Aktualitet

“Për komunitete të sigurta”, takim sensibilizues në bashkinë e Fierit

“Për komunitete të sigurta” ishte aktiviteti i zhvilluar sot në bashkinë e Fierit, një takim sensibilizues në vijimësi të ndërhyrjeve, planifikuar të realizohen në kuadër të kundërshtimit të ekstremizmit të dhunshëm, nga Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE) në të gjitha bashkitë e vendit.

Bazuar në rolin që ka në këtë mision dhe bashkia Fier, nënkryetarja Enkelejda Peshkëpia foli për angazhimin, ndërveprimin institucional, mbështetur edhe në koordinimin me institucionet dhe aktorët e tjerë lokalë.

Ky takim synonte fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve mbi çështjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, për aktorët e vijës së parë që operojnë në këtë komunitet (mësues, oficerë të policimit në komunitet, punonjës socialë, psikologë, mjekë, administratorë socialë, koordinatorë të njësive të mbrojtjes së fëmijëve, etj).

Në fokus të këtyre takimeve janë këshillat vendorë të sigurisë publike, konsolidimi i tyre, me qëllim një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë në kundërshtim të fenomenit në fjalë.

Mirëfunksionimi i KVSP-ve dhe fuqizimi i bashkëpunimit me të gjithë aktorët institucionalë të vijës së parë që ulen në këto Këshilla, do të mundësonte në kohë reale identifikimin, trajtimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e problematikave mbi tematikën në fjalë që rrezikon të cenojë sigurinë e komunitetit dhe jo vetëm. /atsh

“Për komunitete të sigurta”, takim sensibilizues në bashkinë e Fierit Read More »

Pasojat e tërmetit/ Hera e fundit që shteti ndërton shtëpi falas, sigurimi i detyruar nga fatkeqësitë duhet të bëhet normë

Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e sotme në një intervistë televizive në sallën e Hartave në Kryeministri të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, se kjo e banesave të dëmtuara nga tërmeti do të jetë hera e fundit që shteti shqiptar do të ndërtojë shtëpi falas ku askush nuk do të paguajë asnjë lekë.

“Ne do të bëjmë një transformim që do të kalojë në një fazë të re të Rilindjes Urbane dhe sociale. Do zbuloj një rrugë që të jetë rruga e së ardhmes dhe jam i bindur që jo vetëm ne, qeveria jonë në mandatin tjetër, por dhe të tjerë më pas do ta kenë këtë pjesë të programit”, tha Rama.

Duke folur për ndërtimet pa leje, ndër vite, Kryeministri Rama tha se “nuk është e drejtë të bëhet gjithë ky fajësim për ndërtimet pa leje, por nuk besoj se është e drejtë që të bëhet ky fajësim sepse koha ishte e tillë, sepse ata që udhëhiqnin ishin jashtë loje, komplet nuk kishin lidhje fare me atë detyrë që kishin marrë. Në detyrë i solli një përmbysje e madhe në një vend që nuk ishte si vendet e tjera komuniste ku kishte alternativë, ku kishte alternativë kulturore”, theksoi ai.

“Në një vend ku një anëtar i lartë i nomenklaturës me të tjerë kthehet në udhëheqës i djathtë. Koha ishte e tillë”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se do të ketë masa të reja shtrënguese për ndërtimet pa leje.

“Solidariteti ynë është i jashtëzakonshëm por është afatshkurtër dhe nga ana tjetër përpjekja për të vendosur rregull shpeshherë ndesh në një rezistencë shumë të madhe. Rezistojnë ata që e kanë shtëpinë varr potencial dhe manipulohen nga të tjerë që predikojnë legalizime, ashtu siç bënë. Ndërkohë që janë disa gjëra të thjeshta për t’u bërë tani. I ka ardhur koha. Jam përpjekur me vite por nuk kam mundur. Nuk kam mundur jo vetëm, kur isha kryetar bashkie. Nuk kam mundur dhe kur isha në aleancë në koalicion me të tjerë. Nuk kam mundur as tani që të vendos masa të reja shtrënguese për ndërtuesit dhe për ndërtimet. Arsyeja është e thjeshtë sepse në ditë me diell është e vështirë të vendosen masa të tilla, sepse në fund të fundit interesat janë influente mbi politikën në çdo vend të botës”.

“Ne do të shtrëngojmë shumë fort ndërtimin pa leje. Kush ndërton pa leje duhet të dënohet shumë fort për banesë individuale. Kush merr leje për një ndërtim, duhet të dënohet edhe më fort nëse shkel lejen, por jo vetëm që të dënohet ai që shkel lejen por do të vendoset dënimi për arkitektin, konstruktorin dhe dënimi për supervizorin, sepse nuk bëhet kjo me polici ndërtimore duke e gjurmuar me polici nga mbrapa. Kjo bëhet duke ndërtuar një sistem. Këta njerëz duhen vënë në përgjegjësi para ligjin, që të mos e lënë njëri-tjetrin të bëjnë shkelje”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se shteti do të ndërtojë shtëpitë e të dëmtuarve nga tërmeti pa i marrë askujt lekë, por do të jetë hera e fundi, pasi sigurimet do të bëhen të detyrueshme.

“Dhe tjetra, nuk mundemi dot më të përballojmë fatkeqësitë duke drejtuar shteti. Kjo është hera e fundit që shteti do të bëjë gjithçka dhe nuk do të kërkojë asnjë lek nga askush. Sigurimi i detyruar nga fatkeqësitë duhet të bëhet një normë. Normalisht, shteti duhet të marrë përsipër të sigurojë ata që janë të varfër ndërsa të tjerët duhet të paguajnë sigurimet. Sigurimet janë detyrime ndaj vetes dhe familjes. Sa herë hapen këto muhabete bërtasin ja ky na mbyti me taksa në kohën që unë kam ulur taksa më shumë se kushdo tjetër më parë, por de fakto ne jemi në një fazë adoleshente në raport me shtetin. Ne e duam shtetin por për të tjerët. Të ketë shtet për të tjerët, jo për mua. Secili e do shteti për të tjerët dhe shumë pak është i gatshëm ta fillojë nga vetja në raport me shtetin”.

Rama tha se çdo krizë është një mundësi e madhe për të shkuar përtej tërmetit, përtej të shkuarës.

“Mua me pëlqen shumë ta nis nga një hieroglif i kinezçes. Në shkruarjen kinezçe i njëjti hieroglif e njëjta shenjë ka kuptimin e krizës dhe të mundësisë. Nëse fjalia ka një kontekst lexohet si krizë, nëse ka një kontekst tjetër është një mundësi. Çdo krizë është një mundësi dhe kjo është një mundësi e madhe për të shkuar përtej tërmet, përtej të shkuarës, që do të thotë që do të bëjmë shtëpi shumë më të mira për këta njerëz se sa e kishin para para se binte tërmeti. Të ndërtojmë pallate shumë më të mira që këta fatkeqë kishin para se binte tërmeti. Pra, njerëzit në Kombinat, njerëzit në njësinë Nr.4 apo në zona të tjera të Tiranës të kthehen në shtëpinë e re të dhuruar nga shteti”.

Kryeministri tha se rindërtimet në fshatra do të bëhen të grupuara.

“Njerëzve në fshat t’u japim shtëpi që as nuk i kanë imagjinuar për shkak të varfërisë dhe të mundohemi që t’i afrojmë me njëri-tjetrin. Të çlirojmë tokat. Nuk do të prekim as një centimeter tokë por do t’i detyrojmë të shembin gërmadha dhe të marrin një shtëpi pranë qendrës. Sepse është krim që fëmijët të rriten të izoluar nga njëri-tjetri nëpër cepa ku kanë mbetur prej shekujsh dhe të bëjnë nga 20 km në ditë për të shkuar në shkollë, ndërkohë që shtëpia afrohet”, tha Rama. /atsh

Pasojat e tërmetit/ Hera e fundit që shteti ndërton shtëpi falas, sigurimi i detyruar nga fatkeqësitë duhet të bëhet normë Read More »

Shengeni Ballkanik, Rama: SHBA në mbështetje të procesit, samiti i hapur për të gjithë

Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e sotme në një intervistë televizive në sallën e Hartave në Kryeministri të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, se tryeza e radhës për projektin e Shengenit Ballkanik është pjesë e një procesi ku veç ëndrrës ka dhe një plan konkret pune të mirëstudiuar. Kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se mospjesëmarrja e Kosovës në këtë tryezë, e cila pranohet dhe nga SHBA dhe Europa, e nxjerr humbëse politikën e Kosovës në sytë e vëllezërve amerikanë.

“Ne kishim rënë dakord që do bënim këtë samit në Durrës dhe përkon koncerti me një ditë përpara samitit, ku s’do jenë vetëm Presidenti i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, por do të jenë dhe të tjerë. Do vijë nga SHBA, nuk e di nga Kosova. I dërguari special, Palmer, më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do dërgojë dy persona të posaçëm nga DASH në mbështetje të këtij procesi”-, tha Rama.

“Do vijnë nga Komisioni Europian, do vijnë nga BERZH, do vijnë nga Banka Botërore. Pra do vijnë të gjithë. Pse? Sepse ky është një proces që e mbështesin të gjithë”-, vijoi Rama.

Rama duke iu referuar politikës që po ndjek Kosova theksoi se, “s’ka gjë më të gabuar sesa fitimtari (Kosova është fitimtare e luftës) ta kthejë veten në humbës dhe të izolohet dhe të kërkojë edhe nga ne, që jemi me mish e me shpirt bashkë, që të izolohemi nga procese që janë dhe rruga për zgjidhjen përfundimtare të problemeve”. “Dhe çështja e Kosovës dhe Serbisë nuk zgjidhet përmes konflikteve, përmes taksave, por përmes dialogut”-, theksoi Kryeministri

“Takimi është një iniciative trilaterale, jo ekskluzive, jo përjashtuese, por është e hapur për të gjithë. Unë nuk bëj asnjëherë gjëra që nuk besoj, nuk them gjëra që s’i besojë. Unë besoj shumë se kjo është rruga, dhe e di dhe këtë, që kur udhëheq ke dhe koston që ata që duhet të ndjekin pas, mund të mos e pëlqejnë atë që po bën, por di një gjë që nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe më bënë hero më pas, dhe nuk jam tradhtar sot që po bëj këtë”, tha Rama.

“Isha dhe jam unë që bëjë gjërat që besoj dhe i bëj me bindje. Unë i kuptoj shumë mirë emocionet e Kosovës me Serbinë dhe ato që janë objektivisht probleme të krijuara dhe të pazgjidhura dhe nga Serbia, me të cilat mund të bëhen politikë në Kosovë për të marrë votat, mund të bëhet politikë edhe me mua me sytë e Kosovës. Dhe me këtë mund t’i them që sytë e Kosovës mund t’i shikoni duke hapur horizontin e shikimit tuaj, pasi horizonti juaj i shikimit është sa niveli i një partie politike”-, tha Rama.

“SHBA është nxitëse e këtij procesi deri në nivelin më të lartë, se s’dua të flas më shumë. Kosova e pagoi më shtrenjtë tarifën 100% të vënë në drejtim të Serbisë. Serbia u shit si viktimë e e saj, duke pasur vetëm kosto financiare, por nga ana politike fitoi Beogradi. Ishte një mundësi e artë në Berlin, kur Macron i tha Ramushit, më jep katër muaj, ma jep mundësinë mua dhe kësaj, për Merkelin, suspendoje katër muaj taksën dhe unë sot deklaroj se heq veton për liberalizimin e vizave. Sot pra, do lëviznit të lirë në të gjithë Europën, duke e përdorur si instrument taksën, e jo si qëllim, por sot fitoi Serbia dhe jo Kosova”-, shtoi Rama.

“Kështu është kur bëhet politikë në emër të syve të Kosovës e duke i patur sytë miop. Duke bërë politik te katundi jonë me emocione patriotike”-, vijoi Rama.

“Vuçiç ishte skandaloz në drejtim të deklaratave për “Kaçakun”, unë e thashë me zë të lartë. Kjo ishte vërtet një simptomë e faktit se Serbia nuk është shkëputur deri në fund nga e shkuara e saj. E dyta, unë se dua paqen, dhe nuk e dua Shengenin rajonal dhe nuk e dua transformimin historik për t’i bërë Serbisë ndonjë nder apo për të mirë të Serbisë. Unë e dua për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët”.

“De Gol nuk shkoi të bëjë marrëveshje pas luftës për interesin e Gjermanisë, por për interes të Francës pasi kuptoi se interesi i Francës ishte paqja, dhe e ardhmja e Francës ishte e përbashkët me atë të Gjermanisë”.

Duke iu rikthyer Shengenit Rajonal, Rama tha se “unë e kam kërkuar këtë i pari në funksion të njerëzve. Nga izolimi, nga barrierat tarifore dhe jo tarifore, humbasim të gjithë dhe humbet më shumë ai që është më i dobët. Nga liria e lëvizjes, nga liria fitojnë të gjithë dhe fiton më shumë ai që ka nevojë më shumë, kjo nuk diskutohet. Ne kufirin për shembull nuk e heqim dot se nuk na lejon askush, jo Serbia, por s’na lë as BE, s’na lë as SHBA. Sa herë ka dalë një deklaratë për heqjen e kufirit kanë dalë deklarata në Bruksel, Uashington, kanë ardhur dhe te unë se kjo është vija e kuqe, se shihet si një provokacja e Shqipërisë së madhe”.

“Ndërsa marrëveshja rajonale e heq kufirin. Për të bërë këtë duhet bërë pjesë e marrëveshjes. Kosova luftonte për t’u ulur në tryeze, kur serbët vraponin të largoheshin nga tryeza kur shikonin një kosovar në korridor. Sot që janë në tryezë serbët, Kosova nuk ulet”-, tha Rama.

“Këtu s’ka asgjë të re, unë se ndaloj këtë iniciativë se ka ardhur dikush në drejtim të Kosovës dhe më thotë mua mos u ngut. Jo kjo do vijojë sepse janë të gjithë në tryezë, Ramushi ka qenë në tryezë… Albinin e dua të jetë bashkëpunues për Kosovën…”-, tha Rama

“Unë debatoj me Vuçiçin sa herë takohem për Kosovën dhe debati është i fortë, por kemi rënë dakord të mos jemi dakord. Në këtë proces ka shumë progres, këtu kemi Presidentin e Serbisë për Shengenin rajonal, nëse Kosova ulet në tryezë, ta bëjë marrëveshjen dhe hapet kufiri. Si bëhet kjo duke i tundur dhëmbët me portale, jo duhet proces, duhet menduar për fëmijët tanë. Në momentin që kemi nga Kosova dakordësinë për t’u ulur dhe për të bërë këtë proçes, atëherë hapen kufijtë”-, tha Rama.

“Ne kemi plot produkte bujqësore, materialet e ndërtimit të cilat janë në ekspansion, që mund të kërkohen nga Serbia, Turizmi po ashtu është një mundësi, pra Kosova ka vetëm përfitime. Për Kosovën është transformuese, pasi nuk ka nevojë të kontrollohen në kufi , është transformues për mallrat, Kosova e ka në dorë të vetë ta heqë apo jo me Serbinë kufirin, nuk është detyruese. Këta se kanë lexuar çfarë kemi shkruar, se çfarë kemi menduar. Këto duan të fitojnë kapitale politike duke i rënë politikës së Shqipërisë dhe Edi Rama, duke iu bashkuar opozitës në Shqipëri”-, tha Rama.

“Më vjen keq për Hashim Thaçin, që bëri një piruetë 360 gradë, por bie në të njëjtin pozicion. Nga cila tavolinë po ikën Thaçi. Ishte i ftuar, siç ishin dhe të tjerët, nga cilat tavolinë po ikën… Të gjithë pra në Kosovë po luftojnë se kush është më patritot e kush tradhtar, pse këta do të më marrin peng mua duke më shpallur tradhtar?. Kjo kurrë nuk ndodh!”-, nënvizoi Rama. /atsh

Shengeni Ballkanik, Rama: SHBA në mbështetje të procesit, samiti i hapur për të gjithë Read More »

Krijimi i SPAK, Bare: Pas pengesave, opozitës s’i mbetet gjë tjetër vetëm të duartrokasë

Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare deklaroi sot se opozitës nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të duartrokasë ngritjen e SPAK.

Në një intervistë televizive i pyetur për përshëndetjen që opozita bëri për ngritjen e SPAK Bare tha se, “unë do të thosha vetëm një shprehje për këtë qëndrim, “kërcen prifti nga belaja”, dhe kjo lidhet me faktin se kemi tre vjet që pengohet reforma në drejtësi, kemi tre vjet që vihen shkopinj nën rrota dhe s fundi ndodhi kjo që ndodhi dhe uroj që të jetë e sinqertë. Për mendimin tim kjo ndodhi ashtu siç detyruan 140 deputetë për të iniciuar reformën në drejtësi faktori ndërkombëtar. Fakti që faktori ndërkombëtar është këmbëngulës e konsideron një nga momentet më të rëndësishme të tranzicionit të zgjatur shqiptar gjë që është mbështetur dhe është fakt edhe nga mazhoranca, tregon qartë se opozita që është sot jashtë parlamentin e ka treguar që nuk ka kthim pas, dhe në këto rrethana nuk mbetet gjë tjetër vetëm të duartrokasë”.

I pyetur për paketën antishpifje të miratuar dje në Kuvend dhe për kundërshtitë që pati ndaj kësaj pakete, Bare tha se, “shumica në Shqipëri është populli dhe do të ishte mirë që media të bënte një sondazh. Cili është problemi në në vend, problemi i lirisë së shtypit apo problemi lajmeve të shtrembra që krijojnë drama, problematikë etj. Ligji aktual, do të doja që të pyeten gazetarët e kanë lexuar draftin apo jo dhe po të thosha se po ta kishin lexuar do ta kenë vënë re se ai ka ndryshuar goxha. Edhe forma fillestare nuk ishte unike për Shqipërinë por analoge për shumë vende që kanë adaptuar një legjislacion të tillë”.

Bare tha se, “zhvillimi i internetit ka suksese të jashtëzakonshme pasi në nivel global ka sjellë dhe probleme të jashtëzakonshme, në përgjithësi, interneti, ekspozimi publikimi, interneti, ekspozimi ndaj krimit, pedofilisë dhe pornografisë. Kjo është bërë një problematikë globale dhe mendoj se ky ligj i rregullon këto problematika, insistoj në këtë fakt se në Shqipëri nuk ka problematikë të mungesës së lirisë dhe fjalës së lirë dhe ne e shikojmë këtë në raport me mazhorancën”.

“Ne shikojmë se në shumicën e televizioneve shqiptare anatemohet mazhoranca, dhe ky e shikojnë ne se cili është anatemuar kryeministrin apo tjetrin. Në këtë rrethanë unë do të thosha se sensibiliteti i popullit lidhet me fakte të tjera. Para disa ditës ndodhi një vdekje tragjike dhe ne lexuam lajmin që një çift është helmuar me fostoksinë, por në të vërtetë pa u vërtetuar. Ky lajm krijon një konflikt në familje mes njërës palë dhe palës tjetër. Kemi rastin “Babalja” është një fakt tjetër, dhe në 21 janar u hap lajmi se katër veta janë vrarë me thika dhe me çadra pistoletë, atëherë a mban njeri përgjegjësi për këtë lajm? Të gjitha këto janë një konfuzion në raport me lirinë dhe problematika në Shqipëri nuk është liria e shprehjes dhe e shtypit, ajo që dua të them është se problem është shtrembërimi i lajmeve dhe futja në qorrsokak marrëdhënia brenda familjes marrëdhënia brenda politikës etj”, theksoi Bare.

I pyetur për reformën zgjedhore që nuk u mbyll brenda dhjetorit, Bare tha se, “nuk besoj se keni dyshim se vonesa edhe në këtë proces është për faktin se opozita ka dalë nga parlamenti nuk pranon të ulet në tavolinë dhe jep disa konsiderata të përgjithshme dhe nuk vjen me element konkretë për të nisur mekanizma konkretë që i shërbejnë kësaj reforme, unë mendoj se opozita nuk është e përgatitur edhe për të pasur zgjedhje edhe në 2021 jo më të ketë zgjedhje të parakohshme”./atsh

Krijimi i SPAK, Bare: Pas pengesave, opozitës s’i mbetet gjë tjetër vetëm të duartrokasë Read More »

Rama përcjell fjalët e shenjta të St. Thomas Aquinas: Gjërat që duam tregojnë kush jemi

Kryeministri Edi Rama përcolli sot fjalët e shenjta të filozofit dhe teologut të shquar katolik italian St. Thomas Aquinas, si një tjetër mesazh për t’u solidarizuar me të prekurit nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit dhe lehtësimin e pasojave që ky tërmet la pas.

“Gjërat që duam tregojnë kush jemi”, është shprehur St.Thomas Aquinas.

Që pas rënies së tërmetit Kryeministri Rama ka zgjedhur që të publikojë thënie nga njerëz të urtë, apo nga librat e shenjtë siç janë Kurani apo Bibla, duke i titulluar si ‘Fjalët e shenjta’./atsh

Rama përcjell fjalët e shenjta të St. Thomas Aquinas: Gjërat që duam tregojnë kush jemi Read More »

Mbi 22 mijë të punësuar në qarkun e Vlorës

Mbi 22 mijë persona u punësuan në qarkun e Vlorës deri në fund të muajit tetor.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur sot gjatë një aktiviteti për hapjen e garës ndërkombëtare të tenderit për Aeroportin e Vlorës, se ka një hendek mes nevojës për punëtorë dhe personave të kualifikuar për tu qasur në këto vende pune.

“Në muajin tetor të këtij viti në qarkun e Vlorës rezultojnë të punësuar 22 557 persona, ndërsa janë 23 267 mijë vende pune. Kjo situatë vihet re në të gjitha zonat, madje Berati e ka më të theksuar hendekun. Ne duhet të fillojmë punën për arsimin profesional dhe punësimin pasi do të jemi në një situatë pak të vështirë nëse të gjitha këto investime nuk do të gjejnë ato fuqinë punëtore që duhet të jetë e kualifikuar, përveçse e siguruar në numër”, u shpreh Denaj./atsh

Mbi 22 mijë të punësuar në qarkun e Vlorës Read More »

Air Albania ka sjell shërbim dhe cilësi të lartë, tarifa më të ulëta për qytetarët

Aeroporti i Kukësit për të cilin kanë filluar punimet në mars të këtij viti do të ofrojë tarifa të ulëta fluturimi drejt destinacioneve të ndryshme të Europës Qendrore dhe asaj Veriore.

Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Krislen Keri tha gjatë fjalës së tij në prezantimin e projektit të Aeroportit të Vlorës se monopoli i e Aeroportit “Nënë Tereza” ka qenë një pengesë për sigurinë e aviacionit, ndërsa deklaroi se nisja e punimeve për dy aeroporte të reja do të përmirësojnë shërbimet dhe do të sjellin tarifa më të ulëta.

“Monopoli i Aeroportit Nënë Tereza ka qenë pengesë për ecurinë e aviacionit. Hapja e punimeve për dy aeroporte të tjera do përmirësojë shërbimet dhe do të sjell tarifa më të ulëta për të gjithë qytetarët”.

Keri deklaroi se “nga 2013 e deri më sot, përqindja e rritjes së volumit të trafikut mori kthesën e duhur për rritje, rritje të cilën e presim të vazhdojë edhe në vitet në vijim, të paktën deri në vitin 2030, duke konsideruar strategjinë e qeverisë për zhvillimin e këtij sektori. Paralelisht me nismën për zhvillimin e dy aeroporteve të reja, në këto dy vitet e fundit u krijua dhe hapi krahët, falë kujdesit direkt të ministres Balluku, kompania jonë flamur mbajtëse “Air Albania” që ofron shërbim të plotë me kosto të ulët. Gjithashtu, kompani prestigjioze europiane si “Wizz Air” “Easy yet” janë futur dhe janë drejt konsolidimit të tregut tonë. Dinamika e të gjithë këtyre ndryshimeve në vite ka zbritur ndjeshëm nivelin e çmimeve ku për herë të parë shqiptarët po prekin biletat e nivelit 50-100 euro për destinacione Italine, për destinacion Londrën, Vienën, Gjermane etj. Për të kaluar tek segmenti i turizmit , rreth 10-fish ka qenë rritja e numrit të pasagjerëve në fluturimet charter në 5 vite, në vitet midis 2013 dhe 2018 dhe ky është vetëm një fraksion nga totali që vizitojnë Shqipërinë.

Më tej, ai ka theksuar se “Aeroporti i Kukësit për të cilin kanë filluar punimet në mars të këtij viti dhe përfundojnë për 14 muaj do të ofrojë tarifa të ulëta për kompani ajrore të tipologjisë low cost dhe që do të lidhë pasagjerët shqiptare me ato të rajonit me destinacionet Italiane, të Europës Qendrore dhe asaj veriore. Por, pavarësisht tarifave të larta, vendi ynë paraqet një destinacion tërheqës dhe dëshira për të udhëtuar dhe vizituar Shqipërinë ka qenë e jashtëzakonshme në këto 6 vjet, falë edhe strategjisë kombëtarë të zhvillimit të turizmit”, -u shpreh ai. /atsh

Air Albania ka sjell shërbim dhe cilësi të lartë, tarifa më të ulëta për qytetarët Read More »

Kryemadhi: Fillimi i SPAK, garanton barazi para ligjit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka përshëndetur krijimin e SPAK.

“Përshëndes krijimin e SPAK si një zhvillim i rëndësishëm i pritur prej kohësh i Reformës në Drejtësi. Fillimi i aktivitetit të SPAK, është moment shpresëdhënës se në Shqipëri do të nisë seriozisht puna për ndëshkimin e pandëshkueshmërisë dhe për sundimin e ligjit.

Kryemadhi thekson se ngritja e SPAK do të sjellë garantimin e sigurisë juridike dhe barazi para ligjit.

“Ne besojmë që një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë do të veprojë i pandikuar nga presioni i çfarëdolloj dhe i pandikuar nga politika. Ngritja e Strukturës së Posaçme dhe Byrosë së Hetimit do sjellë një erë të re në garantimin e sigurisë juridike për qytetarët e thjeshtë dhe për barazinë përpara ligjit. Koha e “të fortëve”, kriminelëve me pushtet apo të mbrojtur nga pushteti, ka mbaruar”- tha ajo.

Po ashtu Kryemadhi falënderon partnerët SHBA/BE për mbështetjen.

“Me këtë rast përshëndes dhe angazhimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, për mbështetjen e vazhdueshme për krijimin e kësaj strukture kaq të rëndësishme për drejtësinë në Shqipëri dhe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian”, shprehet ajo./atsh

Kryemadhi: Fillimi i SPAK, garanton barazi para ligjit Read More »