Aktualitet

Buxheti 2020/ KQZ kërkon shtesë fondi, Fino: Nuk ka para për luks

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2020” për KQZ-në.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përfaqësua nga Ylli Merkaj, Sekretari Përgjithshëm i KQZ-së dhe Mirela Gega drejtoresha e financave.

Merkaj tha se ishin dakord për miratimin e fondeve për KQZ nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

“Fondet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë në të njëjtin nivel të krahasuar me vitin tjetër”, tha Merkaj duke kërkuar që në buxhetin e 2020 të shtohet fondi me 20.144 milionë lekë për blerjen e dy furgonave, shtesë për pagat pasi janë punësuar 71 punonjës, por edhe shtimin e një kati në godinën e saj”.

Relatori Bashkim Fino tha se nuk ka para për luks për KQZ, Reforma Zgjedhore mund të ndryshojë strukturën e KQZ.

“Projektbuxheti i KQZ-së është korrekt, dy pretendimet që ka nuk ekzistojnë, pasi mund të marrë furgon me qira. KQZ ka volum të madh pune, por vetëm në zgjedhje.” Ne kemi dhënë një godinë të re të mirë, moderne dhe nuk pretendoj se duhet shtuar një kat”, tha ai.

Po ashtu, Fino shtoi se “jemi në procesin e Reformës Zgjedhore dhe mund të ndryshojë struktura totale e KQZ dhe mund të mos ketë aq shumë administratë, ku sipas reformës zgjedhore të ketë ndryshime strukturore dhe pa mbaruar kjo reformë Ministria e Financave nuk do japë para për luks”. /atsh

Buxheti 2020/ KQZ kërkon shtesë fondi, Fino: Nuk ka para për luks Read More »

Rikonstruktohet shkolla 9 vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk”

Shkolla 9-vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk” është rikonstruktuar me fondet që u mblodhën për bamirësi nga ‘Panairi Turk i Bamirësisë’ qe u organizua në maj 2019 nga Ambasada Turke.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Ahmet Yörük mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të kësaj shkolle.
“Ta gëzojnë mësueset dhe nxënësit e shkollës “Mustafa Kemal Atatürk” oborrin dhe fushën e volejbollit dhe të basketbollit, e cila është rikonstruktuar me fondet që u mblodhën për bamirësi nga ‘Panairi Turk i Bamirësisë’ që u organizua në maj 2019 nga Ambasada Turke”, u shpreh ai.

“Ndjejmë kënaqësi që të mbështesim këta fëmijë që janë e ardhmja e Shqipërisë”, theksoi ambasadori Yörük.

“Falënderojmë bashkëshortet e zyrtareve të Ambasadës, si dhe të gjithë ato që kontribuuan dhe morën pjesë. Gjithashtu Air Albanian e cila kontribuoi në mobilimin e ambienteve të shkollës si dhe zyrën e TIKA-s në Tiranë që bëri të mundur realizimin e këtij projekti”, u shpreh ambasadori turk. /a

Rikonstruktohet shkolla 9 vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk” Read More »

Gara për kryeprokurorin/ Marku letër KLP, kërkon informacion për pikëzimin e kandidatëve

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku ka kërkuar ditën e sotme informacion nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për vlerësimin dhe procesin e pikëzimit nga secili anëtar, bashkë me analizën dhe metodologjinë përkatëse të vlerësimit të ndjekur nga secili anëtar.

Përmes një letre, Marku tha se ka si synim me këtë kërkesë shqyrtimin e mundësisë së ankimimit të vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e rendit të dytën në listën e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Arta Marku, e cila garon për këtë post është renditur e dyta pas prokurorit Olsian Çela me 459 pikë, dhe para prokurores Fatjona Memçaj me 362 pikë. Marku në këtë renditje ka 406 pikë. Ky listim u votua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Katër kriteret mbi të cilat ata u vlerësuan janë: Aftësia profesionale; integriteti moral; aftësia organizative dhe drejtuese; elementë shtesë. /atsh

Gara për kryeprokurorin/ Marku letër KLP, kërkon informacion për pikëzimin e kandidatëve Read More »

Reforma në Drejtësi në Shqipëri, shembull inkurajues për rajonin

“Ministeriali i Drejtësisë” i organizuar në Maqedoninë e Veriut dhe me pjesëmarrjen e komisioneres për çështjet e Drejtësisë, Vera Jurova vlerësoi se implementimi i Reformës në Drejtësi në Shqipëri është shndërruar në një shembull inkurajues për drejtësinë rajonale. Kështu tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila po merr pjesë në këtë ministerial.

“Është gjithmonë kënaqësi kur dëgjon se implementimi i reformës sonë në Drejtësi është shndërruar në një shembull inkurajues për drejtësinë rajonale, ku padyshim kemi shumë më shumë për të mësuar nga njëri-tjetri, duke respektuar rekomandimet e GRECO, Komisionit të Venecias dhe Këshillit Europian”, – u shpreh Gjonaj.

Ministrja Gjonaj pati mundësinë që në këtë ministerial të diskutojë hollësisht mbi arritjet dhe të tregojë mbi sfidat e përbashkëta si: përshkallëzimi i luftës kundër krimit transnacional, pasja e një sistemi gjyqësor efektiv duke përfshirë digjitalizimin, reformat në sistemin penitenciar, adresimi i problematikave dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me agjencitë e BE-së.

“Pasja e një drejtësie me standarde europiane, është një objektiv i përbashkët i cili bëhet më i arritshëm nëse të gjithë punojmë bashkë për t’i dhënë qytetarëve tanë sistemin dinjitoz që ata meritojnë”, – tha ministrja e Drejtësisë. /atsh

Reforma në Drejtësi në Shqipëri, shembull inkurajues për rajonin Read More »

Trajnimet profesionale, mundësi integrimi në tregun e punës/ Papunësia e të rinjve ra me 3,6% në vitin 2018

Përqendrimi tek arsimi profesional, trajnimet apo kualifikimet e ndryshme kanë ulur papunësinë tek të rinjtë në vend. INSTAT bën të ditur se shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është ulur në 20,9 % në tremujorin e dytë të vitit 2019.
Raporti i INSTAT, konfirmon se performanca e tregut të punës është në trend rritjeje shumë pozitiv, ku papunësia për herë të parë në vend ka shkuar në nivelin më të ulët historik prej 11,5% krahasuar me 2014.
Shifrat pozitive të rritjes së punësimit tregojnë se ekonomia dhe biznesi po gjenerojnë punësim për të gjitha shtresat. Aktualisht 68,9% e shqiptarëve janë të angazhuar në punë dhe kërkesa e biznesit për punësimin e profesionistëve janë në rritje.
Ndërkohë që orientimi i politikave të arsimit drejt atij profesional, po integron gjithnjë e më shumë të rinjtë drejt tregut të punës.
Shifrat zyrtare tregojnë se, është ulur me 3,6% shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç. Instituti i Statistikave në të dhënat e anketës mbi forcat e punës për vitin 2018, tha se shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 28,3%.
Të ndarë sipas grupeve femra meshkuj, të dhënat tregojnë se meshkujt e moshës 15-24 vjeç përbëjnë pjesën më të madhe të të zënëve në punë, duke përfaqësuar 29,6% të të punësuarve dhe 26,0% e zënë femrat. Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve ra me 3,6%.
Ndërkohë, po sipas INSTAT, numri i të rinjve të moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë kundrejt totalit vetëm 28,6% të të rinjve gjithsej.

Arsimi dhe trajnimet profesionale, mbështetur me anë të politikave për zhvillimin e arsimit profesional në vend po ndryshojnë situatën e raportuar për vitin 2018 nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO). Sipas kësaj organizate në një hartë të të papunëve, të paarsimuarve e të patrajnuarve mes të rinjve në Europë për vitin 2018, Shqipëria kishte një nivel prej 32,8%.
Sipas INSTAT në terma vjetorë shkalla e papunësisë tek të rinjtë shfaq tendencë në rënie të theksuar gjatë vitit 2019. “Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e dytë të vitit 2019 është 1,7% më e ulët. Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2019, shkalla e papunësisë tek të rinjtë ka pësuar një rënie prej 1,3%”, thuhet në raportin e INSTAT.
Në tremujorin e fundit të këtij viti, pjesëmarrja e forcave të punës është rritur me 20 mijë qytetarë, ndërsa krahasuar me 2018, pjesëmarrja në forcën e punës u rrit me 34 mijë persona, ku dominon punësimi tek të rinjtë e moshës 18-30 vjeç. /atsh

Trajnimet profesionale, mundësi integrimi në tregun e punës/ Papunësia e të rinjve ra me 3,6% në vitin 2018 Read More »

Propozimi në Këshillin Bashkiak, Reshat Arbana Qytetar Nderi i Tropojës

Kryebashkiaku i Tropojës, Rexh Byberi i propozoi sot Këshillit Bashkiak të Tropojës, akordimin e titullit “Qytetar Nderi” artistit të madh Reshat Arbana.

“Me lojën e tij kinematografike e teatrore mbi 5 dekada ky artist-ikonë ka portretizuar karakteret më të spikatura të trevës sonë”, tha Byberi ndërsa njoftoi qytetarët e Tropojës për propozimin.

“Është nder dhe kënaqësi që simboli i pashoq i Isa Boletinit të jetë qytetari më i ri i Tropojës dhe të strehohet përjetësisht në kujtesën tonë”, tha Byberi. /atsh

Propozimi në Këshillin Bashkiak, Reshat Arbana Qytetar Nderi i Tropojës Read More »

Parashikimi i motit

Moti sot parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, të cilat prej orëve të mesditës vijnë në dendësim në të gjithë territorin.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se do të ketë reshje shiu me intensitet të ulët, të cilat nisin prej orëve të mesditës në qarqet e jugut. Më pas reshjet me intensitet të ulët shtrihen në të gjithë territorin. Në jug gradualisht me intensitet mesatar. Në mbrëmje në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Mjegull e mjegullinë lokale në lugina.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje- Jug 10m/sek,pergjate vijes bregdetare ere me rrahje deri ne 15m/sek. Valëzimi parashikohet i forcës 3-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 10/21 diell shi
Kukës 8/20 diell shi
Lezhë 12/21 diell shi
Dibër 8/19 diell shi
Durrës 10/23 diell shi
Tiranë 12/23 diell shi
Elbasan 11/20 diell shi
Berat 10/23 diell shi
Vlorë 11/23 diell shi rrufe
Korçë 7/18 diell shi
Gjirokastër 10/21 diell shi
Sarandë 11/23 diell shi rrufe/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Presidenti ka humbur busullën dhe është kthyer në paranojak

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi sot se “Presidenti ka humbur busullën dhe është kthyer në paranojak”.

Ruçi komentoi qëndrimet e fundit të kreut të shtetit, duke theksuar se “këto veprime të Presidencës janë në dëm të Shqipërisë dhe të ardhmes sonë europiane”.

“Presidenti ka marrë kot, ka humbur busullën dhe ftillimin, është kthyer në paranojak dhe sherrxhi. Të gjitha këto veprime të presidencës janë në dëm të Shqipërisë dhe të ardhmes tonë europiane! Tedi, ndriçoje presidentin…”, u shpreh Ruçi./atsh

Presidenti ka humbur busullën dhe është kthyer në paranojak Read More »