Aktualitet

Cakaj: Rrisim numrin e të rinjve në shërbimin diplomatik

Specialistë të rinj, nëpërmjet rekrutimit të Departamentit të Administratës Publike, i janë bashkuar diplomacisë shqiptare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Plotësimi i kuadrit diplomatik është pjesë e strategjisë së Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të krijuar hapësirë më të madhe angazhimi për një gjeneratë ekselente dhe për të siguruar një profesionalizëm më të lartë në diplomacinë shqiptare.

“Kjo qasje do të vazhdojë edhe me tutje. Numri i të rinjve në diplomaci do të rritet më shumë dhe thirrja e ardhshme publike për aplikim në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme do të bëhet së shpejti”, shprehet Cakaj./atsh

Cakaj: Rrisim numrin e të rinjve në shërbimin diplomatik Read More »

Pr.ligji për mediet i konsultuar me OSBE/ Rama: Ose s’e kanë lexuar, ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale

“Projektligji është konsultuar e përpunuar prej një viti nen për nen e pikë për pikë me OSBE dhe do të hyjë në seancë pa asnjë cen në aspektin e standardeve të lirisë për t’u shprehur e të së drejtës për t’u informuar pa kufizim, po edhe të mundësisë për t’u mbrojtur nga shpifjet”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke komentuar reagimet e opozitës për ndryshimet në ligj për mediet online.

Rama tha se “ose s’e kanë lexuar projektligjin, ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale dhe të tallen me të vërtetën e me opinionin publik, duke shkruar çfarë t’u teket, duke shpifur sa e si t’u teket, duke shantazhuar e duke i vënë gjoba kujt t’u teket”.

“Sa për “ERTV” faleminderit për publicitetin dhe mos ma prekni ju lutem fjalën time të drejtpërdrejtë, për të gjithë ata që hyjnë pa asnjë detyrim në faqen time të fejsbukut, ku po u pëlqeu rrinë, po s’u pëlqeu ikin”, tha Rama. /atsh

Pr.ligji për mediet i konsultuar me OSBE/ Rama: Ose s’e kanë lexuar, ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale Read More »

Të huajt shpenzuan 782 milionë euro në Shqipëri, në 3-mujorin e tretë 2019

Megjithëse në stinën e dimrit, jashtë ndikimit të sezonit turistik veror, turistët e huaj, që tashmë i gjen nga jugu në veri të vendit, po vijojnë të shpenzojnë gjithnjë e më shumë para në vendin tonë.

Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, bëjnë të ditur se, për tremujorin e tretë të vitit 2019, shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën në një nivel prej 782 milionë euro, me një rritje mbi 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kryesisht shpenzimet i adresohen më së shumti sektorit të turizmit por dhe atij të shërbime.

Ndërkohë që sezoni i mbarë turistik 2019, sipas INSTAT, reflektoi rritje me ritme më të larta të shitjeve në sektorin e hotelerisë, me 22,5% kundrejt tremujorit të tretë të vitit të kaluar. Ndërsa në sektorin tjetër të lidhur ngushtë me turizmin, atë të bar-restoranteve, rritja e shitjeve, rezultoi në nivelin me 5,4%.

Në këtë nëntëmujor, në Shqipëri hynë gjithsej 5.4 milionë të huaj, me një rritje të dallueshme krahasuar me vitin e kaluar./atsh

Të huajt shpenzuan 782 milionë euro në Shqipëri, në 3-mujorin e tretë 2019 Read More »

Deklarimi dhe pagesa e tatimit në burim/ DPT: 20 dhjetori afati i fundit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, (PDT) bën të ditur se, data 20 dhjetor është afati i fundit i deklarimit dhe pagesës së tatimit në burim, për periudhën tatimore Nëntor 2019.

Në një njoftimi të saj DPT, i rikujton tatimpaguesve këtë afat, që përkon edhe me periudhën e fundvitit.

”Për çdo paqartësi në përmbushjen e këtij detyrimi ligjor, mos hezitoni të drejtoheni për informacion në sportelet tona të Shërbimit të Tatimpaguesve më afër jush, apo në Qendrën e thirrjeve përmes numrit të gjelbër 0800 00 02” citon DPT.atsh

Deklarimi dhe pagesa e tatimit në burim/ DPT: 20 dhjetori afati i fundit Read More »

PD kundër shtyrjes së gjendjes së jashtëzakonshme: Pengon Reformën Zgjedhore

Partia Demokratike në një deklaratë për mediet deklaroi sot se me zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, qeveria nuk iu shërben qytetarëve të prekur nga tërmeti, por synon të pengojë Reformën Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike.

“Për një qeveri, e cila nuk ka si prioritet përfitimet politike dhe financiare nga fatkeqësia e mijëra njerëzve, 30 ditë janë të mjaftueshme për t’u rikthyer qytetarëve sigurinë për banesat, për të bërë planin për strehimin e përkohshëm të të gjithë të prekurve dhe planin për rindërtimin e banesave, shkollave dhe spitaleve të dëmtuar”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu PD akuzon Kryeministrin Rama se, shtyn afatin për “show”, jo për të përfituar të dëmtuarit nga tërmeti.

“Duke shtyrë edhe me 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme, Edi Rama synon të pengojë implementimin e Reformës Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike, siç Bundestagu kërkon, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të përgjithshme dhe vendore, pasi Kushtetuta i ndalon ato, për sa kohë vendi është në një situatë të tillë”, theksohet në deklaratë. /atsg

PD kundër shtyrjes së gjendjes së jashtëzakonshme: Pengon Reformën Zgjedhore Read More »

Gara për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, KED publikon pikëzimin e kandidatëve

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Rezultati paraprak i pikëzimit për secilin kandidat të vlerësuar është si më poshtë:

Artur Metani 89.6 pikë

Eris Hysi 78.3 pikë

Joana Asimi Sorraj 82.5 pikë

Lindita Troja 63.4 pikë

Sokol Stojani 89 pikë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbledhjen e tij të datës 11.12.2019, ka vendosur fillimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe po në të njëjtën ditë ka realizuar edhe intervistat me kandidatët e lejuar për këtë vend vakant.

Në zbatim të nenit 239 pika 3 të ligjit nr.115/2016, duke vijuar të qëndrojë i mbledhur deri në përfundimin e procesit të vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve, pasi e përfundoi punën e tij për shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga Këshilli në komunikimin me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturës dhe të të dhënave të nxjerra nga intervistat me kandidatët, ditën e sotme, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Krahas procesit të punës për zbardhjen e vendimeve të arsyetuara për vlerësimin dhe pikëzimin e secilit kandidat të lejuar, në zbatim të nenit 239 të ligjit nr.115/2016 dhe të pikave 67-74 të Vendimit nr.5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, do të shqyrtohen dhe miratohen: Lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë; Raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, do t’i dërgohen lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe raporti i arsyetuar i Këshillit ku përmbahet analiza lidhur me plotësimin ose jo të kushteve ligjore të kandidimit nga secilit kandidat në vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedurën e ndjekur në vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, si edhe aktet përkatëse të verifikimit dhe të vlerësimit e pikëzimit për secilin kandidat. /atsh

Gara për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, KED publikon pikëzimin e kandidatëve Read More »

Fjalët e Shenjta/ Feja ime është e thjeshtë; feja ime është dashamirësia

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot fjalët e Dalai Lamas për të përcjell një tjetër mesazh solidariteti në përballimin e situatës pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Feja ime është e thjeshtë; feja ime është dashamirësia”, citon Rama udhëheqësin fetar dhe politik të Tibetit, Dalai Laman,i cili ka marrë Çmimin Nobel për Paqe.

Përmes rubrikës “Fjalët e Shenjta”, Kryeministri Rama përcjell çdo mëngjes pasazhe nga librat e shenjtë ose nga personalitetet më në zë botërorë, si mesazhe urtësie e solidariteti për përballimin e situatës pas tërmetit.

Tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima dhe dëme të mëdha materiale ka nxitur edhe një solidaritet të madh jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe nga vendet fqinje dhe partnerët ndërkombëtarë. /atsh

Fjalët e Shenjta/ Feja ime është e thjeshtë; feja ime është dashamirësia Read More »

Policia shton masat për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve

Policia e Shtetit ka shtuar masat për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Sipas policisë, masat e shtuara konsistojnë në rritjen e kontrollit të territorit për zbatimin e kritereve të prodhimit , magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në prag të festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Strukturat e Policisë në të gjithë vendin, bazuar në Ligjin “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë”, Urdhrit të MB “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, Urdhrit të përbashkët të MB, MM dhe MFE, “Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve” , si dhe në Telegramin e DPPSH “Për zbatimin e kërkesave të Rregullores “Për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, kanë ushtruar kontrolle në vijimësi për këtë qëllim.

Si rezultat i kontrolle të pandërprera , muajt e fundit, janë proceduar penalisht 4 shtetas të cilët tregtonin kapsolla zeus dhe fishekzjarrë, një nga këto raste është evidentuar dhe proceduar në Tiranë, ku shtetasi A.A,është proceduar penalisht nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Vetëm javën e fundit në të gjithë vendin janë kontrolluar 334 subjekte (dyqane të ndryshme, makete apo supermarkete) si dhe tregje të shumicës, ku janë konstatuar mallra fishekzjarrë apo lëndë piroteknike.

“Duke qene se po afron Festa e Krishtlindjeve dhe e Vitit te Ri 2020, me qëllim krijimin e mjedisi të sigurt për qytetarët, marrjen e masave për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore , për parandalimin e shkeljeve dhe ngjarjeve të ndryshme në prag të festave të fundvitit , Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar te gjitha strukturave vendore te policisë zbatimin e disa detyra shtese të cilat konsistojnë në: ushtrimin e kontrolleve çdo ditë për verifikimin e aktivitetit të subjekteve të licencuar dhe njësive që tregtojnë fishekzjarrë, nëse tregtojnë ato sipas përcaktimeve “Artikujt të lejuar e të ndaluar”, kontrollin për magazinimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve , në funksion të parandalimit të shkeljeve dhe ngjarjeve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin , si dhe për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shkelin rregullat e magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve:, sqaron policia.

Shërbimet e kontrollit të territorit, duke filluar nga Ndihmës specialistët e Policimit në Komunitet/SPZ, Patrullat e Përgjithshme, Ndihmës Specialistët për kontrollin e armëve, të shtojnë kontrollet sipas zonave që mbulojnë dhe në rast të konstatimit të shkeljeve, të bëjnë dokumentim dhe bllokimin e tyre.

Strukturat vendore të Policisë të hartojnë dhe zbatojnë plane inspektimi të përbashkëta me Shërbimin e Mbrojtjes nga zjarri dhe Shpëtimin (MZSH), për kontrollin, verifikimin dhe zbatimin e rregullave të magazinimit, tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve nga subjektet e liçensuara.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke ju garantuar ruajtje të anonimatit dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.atsh

Policia shton masat për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve Read More »