Aktualitet

Shtëpi ekologjike antisizmike, Rama: Shpresojmë ta mbyllim marrëveshjen këtë javë me kompaninë turke

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se po negociohet për një marrëveshje me një kompani turke të njohur në tregun botëror, për shtëpi ekologjike antisizmike që do të zgjidhë në një kohë të shpejt problemin për disa nga banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeministri Rama ishte sot në njësinë administrative nr. 7, në kryeqytet, ku vizitoi familjen e të ndjerit Çim Vladi, “futbollisti i Tironës legjendare të brezit të artë, ndarë nga jeta përpara disa vitesh”, që është sistemuar me qira në kushte të mira, pak metra larg shtëpisë së vjetër prej qerpiçi, të rrënuar nga tërmeti.

Kryeministri siguroi se “shumë shpejt zonja dhe dy fëmijët do të kthehen në oborrin e tyre, ku do të kenë shtëpinë e re me kushte optimale”.

Rama informoi familjarët se “do të bëjmë një marrëveshje me një kompani shumë të madhe turke, që është e njohur në gjithë tregun botëror për shtëpi ekologjike antisizmike”.

“Shtëpitë janë super, ata i shesin në Amerikë përgjithësisht, sepse atje nuk ndërtohet me mure e suva, por me beton special. Shtëpitë janë të lehta dhe nesër do të shkojë një ekip atje. Nëse do ta mbyllë atë marrëveshje me ta do të bëjmë një investim shumë të shpejtë, pasi shtëpitë vijnë gati, montohen dhe nuk kanë as probleme teknike, as pisllëk”, – tha Rama.

Për sa i takon hapësirës, Kryeministri tha se “ka disa opsione, por ne do të rrimë tek mesatarja mes 75-100 metra katrorë, në bazë të familjes”.

Të gjithë ata që e kanë pasur shtëpinë të dëmtuar, Kryeministri i siguroi se do të kenë një shtëpi më të mirë se ajo që kishin”.

“Po shpresoj ta mbyllim këtë marrëveshje këtë javë. Ato montohen shpejt, janë super dhe kanë një termoizolim fantastik, kështu që edhe nga pikëpamja energjetike kursejnë energji dhe ulin faturat. Është inovacion”, – tha Rama.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj informoi se dje u miratuan edhe 266 qira të tjera dhe në total kanë shkuar në 1118 qira.

“Kishim edhe disa raste të tjera për ish-të përndjekurit p.sh. Gjithë ajo që ndodhi, u thashë edhe këtyre të shoqatave, sa bëni statuse në ‘facebook’ dhe hartime, me dy rreshta, vetëm me kopjen e kartës së identitetit ne i kaluam. Kështu që në momentin që lanë hartimet në ‘facebook’ dhe u fokusuan ta zgjidhin problemin, u zgjidh për 2 minuta”, tha Veliaj.

Ai informoi se këshilli bashkiak do të mblidhet sërish për rastin e Kodër-Kamzës. “Do të prishen të dhjeta konviktet, edhe te të zaptuarit, edhe dy konviktet e vjetra. Janë konvikte që janë bërë me punë vullnetare. Aty po i prishim të dhjeta sipas vlerësimit të Institutit të Ndërtimit”, tha Veliaj.

Kryeministri tha se “historia e Ajtanga Lubonjës është një histori tipike e shfrytëzimit të një situate për t’u dukur”. “Ne kur i prishëm i kishim gati qiratë, por këta të pseudohumanizmave duan halle t’i nxjerrin në televizor, nuk duan zgjidhje, zgjidhjet i lënë pa punë”, tha Rama./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2851661801519185/?t=0

Shtëpi ekologjike antisizmike, Rama: Shpresojmë ta mbyllim marrëveshjen këtë javë me kompaninë turke Read More »

Meta: Shkeljet e Ardian Dvoranit flagrante, Prokuroria të bëjë punën me profesionalizëm

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se “rasti i shkeljeve të Ardian Dvoranit është tmerrësisht flagrant, ndaj shpresoj që Prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm”.

Në një prononcim për mediet jashtë dyerve të Prokurorisë, Meta tha se “jam këtu në përgjigje të ftesës nga institucioni i Prokurorisë, pas kallëzimit penal që unë kam bërë për shtetasin Ardian Dvorani, për dy vepra të qarta penale, të përmbushura plotësisht me dashje prej tij, atë të shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të kompetencës dhe titullit shtetëror”.

“Kjo është një provë e madhe për të gjithë të ardhmen e Reformës në Drejtësi. Kushtetuta e thotë shumë qartë në nenin 4, pika 2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë: Dispozitat kushtetuese zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese, integriteti i së cilës është me interes mbarëkombëtar”, – tha Meta.

Presidenti siguroi edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë se presidenti i tyre “ka zbatuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dispozitat kushtetuese dhe parashikimet e qarta kushtetuese për çështjen në fjalë”.

“Të gjitha provat e depozituara deri tani janë të mjaftueshme që Prokuroria të veprojë ndaj shtetasit Ardian Dvorani. Ne nuk bëjmë presione. Çështja është shumë e rëndë, sepse ka vënë në pikëpyetje gjithë seriozitetin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, – tha Meta.

Sipas tij, “kjo është një çështje që askush nuk mund t’i shmanget, ndaj ne jemi të qetë e të duruar dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë, pasi ky është një rast tepër flagrant”.

Presidenti iu përgjigj edhe pyetjes lidhur me propozimet e PS-së që shmangin rolin e tij bllokues për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Presidenti i Republikës nuk është në punë, as në detyrë, është në mision dhe nuk provokohet nga ‘cic mice’ të tilla, nga kushdo që i orkestron ato. Presidenti i Republikës ka qenë, është dhe do të jetë garant i Kushtetutës dhe i fton të gjithë të merren me përballimin e pasojave të tërmetit në mënyrë më të përgjegjshme. Kush gjen kohë në këto momente për të provokuar Presidentin dhe popullin, ta ketë të qartë se Presidenti është i ndërgjegjshëm edhe për misionin e tij dhe e di mirë detyrën e tij”, – tha Meta. /atsh

Meta: Shkeljet e Ardian Dvoranit flagrante, Prokuroria të bëjë punën me profesionalizëm Read More »

Pretenca për Salianjin, Basha: Rikthehen gjyqet politike kundër opozitës

“30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, Edi Rama rikthen në Shqipëri gjyqet politike kundër opozitës”. Ky ka qenë reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasi Prokuroria e Tiranës kërkoi 1 vit e gjysmë burg për ish-deputetin e kësaj partie, Ervin Salianji nën akuzën e kallëzimit të rremë për të ashtuquajturën “Çështja Babale”.

“Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit”, tha Basha.

“Askush, nuk do të arrijë kurrë t’i mbyllin gojën as Ervin Salianjit, dhe asnjë përfaqësuesi politik të Partisë Demokratike”, përfundoi kryetari i PD-së, Lulzim Basha. /atsh

Pretenca për Salianjin, Basha: Rikthehen gjyqet politike kundër opozitës Read More »

Pretenca për 1 vit e gjysmë burg, reagon Salianji: Prokuroria, pjesë me llumin

Prokuroria e Tiranës dha sot pretencën e ku kërkoi dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianji, në lidhje me çështjen e ashtuquajtur “Babale”.

Në një prononcim për medien, pas dhënies së pretencës, ish-deputeti Salianji tha se sulmet ndaj tij ishin politike.

“Në gjasme pretencë prokuroria bëhet pjesë me llumin. Asnjë pabesi nuk e mposht dot të drejtën. Prokuroria politike lexoi fiks atë që tha kryeministrin. Pala që përfaqësonte Xhafajn kishte të njëjtin qëndrim me prokurorinë. Prokuroria nuk mori parasysh asnjë provë që ne kemi paraqitur. Kjo nuk është drejtësia e re, janë prokurorë të drejtësisë së vjetër. Dënimi im është kërkuar që në momentin kur kam bërë publik rastin”, tha Salianji.

Prokuroria kërkoi 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin Ervin Salianji, që të konvertuara shkojnë në 3 muaj shërbim prove.

Sipas prokurorisë, të pandehurit duhet të deklarohen fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë”, kryer në bashkëpunim. Nga ana tjetër, për Albert Veliun kërkohen 3 vite e 6 muaj, pasi akuzohet për “kallëzim të rremë” edhe për “kalim të paligjshëm të kufirit”, e ndërsa për Fredi Alizoin, 3 vite./atsh

Pretenca për 1 vit e gjysmë burg, reagon Salianji: Prokuroria, pjesë me llumin Read More »

Dy kontingjente të Forcave të Armatosura nisen në Afganistan

Dy kontingjente me trupa nga Forcat e Armatosura u nisën sot për në Afganistan, ku për rreth 6 muaj do të shërbejnë në dy baza të ndryshme në misionin e NATO-s, Resolute Support.

Kontingjenti i parë i përbërë nga pjesëtarë të Batalionit të Mbështetjes me Luftim do të dislokohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, ndërsa grupi i dytë nga Forcat Speciale do të shërbejë në Bagram.

Për përcjelljen e trupave tanë për në mision ishte i pranishëm zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Albert Mullai, si dhe familjarë të ushtarakëve.

Zëvendësministri Koçi e konsideroi nisjen e trupave në mision si ditë të shënuar për FA dhe vuri në dukje pjesëmarrjen e trupave tanë në të gjithë misionet e NATO-s.

“Sot është një nga ditët e krenarisë të FA sepse dy kontingjente, një togë e Batalionit të Mbështetjes në Luftim dhe një grup nga Batalioni Special nisen për në Afganistan, përkatësisht në Kabul dhe në Bagram. Është një mision i vështirë, por që përputhet plotësisht me misionin kushtetutës të FARSH”, tha ai.

Koçi tha se “është detyrë e Forcave tona të Armatosura, është detyrë e Republikës së Shqipërisë si anëtare e NATO-s për t’i shërbyer angazhimeve tona që ne kemi marrë përsipër përkundrejt kësaj aleance historike”.

Ai tha se “ne jemi një nga vendet e para në NATO që krahasuar me numrin e ushtarakëve që ka Forca jonë e Armatosur kontribuon në misione ndërkombëtare”.

“Këto ditë Shqipëria jeton ditë të vështira. Ne jemi krenarë me punën që kanë bërë FA që nga orët e para të tërmetit të 26 nëntorit. Ne do të vazhdojmë të jemi kudo ku populli ka nevojë, ku halli i qytetarit është i madh, ku rrezikohet jeta e qytetarit aty do të jetë ushtaraku ynë”, u shpreh Koçi.

Komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Albert Mullai theksoi se ushtarakët e përzgjedhur për t’u dërguar në mision janë me përvojë e të mirëpërgatitur dhe siguroi familjarët e ushtarakëve për mbështetjen e pakursyer që ata do të kenë.

Toga e Batalionit të Mbështetjes me Luftim do të jetë kontingjenti i VII shqiptar në misionin Resolute Support në Kabul, ndërsa grupi i Forcave Speciale në Bagram, do të jetë kontingjenti i IV që trajnon kolegët e tyre afganë./atsh

Dy kontingjente të Forcave të Armatosura nisen në Afganistan Read More »

Vendimi i KLGJ/ Miratohen për herë të parë gjyqtarët e medieve

Në kuadër të Reformës në Drejtësi janë miratuar për herë të parë gjyqtarët e medieve.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ku ka miratuar në mbledhjen e sotme gjyqtarët për mediat.

“Në përmbushje të detyrimeve ligjore si organ përgjegjës për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun, Këshilli i Lartë Gjyqësor caktoi në pozicionin e Gjyqtarit për Mediet, për çdo juridiksion apeli, gjyqtarët e mëposhtëm: Vojsava Osmanaj -juridiksioni i Apelit Shkodër, Edlira Petri – juridiksioni i Apelit Tiranë, Desart Avdulaj -juridiksioni i Apelit Durrës, Klodiana Gjyzari – juridiksioni i Apelit Vlorë, Etleva Temo – juridiksioni i Apelit Korçë, Enton Dhimitri – juridiksioni i Apelit Gjirokastër, Lindita Sinanaj – juridiksioni i Apelit Administrativ si dhe Saida Dollani – juridiksioni i Apelit për Krime të Rënda/ për gjykimin e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin për mediet të KLGJ-së.

Gjithashtu, Këshilli miratoi programin e vlerësimeve etike dhe profesionale për vitin 2020, i cili përmban listën e gjyqtarëve që do të vlerësohen dhe periudhën e vlerësimit përkatës. Me këtë vendimmarrje, i hapet rruga fillimit të procesit për vlerësimin periodik të të gjithë gjyqtarëve, duke mundësuar në vijim dhe lëvizjet paralele apo promovimin e tyre si në shkallët më të larta ashtu dhe në gjykatat e specializuara.

Gjatë kësaj mbledhje, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit, të L.S, K.B, dhe T.S, si dhe shpalli kërkesën për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Ministrinë e Drejtësisë.

“Për shkak të natyrës konfidenciale të materialeve që u trajtuan në pikën 5 dhe 6 të rendit të ditës, mbledhja vijoi me dyer të mbyllura. Më konkretisht, pasi u njoh me rezultatet e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për kandidatin z. E.L., Këshilli vendosi skualifikimin e tij. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, sqarohet në njoftim.

“Në vijim të mbledhjes, Këshilli pasi dëgjoi relatorët për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi skualifikimin e kandidateve J.RR dhe R.M. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, sqaron KLGJ./atsh

Vendimi i KLGJ/ Miratohen për herë të parë gjyqtarët e medieve Read More »

Vijojnë riatdhesimet dhe kthimet vullnetare nga Franca/ Policia: S’ka azil për shqiptarët, jemi vend i sigurt

Policia e Shtetit bën të ditur se vijojnë operacionet e riatdhesimit dhe të kthimit vullnetar të shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.

Në njoftim bëhet e ditur se sot në Rinas u riatdhesuan në dy operacione të ndryshme 173 shtetas shqiptarë, me qëndrim të paligjshëm në Francë dhe në zonën Shengen.

“Operacionet e riatdhesimit u realizuan në bashkëpunim me Frontex-in dhe Zyrën Franceze për Emigracionin (OFII). Në operacionin e parë u riatdhesuan 38 shtetas gjithsej, 5 prej të cilëve nga Belgjika dhe 33 nga Franca. Në operacionin e dytë, që nis nga Lioni i Francës, u kthyen vullnetarisht në total 135 shtetas”, sqaron Policia.

Policia e Shtetit apelon edhe një herë për të gjithë ata shtetas që udhëtojnë në hapësirën Shengen që “të mos bëjnë asnjë përpjekje për të aplikuar për azil në Francë apo në çdo shtet tjetër të BE-së dhe të mos bëjnë asnjë shpenzim duke paguar ata që duan të përfitojnë duke i mashtruar se do t’u sigurojnë azil, pasi rezultati në të dyja rastet do të jetë negativ. Shqipëria është një vend i sigurt dhe shanset për të marrë azil janë zero”. /atsh

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/445369089746186/?t=0

Vijojnë riatdhesimet dhe kthimet vullnetare nga Franca/ Policia: S’ka azil për shqiptarët, jemi vend i sigurt Read More »

Braçe: Prokuroria të kryejë hetime gjithëpërfshirëse, kallëzim penal për ndërtuesit që nuk rekuperojnë dëmet

Zv.kryeministri, Erion Braçe i bën thirrje prokurorisë të kryejë hetime gjithëpërfshirëse sa i përket përgjegjësve të dëmeve pas tërmetit të 26 nëntorit.

Gjatë emisionit “Përballë” në RTSH, Braçe foli edhe për rastin e pallateve të shembura në Thumanë.

“Institucioni që po merret me këtë gjë është Prokuroria, që duhet t’I shkojë deri në fund kësaj historie. Prokuroria duhet të bëj hetime gjithëpërfshirëse, për të nxjerrë përgjegjësinë e çdo strukture”, – tha zv.kryeministri.

Braçe foli edhe për qëndrimin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

“Edhe ai si unë e ndjente se sa dramatike ishte ajo qe kishte ndodhur. Edhe unë, edhe ai ishim në të njëjtën gjendje dhe rrinim poshtë pallati, ku kishin mbetur banorë, sado që çdo 15 minuta pallati tundej si pasojë e lëkundjeve, – tha Braçe në RTSH.

Gjithashtu, zv. kryeministri Braçe tha se ndërtuesit që refuzojnë të rekuperojnë dëmet në godinat e ndërtuara jashtë standardeve do të kallëzohen penalisht.

“Këta duhet ta bëjnë tani në Durrës dhe Tiranë. Nëse nuk do ta bëjnë, gjëja e parë që do të bëjmë ne është kallëzimi penal i tyre”, tha ai duke shtuar se “rregullat e deritanishme për sektorin e ndërtimit garantojnë klientelizëm dhe korrupsion”.

Ai tha se qeveria do të ndërmarrë ndryshime ligjore për të adresuar këtë shqetësim. “Duhet t’i vëmë fre kulturës së lakmisë dhe të babëzisë në sektorin e ndërtimit. Duhet të ndryshojnë sistemin që kemi, që është thellësisht privat dhe i pakontrollueshëm. Do ta ndryshojmë me ligj. Të fusim oponencën nga institucionet publike. IGJEUM-i duhet të marrë rolin e oponencës publike në hartimin e kodeve të reja të ndërtimit. Këtë sistem duhet ta nxjerrim nga klientelizmi i grupeve të ndërtimit, – tha Braçe në RTSH. /atsh

Braçe: Prokuroria të kryejë hetime gjithëpërfshirëse, kallëzim penal për ndërtuesit që nuk rekuperojnë dëmet Read More »