërkojë punë, por edhe të trajnohet për përmirësimin e aftësive personale./atsh

504 të punësuar në një javë nga Zyrat e Punës Read More »

75 vjetori i çlirimit/Bashkia e Tiranës nderon 4 organizatat e veteranëve të LANÇ dhe personalitete të luftës

Me rastin e jubileut të 75 vjetorit të çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazifashist, bashkia e Tiranës ka nderuar sot organizatat dhe disa nga veteranët e luftës antifashiste nacional-çlirimtare.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu mirënjohjen për kontributin që dhanë të gjithë ata burra dhe gra që luftuan kundër pushtuesve, ndërsa theksoi se është detyrë e brezit të sotëm që të vlerësojë sakrificën e tyre.

“Më vjen mirë që çdo hallkë e qeverisë tonë, duke filluar nga kryeministri, qeveria, parlamenti, të gjitha bashkitë, komunat tona, të gjitha këshillat bashkiakë, autoritetet vendore dhe qendrore janë mobilizuar që ky 75 vjetor të jetë një tur kujtese nëpër Shqipëri. Jam i nderuar që sot në emër të Këshillit Bashkiak, të qytetarëve të Tiranës, ne do të nderojmë disa organizata dhe disa personalitete”, tha Veliaj.

Në emër të bashkisë së Tiranës ai i dha titullin “Simbol i qytetit” katër organizatave të veteranëve të LANÇ dhe më konkretisht Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ, Organizatës së veteranëve të LANÇ, Dega Tiranë, Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve të Luftës dhe Organizatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ.

Gjithashtu kryetari i bashkisë së Tiranës i dha titullin “Mirënjohje e qytetit” edhe disa nga familjeve të dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, veteranë që vijojnë të mbajnë gjallë atë përpjekje ekzistenciale të popullit shqiptar, si dhe figura të tjera që kanë kontribuar për të përcjellë këtë luftë te brezat e rinj.

Me këtë titull u nderuan Gjergji Velo, Gjergj Frashëri, shkrimtari Nasho Jorgaqi, Ilir Shkëmbi, Hamdi Mëzezi, Osman Hysa, Dalan Buxheli, Ziqiri Mero, Rustem Peçi, Odhise Porodini, Faik Aliaj, Sevo Tarifa, Servet Agalliu, Hamit Myftari, Mesaret Ymeraj Karagjozi, Mynevere Shuteriqi, Përparime Abazi (Grabocka) dhe Naxhi Zhupa. /atsh

75 vjetori i çlirimit/Bashkia e Tiranës nderon 4 organizatat e veteranëve të LANÇ dhe personalitete të luftës Read More »

Balla: Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, në ditën e 75-vjetorit të çlirimit ka propozuar që Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare t’i jepet urdhri “Nderi i Kombit”. Gjatë fjalës së mbajtur sot, në një nga aktivitetet e shumta të organizuara në ditën e clirimit të Tiranës, Balla u shpreh se nderimi dhe respektimi i veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pasardhësve të tyre qëndrojnë në themel të Shqipërisë demokratike.

“Si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist, unë ndihem krenar që, në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit, kam propozuar që Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare t’i jepet urdhri “Nderi i Kombit”, për kontributin që ka dhënë në mbrojtjen, përhapjen dhe edukimin te brezat e rinj të idealeve e vlerave antifashiste, përpjekjeve e sakrificave të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore. Këto vlera qëndrojnë në themel të Shqipërisë demokratike, të Europës demokratike dhe Shqipërisë europiane. Shqipëria po shkon në Europë, si Shqipëria e partizanëve, antifashistëve dhe çlirimtarëve dhe jo si Shqipëria e kolaboracionistëve. Jam gjithashtu krenar që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar shtesën në ligjin “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar” dhe caktoi 20 korrikun si Dita e Veteranëve, e nderimit dhe respektimit të veteranëve dhe pasardhësve të tyre. Jam krenar që Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë e shpallën vitin 2019 si vitin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut dhe nderuan me krenari legjitime e dinjitet këtë ngjarje monumentale të historisë sonë kombëtare,” u shpreh Balla.

“Ka patur gjithmonë përpjekje në këto 28 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve,” – u shpreh ai, duke shtuar se, “nuk duhet dhe nuk mund të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me atë që pasoi pas vitit1945.”

“Edhe këto kohë, kur të gjithë festojmë me krenari të ligjshme 75-vjetorin e çlirimit, nuk kanë munguar përpjekjet për të mohuar, errësuar apo relativizuar Luftën Antifashiste Nacionaclirimtare, këtë vepër monumentale të partizanëve shqiptarë, të Brigadave, divizioneve dhe korparmatave të Ushtrisë partizane. Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Faktet mund të interpretohen, por përmbajtja e tyre është shkruar me gjakun dhe sakrificat e luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë. Prandaj, zotërinj studjues, kalemxhinj dhe të ashtuquajtur historianë modernë, mos e përdhosni historinë dhe mos i rivrisni të rënët,” deklaroi Balla. /atsh

Balla: Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet Read More »