Aktualitet

Berlini shpall emergjencën klimatike

Senati i Berlinit shpalli sot një emergjencë klimatike për kryeqytetin gjerman, duke i hapur rrugën përpjekjeve shtesë për sa i përket veprimeve mbi ndryshimin e klimës.

“Kemi bërë me dije se duam të shkojmë përtej qëllimeve tona aktuale për të ulur emetimet e dyoksidit të karbonit me 85%, krahasuar me nivelet e 1990”, deklaroi kryebashkiaku i Berlinit Michael Mueller.

Senatori Regine Guenther, i cili drejton departamentin e Mjedisit në Senat dhe hartoi vendimin, dëshironte të përfshinte një qëllim prej të paktën 95% para vitit 2050, por nuk mund të siguronte miratimin.

Me këtë vendim, Berlini ndjek gjurmët e shumë bashkive në të gjithë botën, duke përfshirë rreth 50 në Gjermani, që kanë deklaruar emergjencë klimatike. /atsh

Berlini shpall emergjencën klimatike Read More »

Rama përcjell fjalët e shenjta: Dora që jep ka më shumë meritë se dora që merr

Kryeministri Edi Rama përcolli sot fjalët e Shenjta të Lajmëtarit të Zotit që vijnë nga Abû Umâma Sudayî b. ‘Ajlân, si një mesazh për solidaritet me familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Abû Umâma Sudayî b. ‘Ajlân sjell fjalët e Lajmëtarit të Zotit: Dora që jep ka më shumë meritë se dora që merr”, shkruan kryeministri Rama.

Pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, që ka lënë pas shumë dëme materiale, solidariteti i shqiptarëve ka qenë i madh, sikundër edhe ai vendeve partnere dhe atyre fqinje. Pas kalimit të fazës së emergjencës ku u mblodhën ushqime e veshmbathje, tashmë po mblidhen fonde për rindërtimin duke kontribuar në platformën e-Albania. /atsh

Rama përcjell fjalët e shenjta: Dora që jep ka më shumë meritë se dora që merr Read More »

Rama takon përfaqësues të unioneve shqiptare muslimane në Europë: Bashkëpunim konkret në funksion të Rindërtimit

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues nga unionet e besimtarëve myslimanë të Zvicrës, Austrisë, Gjermanisë dhe të Italisë, të cilët së bashku kanë ndërmarrë një iniciativë solidarizimi si të gjithë shqiptarët në tërësi në gjithë botën.

“Dita sot fillohet me një surprizë. Me liderët e përfaqësuesit e katër unioneve shqiptare të besimit musliman në Zvicër, Gjermani, Austri dhe Itali, të cilat kanë mbledhur një fond të konsiderueshëm solidariteti në xhamitë respektive dhe kanë ardhur në Shqipëri për të nisur bashkëpunimin konkret, në funksion të Rindërtimit. Sot u njohëm me përpjekjen dhe dëshirën e tyre të madhe për të kontribuar duke bashkuar të gjitha fondet e mbledhura në funksion të një qëllimi. I falënderoj për gjithçka kanë bërë”, tha Kryeministri.

Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen që në një moment kaq dramatik, kaq tragjik për disa familje që humbën familjarët dhe kaq të vështirë për shumë familje me të plagosur dhe të mbetur pa çati, shqiptarët kudo janë u solidarizuan duke treguar një shpirt përkatësie”.

Rama falënderoi shqiptarët nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Lugina e Preshevës, nga Mali i Zi dhe pastaj në gjithë Europën, SHBA dhe përtej këtyre destinacioneve për solidarizimin me Shqipërinë.

“Po ashtu më vjen shumë mirë që ky është momenti ku kemi mundësi të bashkëpunojmë më fort se sa para tërmetit. Kemi diskutuar edhe për disa fjalë të shenjta, si p.sh. që Zoti e dërgon tërmetin që t’u japë një mundësi njerëzve të pastrohen dhe pendohen, edhe pse pendesa nuk është karakteristikë kryesore e jona në tërësi. Por pa diskutim ky është një moment për të bashkuar forcat. Kam shumë besim se myslimanë e të krishterë i lexojnë fjalët e shenjta si pasuri të njerëzimit”, tha Rama.

Përfaqësuesit e unioneve të myslimanëve në Zvicër, Austri, Gjermani dhe Itali shprehën solidaritetin me popullin shqiptarë për kapërcimin e pasojave të tërmetit./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/796661200795146/?t=0

Rama takon përfaqësues të unioneve shqiptare muslimane në Europë: Bashkëpunim konkret në funksion të Rindërtimit Read More »

Dëborë në qarkun e Korçës, ARRSH masa për mirëmbajtjen e aksit Boboshticë-Dardhë

Autoriteti Rrugor Shqiptar po vijon punën për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në të gjithë vendin.

Gjatë natës së mbrëmshme në qarkun e Korçës ka pasur reshje dëbore.

Sipas ARRSH-së, në aksin Boboshticë-Dardhë, kontraktori i mirëmbajtjes ka bërë pastrimin e rrugës nga dëbora dhe qarkullimi bëhet pa zinxhir.

“Qarkullimi vazhdon normalisht në të gjitha akset e vendit. Kontraktorët janë në gatishmëri me mjete dhe punëtorë”, shprehet ARRSH.

Fillimi i muajit dhjetor u shoqërua me reshjet e para të dëborës në zonat malore dhe juglindore të vendit. ARRSH ka marrë të gjitha masat e para të mirëmbajtjes dimërore dhe ka nisur puna për pastrimin e saj dhe hedhjen e kripës. /atsh

Dëborë në qarkun e Korçës, ARRSH masa për mirëmbajtjen e aksit Boboshticë-Dardhë Read More »

Ministeriali i Mbrojtjes së A5/ Zyrtarja amerikane Cooper: Shqipëria, shembull i jashtëzakonshëm në mbështetje të operacioneve të NATO-s

Zëvendësasistentja e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA–së, Laura Cooper, deklaroi sot se SHBA janë miq të Shqipërisë dhe do të jenë bashkë në kohë të vështira.

Në fjalën e saj në konferencën e Ministerialit të Mbrojtjes të nismës SHBA– Karta e Adriatikut, Cooper theksoi se do të doja të fillojë me ngushëllime për familjet që vuajtën si pasojë e këtij tërmeti. Shtetet e Bashkuara janë miqtë e Shqipërisë si gjithë amerikanët dhe shqiptarët kanë qenë bashkë në kohë të vështira”.

“Të gjitha vendet që janë sot këtu reaguan menjëherë pa asnjë kusht dhe kanë dhënë mbështetjen e nevojshme për të ndihmuar Shqipërinë në këtë periudhë të vështirë”,- nënvizoi Cooper.

Ajo shprehu mirënjohjen për Shqipërinë, e cila drejton A5 në 2019.

“Ka qenë vit produktiv për gjithë Shqipërinë por plot me sfida e mundësi për të mbështetur aleancën e NATO-s, partneritetet dhe koalicionet. Shqipëria është një shembull i jashtëzakonshëm për të mbështetur operacionet e NATO-s në të gjitha koalicionet. Doja t’iu siguroja se angazhimi i SHBA-së për aleancën e NATO-s dhe partneriteti që kemi mbetet shumë i fortë”, theksoi Cooper.

“Unë udhëtoj shumë në vende të ndryshme si pjesë e detyrës sime dhe shikoj se udhëtimi në vendete A5 është gjithmonë më rendësi të posaçme duke qenë se kemi sfida të ndryshme, të përbashkta përsa i përket sigurisë. Angazhimi i SHBA-së në Europën Juglinodre është vazhdimisht prezent dhe jo vetëm gjatë angazhimit nëpërmjet mbështetjeve të ndryshme, por kohët e fundit edhe në takimet e Ministerialit të Mbrojtjes.
Duke pasur parasysh asistencën e sigurisë së SHBA , gjithë këtë angazhim dhe mbështetjen në kuadrin e mbrojtjes në vendet tuaja dhe vetëm nga departamenti i mbrojtjes kanë qenë mbi 743 milionë dollarë që nga viti 2012”, – tha Cooper.

Më tej , ajo shtoi se , të gjitha këto kanë qenë pjesë e bashkëpunimit për sigurinë dhe ngritjes së kapaciteteve jo vetëm në vendet anëtare , por edhe ato vëzhguese gjatë kësaj periudhe.

“Angazhimi i SHBA-së për këtë rajon reflekton gjithashtu edhe vlerësimin që kemi për kontributet tuaja për sigurinë globale dhe rajonale. Shumë prej forcave tona të armatosura qëndrojnë afër me njëra tjetrën, sup më sup të lidhura për të mbështetur misionet në Afganistan e të tjera. Vendet tuaja janë të rëndësisë përsa i përket ofrimit të sigurisë jo vetëm për vendet e rajonit por edhe në kuadrin ndërkombëtar”, – tha Cooper.

Sipas saj, mbështetja e SHBA-së në kuadrin e politikës së dyerve të hapura të NATO-s- dhe mundësia që ka secili nga vendet për të përzgjedhur rrugën e vet, nëse kjo është rrugë e NATO-s apo BE-së, kjo ndryshon, jemi gjithmonë mbështetës të progresit në rajon.

“SHBA e shikon A5 si një element shumë të rëndësishëm për ngritjen e besimit të konfidencës për të arritur objektivat tona të përbashkëta duke pasur parasysh përvojat tona unikale, të rëndësishme dhe bashkarisht mund të kuptojmë më mirë mjedisin e sigurisë dhe të krijojmë mundësi të tjera për një bashkëpunim të mëtejshëm”, tha Cooper./atsh

Ministeriali i Mbrojtjes së A5/ Zyrtarja amerikane Cooper: Shqipëria, shembull i jashtëzakonshëm në mbështetje të operacioneve të NATO-s Read More »

Rama në Kurbin: Shumica e banorëve në shtëpitë e reja brenda mesit të vitit të ardhshëm

Kryeministri Edi Rama takoi sot banorët e Fushë-Mamurrasit në Kurbin, ku shprehu bindjen se “brenda mesit të vitit të ardhshëm do t’i kemi sistemuar shumicën dërrmuese të banorëve të dëmtuar nga tërmeti me shtëpi të reja”.

Rama pa sot nga afër gjendjen në Fushë Kurbin, aty ku po mbaron sistemimi në çadrat dimërore dhe ku në trojet e shtëpive të rrënuara do të ndërtohen shtëpi të reja, shumë më të mira se ato që ishin.

Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Shalsi informoi kryeministrin se në këtë zonë kemi vendosur 17 çadra dimërore, ndërsa po vazhdon edhe verifikimi në terren i banesave. Ajo tha se në këtët zonë “kemi po ashtu edhe disa banesa të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit”.

Kryeministri siguroi banorët e dëmtuar se do të sistemohen në banesa të reja, ndërsa u kërkoi që të bëjnë durim.

“Do t’i rregullojmë pa asnjë dyshim. Me këtë rast do të rregullojmë edhe infrastrukturën këtu se qenka copë-copë. Fillimisht do t’i rregullojmë të gjithë me çadra dimërore, derisa të bëjmë shtëpinë e re”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “duhet të angazhohemi me shpejtësi që të bëjmë një risistemim dhe me këtë rast edhe infrastrukturën”. “Të pastrojmë muret dhe pislliqet që të bëhet një gjë humane dhe normale. Duhet bërë shpejt. Shtëpitë e regjistruara si të dëmtuara do t’i shembim dhe do t’i bëjmë”, tha Rama. /atsh

Rama në Kurbin: Shumica e banorëve në shtëpitë e reja brenda mesit të vitit të ardhshëm Read More »

29 vite PD, Basha: Liri-Demokraci, oksigjeni që rikthyen në jetë një komb

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar sot 29 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.
Basha thekson se demokracia është guri i themelit që ngriti në këmbë shtëpinë e demokratëve
“Liri – Demokraci! 29 vjet më parë këto 2 fjalë ishin oksigjeni që rikthyen në jetë një komb, i cili ra në errësirën e diktaturës më të egër komuniste për gati 5 dekada. Liri – Demokraci është guri i themelit që ngriti në këmbë shtëpinë e demokratëve, shtëpinë e shqiptarëve që e donin Shqipërinë si gjithë Europa.Për 29 vite, Partia Demokratike ia ka dalë të jetë partia e shpresës. Kjo është arritja jonë më e madhe në këto 29 vjet. Sot shqiptarët i kanë sytë nga ne për të finalizuar misionin për të cilin u themelua Partia Demokratike si garante e lirisë, e demokracisë dhe e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”, shprehet ai.
Po ashtu Basha shton se “Shqiptarët meritojnë të votojnë të lirë për qeverisjen e tyre, ata meritojnë një qeveri që punon për mirëqenien e tyre, që respekton fjalën e lirë dhe të drejtën e pronës, një qeveri që bën më të mirën për të siguruar të ardhmen e qytetarëve të saj! Fëmijët tanë meritojnë të rriten si shqiptarë europianë në Shqipërinë tonë të bukur, Shqipërinë si gjithë Europa! Dhe së bashku do ta bëjmë realitet! Gëzuar 29 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”. /atsh

29 vite PD, Basha: Liri-Demokraci, oksigjeni që rikthyen në jetë një komb Read More »

Raporti i PNUD, Shqipëria renditet në kategorinë me zhvillim të lartë njerëzor

Shqipëria renditet në kategorinë me zhvillim të lartë njerëzor.

Programi për Zhvillimin i Kombeve të Bashkuara, PNUD, prezantoi sot raportin për Zhvillimin Njerëzor, “Përtej të ardhurave, përtej mesatareve, përtej të sotmes. Pabarazitë në zhvillimin njerëzor në shekullin e 21-të”, sipas të cilit Shqipëria renditet e 69-ta mes 187 vendeve të botës për vitin 2019.

Raporti i Zhvillimit Njerëzor për vitin 2019 (HDR) studion pabarazitë në zhvillimin njerëzor përtej të ardhurave, përtej mesatareve dhe përtej të sotmes.

Aktualisht Shqipëria kualifikohet si një vend me zhvillim të lartë njerëzor. Nga viti 1990 deri në vitin 2018, vlera e Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (HDI) në vend është rritur nga 0,644 në 0,791, një rritje prej 23,0 %. Jetëgjatësia e pritshme në lindje është rritur me 6,6 vjet, vitet mesatare të shkollimit janë rritur me 2,2 vjet dhe vitet e pritshme të shkollimit janë rritur me 3,6 vjet. Të ardhurat kombëtare bruto (AKB) janë rritur me rreth 178,6 % nga viti 1990 deri në vitin 2018. Kur vlera ulet për shkak të pabarazisë, HDI-ja e Shqipërisë bie në 0,705, që do thotë një ulje prej 10,9 %.

Sipas raportit më të fundit global të Zhvillimit Njerëzor të UNDP-së, ndërsa vendet me të ardhura mesatare të Evropës dhe Azisë Qendrore kanë arritur standarde më të larta jetese se kurrë më parë, ndryshimet klimatike dhe problemet teknologjike mund të ngadalësojnë në mënyrë drastike përpjekjet e tyre për reduktimin e pabarazive.

“Kjo është forma e re e barazisë dhe siç përcaktohet në këtë Raport të Zhvillimit Njerëzor, pabarazia nuk është e pazgjidhshme,” thotë Administratori i UNDP, Achim Steiner.

Raporti bën një studim më të thellë të pabarazive social-ekonomike duke i analizuar ato në tre dimensione – përtej të ardhurave, përtej mesatareve dhe përtej të sotmes — dhe propozon një grup alternativash politike për adresimin e tyre.

Ndonëse rajoni në tërësi regjistron pabarazinë më të ulët mes burrave dhe grave në Indeksin e Pabarazisë Gjinore, gratë mbeten vulnerabël ndaj përjashtimit nga tregu i punës.

Një “indeks i ri i normave sociale” në raport tregon se vitet e fundit ka pasur rritje të anësisë gjinore në më shumë se gjysmën e vendeve të vlerësuara në mbarë botën.

Po ashtu, të rrezikuar janë edhe punëtorët e rinj, migrantët, të papunët afatgjatë, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet që kanë qenë historikisht të margjinalizuar dhe banorët e zonave rurale dhe të izoluara.

Për rrjedhojë, politikat që trajtojnë anësitë themelore, normat sociale dhe strukturat vendimmarrëse janë thelbësore, argumentohet në raport. Për shembull, politikat për balancimin e shpërndarjes së kujdesit, veçanërisht për fëmijët, janë thelbësore, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e diferencës në të ardhurat mes burrave dhe grave gjatë gjithë jetës gjenerohet përpara moshës 40-vjeçare.

Përtej të ardhurave përtej mesatares, përtej të sotmes

Raporti rekomandon që politikat të shohin përtej të ardhurave, duke u fokusuar në ndërhyrjet gjatë gjithë jetës që fillojnë që përpara lindjes, duke përfshirë përmes investimeve në tregun përpara punës në të nxënit, shëndetin dhe ushqyerjen e të fëmijëve. Këto investime duhet të vazhdojnë gjatë gjithë jetës së një personi, qoftë kur ata fitojnë të ardhura në tregun e punës, edhe më pas.

Raporti argumenton gjithashtu se taksimi duhet të vlerësohet si pjesë e një sistemi politikash, duke përfshirë shpenzimet publike në shëndetësi, arsim dhe alternativa ndaj stileve të jetesës me intensitet karboni. Vlerat mesatare fshehin pabarazi të rëndësishme, citohet në raport, dhe ndërsa ato mund të jenë të dobishme në rrëfimin e një historie më të gjerë, nevojitet informacion shumë i hollësishëm për të krijuar politika që të adresojnë pabarazinë në mënyrë efikase.

Në vështrimin përtej të sotmes, në raport ngrihet pyetja se si mund të ndryshojë pabarazia në të ardhmen, veçanërisht në optikën e ndryshimeve klimatike dhe informacionit teknologjik – dy forca që duket se do të riformësojnë rezultatet e zhvillimit njerëzor gjatë shekullit të ardhshëm.

“Me ndryshimin e botës, ndryshojnë edhe pabarazitë” thotë Pedro Conceição, Drejtor i HDRO. “Lajmi i mirë është që ato nuk janë të paevitueshme. Çdo shoqëri ka një mundësi zgjedhje në lidhje me nivelin dhe llojin e pabarazive që është përgatitur të tolerojë”, tha ai.”/atsh

Raporti i PNUD, Shqipëria renditet në kategorinë me zhvillim të lartë njerëzor Read More »