Aktualitet

Ligji i medias/ Rama: Në 20 shtete fyerja dhe shpifja vepër penale që dënohet me burg

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se “këtu jemi përballë një turme që nuk denjon të lexojë dhe thotë hapur nuk na intereson çfarë shkruhet në ligj, ne nuk duam ligj, sepse çdo ligj cenon lirinë tonë. Sipas një raporti të OSBE 2017 në 3/4, pra në 42 shtete nga 57 që janë anëtare të OSBE, fyerja dhe shpifja është vepër penale. Nga analiza e thellë që është bërë për të bërë këtë ligjin, 28 teksteve legjislative të Bashkimit Europian rezulton se aktualisht ka tre qasje ndaj fyerjes dhe shpifjes”.

Në fjalën e tij në kuadër të diskutimeve për projektligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” Kryeministri Rama tha se “së pari, 20 shtete Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Gjermania, Greqia , Hungaria, Polonia, Portugalia, Sllovenia, Sllovakia, Spanja, Suedia, Italia, Letonia Letuania, Luksemburgu dhe Holanda parashikojnë fyerjen dhe shpifjen si vepër penale që dënohet me burg”.

Së dyti, vijoi Rama, pesë shtete Qipro, Iralnda, Anglia, Rumania dhe Estonia nuk e parashikojnë fyerjen dhe shpifjen si vepër penale, por e rregullojnë me pasojat e tyre në legjislacionin e tyre.

“Anglia zbaton gjobën më të lartë të vendeve anëtare të Këshillit të Europës që shkon në 200 mijë stërlina”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “së treti tre shtete Bullgaria, Kroacia dhe Franca e konsiderojnë fyerjen dhe shpifjen si vepër penale dhe dënim vetëm me gjobë dhe jo me burgim si sanksion për këto vepra penale”.

“Legjislacioni absolutisht më i ashpër ndaj fyerjes dhe shpifjes në BE është legjislacioni i Republikës Federale të Gjermanisë. Kodi penal i Gjermanisë parashikon 11 vepra penale për fyerjen dhe shpifjen dhe rastësisht është vendi ku ka më pak shpifje dhe më pak fyerje. Përgjegjësia civile për shpifjen dhe fyerjen rregullohen sipas modelit të vendeve që kanë një ligj të veçantë që nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe dhe Irlanda, ndërkohë që shtete si Kroacia, Austria dhe Luksemburgu kanë miratuar ligje të përgjithshme që kanë parashikime serioze për fyerjen dhe shpifjen”,- nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “në tetor të 2018 për shkak të rritjes së ndikimit të rrjeteve sociale në aspektin social, kulturor dhe ekonomik dhe politik të vendeve anëtare të BE-së, direktiva e BE-së është për afruar plotësisht në Republikën e Shqipërisë dhe ligjin përkatës për mediet audiovizuale dhe është rishikuar dhe përditësuar rregullimi i ligjeve”.

“Parlamenti francez ka miratuar një ligj kundër lajmeve të rreme është ligj që mban emrin e Presidentit të Francës, që krijon rregulla të reja tejet të ashpra për t’i dhënë autoriteteve fuqi për të hequr përmbajtjen e rreme të përhapur përmes medieve sociale madje për të bllokuar aksesin e vendeve që e publikojnë atë, si dhe për zbatuar me transparencë përmbajtjen e sponsorizuar deri në 5 muaj para periudhës zgjedhore një disiplinë super strikte”,- shtoi Rama.

Sipas tij, në SHBA byroja federale e hetimit ndërhyn pa vendim gjykate dhe mbyll me urdhër çdo lloj website dhe përmbajtje që konsiderohet cenuese, në shumë aspekte.

“Në Gjermani është miratuar ligji për përmirësimin e zbatimit të ligjit ekzistues në rrjetet sociale. Ligji gjerman është sot përpjekja më e suksesshme për të shuar përmbajtjen potencialisht të dëmshme në internet”, tha Rama.

Më tej Kryeministri theksoi se “vijmë tek gjithë kjo punë e bërë për të analizuar shtetet e BE-së, i gjithë entuziazmi ynë për të ndërtuar një ligj që i referohet këtyre shteteve ndeshi qysh në fillim pengesën nga përfaqësuesve të BE-së, OSBE-së dhe të Këshillit të Europës, në formën e një fjalie mos iu referohuni këtyre shteteve se i kanë ligjet shumë të ashpra nuk janë këto shembulli që duhet të ndiqni”./atsh

Ligji i medias/ Rama: Në 20 shtete fyerja dhe shpifja vepër penale që dënohet me burg Read More »

Meta: Diaspora në mbarë botën solidaritet me fatkeqësinë natyrore të 26 nëntorit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në mbledhjen e parë të Këshillit Koordinues të Diasporës ku vlerësoj solidaritetin e diasporës me fatkeqësinë natyrore të 26 nëntorit.

Në takim ishin të pranishëm Kryeministri Rama, Ministri i Shtetit për Diasporën Majko, ministrat e kabinetit qeveritar Çuçi, Margariti, Klosi, anëtarë të Këshillit, deputetë, drejtuesi i mbledhjes dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut, zoti Mark Gjonaj, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta shpreh se “Ky Këshill ka një rëndësi të veçantë pasi dëshmon përfshirjen e përfaqësuesve të diasporës në struktura ekzekutive që merren drejtpërdrejtë me identifikimin real të problematikave, me propozimet dhe zgjidhjen e tyre, si edhe në hartimin e strategjive mbi marrëdhënien me diasporën. Uroj që ky takim i parë i Këshillit Koordinues të Diasporës të vijojë me një sërë arritjesh në zgjidhjen e këtyre problematikave që ndesh diaspora jonë, por edhe mbi masat konkrete të qeverisë shqiptare në bashkëpunim edhe me diasporën në lidhje me situatën e rëndë të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit!”, tha ai.

Presidenti Meta vlerëson rolin e diasporës për solidaritetin me për fatkeqin e 26 nëntorit

“Shfrytëzoj këtë rast të falënderoj të gjitha komunitetet e diasporës në mbarë botën për ndihmën dhe për mesazhet e solidaritetit për fatkeqësinë natyrore që goditi vendin tonë më 26 nëntor. Shoqata dhe individë të shumtë të diasporës sonë, jo vetëm nga vendet fqinje, por edhe nga Amerika, Kanadaja e deri në Australi, kanë mbledhur ndihma dhe të ardhura në mbështetje të njerëzve të prekur nga tërmeti, duke treguar kështu një solidaritet të rrallë ndaj vendit dhe bashkatdhetarëve të tyre.”, theksoi ai.

Po ashtu Meta tha se “Kjo fatkeqësi le të shërbejë edhe si moment reflektimi, rindërtimi, rimëkëmbjeje dhe pajtimi për të forcuar bashkëpunimin në interes të qytetarëve tanë, të vendit tonë, por edhe të kohezionit tonë kombëtar”.

Presidenti Meta ka vlerësuar rolin e diasporës në vite në shërbim të vendit

“Historia e Shqipërisë na mëson se në momentet më kyçe dhe më vendimtare të vendit, diaspora ishte shtysa kryesore në arritjen si të Pavarësisë së Shqipërisë’ ashtu edhe në sigurimin e lirisë dhe në avancimin e çështjes kombëtare. Diaspora jonë e hershme, komuniteti arbëresh ruajti për pesë shekuj gjuhën shqipe dhe figurën e Skënderbeut, dhe ishin nismëtarë të Rilindjes Kombëtare, e cila çoi na çoi edhe drejt Pavarësisë. Një kontribut të madh dhe të vyer në të mirë të vendit tonë jep edhe diaspora e re e pas viteve 90-të.Tashmë Diaspora shqiptare ka hyrë në një etapë të re. Shumë përfaqësues të saj janë pjesë e rëndësishme në institucionet shtetërore qendrore dhe vendore në shtetet ku ata jetojnë”, tha ai. /atsh

Meta: Diaspora në mbarë botën solidaritet me fatkeqësinë natyrore të 26 nëntorit Read More »

Gazetarët në protestë para Kuvendit/ Shkelës të të drejtave të njeriut për të ndërtuar sipërmarrjen e tyre të lirë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ata që janë tek dera e parlamentit sot do të ishin me borxhe për të paguar pafundësinë e detyrimeve si rezultat i shkeljes së të drejtave të njeriut. Ata janë shkelës të të drejtave të njeriut, janë shkelës të të drejtës themelore të njeriut që të mos i cënohet në publik integriteti i tij”.

Duke iu referuar gazetarëve që po protestojnë para Kuvendit të Republikës kundër miratimit të paketës “anti-shpifje”, Kryeministri Rama theksoi se “ata janë shkelës të të drejtës dhe lirisë themelore të njeriut në demokraci për të ndërtuar sipërmarrjen e tij të lirë, janë shkelës të së drejtës së shoqërisë për të qenë e mbrojtur nga pasojat katastrofike të lajmeve të rreme apo shpifjeve”.

“Në 26 nëntor ka vdekur një njeri i pafajshëm si rezultat i veprimtarisë së atyre që janë tek dera e parlamentit, ka vdekur ka humbur jetën një baba, janë plagosur dhjetëra njerëz sepse dikush nga ata ka nxjerrë lajmin se spitali i Durrësit po shembet dhe dalja e atij lajmi e ka kthyer spitalin nga një vend pritës për të ndërhyrë dhe shpëtuar jetë dhe për të kuruar plagë të rënda në udhëkryqin e një kaosi me mjekë, infermierë, familjarë, të sëmurë që donin të dilnin një orë e më parë nga dera e spitalit”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “deri këtu mund të shkojë sepse shkoi efekti negativ i fjalëve të lëshuara pa asnjë përgjegjësi. Liria e shtypit, liria e fjalës për të thënë çfarë të duash është edhe përgjegjësi nuk është vetëm e drejtë. Po ata që janë atje kanë publikuar lajmin se qeveria fshihte 100 të vdekur në morgun e spitalit, duke krijuar një situatë kaotike me familjarë që për një arsye e tjetër kishin humbur kontaktet me anëtarë të familjes që ishin shëndoshë e mirë”.

“U jap raste shumë të freskëta nuk po u flas as për veten time, as për familjen time, as për nënën time, as per vajzën tonë, as për djalin tim, as për prindërit e Ditmir Bushatit, as për familjarët e atyre që janë këtu mbrapa meje, nuk po flas as për familjarët e Taulant Ballës dhe të askujt tjetër mes nesh. Po flas për ata që ndryshe nga ne nuk kanë një mikrofon për të thënë të vërtetën e tyre. Për ata që ndryshe nga ne nuk e kanë Facebook live me një milion ndjekës siç e kam unë për të treguar se çfarë bëj dhe nuk i kanë kushtet tona për të qenë sidoqoftë në mundësinë që tu themi atyre që lexojnë shpifjet dhe agresionet e përditshme ndaj nesh dhe familjeve tona se si është versioni në të vërtetë”-, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se “këtu e kam fjalën për dhjetëra sipërmarrës që janë detyruar të shkojnë ti paguajnë ata , të paguajnë nën dorë të heqin lajmin se qumështi është i helmuar, se frutat janë me hormone se specat sjellin deformime për bebet në barkun e nënave. Ata si mbrohen në çfarë forme në formën që duhet të presin siç pres unë me shumë durim gjyqet, ndërkohë që një lajmi tillë u shkatërron biznesin dhe deri kur të mbarojë gjyqi biznesi i tyre të ketë falimentuar, me djathin që është me miell apo bukën që është me niseshte. //atsh

Gazetarët në protestë para Kuvendit/ Shkelës të të drejtave të njeriut për të ndërtuar sipërmarrjen e tyre të lirë Read More »

Ligji për mediet 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare, e drejtë e gjithkujt që të mbrohet nga llumi i shpifjes

Kryeministri Edi Rama duke folur për paketën anti-shpifje që pritet të kalojë në Kuvend deklaroi sot gjatë seancës plenare se ligji për anti-shpifje është 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare dhe se do të miratohet sot.

“Nuk ka ligj të përsosur çdo ligj është i përmirësueshëm por ne nuk mund ta shtyjmë në pafundësi në kërkim të perfeksionit miratimin sot, ky ligj do miratohet sot si një e drejtë e gjithkujt që të mbrohet nga llumi i shpifjes. Ne do vazhdojmë punën për aspektet proceduriale dhe rregullatore siç kemi rënë dakort dhe nga fjalia e parë deri tek fjalia e fundit ligji është jo 99% por 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare”, deklaroi Rama.

Rama theksoi se, “këtë nuk e them unë së kështu them unë por e them të konfirmuar 100% me shkrim nga institucioni i përcaktuar për të ndjekur këtë proces që është OSBE-ja. Pasi u morën rekomandimet e BE-së u aplikuan 100% në tekst u lanë detyra që procesi të vazhdoj me OSBE-në, procesi vazhdoj me OSBE-në u bënë dhe disa saktësime të fundit dhe duan apo s’duan organizatat, duan apo nuk duan heronjtë që janë te dera, ky ligj do kaloj sot”.

Ky ligj sipas Ramës do t’i japi një instrument të thjeshtë çdo individi që mbasi kur del tek dera e shtëpisë ha një batare me llum dhe baltë syve të ketë një adresë ku të shkoj edhe të ankohet.

“Të shkoj të thotë këtë baltën ma hodhën po a ka mundësi të mos vazhdojnë të ma hedhin se kjo është shpifje, kaq dhe unë jam në krahun e këtij individi jo për veten time”, tha Rama.

“Të gjitha ndryshimet që janë bërë janë bërë ne konformitet të plotë me ekspertët e përcaktuar të OSBE-së . Drafti ynë është përmirësuar në çdo detaj deri në fund dhe thelbi është po ai qëkur kemi pranuar që nuk na lejohet të bëjmë një ligj si Gjermania ose si vendet e tjera të BE-së se ato i kanë shumë të ashpra. E kemi pranuar këtë do bëjmë një më të butë, ky ka qenë moment i tërheqjes sepse vendet e BE-së nuk i kanë siç duhet ligjet për shpifje i kanë shumë të ashpra”, vijoi Rama.

Rama gjithashtu deklaroi se, “në ligjin ekzistues rregullohet gjithë veprimtaria e ofruesve të këtyre shërbimeve jo veprimtaria e rrjeteve sociale. Këto vendet që janë anëtare të BE-së, këto vendet që kanë ligjet më të rënda kundër shpifjes kanë hyr tek rrjetet sociale. Këto vende ta këpusin në kryq profilin në sekond dhe profilet fallso nuk hapen dot atje, nëse ata nuk duan të hapen. Ne nuk kemi shkuar deri këtu, ne po synojmë të vendosim standarde për respektimin e dinjitetit të të drejtave themelore të njeriut”.

“Nuk janë njerëz vetëm këta që janë tek dera e parlamentit, njerëz janë dhe ata që hapin portalet e tyre dhe ata meritojnë të mbrohen në të drejtat e tyre. Ata nuk janë mish për tu shkelur nga këta sa herë që klikojnë dhe ju del përpara shkelmi i shpifjes edhe i gjithë bolorisë që prodhohet për të vënë nën presion shoqërinë dhe njerëzit dhe për të treguar forcë në raport me burimet e mundshme të financimit që unë të bëj gjëmën prandaj ti duhet të më paguash”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se, ” ky ligj siguron procedura të shpejta administrative për të trajtuar ankesat sepse e thashë nuk mundet dot që për një efekt imediat të dëmshëm ndaj personit, personi të presi 1 vit ndërkohë që efekti bëhet i plotë nëse ajo përmbajtje që është dëmtore nuk lëvizet. Sigurisht kush e ka publikuar atë përmbajtje ka të drejtën e dëgjesës të shkoj atje dhe të thotë që ankesa nuk qëndron sepse unë këtë përmbajtje e kam ekspozuar bazuar në këto fakte”.

“Krijohet gjithashtu një regjistër ku këto subjekte do regjistrohen se këto subjekte bëjnë biznes. Ne nuk kemi gjë me ligjin, s’duam ligj fare thonin ata jashtë pasi internet është liria jonë, domethënë ne në jemi pushtuesit këtu dhe të gjithë njerëzit që futen në internet o duhet të bashkëjetojnë me pushtuesin ose nuk duhet të futen në internet. Identifikimi i pronësisë mundësohet për të gjithë që të dish se me kë ke të bësh jo me prita me ferra pas të cilave dikush të gjuan dhe ti nuk di nga të erdhi dhe nuk di ku të shkosh për tu ankuar. Ndërkohë që ajo që gjuan ndaj teje nuk të ndot ty po e marrin të gjithë. Si mundet të bashkëjetohet me këtë , në emër të kujt lirie apo të drejte. Njeriu duhet të vendoset përpara një ekzekutimi për diçka që është komplet shpifje”, tha Rama.

Rama thekson se ky ligj nuk parashikon mbylljen e portaleve dhe kush e thotë këtë gënjen.

“Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk zëvendëson gjykatën, ajo është instanca ku konkludohet por gjykata dhe vetëm gjykata dhe jo AMA shqyrton çështjet kur ngrihet problem shpifës. Por kur nuk lexon ligjin ose kur thua ma kanë thënë miqtë atëherë flet kot sepse ligji e ka të qartë këtë”, tha Rama.

“Unë personalisht nuk merrem fare me AMA-në, unë me shpifësit do vazhdoj në gjykatë, më janë bërë deri tani 60 çështje mund të shkojnë dhe 600 varet sesa do rri këtu. Unë këtyre nuk i ndahem ose do vijnë të provojnë në gjykatë që ato që thonë janë të vërteta dhe nëse njëri do dali ta provoj unë do iki që këtu ose këta do dënohen në gjykatë si fajtor për përhapjen e shpifjeve”, përfundoi Rama. /atsh

Ligji për mediet 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare, e drejtë e gjithkujt që të mbrohet nga llumi i shpifjes Read More »

Ligji 100% i dakordësuar me BE dhe OSBE/Vetëm fillimi që do rregullojë historinë e shpifjeve në këtë vend

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se ligji për disa ndryshime në ligjin për mediat audiovizive është konsultuar 100% me ndërkombëtarët.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Balla, nga foltorja e Kuvendit gjatë diskutimeve për dy projektligjet “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, theksoi se me ligjin antishpifje i cili do të kalojë sot nuk synohet mbyllja e portaleve.

“Nuk mbyllen portale me vendim të qeverisë. Ka vetëm një moment kur vendoset bllokimi i përkohshëm i aksesit kur konfirmohet se publikon pornografi, terrorizëm apo cënon sigurinë kombëtare, vetëm këto raste dhe në këto raste shkon në gjykatë”, tha Balla në reagim të deputetes Hajdari.

“Në vendin ku ju Hajdari gëzoni pasaportën e dytë, të SHBA-së nuk shkohet në gjykatë, kur FBI bllokon aksesin jo për këto tre pika, por dhe më të lehta si kjo e bllokon. Ne nuk e kemi kështu dhe Buroja Federale e Hetimit nuk është institucion i pavarur, por institucion shtetëror”, tha Balla.

“I kam ndjekur me vëmendje gjithë diskutimin në parlamentin gjerman. Dua t’ju them kam sjellë disa prej paragrafëve të atij ligji që u hoqën në ligjin tonë, për ta lehtësuar. Ligji gjerman thotë, rrjetet sociale ku përfshihen ofruesit e shërbimit online duhet forcuar për të hequr çdo lloj gjuhe shpifje. dhe kanë me detyrim të rinovojnë me dokumente. Duhet të shqyrtohet ankesa brenda 7 ditëve dhe t’i bllokohet aksesi, gjobat shkojnë deri në 50 mijë euro. Kryeministri e tha që ky nuk është një ligj që do rregullojë historinë e shpifjeve në këtë vend”-, shtoi kreu i Grupit Parlamentar të PS.

“Kam një pyetje për çdo kritik, nëse ndaj jush do artikulohej një akuzë a do të dinit kush është? A nuk do të kërkonit të vërtetën mbi autorësinë? Nuk shkon dot në gjykatë se portali është i regjistruar në Bogota. Një portal me shumë peshë është i regjistruar në Bogota. Ku është PE kundër kësaj pakete. PE ka plot direktiva nga plot vende anëtare. Një gjë e them me bindje: Kemi 8 muaj që punojmë për këtë pr/ligj, tani ti thua dua edhe një javë. Natën e Krishtlindjeve do mblidhemi se ka Rudina një amendament. Historikisht si qasje e jona, nuk kemi bërë kurrë asnjë hap pa partnerët”-, tha Balla.

Sipas Ballës, OSBE ka ekspertizën ndër më të mirat në këtë aspekt.

“Për ata që nuk e dinë, ligji është shumë i rëndësishëm të testohet kur të aplikohet, do implementohet nën monitorimin e OSBE. KE e ka sjellë me letër e ka thënë qartë pozicioni e tij. As mos u kompleksoni e as mos u intimidoni nga kritikët e ligjit”-, shtoi ai.

“Nuk mund të jetë argument nga ana e komunitetit të gazetarëve që thonë ç’punë ka Parlamenti të na bëjë ligje ne. Përtej intimidimeve dhe telefonatave ky ligj duhet votuar dhe është vetëm fillimi i një procesi për të shpëtuar veshin e shqiptarëve nga dezinformimi. Kemi detyrën ta fusim në rrugë të mbarë”.

“Fakti që është 100 % i dakordësuar me partnerët e BE dhe OSBE, kjo është një gjë shumë e mirë dhe bëhuni gati për ta votuar sa më shpejt në seancë”, deklaroi Balla.

“Por kushdo që konstaton një shpifje ta bëjë. E tha Kryeministri e them dhe unë. Unë i besoj gjykatës dhe nuk po dal keq nga fondet e mbledhura nga Gjykata. Luzim Basha është dënuar me një gjobë penale për një shpifje që ka bërë këtu në këtë foltore, 500 mijë lekë nuk është pak, por shkon në buxhetin e shtetit nuk merret nga fituesi i çështjes, por ka edhe të tjerë që janë rrugës për të pagur sepse fondi i edukimit duhet pasuruar edhe me kontribuues të zinj”, tha ai./atsh

Ligji 100% i dakordësuar me BE dhe OSBE/Vetëm fillimi që do rregullojë historinë e shpifjeve në këtë vend Read More »

Ligji për mediet nuk cenon të drejtën e shprehjes, mbron publikun

Kryeministri Edi Rama tha sot se ligji nuk cenon të drejtën e shprehjes lirinë e opinioneve, të drejtën për të dhënë lajme nga të gjitha burimet e mundshme, por mbron publikun.

Rama tha se “ky ligj nuk e cenon as një fije Rudina Hajdari, të drejtën e shprehjes, lirinë e opinioneve, të drejtën për të dhënë lajmë nga të gjitha burimet e mundshme, as një fije. Por ama ky ligj garanton mbrojtjen e dinjiteti dhe të drejtat e tua, kur të ngrenë dhe të ulin sipas qejfit, sepse në një moment të caktuar t’i mendon me kokën tende. E nëse ty nuk të bën përshtypje për veten tënde, mua me bënë përshtypje për ty dhe të gjithë të tjerët, jo për veten time, por për njerëzit e familjes time që nuk mësohen dot me këtë. Që nuk qetësohen me faktin se lere se kështu e kanë këtë. Për atë ambulancën që duhet të marri nënë time e ta çojë në spital që megjithëse ka 30 vite se i ndjek këta nuk arrin dot, ik nuk të dëgjoj”.

“Nga ana tjetër ky sistem është sot për Mediat Audiovizuale, i njëjti mekanizëm. Gjithkush ka të drejtë të shkojë të AMA të ankohet për një lajm apo një informacion që ai e konstaton në lidhje me veten e vet në një ekran”, tha Kryeministri Rama./atsh

Ligji për mediet nuk cenon të drejtën e shprehjes, mbron publikun Read More »

Majko: Këshilli Koordinues, strukture e re e forcimit të marrëdhënies së diasporës

Në Dita Kombëtare e Diasporës në Shqipëri u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Koordinues të Diasporës.

Mbledhja u hap nga Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, i cili në fjalën e tij, falenderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre të deritanishëm.

Më tej, ministri Majko theksoi se Këshilli Koordinues i Diasporës është një strukturë e re, e cila funksionon për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar dhe synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Diasporën shqiptare.

“Diaspora shqiptare jep një kontribut me rëndësi në zhvillimin e vendit të origjinës në të gjitha fushat përfshirë arsimin, kulturën dhe ekonominë”, tha ministri.

Mbledhja u drejtua nga anëtari i Këshillit, Mark Gjonaj, i cili u ndal tek rëndësia e Diasporës shqiptare në fusha të ndryshme të vendit dhe angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare.

Takimi vijoi me përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë,. Ilir Meta dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të cilët theksuan rolin e Diasporës si thesar i çmuar i Shqipërisë dhe solidaritetin dhe kontributin e saj me familjet e prekura nga tërmeti.

Gjithashtu, pjesë e takimit ishte edhe Drejtuesi i Operacionit të Emergjencës rreth situatës së pas tërmetit, Bledi Çuçi, i cili bëri një përmbledhje të shkurtër të menaxhimit të situatës pas tërmetit në Shqipëri, përfshirë shpëtimin, trajtimin shëndetësor, strehimin e qytetarëve dhe vlerësimin e dëmeve.

Ky takim do të vazhdojë përgjatë gjithë ditës së sotme për të vijuar diskutimin me fokus çështjet e Diasporës shqiptare./atsh

Majko: Këshilli Koordinues, strukture e re e forcimit të marrëdhënies së diasporës Read More »

Sizmiologu Duni: Tërmeti i djeshëm paslëkundje, nuk ka arsye për panik

Tërmeti i rënë mbrëmjen e djeshme ishte paslëkundje dhe s’ka arsye për panik”, tha sot sizmologu Llambro Duni.

Sizmologu Duni u shpreh se “bëhet fjalë për paslëkundje, e kemi thënë që do të vijojnë, s’ka arsye për panik”.

“Lëkundja e tërmetit nuk ishte 4.5 e shkallës Rihter, siç u raportua nga Qendra Sizmiologjike EMSC, por ishte 4.0 e shkallës Rihter sipas magnitudës lokale”, – bëri të ditur Duni.

Sipas tij, kohëzgjatja e lëkundjes së tërmetit ka qenë 5 sekonda.

“Faqja që raportoi magniutdën 4.5 nuk e ka matur sipas magnitudës lokale, por me të tjera njësi matëse,”- shtoi Duni.

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 02:20 janë ndier sërish lëkundje tërmeti, që është paslëkundje e tërmetit të 26 nëntorit. Thellësia ishte 10 km, epiendra ishte 6 km në veri të Shijakut dhe 22 km në perëndim të Tiranës./atsh

Sizmiologu Duni: Tërmeti i djeshëm paslëkundje, nuk ka arsye për panik Read More »