Aktualitet

Të rikthyerit nga emigracioni, 100 punësime në 13 bashki

Vështirësitë e riintegrimit të të kthyerve shqiptarë nga emigracioni po sfidohen përmes mbështetjes së tyre në trajtime të ndryshme në 13 bashki të vendit, me qëllim nxitjen dhe punësimin e tyre.

“Unë sapo jam kthyer nga emigracioni. Nuk më eci atje, por tani që u ktheva dua ta provoj edhe një herë në Shqipëri. Kam menduar të hap një dyqan me lule natyrale afër shtëpisë, që të punësohet edhe xhaxhai me gruan. Kështu edhe ata, edhe familja ime do kenë një mundësi për të punuar,” – shprehet Gentjan Marku, një ndër 20 pjesëmarrësit e trajnimit CEFE që po zhvillohet këto 3 ditë me banorët e Kamzës.

Me anë të kësaj metodologjie, të rikthyerit nga emigracioni, në 13 bashki të vendit ku po zbatohet projekti “RE-IN-VEST”, do të kenë mundësi të marrin njohuri rreth të gjitha hapave që duhet të ndjekin për të zhvilluar idetë e tyre të biznesit.

Organizata ndërkombëtare e cila operon në drejtim të të drejtave të fëmijëve “World Vision” përmes këtij projekti të financuar nga Qeveria Gjermane dhe implementuar nga GIZ Albania, synon që deri të punësojë 100 të rikthyer dhe 100 të tjerë të vetë-punësohen duke zhvilluar bizneset e tyre. z.tosku/

Të rikthyerit nga emigracioni, 100 punësime në 13 bashki Read More »

Balla: SPAK do luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet

Kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka përshëndetur sot krijimin e Struktura e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Balla thekson se SPAK do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet.

“Sot është një moment historik për Drejtësinë. SPAK do të luftojë korrupsionin në të gjitha nivelet dhe do të godasë fort krimin e organizuar. Kush bërtiste se Reforma në Drejtësi nuk po ecën përpara, apo ka ngecur, kush u përbetua se do ta bllokonte, sot ka marrë përgjigjen“ -tha ai./atsh

Balla: SPAK do luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet Read More »

Betimi i prokurorëve të SPAK/ Ambasada e SHBA-së: Krah shqiptarëve për sistem transparent të drejtësisë

Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të qëndrojnë në krah të atyre që janë angazhuar për t’i sjellë shqiptarëve sistemin etik dhe transparent të drejtësisë që ata të gjithë meritojnë.

Kështu deklaron në një njoftim për shtyp Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila përshëndeti betimin para Presidentit Iliri Meta të tetë prokurorëve të rinj të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK).

“Shtetet e Bashkuara qëndruan krah Shqipërisë kur reforma në drejtësi u miratua në 2016-ën. Ne ishim aty kur filloi procesi i vetingut dhe ndërsa themeloheshin Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Edhe sot, i Ngarkuari me Punë, Daniel Koski, ishte aty ndërsa tetë prokurorët e rinj të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK) bënë betimin e tyre përpara Presidentit Ilir Meta. Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të qëndrojnë në krah të atyre që janë angazhuar për t’i sjellë shqiptarëve sistemin etik dhe transparent të drejtësisë që ata të gjithë meritojnë”, theksohen në njoftimin e ambasadës së SHBA-së./atsh

Betimi i prokurorëve të SPAK/ Ambasada e SHBA-së: Krah shqiptarëve për sistem transparent të drejtësisë Read More »

Meta pret Salianjin: Do ta ndjekë me vëmendje të posaçme procesin gjyqësor

Presidenti Ilir Meta, priti sot në një takim ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Ervin Salianji, për t’u njohur nga afër me shqetësimet e tij në lidhje me cenimin e procesit të rregullt ligjor në çështjen gjyqësore penale që po zhvillohet në ngarkim të tij.

Gjatë këtij takimi bën të ditur zyra e shtypit e presidencës, Presidenti Meta theksoi se mbron parimin kushtetues se kushdo që akuzohet penalisht, prezumohet i pafajshëm derisa në ngarkim të tij nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Meta e inkurajoi Salianjin që të mos humbasë besimin tek drejtësia dhe të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet proceduriale ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që procesi gjyqësor që ka nisur të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe objektive.

Kreu i Shtetit e garantoi Salianji se do ta ndjekë me vëmendje të posaçme këtë çështje me sensibilitet të lartë publik, duke inkurajuar një gjykim shterues dhe transparent.​ /atsh

Meta pret Salianjin: Do ta ndjekë me vëmendje të posaçme procesin gjyqësor Read More »

Ndërtimi i nënstacionit 110 kv Orikum dhe Himarë, qeveria vendos kompensimin e pronarëve

Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i nënstacionit 110 kv Orikum dhe nënstacionit 110 kv Himarë”.

Qeveria vendosi që pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, për sipërfaqen 1 884.37 (një mijë e tetëqind e tetëdhjetë e katër pikë tridhjetë e shtatë) m² tokë arë, me shumën e përgjithshme 384 412 (treqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e dymbëdhjetë) lekë.”.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST, sh.a.), Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./atsh

Ndërtimi i nënstacionit 110 kv Orikum dhe Himarë, qeveria vendos kompensimin e pronarëve Read More »

Ndahet nga jeta aktorja Mira Minga

Është ndarë nga jeta aktorja e dashur për publikun, Mira Minga Jupi. Lajmin e trishtë e konfirmoi edhe mikesha e saj, Shegushe Bebeti, e cila njoftoi se aktores nuk do t’i jepet lamtumira e fundit në atdhe.

Aktorja jetonte prej 19 vitesh në SHBA, ku ndërroi dhe jetë.

Mira Minga është e njohur për publikun për rolin e ‘Kotes’, në filmin “Përrallë nga e kaluara”. Ajo ka luajtur për herë të parë edhe “Pinokun”, ndërsa numëron edhe një numër rolesh të tjera në kinematografinë shqiptare. /atsh

Ndahet nga jeta aktorja Mira Minga Read More »

Arben Ahmetaj miratohet me 97 vota ministër Shteti për Rindërtimin

Kuvendi në seancën plenare të së mërkurës, miratoi me 97 vota pro, Arben Ahmetaj, ministër Shtetit për Rindërtimin, i cili do të jetë në krye të përpjekjeve për adresimin e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ministri do të merret me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase dhe ndërkombëtare që lidhen me Programin e Rindërtimit.

Ahmetaj është i ngarkuar me koordinimin dhe do të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit të Rindërtimit.

Ndërkohë, Kuvendi miratoi edhe zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në fund të muajit mars 2020, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama. Kuvendi e miratoi zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore me 92 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime./atsh

Arben Ahmetaj miratohet me 97 vota ministër Shteti për Rindërtimin Read More »

Paketa antishpifje, Blushi: Qëndrimi i Presidentit, pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka deklaruar sot se Meta do të shprehë qëndrimin e tij ndaj paketës ligjore antishpifje miratuar sot në Kuvend, pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore dhe relacionin shoqërues.

I pyetur nga mediet, se cili do të jetë qëndrimi i Presidentit të Republikës ndaj paketës antishpifje, zëdhënësi i tij, Tedi Blushi sqaroi se Meta do të shprehet në kohën e duhur, pa u ndikuar nga askush përveç Kushtetutës dhe ligjit.

“Pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore dhe relacionin shoqërues, Presidenti Meta do të ndërtojë një proces shterues ligjor, dhe do i njohë qytetarët me qëndrimin e tij përfundimtar”, theksoi Blushi.

Kuvendi miratoi sot me 82 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013, “Për mediet audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Projektligji u miratua me disa amendime të propozuara nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Kuvendi gjithashtu miratoi me 87 vota pro edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar./atsh

Paketa antishpifje, Blushi: Qëndrimi i Presidentit, pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore Read More »