Aktualitet

Himarë/ PNUD, trajnim për trajtimin e rasteve të dhunës së familje

Me mbështetjen e UNDP-së, bashkia Himarë organizoi sot trajnimin e antarëve të Ekipit Teknik Ndërdisiplinar të rasteve të dhunës në familje.

12 anëtarë të “ETN” po njihen me kuadrin ligjor të përmirësuar, si dhe po dakordësojnë mbi mënyrën se si do të zbatojnë në praktikë detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre, duke vendosur kështu dhe një protokoll të ri bashkëpunimi.

Përveç detyrimeve dhe përgjegjësive për trajtimin e rasteve në mënyrë shumë-disiplinare, theksi u vu dhe në rëndësinë e mbledhjes së të dhënave dhe përditësimit të sistemit elektronit të ngritur për këtë qëllim.

Ky trajnim është pjesë e aktiviteteve të planifikuara nga Bashkia në kuadër të fushatës së 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

Trajnimi u organizua nga bashkia Himarë dhe u mbështet nga UNDP Shqipëri, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara, “Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave”, financuar nga qeveria e Suedisë dhe që po zbatohet nga UNDP, UN Women dhe UNFPA, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare./atsh

Himarë/ PNUD, trajnim për trajtimin e rasteve të dhunës së familje Read More »

Kurti: Mund të bëjmë hapa të integrimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, pa rënë në kundërshtim me BE-në

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se “ne mund të bëjmë hapa të afrimit dhe integrimit mes Kosovës dhe Shqipërisë për t’u bashkuar pa rënë në kundërshtim me BE-në”.

I ftuar në një studio televizive, Kurti citoi teoricienin Ukshin Hoti kur tha se “guri i provës për BE-në është bashkimi i shqiptarëve”.

“Inkuadrimi ynë në BE varet prej nesh, por edhe për bashkimin kombëtar varet prej nesh. Unë e shoh popullin si faktor kryesor për të gjitha gjërat e mëdha e të vogla që i duam dhe na duhen. Konkretisht, Ukshin Hoti thotë se bashkimi kombëtar dhe Bashkimi Europian nuk e zëvendësojnë njëra- tjetrën, por as e kundërshtojnë njëra-tjetrën”, tha ai.

Kurti tha se “ne mund të bëjmë hapa të afrimit dhe integrimit mes Kosovës dhe Shqipërisë për t’u bashkuar, pa rënë në kundërshtim me BE-në dhe kështu mund të përfitojë edhe BE”.

“BE solli EULEX-in në Kosovë si një lloj testi për policinë e ardhshme europiane. BE ka tendencë të fuqishme të federalizimit, që ndonjëherë thuhet në mënyrë direkte dhe ndonjëherë në mënyrë më tërthore. Ndaj le t’a ndihmojmë edhe ne BE-në duke synuar një federatë tonën. Meqë BE do të bëjë federatën e saj europiane le ta bëjë me federatën shqiptare, si një pilot-projekt për bashkimin a ardhshëm europian”, tha Kurti.

Ai tha se insiston për këtë, për një arsye të thjesht: shqiptarët kanë qenë të ndarë në vilajete në Perandorinë Osmane, kanë qenë të ndarë në republika të ndryshme në Federatën Jugosllave, ato ikën ja ku jemi ne. “Me fjalë të tjera nëse shqiptarët hyjnë edhe një herë të ndarë në një konstruksion më të madh, kjo është brishtësia e atij konstruksioni”, tha Kurti./atsh

Kurti: Mund të bëjmë hapa të integrimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, pa rënë në kundërshtim me BE-në Read More »

Tirana shpallet zyrtarisht Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022

Tirana ka triumfuar në Amiens të Francës, ku mes 5 qyteteve kandidate mundi të shpallej zyrtarisht si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022! Lajmin e bukur e ka dhënë mbrëmjen e sotme vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku Tirana u vlerësua për fokusin që ka pasur tek të rinjtë, duke filluar nga ata më të vegjlit me çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave e deri te studentët me rikonstruksionin e konvikteve, apo krijimin e një sërë lehtësirave që ofron tashmë karta e studentit e kthyer në një realitet.

“Tirana është zyrtarisht fituese e çmimit European Youth Capital 2022! Super lajm për qytetin e veçanërisht për të rinjtë që do jenë motori i vitit europian të rinisë 2022”, shkruan Veliaj.

Tirana ishte përzgjedhur si një nga pesë qytetet kandidate për t’u zgjedhur si Kryeqyteti Evropian për të rinjtë 2022. Nga dhjetëra qytete të Europës që aplikuan, mes pesë qyteteve finaliste ishte renditur edhe Tirana, krahas Kazanit (Rusi), Poznań (Poloni), Varaždin (Kroaci) dhe Baia Mare (Rumani). Qytetet finaliste për EYC 2022 u përzgjodhën nga një panel i pavarur si Parlamenti Evropian, Komiteti i Rajoneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, etj. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve rinore si: Tirana Art Fest, Java Evropiane, Ditët e hapura të edukimit të BE, Ditët Rinore të Start Up-eve, Ditët e Rrjetëzimit të të Rinjve dhe Bizneseve etj./atsh

Tirana shpallet zyrtarisht Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022 Read More »

Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve/ “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash”

Në Ditën Universale të të Drejtave të Fëmijëve, partnerët ndërkombëtarë të zhvillimit kërkojnë nga institucionet shqiptare të reflektojnë mbi arritjet dhe sfidat për të siguruar që çdo fëmijë të gëzojë të drejtën e fëmijërisë në Shqipëri.

Shqipëria ka një kornizë të mirë legjislative, por qeverive vendore duhet t’u shkojë më shumë mbështetje, veçanërisht në zonat e thella, në mënyrë që të sigurohen shërbimet e duhura të integruara të kujdesit shoqëror për fëmijët dhe familjet e cënueshme.

Veprimtaria mbështetet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, UNICEF, Save the Children, Terre des hommes, World Vision, Partnerë për Fëmijë, Fshatrat e Fëmijëve SOS në Shqipëri dhe Nisma ARSIS.

Këtë vit, Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve është gjithashtu 30-vjetori i Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve.

Në Shqipëri u festua me aktivitete të drejtuara nga fëmijë dhe të rinj në Korçë, ku fëmijë dhe të rinj të Shqipërisë folën për të drejtat e tyre.

Nën temën “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash”, fëmijët ngritën zërin që të drejtat e tyre të respektohen dhe realizohen për çdo fëmijë, me fokus te bashkëmoshatarët më të pafavorizuar dhe më të cenueshëm, duke kërkuar adresimin e nevojave të tyre themelore.

Pa fjalime nga të rriturit, veprimtaria u mbajt si një seancë dëgjimore për të gjitha pyetjet dhe çështjet shqetësuese të ngritura nga fëmijët dhe të rinjtë, përmes shfaqjeve të tyre, për sfidat ekzistuese për të drejtat e arsimit, mbrojtjes, pjesëmarrjes dhe shëndetit.

Veprimtaria mblodhi së bashku fëmijë dhe të rinj nga Burreli, Durrësi, Elbasani, Korça, Shkodra, Tirana dhe Vlora, me shfaqje teatrale ndërvepruese, histori personale në formën e bisedave TEDx, këngë beatbox, lojëra për të drejtat e fëmijëve, shfaqje me video, shkëmbime me influencues të famshëm , ekspozita, etj.

Fëmijët u përshëndetën nga disa prej figurave të njohura publike në Shqipëri dhe mbështetës të të drejtave të fëmijëve – Roland Hysi, Luiza Gega dhe Vitmar Basha, të cilët treguan historitë e tyre personale dhe u dërguan mesazhe frymëzuese fëmijëve.

Të pranishëm në këtë veprimtari ishin përfaqësues nga qeveria shqiptare, autoritetet vendore, si dhe nga organizatat ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, duke përfshirë Ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, Dr. Roberto De Bernardi – Përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri, Artina Morava – Drejtore e Programit World Vision, Alketa Lasku – Drejtore Vendore e Terre des hommes, Anila Meço, Drejtore Vendore e Save the Children, Teuta Shkenza, Drejtore Kombëtare e Fshatrave të fëmijëve SOS në Shqipëri, Julinda Vokopola Zëvendësdrejtore e e Nismës ARSIS dhe Ingrid Jones – Drejtore Ekzekutive e Partnerë për Fëmijë.

Të gjithë ata dëgjuan çështjet që kanë rëndësi për fëmijët shqiptarë dhe kërkesat e tyre për një shoqëri që ofron një të ardhme të mirë për të gjithë fëmijët.

Për të katërtin vit me radhë veprimtaria u organizua, u moderua dhe u prezantua nga fëmijë dhe të rinj, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, UNICEF, Terre des hommes, Save the Children, World Vision, Partnerë për Fëmijë, Fshatrat e Fëmijëve SOS dhe Nisma ARSIS. Ky aktivitet u mbështet edhe nga bashkia e Korçës./atsh

Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve/ “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash” Read More »

Haki Çako emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile

Këshilli i Ministrave emëroi sot Haki Çakon, drejtor të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, institucion i cili u formua pas ndryshimeve strukturore qe iu bë Emergjencave Civile.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, u vendos që Çako të jetë në krye të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile i është nënshtruar ndryshimeve në strukturë, në kuadër të projektligjit të ri për Mbrojtjen Civile. Ajo tashmë është transformuar në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Sipas Këshillit të Ministrave, ky vendim hyn në fuqi menjëherë./atsh

Haki Çako emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Read More »

Shpronësimet për interes publik në segmentin Skelë-Ujë i Ftohtë, miratohet vlera shtesë

Në mbështetje të Kushtetutës, të ligjit “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi sot që:

Në tabelën me emërtimin “Lista e pasurive të paluajtshme, pronë private, që do të shpronësohen për interes publik, të cilat preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Skelë – Ujë i Ftohtë, Bashkia Vlorë (Zona I, Skelë – Shkolla e Marinës)”, që i bashkëlidhet vendimit nr. 661, datë 8.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të dhënat për numrin rendor 56 ndryshohen.

Vlera shtesë, prej 5 403 681 (pesë milionë e katërqind e tre mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) lekësh, e kësaj pasurie, i shtohet vlerës së përgjithshme të vendimit nr.661 dhe do të përballohet nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Planifikimi urban”.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. /atsh

Shpronësimet për interes publik në segmentin Skelë-Ujë i Ftohtë, miratohet vlera shtesë Read More »

Kleanthi Zeka në sitën e Vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot një seancë dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Kleanthi Zeka, prokuror pranë prokurorisë së Apelit Vlorë.

Trupa gjykuese për subjektin e rivlerësimit përbëhej nga Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.

Subjekti Kleanthi Zeka do të përballet me procesin e Vetingut për tre kriteret e vlerësimit: ligjshmërinë e pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional. /atsh

Kleanthi Zeka në sitën e Vetingut Read More »

Dashuria për Shqipërinë e kthyer në mision për çiftin shqiptaro-amerikan

“Dashuria për Shqipërinë, kulturën, muzikën shqiptare është kthyer në mision për çiftin shqiptaro-amerikan”, tha sot Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

Majko shprehet se “Mario Rrapaj nga Vlora dhe Carson Dorsi nga Amerika janë një çift bashkëshortësh që jetojnë në Dallas, Texas në SHBA dhe ku po i kushtojnë rëndësi të veçantë promovimit të artit, kulturës e muzikës shqiptare atje”.

“Dorsi e njohur ndryshe si “Albanian Girl” është soprano amerikane, e cila tani në repertorin e saj përfshin vetëm këngë në gjuhën shqipe. E pranishme në një konkurs të sipërmarrësve të muzikës, në Universitetin e Texasit të veriut, ajo paraqiti një projekt për zhvillimin e një database të muzikës shqiptare në mënyrë digjitale, i cili u vlerësua me 2 çmime. Bashkëshortët prej disa kohësh kanë themeluar edhe fondacionin kushtuar muzikës shqiptare, “International Albanian Music Foundation” ndërsa në të ardhmen kanë ambicie për zhvillimin e një projekt të rëndësishëm në krijimin e një platforme për shqiptarët në Diasporë me muzikë shqiptare”, shprehet ai. /atsh

Dashuria për Shqipërinë e kthyer në mision për çiftin shqiptaro-amerikan Read More »