Aktualitet

Thaçi: Ushtria e Kosovës e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit

Sot mbushet një vit kur Parlamenti i Kosovës, me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që i ndryshuan mandatin Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet që u miratuan para një viti ishin: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Deputetët serbë në parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kundërshtuan formimin e ushtrisë së Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.

Në këtë përvjetor Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shprehet se, më 14 dhjetor të vitit të kaluar u përmbyll një proces që kishte filluar më 2014, me të cilin u vunë themelet e Ushtrisë së Kosovës.

“Me ndryshimet në Ligjin për FSK-në i dhamë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë. Tri ligjet që i hapën rrugë transformimit të FSK-së ishin ligjet që kanë marrë më së shumti vota ndonjëherë, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e tërë spektrit politik dhe vullnetin e tërë Kosovës për ta pasur ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës, si forcë profesionale me standarde të NATO-s, si forcë shumetnike që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, në tërë territorin e shtetit tonë, është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar aftësitë e veta dhe përgatitjen e lartë në misionet e kërkim-shpëtimit, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit. Ajo tash po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja”, shprehet Thaçi./KosovaPress/

Thaçi: Ushtria e Kosovës e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit Read More »

Humbi nënën, babain e vëllain nën rrënoja/Rama në shtëpinë e re të Aleksit dhe Klarës: Mbështetje për të ndërtuar familjen e tyre të re

Kryeministri Edi Rama ishte sot në shtëpinë e re të familjes Çupi në Kamëz, ku pas tërmetit, Aleksi, i biri i kësaj familje është i vetmi që mbijetoi, pasi tërmeti i mori nënën, babain e vëllain.

Në shtëpinë e re të familjes Çupi, Rama tha se u realizua brenda 15 dhjetorit akomodimi i njerëzve të cilët janë prekur më rëndë nga tërmeti.

Gjatë vizitës së tij në Kamëz, Kryeministri Rama shoqërohej dhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli.

Rama gjithashtu u shpreh se puna do të vijojë, pasi janë shumë shtëpi për t’u rindërtuar. Gjithashtu ai shtoi se gjatë kësaj periudhe kemi takuar njerëz të mirë dhe gatishmëria për t’i ardhur në ndihmë kujtdo ka qenë e madhe.

“Janë gjithë ato shtëpi për t’u rindërtuar, por të paktën ata që humbën shtëpinë dhe jo të afërm e kanë më të lehtë. Një nga gjërat që kemi patur këto kohë është që kemi takuar njerëz të mirë. Në ditët me diell të gjithë i shajnë hajdutë, por të gjithë mjekët, forcat e policisë dhe gjithë ministrat që punojnë me mua, pavarësisht se më takon mua të dal në televizor, të gjithë kanë punuar ditë-natë. Të gjithë kanë bërë maksimumin”, – u shpreh Rama.

Kryeministri gjithashtu tha se, edhe vetë ai nuk e kishte menduar ta përballonte këtë situatë mjaft të vështirë që kaloi vendi gjatë atyre ditëve. Rama theksoi se nuk e kishte menduar që brenda 10 ditësh do të akomodonin të gjithë njerëzit që kishin humbur shtëpitë e tyre.

Rama u shpreh se, “kur ishte momenti i parë që pashë gjendjen thashë: o Zot më ndihmo, se si do e përballoj unë këtë situatë, sepse është më e madhe se forcat tona. As unë nuk e kam menduar që për 10 ditë do ikte problemi kryesor se ku do shkojnë njerëzit, sepse ishin mijëra njerëz rrugëve. Se këtu një përmbytje bëhej dhe ngelnin njerëzit nëpër çadra shtatë vjet. Nuk ta merrte mendja që do akomodoheshin nëpër hotele me 5 yje e në shtëpi me qira të gjithë, jo se është ndonjë çudi, po u bë”.

“Tani po merremi dhe me ata në fshat, se nuk duan të lëvizin. Ata po qëndrojnë atje në çadra dimërore dhe do t’u bëjmë dhe shtëpitë. Kemi gjetur dhe një mundësi t’i bëjmë shpejt shtëpitë, dhe shtëpi fantastike, shumë herë më të mira se i kishin, dhe që nuk pyesin as për tërmet, erë edhe shi”, – tha Kryeministri Rama.

Ministrja Manastirliu e pyetur nga Kryeministri Rama mbi gjendjen shëndetësore të Aleksit u shpreh se, “sot e kemi nxjerrë nga spitali dhe gjendja e tij paraqitet e mirë. Gjithashtu do t’i sigurojmë dhe fizioterapinë, deri sa të rikuperohet plotësisht. Problemi që ka patur Aleksi në fillim ishte më i madh se problemi me këmbën: ishte ai i dëmtimit të mëlçisë, i cili e rrezikonte, por Aleksi me kurajon e tij e kaloi dhe këtë situatë pa ndërhyrje operatore. Tani thjesht është rikuperimi mbas gjithë asaj traume që ka kaluar, dhe shumë shpejt do t’i kthehet normalitet në punë”.

Aleksi gjatë bisedës me Kryeministrin u shpreh se është më mirë dhe se ka vetëm pak problem me këmbën, që shpreson t’i kalojë. Aleksi gjithashtu u shpreh për fatkeqësinë që i ndodhi se, gjërat e natyrës nuk i ndalojmë dot dhe se çfarë është e shkruar do bëhet, duhet kthyer dhimbja në forcë.

Familjarët e Aleksit e falënderuan Kryeministrin Rama, në radhë të parë si njeri, dhe pastaj si drejtues shteti, që ka bërë të pamundurën me gjithë ministrat, dhe në veçanti falënderuan kryetarin e bashkisë Kamëz, Rakip Sulin, i cili u është gjendur pranë që në momentin e parë që kërkuan ndihmë.

Aleksi, së bashku me Klarën, të fejuarën e tij, me besim e kurajo do të vazhdojnë përpara duke e ringritur sërish familjen në shtëpinë e tyre të re./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/808172249603760/?t=0

Humbi nënën, babain e vëllain nën rrënoja/Rama në shtëpinë e re të Aleksit dhe Klarës: Mbështetje për të ndërtuar familjen e tyre të re Read More »

50 vjet marrëdhënie Shqipëri-Suedi/ Kokalari: Besoj se Shqipëria do t’i bashkohet BE-së

Ambasada e Suedisë në Tiranë me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë ka publikuar mesazhin e Arba Kokalarit, politikane shqiptaro-suedeze dhe anëtare e Parlamentit Europian, e cila thekson se ndryshimet mes Suedisë dhe Shqipërisë i sheh si vlera.

“Këtë vit Suedia feston 50 vjet marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë: Prandaj, ne u kërkuam njerëzve që kishin lidhje me të dy vendet të na tregonin se çfarë do të thotë Shqipëria dhe Suedia për ta”, shprehet Ambasada e Suedisë në Shqipëri.

Ndërsa eurodeputetja Arba Kokalari shprehet se “unë kam lindur në Shqipëri dhe kam shumë prej historisë sime atje, ndërsa në Suedi u rrita dhe kam jetën time. Ndryshimet midis Shqipërisë dhe Suedisë i kam parë gjithmonë si pasuri dhe vlera”.

“Shpresoj dhe besoj se Shqipëria do t’i bashkohet komunitetit europian një ditë. Se marrëdhënia midis Suedisë dhe Shqipërisë, në kuadër të tregtisë dhe aspekteve të tjera, duhet të vijojë të rritet, sepse do të ishte një gjë shumë e mirë për të ardhmen e të dy vendeve”, thekson Arba Kokalari./atsh

50 vjet marrëdhënie Shqipëri-Suedi/ Kokalari: Besoj se Shqipëria do t’i bashkohet BE-së Read More »

Meta pret përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit: Kauza juaj e drejtë

Presidenti Ilir Meta priti sonte me kërkesë të tyre një përfaqësi të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Artistët e falënderuan Kreun e Shtetit për mbështetjen e dhënë prej tij për aplikimin e tyre drejtuar organizatës “Europa Nostra”, me qëllim mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar.

Meta i garantoi se “unë do të jem gjithmonë me ju, sepse kauza juaj është tërësisht një kauzë e drejtë”.

Gjithashtu, artistët e falenderuan Kreun e Shtetit edhe për depozitimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit për shembjen e godinës së Teatrit.

Në fjalën e rastit, Presidenti Meta tha se Teatri Kombëtar nuk është thjesht një godinë që u përket artistëve, por një vlerë e jashtëzakonshme kulturore dhe kombëtare, që duhet mbrojtur nga të gjithë.

Gjithashtu Meta vlerësoi rezistencën paqësore dhe demokratike të artistëve, duke theksuar se kjo qëndresë ia ka vlejtur edhe për fatin sepse ka bërë të mundur që të ndërgjegjësohet, jo vetëm opinioni vendas, por edhe ai ndërkombëtar për mbrojtjen e kësaj trashëgimie kulturore.

Duke bashkëbiseduar me artistët dhe përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Meta u shprehu mirënjohjen personale dhe institucionale për ndihmat bujare që kanë mbledhur vullnetarisht për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019./atsh

Meta pret përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit: Kauza juaj e drejtë Read More »

Parashikimi i motit

Vendi do të karakterizohet nga reshje shiu dhe temperatura të ulëta. Në zonat malore reshjet do të bien në formë dëbore.

Ndërsa gjatë mesditës dhe pasdites kushtet atmosferike do të përmirësohen gradualisht.

Temperaturat e ajrit mbeten të pandryshuara në mëngjes, por do të ulen në mesditë duke u luhatur nga -2°C deri në 15°C./atsh

Parashikimi i motit Read More »

Rama përcjell fjalët e shenjta: E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë

Kryeministri Edi Rama përcolli sot fjalët e shenjta të Kuranit, në një mesazh për t’u solidarizuar me të prekurit nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit dhe lehtësimin e pasojave që ky tërmet la pas.

Kryeministri përcolli fjalët:

“Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të fuqishme,

dhe të nxjerrë toka atë që ka në brendinë e saj (barrën nga brenda),

dhe njeriu të thotë: Ç’ka kjo (që bën këtë dridhje)?,

atë ditë, ajo i rrëfen tregimet e veta,

ngase zoti yt e ka urdhëruar atë.

Atë ditë njerëzit shfaqen të ndarë në grupe që të shpërblehen për veprat e tyre.

E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do të gjejë”.

Tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima dhe dëme të mëdha materiale ka nxitur edhe një solidaritet të madh jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe nga vendet fqinje dhe partnerët ndërkombëtarë. /atsh

Rama përcjell fjalët e shenjta: E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë Read More »

Reshje shiu e bore, ARRSH: Akset rrugore kombëtare janë të kalueshme

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se të gjitha akset rrugore kombëtare janë të kalueshme, ndërsa apelon drejtuesit e mjeteve të vogla të përdorin zinxhirë në rrugën e Dradhës, qarku Korçë.

Sipas ARRSH-së, në qarkun Korçë gjatë natës ka patur reshje shiu dhe bore.

“Po punohet në aksin Qafa e Qarrit-Korçë-Ersekë, në rrugën e Dardhës dhe atë të Voskopojës për pastrimin e rrugës. Nuk ka probleme në qarkullim e mjeteve në të gjitha akset kombëtare”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.

Po ashtu, bëhet e ditur se puna do të vazhdojë pa ndërprerje gjatë ditës nga kontraktorët e mirëmbajtjes, nisur edhe nga parashikimet e motit për orët në vijim.

“Drejtuesit e mjeteve që zgjedhin të kalojnë këto akse të tregohen të kujdesshëm, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, thuhet në njoftim./atsh

Reshje shiu e bore, ARRSH: Akset rrugore kombëtare janë të kalueshme Read More »

Trajtimi financiar i punonjësve të minierave e naftës/ ISSH publikon emrat e 1028 përfituesve

Të gjitha drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore kanë nisur punën për dhënien e përfitimeve për qytetarët që përfitojnë pension për shkak të profesionit dhe për shtesë të pensionit të pleqërisë ose invaliditetit.

Përfitimet vijnë nga ligji “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industries së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

Tashmë, pas përgatitjes dhe përfundimit të kuadrit të plotë ligjor, të gjitha Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore kanë nisur punën për dhënien e këtyre përfitimeve.

Në këtë kuadër, Instituti i Sigurimeve Shoqërore për të lehtësuar procedurën e informimit të përfituesve do të publikojë çdo ditë listat emërore në faqen zyrtare www.issh.gov.al.

ISSH ka publikuar listën emërore prej rreth 1028 personash që iu lind e drejta për marrjen e përfitimit, nga data 3 dhjetor deri më datë 10 dhjetor.

Deri tani janë depozituar rreth 17 400 kërkesa për përfitim nga ky ligj, të cilat do të marrin përgjigje brenda një kohe të shkurtër./atsh

Trajtimi financiar i punonjësve të minierave e naftës/ ISSH publikon emrat e 1028 përfituesve Read More »