Aktualitet

Vetingu/ KPK shkarkon nga detyra kryetaren e Gjykatës Administrative Durrës, Mariana Velçani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra, Marjana Velçanin, kryetaren e Gjykatës Administrative të Durrës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimi zhvilloi sot një seancë për shpalljen e vendimit të subjektit të rivlerësimit Mariana Velçani, kryetare/gjyqtare pranë Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë Durrës
Trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli, Roland Ilia, Brunilda Bekteshi pas analizimit të fakteve dhe provave vendosi sot shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Mariana Velçani.
Mariana Velçani, kryetare/gjyqtare pranë Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë Durrës nuk ka mundur të bind trupën gjykuese për sa i përket ligjshmërisë së pasurisë./atsh

Vetingu/ KPK shkarkon nga detyra kryetaren e Gjykatës Administrative Durrës, Mariana Velçani Read More »

Blushi: Nëse Dvorani merret si i pandehur nuk bllokohet puna e KED

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka sqaruar sot se marrja si i pandehur i Ardian Dvoranit nuk do të pengonte punën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

I pyetur nga gazetarët në lidhje me pretendimin e Ardian Dvoranit se, nëse ai do të merrej i pandehur nga Prokuroria, atëherë kjo do të sillte bllokimin e funksionimit të KED-së, Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi sqaroi se, “kjo është një alibi e neveritshme për t’i shpëtuar drejtësisë për veprat penale që Ardian Dvorani ka konsumuar dhe për të cilat është kallëzuar penalisht në Prokurori”.

“Ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit”, theksoi Blushi.

“Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore”, tha ai.

“Edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy Rende Dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjegjshmërisë së këtij individi , përkundrejt zbatimit të transparencës së ushtrimit të detyrës ashtu siç kushtetuta dhe ligji ia kërkon”, u shpreh Blushi./atsh

Blushi: Nëse Dvorani merret si i pandehur nuk bllokohet puna e KED Read More »

Humbi gruan në rrënojat e tërmetit, Rama viziton familjen e Fatmir Gjanës: Zjarrfikësi nga Vlora punë të jashtëzakonshme

Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot familjen e Fatmir Gjanës në Durrës, të cilin e ngushëlloi për humbjen e gruas, Xhuljeta Gjanës, 60 vjeçe.

Edhe vetë Fatmiri qëndroi plot 24 orë nën rrënoja, por fati e deshi që të dilte i gjallë prej aty, ndërsa bashkëshortja e tij nuk ia doli dot.

“Ky është një hall që nuk zgjidhet, ta merr Zoti, nuk ke çfarë të bësh, por çarjen e hallit e kemi jo vetëm detyrë, por edhe lehtësim”, tha Rama.

“Na e lehtësuat, ajo ishte një fatkeqësi natyrore, unë mbijetova, ajo iku”, u shpreh z. Gjana, i cili theksoi se ndërtesa ishte bërë në vitin 1989.

Fatmiri tregoi se si arriti të nxirrej prej aty i gjallë, ku heroi i tij ishte zjarrfikësi vlonjat, Luan Kapaj, si dhe bisedën që zhvilloi me këtë të fundit, teksa ishte i rrethuar nga rrënojat.

“Një falënderim të madh për atë që më nxori, ishte e jashtëzakonshme, e kam marrë në telefon”, tha Gjana.

“Luani la pa fjalë edhe të huajt. Unë e ndoqa vetë një operacion te “Palma”, o Zot çfarë ankthi ishte ajo punë, u futën ata, u futën, por një lëvizje e gabuar … Ishte një hapësirë e vogël, futeshin trupat. Për fat të mirë ai djali kishte një zgavër aty. Të gjithë përflisnin Luanin. Ata të huajt thoshin “s’ka”. Ai e kapërceu shkencën, edhe italiani më tha “atë që bëri ai, është jashtë çdo lloji teknik. Aty ishte bast”, u shpreh Rama.

“I thashë ‘kujdes veten, se unë jam këtu’. Arriti të më hap një vrimë për ajër, unë s’e dija, por e kisha gjithë pallatin sipër meje. Isha i shtrirë, vetëm duart lëvizja dhe pak hapësirë për ajër. Kur erdhi aty i thashë “më hap vetëm një vrimë”. Nuk e di me çfarë e hapte, me thonj. Pastaj më tha “e sheh dritën?”. Unë i thashë “mos gërmo më”. Pastaj i thashë “do më nxjerrësh dot apo jo”. Nuk po fliste, ra tërmeti tjetër, ikën, mendova se nuk do të vinin më. Pastaj erdhi sërish, më kërkoi të rrotulloja pak kokën, por e kisha të pamundur. Më vonë, më liroi pak dhe më tha “më jep dorën, qenke me fat”. Ia dhashë dorën, më tërhoqi zvarrë dhe më nxori”, theksoi Gjana.

“Ne ishim në krevat kur ra tërmeti, sa u ngrita unë, arrita deri te dera e dhomës dhe e pashë veten që mezi merrja frymë. Kurse gruaja ime u nis drejt e te dera e jashtme, aty pastaj mbaroi çdo gjë. Unë nuk dija asgjë, kur dola pyeta Luanin, por më tha që është nxjerrë një grua. Mua më kapi m’u te kuadrati i derës, kurse ajo doli”, tha z. Gjana.

Gjatë vizitës në familjen Gjana kryeministrit i ra në sy vathi që mbante djali i shtëpisë dhe patën edhe disa batuta mes tyre.

“Unë e hoqa vathin kur më vdiq babai. Isha në Paris, kisha shumë marrëdhënie të afërt. Duhet të nisesha të nesërmen se s’kishte avion. Kam ndenjur nga stresi disa orë kam hequr mjekrën, hoqa vathin dhe u bëra kështu si ai, normal pastaj, se atëherë quhesha jo normal dhe erdha për tek varrimi. Dhe po atë ditë u bëra ministër dhe ishte koincidencë e paparë. Atëherë e hoqa vathin”, tha Rama.

Djali i familjes Gjana u shpreh se, “S’më ka thënë ndonjëherë plaka gjë për vathin, çdo gjë që më pëlqente, ok thoshte, vetëm bëji me mend”

“Hajde se do vijë dita, nuk është puna e të tjerëve çfarë vesh e çfarë mban ti, është puna jote se mua më thonë pse me atë xhup, hiq xhupin se je bërë si prift”, tha Rama.

Në fund kryeministri u shpreh se, “ne jemi në dispozicion për çdo gjë që të keni. E kemi për detyrë, por është edhe një nevojë e brendshme për të lehtësuar sa më shumë”./atsh

Humbi gruan në rrënojat e tërmetit, Rama viziton familjen e Fatmir Gjanës: Zjarrfikësi nga Vlora punë të jashtëzakonshme Read More »

Rikonstruktohet shkolla 9-vjeçare “24 maji” në Vlorë/ Leli: Standarde bashkëkohore për nxënësit

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e shkollës 9 vjeçare “24 maji”, ku theksoi se “me një fond prej 1 miliard lekë të vjetra po bëhet i mundur rikonstruksioni i shkollës, një kontribut i qeverisë dhe bashkisë”.

“Kjo shkollë ka një numër të lartë nxënësish dhe ndodhet në qendër të qytetit të Vlorës. Një nga kërkesat e hershme të mësuesve, banorëve të kësaj zone, natyrisht edhe të nxënësve ka qenë një shkollë e rikonstruktuar, ashtu si modelet pozitive të të gjitha shkollave të rikonstruktuara në Vlorë”,- theksoi Leli.

Kreu i bashkisë së Vlorës u shpreh se “janë hequr të gjitha suvatë e vjetra, çatia, janë ruajtur vetëm muret, është bërë izolimi termik i godinës, janë bërë instalime të reja elektrike dhe hidraulike. Është bërë ndërrimi total i gjithë çatisë së shkollës. Me iniciativën e mësuesve të edukimit fizik në këtë shkollë është ndërhyrë edh në palestër”.

Sipas tij, palestra është pak e ulët në krahasim me standardet e palestrave të tjera që ne kemi realizuar në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës dhe duke ndjekur modelin e palestrës së shkollës “Ismail Qemali” do të fusim në buxhetin e 2020 një vlerë shtesë për të restauruar dhe ngritur palestrën e kësaj shkolle.

“Përveç rikonstruksionit përreth shkollës ka oborre të konsiderueshme, të cilat do të përfshihen në rikonstruksion, gjelbërim, ndriçim dhe trotuare në të gjithë pjesën rreth e rrotull. Në pjesën mbrapa shkollës do të ketë një fushë basketbolli dhe futbolli në natyrë.
Kam kërkuar nga inxhinierët e zyrës së Urbanistikës në bashkinë e Vlorës që rikonstruksioni i palestrës i mbuluar me panele sanduiç siç kemi vepruar në shkollën “Ismail Qemali” të ketë mundësitë të vendosen edhe panele të tejdukshëm që të garantojnë ndriçimin me dritë natyrale, që të kemi një eficencë më të mirë të energjisë elektrike dhe të konsumit të saj në këtë institucion arsimor”, – tha Leli.

Kryebashkiaku Leli u shpreh se “do jetë një nga krenaritë e radhës të investimeve publike të realizuara nga bashkia e Vlorës në rikonstruksionin e shkollave”.//atsh

Rikonstruktohet shkolla 9-vjeçare “24 maji” në Vlorë/ Leli: Standarde bashkëkohore për nxënësit Read More »

Ngritja e SPAK/ Nga 19 dhjetori “shkrihet” Prokuroria e Krimeve të Rënda

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk do të ekzistojë më pas datës 19 dhjetor 2019 kur nis edhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot në orën 12:00, ku vendosi për transferimin në rrethe të një pjesë të prokurorëve të Krimeve të Rënda, pas mbylljes së saj dhe krijimit të SPAK-ut.
Transferimi i prokurorëve që aktualisht janë të emëruar në Prokurorinë e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, si rezultat i mbylljes së këtyre prokurorive, në prokurori të tjera të juridiksionit të përgjithshëm:

Arens Çela, Blerim Tominaj, Besim Hajdarmataj, Doloreza Musabelliu, Elisabeta Imeraj, Manjola Kajana, Vladimir Mara ,Sonila Muhametaj , Pranvera Pustina do të transferohen në Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë.

Prokurori Artan Bajrami do transferohet në Prokurorinë e Apelit Tiranë. Përparim Kulluri transferohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë Shkodër.

Eugen Beci transferohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë Korçë. Të gjitha emërimet janë votuar me 11 vota pro.

Ndërsa për ndërprerjet e caktimeve të përkohshme për prokurorët që ushtrojnë detyrën pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të krijimit të Prokurorisë së Posaçme,dhe caktimet e reja të përkohshme të tyre si më poshtë:

Me 11 vota pro, Anton Martini caktohet përkohësisht në Prokurorinë e Shkallës së parë Tiranë. Emërimin e ka në Prokurorinë e Shkallës së Parë Shkodër.

Ndërprerjet e caktimeve të përkohshme për prokurorët që ushtrojnë detyrën pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të krijimit të Prokurorisë së Posaçme,dhe caktimet e reja të përkohshme të tyre si më poshtë:

Me 10 vota pro, 1 kundër (Alfred Balla) Donika Prela caktohet përkohësisht në Prokurorinë e Shkallës së parë Tiranë.

Caktimet të përkohshme nga data 19.12.2019 deri 18.03.2020.

Po ashtu, me 11 vota pro, Ditan Prençi dhe Isa Jata caktohen përkohësisht në Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë.

Me 11 vota pro, ndërprihet caktimi i përkohshëm i prokurores Enkeleda Millonai si Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për shkak të emërimit të saj si prokurore në Prokurorinë e Posaçme.

Po me 11 vota pro, u miratua projekt-akti pёr caktimin e përkohshёm tё prokurores Arta Marku si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Vendimi hyn ne fuqi me dt.1 Janar 2020. Prokurorja Arta Marku gjithashtu është edhe anëtare e KED për 2019.

Miratohet me 11 vota pro projekt-akti vlerësimit, në kuadër të rivlerёsimit kalimtar për prokurorin Pelivan Malaj. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, akti i vlerësimit i paraqitet KPK.

Me 11 vota pro, ndërpritet caktimi të përkohshëm të prokurores Alketa Zifla si Drejtoreshë Kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kthimin e saj si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Miratohet me 11 vota pro veprimtaria jashtë funksionit (mësimdhënie) pranë fakultetit të Drejtësisë, Universitetit i Tiranës, për magjistratin prokuror z.Kreshnik Ajazi.

Miratohet me 11 vota pro veprimtaria jashtë funksionit, konkretisht si eksperte, pranë Qendrës së Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore, për magjistraten, prokurore znj. Enkeleda Millonai deri më 30.12.2019.

Miratohet me 11 vota pro veprimtaria jashtë funksionit për prokuroren Ermira Tafani, si eksperte pranë Qendrës për Iniciativa Ligjore Tiranë, për periudhën deri në fund të muajit shkurt 2020 në masën jo më shumë se 2 (dy) orë në javë gjatë dhe jashtë orarit të punës si dhe pranë Universitetit Aleksandër Xhuvani Elbasan, për periudhën mars-qershor 2020./atsh

Ngritja e SPAK/ Nga 19 dhjetori “shkrihet” Prokuroria e Krimeve të Rënda Read More »

Të rinjtë mbjellin 150 fidanë në Malësinë e Madhe

Nxënësit e shkollës së bashkuar “Kolë Martini” në Dedaj, Malësi e Madhe mbollën sot 150 fidanë pishe të zezë, selvi, frashër të zi dhe fidanë bliri.

Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër bën të ditur se “vazhdojmë me traditën jemi në të katërtin vit në fushatën e pyllëzimit dhe mbjelljes së fidanëve brenda dhe jashtë zonave të mbrojtura”.

“Me fondet e mbledhura nga vetë nxënësit e shkollës, AdZM Shkodër dhe bashkia Malësia e Madhe u bë e mundur blerja e fidanëve. Ditët në vijim do jemi me shkolla të tjera”, – shprehet ADZM Shkodër.

Bashkia e Malësisë së Madhe figuron si një nga ato bashkitë që ka më shumë pemë në rang vendi. Mbjellja e pemëve ndihmon për mbrojtjen nga erozioni dhe po ashtu krijojnë tek të gjithë fëmijët, ndjesinë se do të duhet të dashurohen me natyrën e të mbjellin sa më shumë pemë./atsh

Të rinjtë mbjellin 150 fidanë në Malësinë e Madhe Read More »

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme/ Komisioni i Ekonomisë diskuton projektligjin

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut gjatë mbledhjes së ditës së sotme shqyrtoi projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

Nismëtari i këtij projektligji, Arben Ahmetaj u shpreh se, “thelbi i këtij projektligji është t’u japë një mundësi qytetarëve për të rivlerësuar pasuritë e patundshme, pronën e tyre me vlerën historike prej 3%. Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka propozuar që kjo vlerë të ulet në 2%”.

Ahmetaj theksoi se, “ky projektligj do t’u japë mundësinë rreth 60 mijë familjeve të përfitojnë dhe gjithashtu është edhe një përfitim për buxhetin e shtetit. Mendojmë që për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve tanë por edhe grupeve të interesit, shtrirja e periudhës së rivlerësimit të jetë 30 gusht 2020 po edhe mundësia e zgjatjes së kësaj periudhe deri më 30 shtator 2020 është një tjetër propozim në mënyrë që të përfitojnë edhe emigrantët të cilët gjatë kësaj periudhe kthehen në shtëpitë e tyre. Mendoj që ky projektligj duhet të prekë edhe qytetarët që janë në proces legalizimi por kjo i takon ligjvënësit të vendosë.”

Relatori i këtij projektligji, Bashkim Fino, duke falënderuar Ahmetaj për këtë propozim tha se, “ky propozim është një risi pozitive për shtimin e të ardhurave duke pasur parasysh faktin se edhe në të shkuarën ky projektligj ka pasur një interes të madh së pari nga qytetarët por edhe për buxhetin e shtetit. Ky projektligj është i domosdoshëm e duhet të realizohet”

Pas diskutimeve anëtarët e komisionit miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” e vendosën t’ia përcjellin atë komisionit përgjegjës dhe seancës plenare.

Më pas, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2018 për projektin “Programi për infrastrukturën komunale V””./atsh

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme/ Komisioni i Ekonomisë diskuton projektligjin Read More »

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim paketën penitenciare

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut gjatë mbledhjes së ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi disa projektligje të rëndësishme.
Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2018 për projektin “Programi për infrastrukturën komunale V”.
Pika e fundit e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi në parim i “paketës penitenciare” konkretisht: projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8331, datë 21.4.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, të ndryshuar, projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të proves”, projektligji “Për Policinë e Burgjeve” dhe projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
E ftuar për të bërë prezantimin e kësaj pakete, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha: “projektligjet e kësaj pakete janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe të nevojshëm. Zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit kanë qenë prioritetet e punës sonë dhe kjo paketë është po kaq e rëndësishme. Rritja dhe garantimi i sigurisë në institucionet penitenciare, vlerësimi i infrastrukturës së tyre, të drejtat e të dënuarve që ndodhen në këto institucione, garancia, mbrojtja dhe trajtimi i policisë së burgjeve janë objektivat kryesore të kësaj pakete.”
Pas diskutimeve, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim “paketën penitenciare”./atsh

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim paketën penitenciare Read More »