Aktualitet

Rama përcjell fjalët e shenjta të Kuranit: T’i shërbesh popullit tënd, është mirësia më e madhe

Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm fjalët e shenjta të Kuranit, në një mesazh inkurajimi dhe solidariteti pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor, ndërsa Shqipëria ndodhet në fazën e rindërtimit.

“Çdo kohë është e humbur përveç kohës kur mbjell mirësi, t’i shërbesh popullit tënd është mirësia më e madhe!”, citon kryeministri Rama fjalët e Kuranit të shenjtë.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, po vijon verifikimi i dëmeve në objekte, ndërsa të pastrehët që la pas tërmeti janë sistemuar në struktura hoteliere, banesa me qira apo në çadra pranë vendbanimit në zonat rurale. Tashmë, pas përfundimit të verifikimit të dëmeve, pritet të dalë edhe një faturë e plotë financiare për Rindërtimin./atsh

Rama përcjell fjalët e shenjta të Kuranit: T’i shërbesh popullit tënd, është mirësia më e madhe Read More »

Programe për burgjet ku mbahen disa prej kriminelëve më të mëdhenj/ SHBA, 920 mijë dollarë për reformën e sistemit penitenciar

Drejtoresha e Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Julie Craven u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili për të biseduar mbi planet e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur reformën e burgjeve në Shqipëri.

Me në investim fillestar prej 920 mijë dollarë, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës do të ndërtojë programe që do shënjestrojnë burgjet ku mbahen disa prej kriminelëve më të mëdhenj.

Investimi i Shteteve të Bashkuara do të forcojë aftësinë e personelit të burgjeve për të ndalur dhe shkatërruar aktivitetin e paligjshëm pas hekurave dhe do të aktivizojë procese për të luftuar korrupsionin në sistemin penitenciar./atsh

Programe për burgjet ku mbahen disa prej kriminelëve më të mëdhenj/ SHBA, 920 mijë dollarë për reformën e sistemit penitenciar Read More »

Konferenca e Donatorëve, Rama: Lajm i shumëdëshiruar, mbajtja e premtimit më mbush me energji

Kryeministri Edi Rama e cilësoi një lajm të shumëdëshiruar, marrjen e vendimit të Këshillit Europian për mbajtjen e Konferencës së Donatorëve në Tiranë, në fund të muajit janar, me qëllim mbështetjen e Programit të Rindërtimit nga të gjitha shtetet anëtare të BE.

“Mbajtja e premtimit që mora nga shumë prej liderëve europianë për këtë konferencë të domosdoshme, më mbush me energji e me optimizëm për suksesin e përpjekjes që të dalim të gjithë më të fortë nga kjo tragjedi, duke nisur nga motrat e vëllezërit tanë fatkeq, të cilët duhet t’i rikthejmë në shtëpi më të mira se ato që humbën, si edhe nga fëmijët e tyre, të cilëve do t’u bëjmë shkolla më të mira nga ato që kishin”, – tha Rama.

Kryeministri i shprehu mirënjohjen presidentes Von der Leyen dhe liderëve të vendeve anëtare të BE-së për mesazhin e fortë të solidaritetit me Shqipërinë në këtë kohë dramatike e përcaktuese pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti.

“Faleminderit edhe për vendimin e mbajtjes së Konferencës së Donatorëve në Tiranë”, – tha ai. /atsh

Konferenca e Donatorëve, Rama: Lajm i shumëdëshiruar, mbajtja e premtimit më mbush me energji Read More »

Në 19 dhjetor ceremonia e betimit të 8 prokurorëve të SPAK

Presidenti Ilir Meta do të organizojë në 19 dhjetor ceremoninë e betimit të 8 prokurorëve të emëruar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Tedi Bushi, zëdhënësi i Presidentit, njoftoi sot se “vendimi vjen në përgjigje të kërkesës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Kryetarin e KLP-së, Gent Ibrahimi”.

“Në mbështetje të nenit 61 pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, ditën e enjte, në datën 19 dhjetor 2019, ora 09:30, Presidenti organizon ceremoninë e betimit të 8 prokurorëve të emëruar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK)”, tha Blushi./atsh

Në 19 dhjetor ceremonia e betimit të 8 prokurorëve të SPAK Read More »

Shqipëria, pararojë në eliminimin e qeseve plastike

“Më 1 qershor 2020 Shqipëria duhet të shënohet si vendi i parë europian pa qese plastike. Vendi ynë do të jetë në avangardë të vendimit të BE për eliminimin e plastikës njëpërdorimshme në të gjithë vendet e BE-së deri në vitin 2021”, – theksoi sot ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi.
Gjatë fjalës së tij në simpoziumin e dytë shkencor ndërkombëtar për aplikimet inxhinierike në sfidat mjedisore, ministri Klosi tha se “besoj ju që jeni shumë më tepër të informuar e keni parë edhe vendimet e fundit të vendeve europiane që kanë marrë një direktivë që në vitin 2021 nuk do të ketë më plastika njëpërdorimshe në BE, por ne duam të jemi shumë më tepër avangardë në këtë aspekt edhe për shumë arsye që kanë të bëjnë me realitetin shqiptar”.
“Pra në 1 qershor 2020 ne të vazhdojmë të jemi këmbëngulës që duhet të shënohemi si vendi i parë europian pa qese plastike mbajtëse njëpërdorimshe, dhe për këtë arsye pedagogët e këtij fakulteti kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm pasi kjo është një bisedë që aq sa ka nevojë për shpjegim publikut aq ka nevojë edhe për argumente teknikë”, – tha ministri Klosi.
Në simpoziumin ku ishin të pranishëm pedagogë të huaj krahas trupës pedagogjike të Inxhinierisë së Mjedisit dhe degëve të tjera inxhinierike, si edhe studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ministri Klosi vlerësoi kontributin e trupës pedagogjike në hartimin e masterplanit për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane. “Pa kontributin e inxhinierëve të këtij fakulteti, ne do ta kishim të pamundur që të ndërtonim një masterplan të qartë dhe një ndërhyrje radikale në këtë aspekt”, – tha ai, duke theksuar se auditori i universitetit është mbështetësi kryesor dhe duhet të jetë aleati kryesor i politikave të Ministrisë së Mjedisit.
Ministri Klosi shtoi se inxhinierët nëpërmjet mendimit të tyre shkencor duhet të jenë gjithmonë e më aktivë në vendimmarrjet në fushën e mjedisit.
“Duhet shumë që inxhinierët e këtij fakulteti dhe mendimi inxhinierik të jetë gjithmonë e më aktiv në vendimmarrje që kanë të bëjnë me monitorimin e fazës së dytë por mbasi të kemi një reduktim të ndotëse të dukshëm çfarë do të bëjmë me ndotësit e padukshëm”- u shpreh ministri Klosi duke përsëritur ftesën që të gjithë studentët të jenë pjesë e praktikave mësimore pranë institucioneve në varësi të ministrisë së Mjedisit./atsh

Shqipëria, pararojë në eliminimin e qeseve plastike Read More »

Rama propozon Arben Ahmetajn ministër Shteti për Rindërtimin

Kryeministri Edi Rama i propozoi sot Presidentit Ilir Meta emërimin e Arben Ahmetaj, ministër Shteti për Rindërtimin.

“Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave, ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program, të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit”, u shpreh Rama.

Ndërkohë Presidenti Ilir Meta reagoi përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, duke konfirmuar miratimin e kësaj kandidature. “Asnjë sekondë vonesë për dekretimin e ministrit të ri të Shtetit për Rindërtimin”, tha Blushi./atsh

Rama propozon Arben Ahmetajn ministër Shteti për Rindërtimin Read More »

Basha, thirrje qytetarëve: Mos u ktheni në shtëpitë e dëmtuara

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bëri thirrje sot qytetarëve që të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre duke u kthyer në shtëpitë e dëmtuara.

Sipas Bashës, “dy javë e gjysmë nga tërmeti i 26 nëntorit, ende qytetarët në fshatrat e Durrësit dhe kudo në zonën e goditur, nuk kanë asnjë qartësi se ç’do të bëhet me ta”.

“E gjithë vëmendja e qeverisë është tek propaganda për të mbuluar dështimin, neglizhencën kriminale që mori 51 jetë njerëzish. Situata është e rrezikshme për shumë familje, të cilat në pamundësi të një strehe, po rikthehen në shtëpitë e tyre që nga verifikimet e para janë konsideruar të pabanueshme, duke rrezikuar jetën e këtyre familjeve”, tha Basha.

Ai tha se “nga shteti nuk është kujtuar askush t’u çojë një çadër, apo ushqimet më minimale, duke i detyruar të flenë jashtë, apo në rastin më të mirë, te miq a të afërm”.

“Ky dështim po na shtyn drejt një krize humanitare. Në vend të vërtitjes si korbi nëpër gërmadha, duhet urgjent të alokohen fonde për strehimin dhe ushqimin e çdo fëmije, çdo prindi, çdo nëne dhe babai, çdo pensionisti në nevojë”, tha Basha.

Ai kërkoi që të akordohen menjëherë për qytetarët e goditur nga tërmeti 150 milionë dollarët që Ministri i Inceneratorëve dhe Rrugës së Florinjtë, prapë ua la oligarkëve me buxhetin që sapo miratuan fshehtas 1 orë më parë.

“Si mund të lihen qytetarët në mëshirën e fatit, ndërsa paratë e taksave të tyre shkojnë në xhepat e 10 oligarkëve dhe qeveritarëve të lidhur me ta? Nuk ka dështim dhe paaftësi më të kobshme për një qeveri, që 17 ditë pas tërmetit nuk e di ende sa qytetarë ka të pastrehë, pa ushqim, pa asnjë ndihmë, sa banesa ka të dëmtuara dhe jashtë funksioni. Kjo neglizhencë dhe ky dështim kushtojnë jetë”, tha Basha./atsh

Basha, thirrje qytetarëve: Mos u ktheni në shtëpitë e dëmtuara Read More »

Balla: Gjykata të bëjë drejtësi, të zbardhet akuza për pastrim parash për Bashën

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi sot që, Gjykata të bëjë drejtësi dhe të zbardhë edhe akuzën për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale në rastin e Lulzim Bashës.

Balla ngre pyetje se “kush është burimi i Lulzim Bashës për 500 mijë dollarë dhe si u transferuan ato”.

“Heshtje e madhe për dërgimin në Gjykatë të të pandehurit Lulzim Basha vetëm me akuzën si falsifikator. Gjykata të bëjë drejtësi dhe të zbardhë edhe akuzën për pastrim të produkteve të veprës/veprimtarisë kriminale. Kush është burimi i L.Bashës për 500 mijë dollarë dhe si u transferuan ato?”, tha Balla.

Basha u mor i pandehur në qershor për shkak të shpenzimit prej Partisë Demokratike të 650 mijë dollarëve për lobim në SHBA gjatë vitit 2017, para që nuk ishin deklaruar si shpenzime në bilancin që PD ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve./atsh

Balla: Gjykata të bëjë drejtësi, të zbardhet akuza për pastrim parash për Bashën Read More »