Aktualitet

Ndryshimet në ligj për mediet online, Hajdari: Kompetenca të shtuara për AMA-n dhe AKEP, vetëm gjykata duhet të dënojë shpifjet

Deputetja Rudina Hajdari reagoi sot ndaj ndryshimeve në ligj për mediet online, të cilat sipas saj “i japin më shumë kompetenca AMA-s dhe AKEP, gjë që bën që mediet të bien në censurë dhe autocensurë”.

Në një konferencë për mediet, Hajdari tha se edhe masat administrative që parashikohen janë shumë të larta dhe nuk përballohen dot nga redaktorët dhe gazetarët.

“Shoqata e Medieve ka kërkuar që ‘Paketa antishpifje’ të rrëzohet dhe të merren parasysh institucione vetërregulluese. Në fakt, Rama i ka dhënë kompetenca të shtuara AMA-s të mbyllë medie pa vendim gjykate. Si mundet që AKEP dhe AMA të kenë këto kompetenca në kundërshtim me veprimet demokratike”, tha ajo.

Hajdari tha se “Gjykata duhet të jetë ajo që dënon shpifjet”. “Në një kohë që Reforma në Drejtësi vazhdon Rama merr kompetenca që nuk i takojnë. Krijon kompetenca paralele si kjo e antishpifjes dhe KÇK. I bëjmë thirrje të ndalojë degradimin e Reformës në Drejtësi, të lejojë që reforma të vazhdojë dhe të mos bëjë iniciativa ligjore që nuk i takojnë këtyre strukturave. Duhet të merren parasysh rekomandimet e OSBE për paketën antishpifje. Këto propozime nuk janë marrë parasysh. Kërkojmë që para seancës plenare qeveria të tërheqë paketën antishpifje pasi jemi para kryesimit të OSBE. Dhe nuk duhet të dobësojmë rolin e Shqipërisë. Duhet të tregojmë se ne jemi në gjendje t’i dëgjojmë”, tha Hajdari. //atsh

Ndryshimet në ligj për mediet online, Hajdari: Kompetenca të shtuara për AMA-n dhe AKEP, vetëm gjykata duhet të dënojë shpifjet Read More »

Basha ‘mea culpa’ për mediet/ Braçe: Falja nuk shlyen vrasjet në Bulevard

Kryetari i PD-së Lulzim Basha sot në tryezën e organizuar kundër miratimit të paketës antishpifje bëri edhe një “mea culpa” për sjelljen e PD-së me mediet përgjatë 30 viteve të pluralizmit.

Pas qëndrimit të Bashës, i menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili shprehet se kjo ishte një skenë e ndyrë.

“Mea culpa” nuk e shlyen dot krimin, siç ishte ai i vrasjes së katër protestuesve në mes të Bulevardit”, thekson ai.

Po ashtu, Braçe shton se “’mea culpa’ që shleu vrasjet në Bulevard, që shleu krimet e qeverisë Berisha mbi gazetarë! I njëjti film, e njëjta histori ‘mea culpa’ si amnisti krimesh patjetër, “mea culpa” si për ata të katërt që pushkatuan në mes të Bulevardit!”, shprehet ai.

“Patjetër; “mea culpa” shlyen çdo krim pushteti! Patjetër, ti i jep një dorë me shpifjen “e vrau ky me çadër në dorë, jo pushteti” apo, “gazetari im u shpua nga glasa e një zogu, jo nga plumbi i pushkës së shtetit”! Skenë më të ndyrë se sa kjo “mea culpa” nuk ka!””, shprehet ai. /atsh

Basha ‘mea culpa’ për mediet/ Braçe: Falja nuk shlyen vrasjet në Bulevard Read More »

Cakaj: Rrisim numrin e të rinjve në shërbimin diplomatik

Specialistë të rinj, nëpërmjet rekrutimit të Departamentit të Administratës Publike, i janë bashkuar diplomacisë shqiptare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Plotësimi i kuadrit diplomatik është pjesë e strategjisë së Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të krijuar hapësirë më të madhe angazhimi për një gjeneratë ekselente dhe për të siguruar një profesionalizëm më të lartë në diplomacinë shqiptare.

“Kjo qasje do të vazhdojë edhe me tutje. Numri i të rinjve në diplomaci do të rritet më shumë dhe thirrja e ardhshme publike për aplikim në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme do të bëhet së shpejti”, shprehet Cakaj./atsh

Cakaj: Rrisim numrin e të rinjve në shërbimin diplomatik Read More »

Pr.ligji për mediet i konsultuar me OSBE/ Rama: Ose s’e kanë lexuar, ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale

“Projektligji është konsultuar e përpunuar prej një viti nen për nen e pikë për pikë me OSBE dhe do të hyjë në seancë pa asnjë cen në aspektin e standardeve të lirisë për t’u shprehur e të së drejtës për t’u informuar pa kufizim, po edhe të mundësisë për t’u mbrojtur nga shpifjet”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke komentuar reagimet e opozitës për ndryshimet në ligj për mediet online.

Rama tha se “ose s’e kanë lexuar projektligjin, ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale dhe të tallen me të vërtetën e me opinionin publik, duke shkruar çfarë t’u teket, duke shpifur sa e si t’u teket, duke shantazhuar e duke i vënë gjoba kujt t’u teket”.

“Sa për “ERTV” faleminderit për publicitetin dhe mos ma prekni ju lutem fjalën time të drejtpërdrejtë, për të gjithë ata që hyjnë pa asnjë detyrim në faqen time të fejsbukut, ku po u pëlqeu rrinë, po s’u pëlqeu ikin”, tha Rama. /atsh

Pr.ligji për mediet i konsultuar me OSBE/ Rama: Ose s’e kanë lexuar, ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale Read More »

Të huajt shpenzuan 782 milionë euro në Shqipëri, në 3-mujorin e tretë 2019

Megjithëse në stinën e dimrit, jashtë ndikimit të sezonit turistik veror, turistët e huaj, që tashmë i gjen nga jugu në veri të vendit, po vijojnë të shpenzojnë gjithnjë e më shumë para në vendin tonë.

Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, bëjnë të ditur se, për tremujorin e tretë të vitit 2019, shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën në një nivel prej 782 milionë euro, me një rritje mbi 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kryesisht shpenzimet i adresohen më së shumti sektorit të turizmit por dhe atij të shërbime.

Ndërkohë që sezoni i mbarë turistik 2019, sipas INSTAT, reflektoi rritje me ritme më të larta të shitjeve në sektorin e hotelerisë, me 22,5% kundrejt tremujorit të tretë të vitit të kaluar. Ndërsa në sektorin tjetër të lidhur ngushtë me turizmin, atë të bar-restoranteve, rritja e shitjeve, rezultoi në nivelin me 5,4%.

Në këtë nëntëmujor, në Shqipëri hynë gjithsej 5.4 milionë të huaj, me një rritje të dallueshme krahasuar me vitin e kaluar./atsh

Të huajt shpenzuan 782 milionë euro në Shqipëri, në 3-mujorin e tretë 2019 Read More »

Deklarimi dhe pagesa e tatimit në burim/ DPT: 20 dhjetori afati i fundit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, (PDT) bën të ditur se, data 20 dhjetor është afati i fundit i deklarimit dhe pagesës së tatimit në burim, për periudhën tatimore Nëntor 2019.

Në një njoftimi të saj DPT, i rikujton tatimpaguesve këtë afat, që përkon edhe me periudhën e fundvitit.

”Për çdo paqartësi në përmbushjen e këtij detyrimi ligjor, mos hezitoni të drejtoheni për informacion në sportelet tona të Shërbimit të Tatimpaguesve më afër jush, apo në Qendrën e thirrjeve përmes numrit të gjelbër 0800 00 02” citon DPT.atsh

Deklarimi dhe pagesa e tatimit në burim/ DPT: 20 dhjetori afati i fundit Read More »

PD kundër shtyrjes së gjendjes së jashtëzakonshme: Pengon Reformën Zgjedhore

Partia Demokratike në një deklaratë për mediet deklaroi sot se me zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, qeveria nuk iu shërben qytetarëve të prekur nga tërmeti, por synon të pengojë Reformën Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike.

“Për një qeveri, e cila nuk ka si prioritet përfitimet politike dhe financiare nga fatkeqësia e mijëra njerëzve, 30 ditë janë të mjaftueshme për t’u rikthyer qytetarëve sigurinë për banesat, për të bërë planin për strehimin e përkohshëm të të gjithë të prekurve dhe planin për rindërtimin e banesave, shkollave dhe spitaleve të dëmtuar”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu PD akuzon Kryeministrin Rama se, shtyn afatin për “show”, jo për të përfituar të dëmtuarit nga tërmeti.

“Duke shtyrë edhe me 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme, Edi Rama synon të pengojë implementimin e Reformës Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike, siç Bundestagu kërkon, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të përgjithshme dhe vendore, pasi Kushtetuta i ndalon ato, për sa kohë vendi është në një situatë të tillë”, theksohet në deklaratë. /atsg

PD kundër shtyrjes së gjendjes së jashtëzakonshme: Pengon Reformën Zgjedhore Read More »

Gara për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, KED publikon pikëzimin e kandidatëve

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Rezultati paraprak i pikëzimit për secilin kandidat të vlerësuar është si më poshtë:

Artur Metani 89.6 pikë

Eris Hysi 78.3 pikë

Joana Asimi Sorraj 82.5 pikë

Lindita Troja 63.4 pikë

Sokol Stojani 89 pikë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbledhjen e tij të datës 11.12.2019, ka vendosur fillimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe po në të njëjtën ditë ka realizuar edhe intervistat me kandidatët e lejuar për këtë vend vakant.

Në zbatim të nenit 239 pika 3 të ligjit nr.115/2016, duke vijuar të qëndrojë i mbledhur deri në përfundimin e procesit të vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve, pasi e përfundoi punën e tij për shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga Këshilli në komunikimin me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturës dhe të të dhënave të nxjerra nga intervistat me kandidatët, ditën e sotme, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Krahas procesit të punës për zbardhjen e vendimeve të arsyetuara për vlerësimin dhe pikëzimin e secilit kandidat të lejuar, në zbatim të nenit 239 të ligjit nr.115/2016 dhe të pikave 67-74 të Vendimit nr.5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, do të shqyrtohen dhe miratohen: Lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë; Raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, do t’i dërgohen lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe raporti i arsyetuar i Këshillit ku përmbahet analiza lidhur me plotësimin ose jo të kushteve ligjore të kandidimit nga secilit kandidat në vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedurën e ndjekur në vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, si edhe aktet përkatëse të verifikimit dhe të vlerësimit e pikëzimit për secilin kandidat. /atsh

Gara për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, KED publikon pikëzimin e kandidatëve Read More »