Aktualitet

Basha: “PD propozon 3 pika që duhen zbatuar me urgjencë”

Kryetari i Partisë Demokratike ka vizituar sot të dëmtuarit nga tërmeti në Bubq, ku ka propozuar planin e Partisë Demokratike me 3 pika që duhet vepruar urgjent nga qeveria.

“Me qindra qytetarë kalojnë netët jashtë prej një jave pa asnjë siguri nëse mund të futen në banesat e tyre. Gjendja vazhdon të rëndohet për ta dhe për mijëra familje në të tre qarqet e goditura Durrës, Tiranë dhe Lezhë”, u shpreh ai.

Po ashtu, Basha shprehet se tani është momenti të veprohet me shpejtësi dhe për këtë qëllim ky është plani që ai propozon:

“Angazhimi dhe organizimi nga shteti i mbi 500 inxhinierëve që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar vullnetarisht, me qëllim për të përshpejtuar vlerësimin e banesave. Kjo kontribuon për qetësimin e gjendjes dhe sigurimin e jetës së qytetarëve. Vlerësimin me urgjencë të banesave të dëmtuara dhe dëmeve të shkaktuara. Qeveria në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të anulojë me efekt të menjëhershëm rreth 150 milionë dollarë të planifikuara për t’ju dhënë 10 oligarkëve, dhe këto fonde t’u akordohen mijëra familjeve në nevojë, për riparimin dhe rindërtimin e banesave të dëmtuara apo të shkatërruara. Reagimi i shpejtë për të vlerësuar dëmet, dhe lëvrimi i fondeve për riparim dhe rindërtim do të ndihmojë në tejkalimin e traumës dhe rikthimin në normalitet”./atsh

Basha: “PD propozon 3 pika që duhen zbatuar me urgjencë” Read More »

Ekspertët shqiptaro-amerikanë nga Nju-Jorku, 8 ditë në Shqipëri për të përcaktuar dëmet nga tërmeti

Një grup ekspertësh shqiptaro-amerikanë nga Nju-Jorku i përbërë nga katër inxhinierë dhe dy arkitektë kanë mbërritur sot në Shqipëri për të dhënë kontributin e tyre në vlerësimin e shkollave, çerdheve e kopshte në zonat problematike pas tërmetit.

Ekspertët Ilir Dukaj, Malvin Ndoci, Delin Bixha, Ediant Martinaj, Kreshnik Zalli dhe Sokol Huta të cilët janë të angazhuar në institucione të ndryshme amerikane, do të qëndrojnë rreth tetë ditë në Shqipëri.

Ardhja dhe ekspertiza e tyre këtu u realizua me mbështetjen e këshilltarit bashkiak të Nju-Jorkut dhe anëtarin e KKD-së, Mark Gjonaj.

Edhe ministri i Shteti për Diasporën, Pandeli Majko ka shprehur falënderimet e tij për ekspertët që kanë mbërritur nga SHBA.

“Mbërritën sot! Këta djem shqiptaro-amerikanë që nga aeroporti, pa pushuar, u nisën drejt godinave të prishura nga tërmeti… Një histori që përsëritet në kohë! E ditura e ditur që ke dëshirë ta ndjesh! Thirrja e gjakut në ditë të vështirë nga ata që janë ne! Faleminderit Mark!”, është shprehur ministri Majko.

Ekspertët shqiptaro-amerikanë nga Nju-Jorku, 8 ditë në Shqipëri për të përcaktuar dëmet nga tërmeti Read More »

3 pikat e PD për situatën e tërmetit, Rama: Basha të vijë dhe të bëjë propozimet në tryezë

Kryeministri Edi Rama i përgjigjet kryetarit të PD-së Lulzim Basha në lidhje me propozimet e tij me tri pika për situatën pas tërmetit.

Rama tha se Basha nuk duhet që të bëjë propozime si ato që bën për Reformën Zgjedhore apo Reformën në Drejtësi, por të shtrojë propozimet në tavolinë.

“Do të ishte mirë që Lulzim Basha dhe forcat politike të mos bënin propozime si ata propozimet si Reforma Zgjedhore ose Reforma në Drejtësi, si gjithmonë e ke aty, ose hap krahun, por të vijë në tavolinë dhe t’i diskutojmë gjërat me njerzillëk, pa parti, sepse këtu nuk jemi duke bërë garë socialistët me demokratët, por këtu jemi duke bërë një garë jo me njëri-tjetrin, por një garë me kohën, një garë me tensionin dhe emocionet e rënda që përjetojnë njerëzit, dhe natyrisht një garë me të ardhmen, që të mos humbim mundësinë, që të ringrihemi më të fortë se ç’ishim përpara”, – tha Rama.

Rama tha se iu përgjigjëm ftesës së Presidentit, se ajo që kemi me Metën s’është asgjë përballë asaj që na ra të gjithëve.

“Ne me Presidentin e Republikës jemi në konflikt të hapur, kemi konflikt institucional ekstrem, kemi një komision të ngritur për ta shkarkuar. Presidenti i Republikës na thërret dhe ne do themi ‘jo nuk vijmë’? Ne shkuam aty sikur s’ka ndodhur asgjë dhe realisht nuk ka ndodhur asgjë në raport me atë që na ka ndodhur të gjithëve, dhe këtu kushdo që do të japë një kontribut është i mirëseardhur, ne duhet ta përqafojmë. Por këto pikat që më thoni ju janë qesharake dhe shumë zhgënjyese”, – tha ai. /atsh

3 pikat e PD për situatën e tërmetit, Rama: Basha të vijë dhe të bëjë propozimet në tryezë Read More »

Këshilli Bashkiak i Fierit dhuron pagat mujore të nëntorit për të dëmtuarit nga tërmeti

Këshilli Bashkiak i Fierit ka shprehur sot solidaritet me të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, duke dhuruar 51 paga të anëtarëve të këshillit.

Në mbledhjen jashtë radhe Këshilli Bashkiak i Fierit, ka vendosur që pagën e muajit nëntor ta dhurojë në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Këshilli bashkiak ka 51 anëtarë me pagesë mujore 11900 lekë.

Bashkitë në të gjitha qarqet janë solidarizuar me të dëmtuarit nga tërmeti duke dërguar shtabe emergjence, ndihma materiale dhe ushqimore, por rasti i Këshillit Bashkiak të Fierit hap siparin e një solidariteti zyrtar të shpallur me vendim nga vetë Këshilli Bashkiak, Fier

Tërmeti i 26 nëntorit ishte një nga tre tërmetet më të fuqishme të shekullit që solli humbjen e 51 jetëve dhe shkatërrimin e qindra shtëpive. /atsh

Këshilli Bashkiak i Fierit dhuron pagat mujore të nëntorit për të dëmtuarit nga tërmeti Read More »

Edi Rama sërish thirrje mediave të bëjnë kujdes: “Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata”

Para pak minutash Kryeministri i Shqipërise, Edi Rama, përmes faqes së tij në Facebook u ka bërë sërish thirrje mediave që të tregohen më të kujdesshme në informacionet që shpërndajnë.

Postimi i Edi Ramës në Facebook:

APEL I DETYRUAR MEDIAVE

Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore, Japonia ka masa ekstreme për mediat private, që mesa duket edhe në Japoninë e urtësisë së vjetër, paskan qenë taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit! Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata!

Filtroni informacionet dhe verifikoni ato që thoni! Menaxhoni debatet dhe ndaloni klithmat nëpër studiot tv dhe përfshihuni në qetësimin e shpirtrave të goditur më keq se banesat! Kontribuoni për të kanalizuar energjinë e jashtëzakonshme të solidaritetit mbarëshqiptar!

Kjo është koha për kurimin psikologjik të popullit që ju ndjek dhe jo për rrenat e shamatatë karakteristike të veprimtarisë së zakonshme të një pjese të madhe të sferës suaj!

Edi Rama sërish thirrje mediave të bëjnë kujdes: “Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata” Read More »

Rama shpërndan fjalët e shenjta: “Nëse kishte pasur mençuria prindër, ata do të kishin qenë: durimi dhe verifikimi i lajmit që e dëgjon”

“Nëse kishte pasur mençuria prindër, ata do të kishin qenë: durimi dhe verifikimi i lajmit që e dëgjon”…

Kryeministri Edi Rama e nisi sot ditën me këto fjalë të shenjta, duke shpërndarë një mesazh të rëndësishëm për të gjithë në këtë periudhë të vështirë kur vendi po përballet me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

“Ebu Hatim el Busti (vdekur 354h), All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: Nëse kishte pasur mençuria prindër, ata do të kishin qenë: durimi dhe verifikimi i lajmit që e dëgjon”, tha Rama, pak para zhvillimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë./atsh

Rama shpërndan fjalët e shenjta: “Nëse kishte pasur mençuria prindër, ata do të kishin qenë: durimi dhe verifikimi i lajmit që e dëgjon” Read More »

Rama: Buxheti i shtetit do të mbajë barrën më të madhe pas tërmetit tragjik

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “buxheti i shtetit do të mbajë barrën më të madhe pas tërmetit tragjik”.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Kryeministri Rama theksoi se “sot kemi një takim konkludues me ministrin e Financave me kryetarin e grupit për rindërtimin për të parë si do të riorganizojmë buxhetin, pasi buxheti duhet të miratohet në parlament në datën 5, kështu që buxheti duhet të ketë brenda fokusin tek fatkeqët dhe tek fillimi i procesit të rindërtimit”.

“Buxheti ka një barrë të jashtëzakonshme për të mbajtur të gjitha nevojat, sepse jeta normale do të kthehet dhe dielli do të dalë prapë dhe asgjë nga ato që bëhen nuk mund t’u privohet njerëzve. Mendoj që idetë janë të mira dhe skema që po formësohet për të adresuar problemin është fituese, buxhet, donatorë dhe kontributet e njerëzve, të cilat janë të rëndësishme dhe konsistente , por që janë të papërfillshme në raport me të tërën, në kuptimin e nevojës”-, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sot brenda ditës në bashkinë e Durrësit do të merret lista e ndërtuesve të të gjitha pallateve të dëmtuara dhe të gjithë duhet të njoftohen sot nëse nuk paraqiten vetë që të paraqiten dhe të marrin përsipër riparimin e të gjitha dëmeve që janë shkaktuar, por nën supervizimin e rreptë të grupeve të inspektimit.

“Dua të bëj edhe një sqarim ose shpjegim për qytetarët për periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme platforma dixhitale e bashkëqeverisjes dhe i gjithë ekipi i bashkëqeverisjes do të vihen në dispozicion ekskluzivisht të komunikimit me të gjithë njerëzit që kanë nevojë të komunikojnë shqetësimin e tyre që kanë në lidhje me banesën po ashtu fluksit, informacionit që shpërndahet lart e poshtë të jetë i përqendruar dhe nga platforma të kalojë tek shtabet përkatëse dhe njerëzve tu jepet përgjigje”, – theksoi Rama.

Ai tha se “nuk kemi pse habitemi, as nuk i mirëkuptojmë të gjithë njerëzit që duan inspektimin në të njëjtën kohë ndërkohë që kjo fizikisht kjo është pamundur.
Por komunikimi është i domosdoshëm në mënyrë që njerëzit të mos çojnë mesazhe që ngelën në ajër, që njerëzit të mos rrinë në pritje të diçkaje që nuke dinë kur do vijë , por sipas blloqeve ka një plan si do zhvillohet inspektimi bllok për bllok dhe sipas blloqeve njerëzve do tu thuhet në bllokun ku gjendet banesa juaj inspektorët do të mbërrijnë në filan datë, ose ju thuhet na dërgoni fotografi të situatës , por është është shumë themelore te mos harrojmë nevojën e trajtimit të barabartë të atyre që janë në qytet dhe atyre që janë në fshat”.

“Plotësim i nevojës së tyre për çadra sepse ata nuk duan të ikin nga fshati se kanë jetën e tyre dhe nuk mund të spostohen dhe të shkëpusin çdo lidhje se kanë gjënë e gjalle atje”, tha Rama./atsh

Rama: Buxheti i shtetit do të mbajë barrën më të madhe pas tërmetit tragjik Read More »

Tërmeti/Prokuroria e Durrësit nis hetimet për “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”

Prokuroria e Durrësit ka regjistruar më 29 nëntor çështjen penale që i referohet tërmetit të datës 26 nëntor, ku si pasojë e tij janë shembur një numër ndërtesash, që kanë shkaktuar vdekjen e një numri personash.

Sipas Prokurorisë, për këtë dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve.

“Çështja është regjistruar për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 k.penal”, thekson Prokuroria./atsh

Tërmeti/Prokuroria e Durrësit nis hetimet për “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre” Read More »