Aktualitet

“Shtëpive tona i mungon drita”/ Gratë e dënuara rrëfejnë historitë

Gruaja është drita e shtëpisë, shtëpive tona i mungon drita. Me këtë mesazh, tre nga femrat që vuajnë dënimin në burgun e grave në Tiranë kanë shprehur pendesë për veprën që kanë kryer. Ato kanë theksuar se kanë pritur me lot në sy, lot gëzimi, lajmin e amnistisë, por janë ankth për të zbuluar se kush do përfitojë

Yllka tha se “gruaja është drita e shtëpisë dhe shtëpive tona u mungon drita”.

“Unë jam Yllka, unë kam 8 vjet këtu e kjo që ka ndodhur këtë herë s’ka ndodhur më parë. Të gjitha kanë qarë nga gëzimi kur morëm vesh lajmin për amnistinë, të gjitha rrinë me zemrën e ngrirë kush do i bjerë fati të dalë. Gruaja është drita e shtëpisë, shtëpive tona i mungon drita”.

Redona e arrestuar për trafik të lëndëve narkotike thotë se është penduar për veprimin e bërë.

“Unë jam Redona 24 vjeçe, jam arrestuar para 3 vite e gjysëm në doganë pasi supozohej se isha duke trafikuar lëndë narkotike. Kam 3 vjet e gjysëm që vuaj dënimin e mund të them që jam penduar shumë, ishte gabim që unë bëra dhe mendoj se ishte më shumë mosha ime e vogël që më detyroi të bëj atë lloj gabimi.

Duke ardhur këtu e duke arritur të njoh e njerëz e histori të tjera kam arritur të kuptoj që gratë këtu s’duhen paragjykuar për asnjë vepër që kanë bërë se ka qenë një moment i gabuar ose për shkak të faktorëve ekonomikë dhe vështirësive familjare që kanë pasur. S’duhen gjykuar aq rëndë nga gjykata për veprime që kanë ndodhur për faktorë të ndryshëm”-, tha Redona.

“Doja t’ju kërkoja edhe që kur gratë plotësojnë afatet para kohe të tregoheshin pak më të lehta për gratë që janë nëna e bija e i mungojnë një familje, një shtëpi ka nevojë për një grua për të qëndruar shtëpi e fortë”-, tha Redona.

Një histori tjetër është ajo e Ermirës, nënë e tre fëmijëve dhe e divorcuar nga bashkëshorti.

“Unë jam Ermira, jam dënuar për trafik ndërkombëtar droge, të hashashit. Nuk jam krenare e më vjen shumë turp në radhë të parë nga vetja e fëmijët, kam 3 fëmijë, por isha e detyruar nga gjendja ekonomike, isha e ndarë me 3 fëmijë që i rrisja vetëm, me detyroi të bëj disa vepra që s’ndihem aspak krenare. Kam 5 jet që vuaj dënimin duke lënë 3 fëmijë vetëm që më presin dita me ditë. E kur më pyet ai i vogli mama kur do vish e nuk di përgjigjen është një ndjenjë që s’mund tua shpjegoj me fjalë. Të jesh këtu brenda është shumë e vështirë. Gjithçka mund të kalohet në jetë por kufizimi i lirisë duhet ta provojë dikush që ta kuptojë. Një nënë në burg do të thotë një familje e shkatërruar, sidomos për fëmijët që s’kanë një nënë pranë ti kontrollojë e ti mbledhë”-, tha ajo.

Kryeministri Edi Rama ishte sot së bashku me ministren Etilda Gjonaj në Burgun e Grave ku do të jepet amnistia për 56 gratë që vuajnë dënimin në sistemin penitenciar shqiptar, ku 28 do të lirohen menjëherë, ndërsa 28-të të tjera do përfitojnë ulje dënimi deri në 1/3-at. /atsh

“Shtëpive tona i mungon drita”/ Gratë e dënuara rrëfejnë historitë Read More »

Spiropali feston dhe shpërndan dhurata për fëmijët e prekur nga tërmeti

Në këto ditë festash, kur të gjithë gjenden pranë familjeve duke festuar, disa prej banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit janë duke i kaluar këto festa në ambientet e hoteleve ku janë akomoduar prej 1 muaji deri në ndërtimin e banesave të reja brenda vitit 2020, të cilat do të ngrihen përmes planit të rindërtimit.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi kryetare e PS Tiranë, Elisa Spiropali, vizitoi familjet e prekura nga tërmeti, të akomoduar në hotel “Pishat e Buta”, të Golemit.

Spiropali kaloi disa momente të veçanta më ta, ku pas drekës së kaluar me fëmijët, kanë shijuar tok së bashku disa momente festive organizuar nga talentet e shkollës Gustav Mayer, e më pas bashkë me Drejtoreshën e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror, Luneda Sufali kanë shpërndarë dhurata për të gjithë fëmijët.

Ministrja theksoi se viti 2020 do t’i gjejë këto familje me banesa të reja e të sigurta./atsh

Spiropali feston dhe shpërndan dhurata për fëmijët e prekur nga tërmeti Read More »

Parashikimi i motit për këto ditë të fundit të këtij viti

Shërbimi Meterologjik Ushtarak njofton se, edhe nesër vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme dhe të thata me origjinë veriore, ndërsa dita pritet të jetë e ftohtë me temperaturat e mëngjesit të cilat do zbresin nën 0ºC.

Në relievet malore temperaturat minimale pritet të arrijnë deri në -5ºC, në ato të ulta -3ºC, ndërsa në ato bregdetare 0ºC. Edhe temperaturat e mesditës pritet të jenë të ftohta me vlera deri në 4ºC në relievet malore, kurse në zonat e ulta dhe ato bregdetare nuk do t;i kalojnë vlerat prej 11ºC.

Moti do të jetë i kthjellët në të gjithë territorin përjashtuar vranësirat mesatare në relievet malore në lindje të vendit. Temperaturat e ulta do të ndikohen edhe era e cila do të fryjë relativisht intensive me shpejtësi mesatare 5-8m/s dhe drejtim nga kuadrati i veriut. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era hera-herës do arrijë shpejtësinë 15-25m/s.

Për tu theksuar është se, në ditët në vijim pritet që temperaturat të vijojnë të zbresin duke bërë që mëngjeset të jenë të acarta dhe mesditat të ftohta me temperatura të cilat në vlerat minimale pritet të arrijnë deri në -8ºC në zonat malore, ndërsa ato të mesditës nuk do ti kalojnë vlerat prej 8-10ºC!!!

Parashikimi i motit për këto ditë të fundit të këtij viti Read More »

Kosova ende pa kryeministër të ri, mundesia të shkojë në zgjedhje të reja

“Nëse bllokada vazhdon, Kosova mund të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja gjatë vitit të ardhshëm”.Kurti-600×360

Rrjeti televiziv i lajmeve me seli në Lion të Francës, Euronews, ka raportuar për ngërçin politik në Kosovë.

Ky medium shkruan për paaftësinë e partive politike për të rënë dakord për të formuar një Qeveri të re.

“Deputetët e rinj u ulën për herë të parë në Kuvend që nga zgjedhjet e 6 tetorit, por kjo nuk e zgjodhi problemin. Kjo për shkak se partitë fituese ende nuk janë marrë vesh rreth kandidatit të ardhshëm për president të Kosovës”, shkruan Euronews.
Aty përmendet edhe mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje. “Nëse bllokada vazhdon, Kosova mund të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja gjatë vitit të ardhshëm”.

Kosova ende pa kryeministër të ri, mundesia të shkojë në zgjedhje të reja Read More »

Rama përcjell fjalët e shenjta të Profetit Muhamet: Kush beson, nuk shpif

Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm fjalët e Profetit Muhamed, në rubrikën “Fjalët e Shenjta”, që nisën si apel solidariteti pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Kush beson nuk shpif, nuk mallkon dhe nuk flet shëmtuar apo si të ishte budalla”, citoi Rama fjalët e Profetit Muhamet (paqja mbi të).

Kryeministri Rama ka përcjellë këto javë apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit, duke cituar fjalë të shenjta nga librat e shenjtë, por edhe nga personalitetet botërore./atsh

Rama përcjell fjalët e shenjta të Profetit Muhamet: Kush beson, nuk shpif Read More »

Gjirokastër/ Policia sekuestron 1130 kapsolla dhe 365 fishekzjarrë

Policia e Shtetit në kuadër të urdhrit për parandalimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve ka sekuestruar 1130 kapsolla dhe 365 fishekzjarrë.

“Në zbatim të urdhrit të tre ministrave, “Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike”, strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë kontrollin e pandërprerë në subjekte të ndryshme dhe tregje me shumicë e pakicë, me qëllim evidentimin dhe sekuestrimin e lëndëve piroteknike”-, njofton Policia.

“Si rezultat i kontrolleve, në Gjirokastër, në një magazinë, janë gjetur të magazinuara 1130 kapsolla dhe 365 fishekzjarrë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës vijojnë veprime e mëtejshme”-, vijon më tej njoftimi.

“Kontrollet do vijojnë edhe në ditët në vazhdim dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 e Komisariatin Dixhital çdo rast të tregtimit apo përdorimit të kapsollave, fishekzjarrëve dhe çdo rast të paligjshmërisë”-, përfundon njoftimi i policisë. /atsh

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/2652332351528939/?t=0

Gjirokastër/ Policia sekuestron 1130 kapsolla dhe 365 fishekzjarrë Read More »

Antikorrupsioni/ Brenda qershorit 2020, Ministria e Drejtësisë me plan integriteti

Për herë të parë Ministritë do të kenë plane integriteti, në kuadër të planit të Veprimit Antikorrupsion 2019-2023 dhe Ministria e Drejtësisë do të jetë Ministria e parë që do ketë një plan të tillë brenda qershorit 2020.

Zv.ministrja e Drejtësisë, Fjoralda Cakaj në një reagim bëri të ditur të premten se, “Ministria e Drejtësisë përmbylli trajnimin dy-ditor me fokus hartimin e Planeve të Integritetit”.

Sipas zv.ministres, brenda qershorit 2020, Ministria e Drejtësisë do të ketë plan integriteti.

“Trajnimi dy-ditor mbi njohuritë e fushës u dedikua për të gjithë stafin e institucionit, të orientuar në katër drejtoritë e përgjithshme, si dhe njësinë e auditit, falë mbështetjes financiare të United Nations Development Program dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)”-, bëri të ditur Cakaj.

“Brenda muajit qershor 2020, Ministria e Drejtësisë do të jetë institucioni i parë i pushtetit qendror që do të ketë tashmë një plan të miratuar integriteti, i cili do të shërbejë si model hartimi për Planet e Integritetit edhe për institucionet e tjera të pushtetit qendror”-, tha Cakaj .

“Gjatë muajit janar 2020, procesi do të vijojë me takimet e ngushta/teknike në grup të stafeve të drejtorive të Ministrisë së Drejtësisë për të pasqyruar të gjithë procesin e tyre të punës, si dhe për të reflektuar e identifikuar të dhëna statistikore dhe riskun konkret të fushës së përgjegjësisë së çdo drejtorie dhe vetë Ministrisë”-, përfundon reagimin e saj, zv.ministrja Cakaj. /atsh

Antikorrupsioni/ Brenda qershorit 2020, Ministria e Drejtësisë me plan integriteti Read More »

Njësi studimi për sizmologjinë në Akademinë e Shkencave/Gjinushi: Në janar ngrihet grupi i punës

Zbatimi i reformës në Akademinë e Shkencave zë fill në janar të vitit 2020. Për këtë në Akademinë e Shkencave u bënë bashkë sot akademikë edhe profesorë për të diskutuar për prioritetet që duhet të kenë.

Kryetari i Akademisë Skënder Gjinushi gjatë shpalosjes së këtyre prioriteteve u ndal tek krijimi i tre njësive, asaj nanoteknologjike, bioteknologjike dhe gjenetike, edhe e inteligjencës artificiale.

“Prioritetet kryesore janë ato që ngrihen në nenin 4 të ligjit të Akademisë. E para, është ngritja e disa qendrave të kërkim-studimit pranë ASH-së me ambicien që të studiojnë gjendjen në nanoteknologji, bioteknologji edhe inteligjenca artificiale, që në Shqipëri janë në faza embrionale. Me këto qendra kërkojmë që të shkojmë drejt qendrave studimore të kërkimit në to”, u shpreh Gjinushi.

Gjithashtu Gjinushi u ndal edhe te ngritjen e njësisë së kërkim-studimit në fushën e gjeofizikës e sizmiologjisë, ku në janar do të ngrihet një grup pune që do të drejtohet nga sizmologu i njohur Shyqyri Aliaj.

“Në janar do të rimblidhemi për të përcaktuar më tej hapat, rolin, bashkëpunimin apo zgjerimin e njësisë. I kemi kërkuar edhe qeverisë që të na jap rolin e koordinatorit në këtë punë duke ndarë detyrat se çfarë do të bëjë Fakulteti apo Akademia”, tha Gjinushi, duke shtuar se “ne punojmë me hartën e ’80-s ndërkohë që studimi i ri është i vitit 2004 edhe ka koncepte të reja”./atsh

Njësi studimi për sizmologjinë në Akademinë e Shkencave/Gjinushi: Në janar ngrihet grupi i punës Read More »