Aktualitet

Portali e-Albania/ 56376 dokumente të shkarkuara në një javë

Gjatë kësaj jave në portalin e-Albania janë regjistruar 6020 përdorues të rinj. Gjithashtu janë 23811 përdorues të portalit dhe 144731 përdorues të shërbimeve elektronike.

Ndërkaq, në portalin e-Albania gjatë një jave janë gjeneruar 36618 certifikata çka ka sjell kursimin e 2 milonë lekëve për qytetarët, 4868 vërtetime tatimore të gjeneruara nga bizneset kanë kursyer 50 ditë kohë për qytetarët dhe janë bërë 9459 aplikime për shërbimet konsullore nga shqiptarët jashtë vendit.

Gjithashtu nga ky aplikacion gjatë një jave janë shkarkuar 56376 dokumente me vulë elektronike.

Portali unik qeveritar shumëfunksional e-albania.al administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri.

Portali qeveritar e-Albania është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike. /atsh

Portali e-Albania/ 56376 dokumente të shkarkuara në një javë Read More »

Soreca viziton panairin “Shqipëria punon tokën”: BE mbështet me krenari Shqipërinë

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ka vizituar panairin bujqësor “Shqipëria punon tokën” në Tiranë, ku fermerë nga i gjithë vendi janë mbledhur për të paraqitur pasurinë e prodhimit bujqësor të Shqipërisë.

Ambasadori shprehet se ndjehemi krenar të shihnim edhe fermerë që kanë përfituar nga fondet IPARD dhe projektin e financuar nga BE-ja që mbështet sigurinë ushqimore në Shqipëri

“Krenarë të shihnim edhe fermerë që kanë përfituar nga fondet IPARD dhe projektin e financuar nga BE-ja që mbështet sigurinë ushqimore në Shqipëri. BE-ja mbështet me krenari Shqipërinë në zhvillimin ekonomik të sektorit të saj bujqësor”, thekson Soreca.

“Jam i gëzuar që u takova edhe me Altin Prengën nga “Mrizi i Zanave” dhe Alfred Markun nga “Rapsodia”, të cilët e kanë bërë të njohur ushqimin tradicional shqiptar në të gjithë botën. Bashkimi Europian do të vazhdojë t’i mbështesë fermerët shqiptarë, përmes fondeve IPARD, për diversifikimin e aktiviteteve dhe shërbimeve bujqësore”, tha Ambasadori i BE-së Luigi Soreca. /atsh

Soreca viziton panairin “Shqipëria punon tokën”: BE mbështet me krenari Shqipërinë Read More »

Gabimet që duhet të shmangni gjatë pushimeve dimërore

Udhëtimet, pavarësisht se sa të kujdesshëm jeni, ka gjithnjë gabime të cilat mund t’i shmangni kur bëni pushimet e dimrit.

Nuk ka rëndësi nëse po udhëtoni në një vend të largët për të vizituar familjen apo nëse po ia mbathni në një ishull tropikal për të lënë pas temperaturat e dimrit, udhëtimet e dimrit janë të zakonshme dhe të përhershme.

Disa nga gabimet që duhet të shmangni në pushimet e dimrit.

Prenotimi me vonesë: Prenotimi i udhëtimit mund të jetë një balancë delikate midis pritjes për oferta dhe pagesës së një kostoje shtesë për ndenjësen e vetme të mbetur në avion. Por udhëtarët që shpresojnë të marrin oferta të minutës së fundit nga linjat ajrore gjatë pushimeve kanë më tepër gjasa të gjejnë vende të parehatshme në udhëtim ose fluturime që kanë shumë ndalesa dhe që nuk i përmbahen axhendës.

Sa më gjatë që një klient pret për të blerë biletat, jo vetëm që ul gjasat e kapjes së një çmimi të arsyeshëm, por gjithashtu i kufizohen mundësitë dhe itineraret e dëshiruara. Kjo rrit mundësinë e një çmimi të lartë dhe ul gjasat që të shijoni fluturimin.

Të qenët joelastikë: Pushimet e verës mund t’i prenotoni një javë më parë ose më vonë, gjë që nuk bën ndonjë diferencë të madhe, por kur vjen puna te pushimet e dimrit ka më pak fleksibilitet. Megjithatë, meqenëse shumica e njerëzve janë shumë joelastikë në ditët kryesore të pushimeve dimërore si Krishtlindjet dhe Viti i Ri, ata humbasin mundësi të kapin ofertat e fundit të atyre ditëve. Krijojini vetes hapësirën kohore që të keni lirshmëri në manipulimin e datave, fluturimeve, aeroporteve në ikje dhe në kthim për të reduktuar çmimin që do të paguani.

Humbja e kohës me ofertën ideale: Kushdo ëndërron për ato ofertat nën 50 dollarë dhe fluturimet nga një vend në një tjetër për më pak para. Mos lejoni që këto tarifa t’ju gënjejnë, pasi ato ekzistojnë shumë rrallë. Duhet të keni një plan udhëtimi në lidhje me fluturimet, në vend që të përfundoni me tarifa të shtrenjta vetëm për shkak të shpresave të kota. Duhet të dini se tarifat e fluturimeve rriten me rreth 5 dollarë dita afër festave të fundvitit.
Vonesat në blerje: Mos lejoni që një çmim i arsyeshëm t’ju ikë nga duart me idenë se do të vazhdojë të ulet. Edhe nëse nuk jeni shumë të sigurt rreth prenotimit të një udhëtimi, bëjeni pasi shumica e kompanive ajrore lejojnë që të anuloni blerjen duke iu kthyer plotësisht paratë. Mos hamendësoni se do të mbetet në vend, por rrëmbejeni sapo të keni mundësi.

Shpenzimet e shumta: Periudha e pushimeve dimërore mund t’iu bëjë ta humbni toruan dhe të mos llogarisni mirë se sa keni shpenzuar. Në këtë rast, kini parasysh se sa herë jeni larg shtëpisë dhe keni shumë kohë të lirë po kryeni shpenzime më tepër se normalja. Përpara se të shkoni me pushime dimërore këtë vit planifikoni një buxhet udhëtimi që të mbanin nën kontroll paratë.

Bagazhet e shumta: Llogaritini mirë rrobat që do t’iu duhen me vete dhe mos u ngarkoni me bagazhe të tepërta. Sa më pak të merrni aq më mirë. Po ashtu, njohja e mjedisit ku po shkoni ju ndihmon shumë në lidhje me artikujt shtesë si peshqirët./atsh

Gabimet që duhet të shmangni gjatë pushimeve dimërore Read More »

Shqipëria mbështet axhendën për popullsinë e zhvillimin “ICPD 25”

Një delegacion shqiptar prezantuar angazhimet e Shqipërisë në mbështetje të axhendës për popullsinë e zhvillimin “ICPD 25”, në samitin ndërkombëtar që u zhvillua në Kenia.

Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni informoi sot se në këtë samit merrnin pjesë 7 mijë përfaqësues nga e gjithë bota.

“25 vite pas Konferencës së Kajros, shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, reflektojnë e masin progresin për të drejtat e grave, shëndetin riprodhues, dhunën me bazë gjinore, çështjet që lidhen me popullsinë, moshimin, si dhe përcaktojnë politikat globale për të ardhmen”, tha Gjermeni.

Ajo theksoi se “falë mbështetjes nga zyra e UNFPA-Shqipëri, përfaqësues nga Parlamenti, shoqëria civile, si dhe nga UNFPA, morën pjesë në këtë samit”.atsh

Shqipëria mbështet axhendën për popullsinë e zhvillimin “ICPD 25” Read More »

Blerjet nëpërmjet internetit/ Gratë më tepër veshje, burrat pajisje elektronike

Në vitin 2019 gratë kanë kryer më shumë blerje për veshje/pajisje sportive nëpërmjet internetit, në krahasim me burrat, por këta të fundit kryen më tepër blerje online për kompjuter, programe kompjuterike, pajisje kompjuteri, pajisje elektronike.

Instituti i Statistikave publikoi anketën mbi përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në familje dhe nga individët sipas së cilës, 57% e blerjeve për veshje/pajisje sportive u bënë nga grate dhe 43% nga burrat.

Blerjet “online” janë kryer nga 10.1% e popullsisë së grupmoshës 16 – 74 vjeç në 12 muajt e fundit, nga momenti i kryerjes së intervistës.

Por 63.3% e blerjeve online për kompjuter, programe kompjuterike, pajisje kompjuteri, pajisje elektronike u kryen nga burrat përkundrejt 36.7% të blerjeve për këtë kategori që u kryen nga gratë./atsh

Blerjet nëpërmjet internetit/ Gratë më tepër veshje, burrat pajisje elektronike Read More »

Parashikimi i motit

Moti sot parashikohet me vranësira e kthjellime.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak parashikohen reshje shiu përgjatë bregdetit dhe pjesërisht shtrëngatë shiu në Veri dhe Jugperëndim në mesdite deri në pasdite.

Mjegull e mjegullinë lokale në lugina në orët e mëngjesit.

Era, do të fryjë me drejtim Juglindje – Jug 1-8 m/sek, por gradualisht fiton shpejtësi të fortë dhe me rrahje në bregdet 15-20 m/sek, duke u shoqëruar me një valëzim të forcës 3-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 14/19 re diell shi
Kukës 12/19 re diell
Lezhë 12/18 re diell shi
Dibër 11/17 re diell
Durrës 16/22 re diell shi
Tiranë 16/22 re diell
Elbasan 15/21 re diell
Berat 13/23 re diell
Vlorë 18/22 re diell shi
Korçë 10/15 re diell
Gjirokastër 12/17 re diell shi
Sarandë 17/20 re diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

PS aplikon për herë të parë votimin elektronik

Për herë të parë në Shqipëri aplikohet votimi elektronik në një parti politike për zgjedhjen e delegatëve të partisë.

Partia Socialiste nisi sot zgjedhjet në të gjithë vendin për delegatët e partisë për Kongresin e janarit i cili do të rifreskojë strukturat e PS-së.

Partia Socialiste është e para parti që përveç zgjedhjeve sipas parimit “një anëtar, një votë” do të aplikojë votimin elektronik.

Sekretari Organizativ dhe Elektoral i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi në një prononcim për mediet tha se në fund të procesit do të zgjidhen 706 delegatë që do të përfaqësojnë 103056 anëtarët e Partisë Socialiste në Kongres, i cili do të zgjedhë edhe Asamblenë e re të Partisë Socialiste dhe Kryesinë e re të Partisë Socialiste, duke përmbyllur kështu të gjithë procesin e rinovimit të strukturave të Partisë Socialiste.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për ne. Është një nga dy proceset që ne zhvillojmë nëpërmjet votimeve të “një anëtar, një votë” për delegatët e Kongresit dhe për kryetarin e partisë dhe mendojmë që demostron demokracinë e brendshme të partisë dhe forcën e përfaqësim të anëtarësisë së partisë në strukturat e veta”, tha ai.

“Këtu në selinë e partisë, ku voton Njësia nr.8, ne jemi duke eksperimentuar edhe disa mënyra të tjera të votimit, moderne, sikurse është votimi elektronik , ku edhe unë sapo votova në mënyrë elektronike. Ishte një votim relativisht i thjeshtë. Unë qëllimisht nuk u njoha me këtë proces edhe në fazën e provave të tij, për ta parë vetë, nëse ishte një proces që mund të bëhej thjeshtë apo mund të kishte komplikime. Në këndvështrimin tim rezulton një proces i thjeshtë, megjithatë do të shohim edhe rezultatet se si do të implementohet nga e gjithë struktura e anëtarësisë së partisë të Njësisë nr. 8, për t’ia sugjeruar më pas, Komisionit të Reformës Zgjedhore nëse është një proces që është në kohën e duhur apo nuk është në kohën e duhur”, tha Pëllumbi.

“Nga ana tjetër kemi dhe një proces tjetër që po zhvillon një grup prej 100 vetësh të zgjedhur të Njësisë 8 me votimin online. Ai ka filluar që ditën e premte, pra votimi online në ndryshim nga ai elektronik ka përparësinë që të jep mundësinë që t’i të votosh disa herë, në fund fare merret votimi i fundit i këtij procesi on-line. Nga krahu tjetër, duhet të kemi parasysh, që në rast se dikush nga këta njerëz, i cili ka votuar online paraqitet fizikisht dhe voton në mënyrë elektronike, atëherë përparësia i kalon prezencës fizike, pra i kalon votimit elektronik”, tha ai.

“Nga ana tjetër kemi lidhur një kontratë me Postën Shqiptare për votimin me postë, që do ta shfrytëzojmë për emigracionin, pra për votimin e delegatëve që vijnë nga emigracioni, por ky është një proces që do të ndodhë në javët në vijim, meqënëse edhe delegatët që vijnë nga emigracioni përcaktohen në javët në vijim”, detajoi ai.

“Besoj që me të tre këto forma, përfshirë edhe votimin tradicional që e kemi në gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë , ne jemi duke testuar dhe njëkohësisht përgatitemi për ndryshimet që duam të bëjmë në Kodin Zgjedhor, duke treguar që ne si forcë politike jemi të hapur për të gjitha propozimet që mund të vijnë dhe të përgatitur për çdo lloj situate modernizimi të sistemit”, theksoi Pëllumbi.

“Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi edhe votimin e emigrantëve. Emigrantët tanë janë një pjesë e rëndësishme e vendit, sidomos kur vjen fjala për pushtetin lokal ata janë po aq të rëndësishëm sa edhe ne që jetojmë këtu dhe në mënyrë të veçantë, kur vjen fjala për pushtetin politik ata janë po aq të interesuar sa edhe ne që jetojmë këtu , kështu që edhe prezenca e tyre në votime nëpërmjet këtyre formave, ndoshta mund të bëhet më e thjeshtë dhe më e lehtë, gjithsesi do t’i takojë Komisionit të Reformës Zgjedhore për të gjykuar për këto aspekte. Ne sot jemi duke testuar dhe do të shohim se si do të jetë rezultati i tyre”, tha ai.

Procesi i votimit nisi sot në mëngjes në orën 08:00 në të gjithë Shqipërinë.

Risi tjetër e Partinë Socialiste, është barazisë gjinore, pasi nga 698 kandidate ose 47% e totalit, janë gra. Sipas strukturave të PS, janë marrë të gjitha masat organizative për realizimin me sukses të një procesi demokratik, transparent dhe me standarde./atsh

PS aplikon për herë të parë votimin elektronik Read More »

Zgjedhjet në PS, voton Rama: Garantohet barazi mes burrave dhe grave

Kryeministri Edi Rama votoi sot në zgjedhjet për delegatët e Kongresit, në qendrën e votimit elektronik në selinë e PS-së.

Në një prononcim për mediet pas votimit, Rama e vlerësoi si të rëndësishëm këtë proces, duke shtuar se ai garanton barazi mes grave dhe burrave në PS.

“Zgjedhjet zhvillohen sot pas një procesi tërësor. Unë doja te fokusohesha te fakti që është një ditë e rëndësishme për konfirmimin e vullnetit tonë për të pasur një parti ku gratë dhe vajzat nga njëra anë dhe burrat e djemtë nga ana tjetër, janë tërësisht të barabartë në mundësinë për t’u zgjedhur, por edhe në hapësirën e zgjedhjes”, tha Rama.

Rama vlerësoi faktin se edhe vendimi më i fundit për të bashkëdrejtuar çdo organizatë me barazi të plotë gjinore është pritur pozitivisht dhe po jep rezultate.

“Natyrisht do të duhet edhe pak kohë që kudo ne të kemi barazi në drejtim dhe si rezultat i kësaj të kemi një proces ku do të kemi barazi në pjesëmarrje. Sot i falënderoj të gjitha gratë dhe vajzat që janë përfshirë në afirmimin e këtij vullneti. I nxis që të bëjnë betejën e tyre në çdo organizatë për të mos lejuar asnjë dominimin burrëror dhe për të shtuar më shumë gra dhe vajza”, tha Rama.

Lidhur me votimin elektronik, Rama tha se “ne kemi përgatitur një proces të tërë përpara zgjedhjeve që kaluan”.

“Në zgjedhjet vendore ne kemi qenë të gatshëm për t’iu përgjigjur me konstruktivitet një kërkese të shumë përsëritur për votimin elektronik, që na ka rezultuar i mundshëm për ta shtrirë në gjithë Shqipërinë. Duhet ta kishim pilotuar në zgjedhjet e shkuara, por ju e dini historinë. Ky është votim elektronik, nuk është online është offline, dhe i papenetrueshëm nga forcat e errëta”, tha Rama. /atsh

Zgjedhjet në PS, voton Rama: Garantohet barazi mes burrave dhe grave Read More »