Aktualitet

Takimi në Zadar/ Cakaj: Rritje bashkëpunimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar sot në Zadar mbledhjen trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë e Malit të Zi.

Cakaj thekson se në thelb të takimit është bashkëpunimi trepalësh, Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci.

“Kjo platformë synon rritjen e bashkëpunimit mes tre vendeve në fushat e interesave të zhvillimit dhe mbrojtjes së objektivave të përbashkëta strategjike! Kësaj radhe diskutuam për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjetikës dhe turizmit. Për më shumë, ramë dakord edhe për rritjen e angazhimeve të përbashkëta në shërbim të integrimit në BE dhe në kuadër të NATO-s”, tha ai.

Po ashtu Cakaj tha se “Vlen të theksohet se u pajtuam për të filluar me mbledhjen trepalëshe Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci e cila do të thirret në vitin e ardhshëm”./atsh

Takimi në Zadar/ Cakaj: Rritje bashkëpunimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci Read More »

“Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, koncert solidariteti për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti

Artistë të njohur të skenës shqiptare u bashkuan sot në një koncert solidariteti në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.

I titulluar “Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, koncerti u zhvillua në Parkun Olimpik të Tiranës, me pjesëmarrjen e artistëve, orkestrës dhe korit të Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga shitja e biletave do të shkojnë për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti.

Në koncert janë të pranishëm Kryeministri Edi Rama, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të cilët ndodhen në Tiranë pasi do të marrin pjesë në takimin e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së” që zhvillohet në datat 20-21 dhjetor 2019 në vendin tonë.

Në fjalën e saj ministrja e Kulturës, Elva Margariti, theksoi se “në një nga vizitat në kërkim të terreneve për ngritjen e banesave të reja pranë meje u afrua një vajzë e vogël dhe më pyeti: A jeni ju shqiptarë”. Më ka ngelur në mendje kjo vajzë pyetja e saj ka qenë një kohë kjo kur pohimi po ne jemi shqiptarë ka marrë një kumbim krejt të veçantë edhe falë gjesteve të solidaritetit dhe falë gjithë shpresës së mrekullueshme që keni dhënë në këtë kohë”.

“Nuk ka rëndësi sa jep, por ma sa dashuri e jep atë që mundesh ka thënë shenjtorja shqiptare Nënë Tereza. Këto fjalë janë një kornizë e artë për mijëra e mijëra gjeste kuptimplota të solidaritetit që ndriçuan të tatëpjetën e rimëkëmbjes sonë nga fatkeqësia”, – theksoi Margariti.

Ministrja u shpreh se “së bashku të bërë bashkë si rrallëherë ne thyem terrin e plotë dhe frenuam në kohë një rrjedhje hemoragjie dhe një plagë që thithi në zgavrën e vet mijëra e mijëra familje. Tani që ato mijëra mijëra familje janë sistemuar në sistemime të përkohshme plaga kërkon një shërim real dhe ne duam ta shërojmë shpejt , por edhe mënyrë shembullore, përmes një rindërtimi kuptimplotë dhe një rindërtimi të gjithanshëm . Duam ti kthejmë familjet e goditura në shtëpi më të mira se ato që kishin më parë, duam tu japim më shumë mjedise dhe duam tu japim mjedise më të mira se ato që fshiu tërmeti. Duam tu japim zonave të prekura një cilësi më të mirë urbane dhe sociale, duke krijuar komunitete që rrezatojnë ambicien tonë për Shqipërinë që duam”.

Sot, vijoi ajo, ne jemi sot këtu për fëmijët dhe nxënësit, për shkollat e të cilave duhet ti ringremë nga gërmadhat e 26 nëntorit me fuqinë e mesazhit “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”.

“Sonte kjo skenë arti është platformë solidariteti dhe këta artistë janë solidarë në prag të festave të fund vitit për të qenë së bashku për shkruar një histori të bukur shqiptare që na karakterizon”, – tha Margariti.

Ky koncert është një mundësi e mirë për t’u bashkuar në mbështetje të atyre që sot kanë nevojë jetike për gjithë./atsh

“Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, koncert solidariteti për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti Read More »

Takimi i tretë për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”/ Rama pret Vuçiç dhe Zaev në Tiranë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mbërritën pasditen e sotme në Tiranë, pasi do të marrin pjesë në takimin e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së” që zhvillohet në datat 20-21 dhjetor 2019 në vendin tonë.

Vuçiç dhe Zaev u pritën nga kryeministri Edi Rama, ndërsa më pas zhvilluan një takim jozyrtar në Hotel “Rogner”, Tiranë.

Pas dy takimeve të mëparshme të këtij niveli, të zhvilluara në Novi Sad, Serbi dhe në Ohër, Maqedoni e Veriut, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane, takimi i tretë rajonal i vendeve të Ballkanit Perëndimor do zhvillohet në Shqipëri në datat 20-21 dhjetor 2019.

Më pas, në orën 19.00, Kryeministri Edi Rama së bashku me delegacionet pjesëmarrëse do të jenë të pranishëm në Parkun Olimpik, në eventin e veçantë të bamirësisë “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, dedikuar procesit të rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ndërsa të shtunën, më 21 dhjetor, ora 08.45, të ftuarit do të vizitojnë disa nga zonat e prekura nga tërmeti, në Durrës.

Më pas, në orën 10.00, në hotel “Rogner” do të zhvillohet “Sesioni i liderëve”. Në orën 12.00 do të vijohet me Seancën Plenare me pjesëmarrjen e delegacioneve.

Në orën 13.15, të ditës së shtunë, aktivitetet do të përmbyllen me konferencën e përbashkët për shtyp. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1034948883532078/?t=0

Takimi i tretë për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”/ Rama pret Vuçiç dhe Zaev në Tiranë Read More »

Konstituimi i SPAK, Felaj: Do përballen me drejtësinë të gjithë zyrtarët që kanë shkelur ligjin

“Do të përballen me Drejtësinë të gjithë ata zyrtarë dhe ish-zyrtarë që kanë shkelur ligjin”, tha sot e ftuar në një studio televizive, deputetja e PS-së Ermonela Felaj.

Deputetja e PS-së Felaj tha se me konstituiimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, SPAK tregon qartazi se dilemat për ecurinë në Drejtësi do të marrin fund sepse është një reformë që dita-ditës po provon vetveten dhe dita-ditës po nxjerrë në pah veprimin e institucioneve të reja në Shqipëri.

“Sigurisht pritshmëria është shumë e madhe për krijimin e kësaj prokurorie, edhe pritshmëria vjen nga kuadri ligjor, mbi bazën e të cilit është ngritur dhe pritet të funksionojë Prokuroria e Posaçme”, tha ajo.

Në lidhje me ndikimin e politikës te SPAK, Felaj tha se mënyra e zgjedhjes së prokurorëve është shumë e rëndësishme për të kuptuar nëse këto persona apo organe do të jenë të varura nga politika. Në fakt, një nga përgjigjet themelore të Reformës në Drejtësi është varësia nga politika.”

Në lidhje me anën profesionale të anëtarëve të SPAK, Felaj tha se janë prokurorë që kanë kaluar Vetingun dhe ata janë të pastër përsa i përket figurës e integritetit profesional.

Në lidhje me dosje të caktuara që mund të merret SPAK, Felaj tha se asnjë organ nuk është imun nga ndërhyrjet, por njerëzit që vendosen në këto organe duhet të jenë të tillë që t’u bëjnë rezistencë këtyre ndërhyrjeve. “Pra, krijimi i organeve të reja nuk do të thotë që pjesa që shkel ligjin automatikisht do pushojë së përpjekuri për të ndërhyrë dhe për të kërkuar për të ndryshuar vendimmarrjen.

Pra, jo më kot reforma u parapri nga Vetingu në mënyrë që në sistem të sigurohen njerëz që janë rezistent ndaj joshjes.

Kjo është garancia më e madhe. Por dua të theksoj se të gjitha komunikimet e tyre dhe të familjarëve janë vazhdimisht në mbikëqyrje, vazhdimisht në monitorim, është një kërkesë e ligjit kjo”, tha Felaj.

Në lidhje me deklaratën e kryetarit të grupit parlamentarë të PS-së Taulant Balla që tha sot se SPAK duhet të ketë dosjen e parë të ish-kryeministrit Sali Berisha, Felaj tha se beson se Balla i referohet kompetencës që ligji përcakton për SPAK dhe kompetenca e saj lidhet qoftë me veprat që lidhen me krimin e organizuar, qoftë me veprat e korrupsionit të nivelit të zyrtarëve.

“Flasim jo vetëm për gjithë rrethin e zyrtarëve por dhe të ish-zyrtarëve, nisur dhe nga fakti se së fundmi gjykata ka kthyer çështjen e privatizimit të OSSH për hetim në prokurori, nga vjen dhe kjo deklaratë e zoti Balla”, tha Felaj.

“Të gjithë ata që kanë shkelur ligjin qofshin të mazhorancës apo të opozitës duhet të dinë se asnjë gjë nuk kalon aq lehtë, sepse një ditë do të përballesh me përgjegjësitë e tua dhe kjo të jetë e qartë për këdo që aspiron të punojë në administratë si zyrtarë”, theksoi ajo. /atsh

Konstituimi i SPAK, Felaj: Do përballen me drejtësinë të gjithë zyrtarët që kanë shkelur ligjin Read More »

Erëra të forta në bregdet/ Drejtoria Detare apelon marrjen e masave nga mjetet lundruese

Drejtoria e Përgjithshme Detare i bëri apel sot subjekteve që operojnë në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte, pasi në datat 20-23 dhjetor moti do të përkeqësohet.

“Bregdeti ynë do të përfshihet nga era me drejtim jug me shpejtësi deri në 38 nyje dhe forca e detit do të jetë 7 shkalla bufort. Moti i përkeqësuar do të shtrihet në gjithë bregdetin tonë”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme Detare.

Pritet që deri në mesnatën e ditës së dielë era dhe deti të kenë të njëjtin intensitet duke përfshirë gjithë bregdetin shqiptar.

“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”, shprehet Drejtoria e Përgjithshme Detare. /atsh

Erëra të forta në bregdet/ Drejtoria Detare apelon marrjen e masave nga mjetet lundruese Read More »

Tërmeti i 26 nëntorit/ Certifikata mirënjohjeje për 70 inxhinierët vullnetarë të Kosovës

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, priti sot në një takim mbi 70 inxhinierë vullnetarë të Kosovës, të cilët dhanë një kontribut të pakursyer në konstatimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit në shkolla.

Gjatë takimit Shahini i falënderoi për profesionalizmin, shpejtësinë dhe organizimin në kohë rekord për ndihmën e dhënë në evidentimin e dëmeve në shkolla.

Ministrja Shahini u shpërndau 70 inxhinierëve certifikata mirënjohjeje për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme./atsh

Tërmeti i 26 nëntorit/ Certifikata mirënjohjeje për 70 inxhinierët vullnetarë të Kosovës Read More »

Media amerikane: 21 arsyet pse duhet të vizitoni Shqipërinë përpara se të bëhet shumë e frekuentuar

Shqipëria është një nga ato vendet që shumë turistë e harrojnë se ekziston. E vendosur në Europën Jugore, përtej detit nga Italia është në jug të Kroacisë dhe në veri të Greqisë. Është vërtet vendi më i mirë që mund të shkonit ndonjëherë me pushime.

Kështu shkruan në një artikull siti amerikan “Buzzfeed.com”, i cili ka renditur 21 arsye përse duhet vizituar Shqipëria përpara se të bëhet shumë e frekuentuar

1-Para së gjithash, është relativisht e qetë

Gjatë një vere europiane, ndihet pothuajse e pamundur të shpëtosh nga turmat – veçanërisht në bregdet. Kroacia, Italia, ishujt Grekë … kudo është plotë me njerëz. Epo jo Shqipëria. Në krahasim me fqinjët e saj mesdhetarë, është relativisht e pashfrytëzuar në botën e turizmit.

2-Por nuk do të zgjasë për shumë kohë

Shqipëria aktualisht është në proces të përpjekjes për t’u anëtarësuar në BE dhe po investon gjithnjë e më shumë para në turizëm. Kështu që ju vizitojeni më mirë përpara se të bëhet shumë e modës dhe e mbushur me njerëz.

3- Plazhet janë të magjishme

Plazhet me rërë të bardhë në pjesën jugore të vijës bregdetare të vendit janë një parajsë e vërtetë. Uji është i ngrohtë, i kripur dhe tepër blu.

4- Malet janë po aq të mira

Nëse jeni alpinist, do të duhet të shkoni në veri të vendit. Pamjet malore këtu rivalizojnë Alpet, me panorama mahnitëse dhe fshatra të lezetshëm. Rruga nga Thethi në Valbonë është një nga ngjitjet më të njohura ditore, me bujtina të vogla në të cilat mund të qëndroni.

5-Ushqimi është mahnitës

Shumë nga ushqimet që do të gjeni në restorante janë bërë nga përbërës lokalë, shpesh organikë. Do të vini re shumë ngjashmëri me ushqimin grek, megjithëse ka disa pjata tipike shqiptare që duhet ti provoni patjetër, si qoftet, salçiçet, fërgesë (vegjetariane dhe djathë), byrek dhe trileçe (një tortë me qumësht dhe karamel).

6- Mos u largoni pa provuar ushqimet e detit

Qytetet bregdetare të gjitha kanë ushqime deti tepër të freskëta, të cilat zakonisht kapen në mëngjes të freskëta. Një nga vaktet më të zakonshme në restorante këtu është peshku i pjekur në skarë me perime dhe patate, ose kallamar i pjekur në skarë me limon.

7- Populli është jashtëzakonisht miqësor

Nuk ka as fjalë për të përshkruar se sa janë mikpritës shqiptarët. Ecja nëpër dyqane do të përfundojë në mënyrë të pashmangshme në një bisedë 10-minutëshe me shitësen në dyqan, kamerierët dhe banakierët do të ulen me ju dhe do të flasin tërë natën. Çdo lokal dëshiron të sigurohet që udhëtarët janë duke kaluar një kohë të mirë në vendin e tyre dhe do t’ju ndihmojnë.

8- Gjithçka është shumë miqësore me portofolin

Në krahasim me Italinë, Greqinë dhe madje edhe Kroacinë, Shqipëria është e lirë si HELL. Një vakt i tërë në një restorant të bukur është nën 10 dollarë, dhe në shumicën e bareve, pijet bien rreth 1 ose 2 dollarë.

9- Ka qytete të bukura të vjetra

Gjirokastra është një qytet i mbrojtur nga UNESCO i vendosur në kodra. Ju mund të endeni nëpër rrugët me kalldrëm deri në kështjellën në majë të kodrës, e cila ofron pamje befasuese mbi luginat që gjenden poshtë saj.

10-Kryeqyteti, Tirana, është një qytet modern, i freskët

Kur kaloni shumë kohë në qytetet e vogla rurale dhe bregdetare të Shqipërisë, Tirana mund të vijë si një tronditje. Një qytet me zë të lartë dhe i përhapur me një përzierje të lezetshme të ndërtesave të vjetra dhe të reja, padyshim që ia vlen disa ditë. Sigurohuni që të merrni teleferikun deri në malin e Dajtit me pamje nga qyteti.

11-Gjithçka është pak aventurë

Ta quajmë kaotik sistemin e transportit publik të Shqipërisë është një nënvlerësim. Në “autobusët” që marrin udhëtarët midis qyteteve mos u çuditni nëse dikush përfundon i ulur në dysheme, ose duhet të ulen katër pasagjerë në një vend me dy persona. Është e vështirë të gjesh oraret në internet, kështu që thjesht duhet të paraqitesh në stacionin e autobusëve dhe të shpresosh për më të mirët. Por të gjithë janë aq miqësorë sa nuk është kurrë një përvojë shumë stresuese.

12- Kudo ku shkoni, njerëzit do t’ju ofrojnë pije

Shumë njerëz në Ballkan krijojnë alkoolin e tyre të bazuar në rrush, dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Quhet “raki”, është një pije e fuqishme që vendasit e pinë si ujë. Është zakon të keni një gotë të ofruar kudo që shkoni, nga hotelet në restorante.

13- Shqipëria është e vendosur në mënyrë të përsosur për kudo që doni të udhëtoni më pas për në Europë

Nga Shqipëria mund të merrni një traget për në Itali, ose një autobus të shpejtë për në Greqi, Kroaci, Kosovë, apo Serbi. Nëse jeni duke planifikuar një udhëtim të gjatë në Europë, Shqipëria duhet të jetë në atë itinerar.

14- Megjithëse ka mjaft gjëra për të parë ju mund të kaloni tre javë këtu dhe ende nuk del koha për të bërë gjithçka

Shumë njerëz kanë tendencë të kalojnë nja dy ditë në Sarandë, më pas një ose dy ditë në Tiranë përpara se të lëvizin. Bëni vetes një favor dhe kaloni më shumë ditë për të eksploruar këtë vend.

15-Ka vende për të gjithë, pa marrë parasysh stilin tuaj të udhëtimit. Ju mund të festoni në qytete si Sarandë …

Qyteti bregdetar i Sarandës është një Mekë për pushuesit italianë që kërkojnë një vend të lirë për të pushuar. Ka shumë bare dhe klube bregdetare që janë të hapura gjatë gjithë natës dhe plazhe të bukura për t’u çlodhur gjatë ditës .

16- Ose qetësohuni në qytetin malor të Thethit

Nëse ju pëlqen t’i merrni gjërat pak më të ngadalta, vizitoni qytetet e vogla në male. Këtu do të gjeni bujtina komode të vendosura në mënyrë të përsosur pranë shtigjeve, shëtitje dhe ujëvara.

17- Mundësitë janë të pafundme. Ju mund të notoni në ujëvara …

Vizitoni Syrin e Kaltër pranë Sarandës, ose soditni ujëvarat e akullta afër Beratit.

18- Ose ngjituni në kështjellat e vjetra për të fiksuar pamje të mahnitshme

Cilido qytet që vizitoni do të ketë një lloj kështjelle lart në një kodër që pret të ngjitesh dhe të eksplorohet.

19- Bëni një nga udhëtimet më të bukura të trageteve në botë …

Udhëtimi me dy orë në traget në Liqenin e Komanit është magjik. Ju kaloni nëpër kanale të ngushta të rrethuara nga kodra dhe shkëmbinj të gjelbër dhe përfundoni në një fshat të bukur, të izoluar.

20- … ose kaloni kohë në burime natyrale të nxehta të vendosura në vargmalet e thella malore

Burimet e nxehta të Benjës afër Përmetit janë një sfidë për të arritur, por ia vlen vërtet. Sidomos kur i merrni ato vetë.

21- Është e mahnitshme edhe në dimër

Sigurisht, plazhet dhe moti i ngrohtë janë të shkëlqyera. Por në malet shqiptare që zbardhen nga dëbora gjatë dimrit, ju mund të bëni ski dhe ecje ose thjesht të uleni pranë zjarrit dhe të shijoni pamjet./atsh

Media amerikane: 21 arsyet pse duhet të vizitoni Shqipërinë përpara se të bëhet shumë e frekuentuar Read More »

Rama përcjell fjalët e shenjta të Profetit Muhamet: Kush janë të diturit? Ata që e vënë në jetë atë që dinë

Kryeministri Edi Rama përcolli sot fjalët e shenjta të Profetit Muhamet nga Kurani si një tjetër mesazh për t’u solidarizuar me të prekurit nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit dhe lehtësimin e pasojave që ky tërmet la pas.

“Kush janë të diturit? Ata që e vënë në jetë atë që dinë”, është shprehur Profeti Muhamet.

Që pas rënies së tërmetit Kryeministri Rama ka zgjedhur që të publikojë thënie nga njerëz të urtë, apo nga librat e shenjtë siç janë Kurani apo Bibla në rubrikën ‘Fjalët e shenjta’. /atsh

Rama përcjell fjalët e shenjta të Profetit Muhamet: Kush janë të diturit? Ata që e vënë në jetë atë që dinë Read More »