Aktualitet

Gara për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, KED publikon pikëzimin e kandidatëve

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Rezultati paraprak i pikëzimit për secilin kandidat të vlerësuar është si më poshtë:

Artur Metani 89.6 pikë

Eris Hysi 78.3 pikë

Joana Asimi Sorraj 82.5 pikë

Lindita Troja 63.4 pikë

Sokol Stojani 89 pikë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbledhjen e tij të datës 11.12.2019, ka vendosur fillimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe po në të njëjtën ditë ka realizuar edhe intervistat me kandidatët e lejuar për këtë vend vakant.

Në zbatim të nenit 239 pika 3 të ligjit nr.115/2016, duke vijuar të qëndrojë i mbledhur deri në përfundimin e procesit të vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve, pasi e përfundoi punën e tij për shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga Këshilli në komunikimin me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturës dhe të të dhënave të nxjerra nga intervistat me kandidatët, ditën e sotme, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Krahas procesit të punës për zbardhjen e vendimeve të arsyetuara për vlerësimin dhe pikëzimin e secilit kandidat të lejuar, në zbatim të nenit 239 të ligjit nr.115/2016 dhe të pikave 67-74 të Vendimit nr.5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, do të shqyrtohen dhe miratohen: Lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë; Raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, do t’i dërgohen lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe raporti i arsyetuar i Këshillit ku përmbahet analiza lidhur me plotësimin ose jo të kushteve ligjore të kandidimit nga secilit kandidat në vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedurën e ndjekur në vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, si edhe aktet përkatëse të verifikimit dhe të vlerësimit e pikëzimit për secilin kandidat. /atsh

Gara për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, KED publikon pikëzimin e kandidatëve Read More »

Bashkia e Tiranës miraton heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve, Veliaj: Të mësojmë nga historia

Për shkak të konstruksionit mbajtës të tarracave, që lidhet drejtpërdrejtë me sigurinë e jetës dhe shëndetit të banorëve që jetojnë në këto objekte, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi heqjen e të gjithë depozitave të ujit nga tarracat.

Bashkia e Tiranës do të udhëzojë që depozitat e përbashkëta të ujit të vendosën në ambientet e bashkëpronësisë në katet e para, duke i hequr nga tarracat.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se Tirana duhet të mësojë nga ajo që ka ndodhur pas tërmetit.

“Ju propozojmë një vendim të Këshillit Bashkiak, ku Bashkia emeton për të gjithë administratorët e pallateve dhe banorët e Tiranës një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat. Një peshë e jashtëzakonshme mbi tarraca që është në mënyrë konstante rrezik për jetën, ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë, dhe nuk duam të jemi ata që nuk mësojmë nga historia, ne duhet të jemi ata që mësojnë nga historia. Lipset të bëjmë disa gjëra me këtë vendim të KB: Së pari, marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët per të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha Veliaj.

Vendosja e depozitave do të lejohet vetëm në rastet kur pas raportit që do të përgatitet me inxhinierë konstruktorë të licencuar, do të ketë miratohet nga shumica e asamblesë së bashkëpronarëve.

“Ne do të lejojmë depozita në tarracë vetëm nëse inxhinierët konstruktorë të liçencuar i japin aprovim administratorit të pallatit se tarraca e tyre është mjaftueshëm e fortë për të mbajtur atë peshë. Improvizime të tjera nuk do kemi. Kjo është edhe arsyeja pse do i kërkojmë çdo asambleje të pallatit që me administratorin e tyre të bëjë këtë verifikim, do i japim një leje të përshpejtuar kujtdo që do të bëjë depozitë të përbashkët të pallatit në katin përdhes ose në lulishten apo brezin që ka pallati rreth e qark, por kurrsesi nuk do vazhdojmë me këto rreziqe. Ka shumë qytetarë në Tiranë që më thonë: Po nuk jemi ne aq keq sa Laçi e Shijaku, ngaqë kishin parë skenat e kryeministrit që vizitonte disa nga këto ndërtime të tmerrshme. Do e marrim tani këtë vendim, që me shpresë VKB e Tiranës ta përsërisin edhe këto qytetet e tjera, se s’ka nevojë të degradojmë në atë fazë”, deklaroi Veliaj.

Një nga problematikat e hasura nga inxhinierët shqiptarë dhe të huaj në terren, ishte pikërisht vendosja e depozitave të ujit në tarracat e pallateve duke sjellë jo vetëm amortizimin e këtyre objekteve, por edhe rrezikuar jetën e qytetarëve./atsh

Bashkia e Tiranës miraton heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve, Veliaj: Të mësojmë nga historia Read More »

Gjermeni: Verifikim godinave pas tërmetit, strehim dhe shërbim shëndetësor 24 orë për qytetarët pas tërmetit

Deputetja socialiste e qarkut të Durrësit, Eglantina Gjermeni ka qëndruar gjatë gjithë këtyre ditëve pranë banorëve të bashkisë së Krujës të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Eglantina Gjermeni vijon t’u shërbejë banorëve të dëmtuar të Krujës me përulësi, duke u garantuar që në rrugën e ringritjes jemi të gjithë bashkë.

“Përkujdesja ndaj njeriut është për mua themeli i çdo shoqërie njerëzore. Jo vetëm për background-in që kam por edhe se jam deputete e qarkut Durrës dhe bashkisë Krujë”, thekson ajo.

Duke treguar për ditën e tërmetit dhe ditët që e pasuan, Gjermeni tregon se, “ato ditë ishim në Thumanë aty ku kishte dhe jetë të humbura dhe jetë në gërmadha dhe të ishim pranë familjeve dhe të shpëtonim sa më shumë jetë. Më pas të përpiqeshim të shpëtonim qytetarët në kampe. Kruaj u trondit shumë dhe shumë banesa të qytetarëve u dëmtuan rëndë. E gjithë vëmendja ishte që t’i ofronim qytetarëve siguri qoftë me strehim në hotele, konvikte dhe të ishim pranë tyre”.

Gjermeni shton se, “në qytetin e Krujës i kemi të shpërndarë qytetarët, të cilëve iu dëmtuan banesat dhe e kanë të pamundur të jetojnë aty në banesat që kishin. Janë rreth 40 këtu në palestrën e shkollës së mesme Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Janë 130 në palestrën e shkollës nr 4 dhe në konviktin që është pranë saj. Dhe rreth 20 e ca familje janë në një hotel të vogël në Hotel Grand”.

“Nga pallatet që janë evidentuar nga ekspertët, 6 prej pallateve që janë evidentuar janë shpallur të pabanueshme, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre gati 47 që kanë pasur dëmtime, një pjesë e tyre kanë dhe dëmtime goxha të rënda dhe nuk këshillohet të shkojnë qytetarët në to. Ndërkohë që vazhdon evidentimi, të gjitha ekipet janë në terren për të parë me kujdes për të bërë ekspertizën e duhur dhe për të dhënë vendimin nëse mund të banohen apo jo”, thotë deputetja Gjermeni.

Gjermeni nënvizon se, “qendra shëndetësore këtu dhe spitali i Krujës në të gjitha njësitë vendore ka ofruar shërbim shëndetësor për qytetarët 24 orë. Dhe në kamp kur ishte në Thumanë, dhe në Bubq, dhe në Krujë po ashtu”.

Ndërkohë Gjermeni falënderon të gjitha organizatat e shoqërisë civile që kanë mbështetur qytetarët e prekur nga tërmeti. “Kanë ardhur ndihma, veshje, batanije, ushqime, paketa higjienike. Kjo tragjedi na bëri të gjithëve bashkë me solidaritet dhe në këtë situatë mbizotëroi humanizmi dhe solidariteti”, thekson Gjermeni./atsh

Gjermeni: Verifikim godinave pas tërmetit, strehim dhe shërbim shëndetësor 24 orë për qytetarët pas tërmetit Read More »

Reforma Zgjedhore, anulohet mbledhja e Komisionit, Gjiknuri: Në pritje të propozimeve nga ana e opozitës parlamentare

Mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore që pritej të zhvillohej sot u anulua për shkak të mungesës së kuorumit.

Në një deklaratë për mediet, bashkëkryetari i këtij Komisioni, Damian Gjiknuri tha se shpreson që kjo gjë të mos çojë në bojkot, teksa shtoi se, është në pritje të propozimeve për ndryshimin e sistemit nga ana e opozitës parlamentare, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur.

“Nuk u bë kuorumi i mbledhjes se disa prej anëtarëve nuk ishin, ndërkohë që bashkë kryetarja e Komisionit nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo ishte e vetmja arsye. Mbledhja nuk u vazhdua sepse nuk kishte kuorum, por puna vijon”, tha Gjiknuri.
“Puna vazhdon. Shumë shpejt do të keni njoftimin për mbledhjen e radhës se ne duam këtë mbledhje ta zhvillojmë përpara se të mbyllim sesionin e Kuvendit”.

I pyetur nëse mungesa e kuorumit tregon nisjen e një ngërçi, Gjiknuri tha se, “shpresoj që të mos jetë ngërç dhe bojkot pasi të gjitha partitë në parlament janë angazhuar për mbështetjen e reformës zgjedhore. Aq më tepër që janë ata që kanë kërkuar që një nga pikat që duhet të trajtohet është çështja e sistemit zgjedhor. Kështu që ne mirëpresim partitë e opozitës parlamentare që të vijnë me një propozim për sistemin zgjedhor, por deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur. Ne jemi të hapur për të vazhduar komunikimin”.

“Njëkohësisht komisioni ka një mandat, ka një afat dhe duhet të vazhdojë punën. Besoj se shumë shpejt do të kemi njoftimin për mbledhjen e radhës ku puna do të vazhdojë”, tha Gjiknuri./atsh

Reforma Zgjedhore, anulohet mbledhja e Komisionit, Gjiknuri: Në pritje të propozimeve nga ana e opozitës parlamentare Read More »

Krijohet në Tiranë Komiteti Rajonal i Lehtësimit të Tregtisë

Në Tiranë u lançua sot ngritja e Komitetit Rajonal të Lehtësimit të Tregtisë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se në kuadër të kryesimit të Shqipërisë në CEFTA në vitin 2019, u krijua në Tiranë Komiteti Rajonal i Lehtësimit të Tregtisë.

“Në takimin e parë të Javës së CEFTA-s që zhvillojmë në Tiranë, përcolla mesazhin e nevojës për një platformë rajonale dhe afatgjatë, e cila krijon kushte lehtësuese për një bashkëpunim në rritje të sektorit publik dhe privat”, theksoi Denaj.

1 nga 6

Krijimi i këtij Komiteti, shtoi Denaj, “u mirëprit nga pjesëmarrësit, si një strukturë e cila do të sjellë më pranë institucionet politikëbërëse dhe bizneset për një klimë më të favorshme për sipërmarrësit e të gjithë anëtarëve të CEFTA”.

“Mobilizimi i përbashkët për një lehtësim në rritje të tregtisë së mallrave dhe shërbimeve mbetet angazhim thelbësor në përpjekjet për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së rajonit”, tha Denaj./atsh

Krijohet në Tiranë Komiteti Rajonal i Lehtësimit të Tregtisë Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se sot moti do të jetë i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare. Era do të fryjë me drejtim Juglindje – Lindje me shpejtësi deri në 8 m/sek, hera-herës me rrahje deri në 15m/sek. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 7/15 Diell re
Kukës 2/15 Diell re
Lezhë 7/16 Diell
Dibër 2/11 Diell re
Durrës 10/19 Diell
Tiranë 9/19 Diell
Elbasan 6/19 Diell
Berat 4/20 Diell re
Vlorë 10/21 Diell
Korçë 0/10 Diell re
Gjirokastër 2/16 Diellre
Sarandë 7/21 Diell re/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Ndryshimet në ligj për mediet online, Hajdari: Kompetenca të shtuara për AMA-n dhe AKEP, vetëm gjykata duhet të dënojë shpifjet

Deputetja Rudina Hajdari reagoi sot ndaj ndryshimeve në ligj për mediet online, të cilat sipas saj “i japin më shumë kompetenca AMA-s dhe AKEP, gjë që bën që mediet të bien në censurë dhe autocensurë”.

Në një konferencë për mediet, Hajdari tha se edhe masat administrative që parashikohen janë shumë të larta dhe nuk përballohen dot nga redaktorët dhe gazetarët.

“Shoqata e Medieve ka kërkuar që ‘Paketa antishpifje’ të rrëzohet dhe të merren parasysh institucione vetërregulluese. Në fakt, Rama i ka dhënë kompetenca të shtuara AMA-s të mbyllë medie pa vendim gjykate. Si mundet që AKEP dhe AMA të kenë këto kompetenca në kundërshtim me veprimet demokratike”, tha ajo.

Hajdari tha se “Gjykata duhet të jetë ajo që dënon shpifjet”. “Në një kohë që Reforma në Drejtësi vazhdon Rama merr kompetenca që nuk i takojnë. Krijon kompetenca paralele si kjo e antishpifjes dhe KÇK. I bëjmë thirrje të ndalojë degradimin e Reformës në Drejtësi, të lejojë që reforma të vazhdojë dhe të mos bëjë iniciativa ligjore që nuk i takojnë këtyre strukturave. Duhet të merren parasysh rekomandimet e OSBE për paketën antishpifje. Këto propozime nuk janë marrë parasysh. Kërkojmë që para seancës plenare qeveria të tërheqë paketën antishpifje pasi jemi para kryesimit të OSBE. Dhe nuk duhet të dobësojmë rolin e Shqipërisë. Duhet të tregojmë se ne jemi në gjendje t’i dëgjojmë”, tha Hajdari. //atsh

Ndryshimet në ligj për mediet online, Hajdari: Kompetenca të shtuara për AMA-n dhe AKEP, vetëm gjykata duhet të dënojë shpifjet Read More »

Basha ‘mea culpa’ për mediet/ Braçe: Falja nuk shlyen vrasjet në Bulevard

Kryetari i PD-së Lulzim Basha sot në tryezën e organizuar kundër miratimit të paketës antishpifje bëri edhe një “mea culpa” për sjelljen e PD-së me mediet përgjatë 30 viteve të pluralizmit.

Pas qëndrimit të Bashës, i menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili shprehet se kjo ishte një skenë e ndyrë.

“Mea culpa” nuk e shlyen dot krimin, siç ishte ai i vrasjes së katër protestuesve në mes të Bulevardit”, thekson ai.

Po ashtu, Braçe shton se “’mea culpa’ që shleu vrasjet në Bulevard, që shleu krimet e qeverisë Berisha mbi gazetarë! I njëjti film, e njëjta histori ‘mea culpa’ si amnisti krimesh patjetër, “mea culpa” si për ata të katërt që pushkatuan në mes të Bulevardit!”, shprehet ai.

“Patjetër; “mea culpa” shlyen çdo krim pushteti! Patjetër, ti i jep një dorë me shpifjen “e vrau ky me çadër në dorë, jo pushteti” apo, “gazetari im u shpua nga glasa e një zogu, jo nga plumbi i pushkës së shtetit”! Skenë më të ndyrë se sa kjo “mea culpa” nuk ka!””, shprehet ai. /atsh

Basha ‘mea culpa’ për mediet/ Braçe: Falja nuk shlyen vrasjet në Bulevard Read More »