Aktualitet

Reshjet, ekspertë rekomandojnë kujdes për parandalim aksidentesh

Reshjet e shiut dhe dëborës shtojnë mundësinë për aksidente duke rrezikuar jetën tuaj.

Ekspertët e Institut të Shëndetit Publik rekomandojnë që në kushtet e motit të keq, të shmangen në maksimum lëvizjet me mjete motorike. Ata rekomandojnë veçanërisht kontroll të gjendjes teknike të mjetit, karburantit, paketës së ndihmës së parë, pajisjet ndriçuese, gomat etj.

“Informohuni në vazhdimësi për vendin ku do të lëvizni, motin, reshjet dhe temperaturat. Kontrolloni gjendjen teknike të mjetit, karburantin, paketën e ndihmës së parë, pajisjet ndriçuese, gomat. Siguroni veshje të përshtatshme për udhëtimin.
Tregoni kujdes për shpejtësinë gjatë lëvizjes me makina. Vendosni fëmijët në vende të përshtatshme, në sedilen e posaçme dhe të lidhur me rrip sigurie. Siguroni që aparatet e celularit të jenë të ngarkuara dhe me bateri rezervë. Mos tentoni të kaloni me mjetin tuaj në vende të dyshimta, me pellgje uji, në vende me akull, me rrezik të lartë rrëshqitje”, -rekomandojnë ekspertët./atsh

Reshjet, ekspertë rekomandojnë kujdes për parandalim aksidentesh Read More »

Sulmi ndaj prokurorit/ Meta: Dënim për autorët, askush të mos guxojë të verë dorë ndaj njerëzve të ligjit

Presidenti Ilir Meta ka dënuar me forcë sulmin ndaj prokurorit Albert Kuliçi. Presidenti Meta shprehet se duhet një hetim dhe ndëshkim për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë, për të shmangur përsëritjen e akteve të tilla ndaj njerëzve të drejtësisë.

“Dënoj me forcë sulmin ndaj prokurorit Albert Kuliçi! Kërkohet hetim dhe ndëshkim për autorët! Askush të mos guxojë të verë dorë ndaj njerëzve të ligjit”, shprehet Presidenti Meta.

Mëngjesin e sotëm, prokurorit të Gjykatës së Vlorës, Albert Kuliçi iu vu tritol në makinë. Nga shpërthimi nuk ka patur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. /atsh

Sulmi ndaj prokurorit/ Meta: Dënim për autorët, askush të mos guxojë të verë dorë ndaj njerëzve të ligjit Read More »

Basha reagon pas deklaratës së Ramës: Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se “Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”.

Në reagim të deklaratës së Kryeministrit Edi Rama për mungesën e Kosovës në tryezën e liderëve të Ballkanit Perëndimor për Shengenin Ballkanik, “jo se nuk është e ftuar, por mungon se ka hyrë në një rrugë pa dalje”, Basha e konsideroi si sulm kundër liderëve politikë të Kosovës.

“Dënoj sulmin e Edi Ramës kundër liderëve politikë të Kosovës dhe shpreh ndjesë në emër të çdo shqiptari për këtë akt të papranueshëm”, tha Basha duke shtuar se “gjuha e urrejtjes ndaj institucioneve të Kosovës është akt i denjë vetëm për një peng të antishqiptarizmit si Edi Rama”.

“Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj. Koha e vasalitetit të autokratit të korruptuar të Tiranës ndaj armiqve dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës do të marrë fund shumë shpejt”, tha kreu i PD-së.

Më herët, gjatë konferencës për shtyp pas takimit të 3-të rajonal të liderëve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “kam arritur atë që të tjerët nuk e kanë arritur, që Serbia të vijë pa kushte në tryezë me Kosovën. SHBA, vendet më të mëdha të BE-së i kërkojnë Serbisë të njëjtën gjë, të njohë Kosovën, por janë në tryezë me Serbinë, e mbështesin këtë nismë dhe i kërkojnë Kosovës që të mos braktisë tryezën, por të jetë pjesë e nismës”.

“Autoritetet në Kosovë nuk i urdhëroj unë, por kam thjesht detyrën t’u them: jeni gabim vëllezër. Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush refuzon dhe mbyllet më shumë apo për formula zhvillimi ekonomik që nuk qëndrojnë as në qiell, as në tokë. Kosova ka nevojë të qëndrojë afër, në krah me Shqipërinë dhe miqtë e vet të ditës së parë që janë SHBA dhe BE dhe të mos kthejë vizionin e së ardhmes dhe strategjinë e së ardhmes në një luftë politike të ditës dhe taktikë dritëshkurtër që nuk çon asgjëkundi “, ka theksuar Rama./atsh

Basha reagon pas deklaratës së Ramës: Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës Read More »

Sulmi ndaj prokurorit Albert Kuliçit / KLP: Akt terrorist ndaj drejtësisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar lidhur me ngjarjen të ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes, në një njoftim për shtyp, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bën të ditur se “pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit. Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen
e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen
e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit posaçëm hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon Kuliçi dhe të gjithë trupën e prokurorëve të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit. /atsh

Sulmi ndaj prokurorit Albert Kuliçit / KLP: Akt terrorist ndaj drejtësisë Read More »

Gjonaj takim me Calavera dhe Soreca: Forcimi i institucioneve të reja të drejtësisë, prioritet kyçe për 2020

Zbatimi i reformës në drejtësi ishte çështja kryesore në takimin që zhvilloi sot në Tiranë, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj me Genoveva Ruiz Calavera, shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ekipin e Komisionit Europian, përfaqësueset e misioneve EURALIUS dhe OPDAT.

Gjatë këtij takimi intensiv, u zhvillua një analizë e detajuar mbi ecurinë dhe rezultatet konkrete të reformës për vitin 2019, status quon e saj, si dhe përmbushja e objektivave në vijim ku funksionimi dhe forcimi i institucioneve të reja të drejtësisë, do të jenë ndër prioritetet kyçe për vitin 2020.

“Ky dialog i frytshëm na shërbeu jo vetëm për të evidentuar nevojat imediate të ecurisë së reformës në drejtësi, por edhe të drejtimeve për vitin pasardhës në kuadër të mbështetjes teknike dhe buxhetore që KE po jep për zbatimin e saj.Falë bashkëpunimit dhe mbështetjes nga Komisioni Europian si dhe ambasada e SHBA, ne do të vijojmë më tej per zbatimin tërësisht të reformës në drejtësi”- u shpreh Gjonaj./atsh

Gjonaj takim me Calavera dhe Soreca: Forcimi i institucioneve të reja të drejtësisë, prioritet kyçe për 2020 Read More »

Meta pret Aleksandër Soros: Domosdoshmëri gjallërimi i shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti në një takim me kërkesë të tyre zëvendëspresidentin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, Aleksandër Soros dhe Drejtorin Ekzekutiv të zyrës së Fondacionit në Shqipëri, Andi Dobrushi.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Meta i njohu me shqetësimet e tij, të bëra edhe publike, për përpjekjet e qeverisë për kapjen e institucioneve të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, për përkeqësimin e lirisë së medias, si dhe për domosdoshmërinë e gjallërimit të shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. /atsh

Meta pret Aleksandër Soros: Domosdoshmëri gjallërimi i shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike Read More »

Takimi në Zadar/ Cakaj: Rritje bashkëpunimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar sot në Zadar mbledhjen trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë e Malit të Zi.

Cakaj thekson se në thelb të takimit është bashkëpunimi trepalësh, Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci.

“Kjo platformë synon rritjen e bashkëpunimit mes tre vendeve në fushat e interesave të zhvillimit dhe mbrojtjes së objektivave të përbashkëta strategjike! Kësaj radhe diskutuam për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjetikës dhe turizmit. Për më shumë, ramë dakord edhe për rritjen e angazhimeve të përbashkëta në shërbim të integrimit në BE dhe në kuadër të NATO-s”, tha ai.

Po ashtu Cakaj tha se “Vlen të theksohet se u pajtuam për të filluar me mbledhjen trepalëshe Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci e cila do të thirret në vitin e ardhshëm”./atsh

Takimi në Zadar/ Cakaj: Rritje bashkëpunimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci Read More »

“Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, koncert solidariteti për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti

Artistë të njohur të skenës shqiptare u bashkuan sot në një koncert solidariteti në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.

I titulluar “Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, koncerti u zhvillua në Parkun Olimpik të Tiranës, me pjesëmarrjen e artistëve, orkestrës dhe korit të Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga shitja e biletave do të shkojnë për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti.

Në koncert janë të pranishëm Kryeministri Edi Rama, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të cilët ndodhen në Tiranë pasi do të marrin pjesë në takimin e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së” që zhvillohet në datat 20-21 dhjetor 2019 në vendin tonë.

Në fjalën e saj ministrja e Kulturës, Elva Margariti, theksoi se “në një nga vizitat në kërkim të terreneve për ngritjen e banesave të reja pranë meje u afrua një vajzë e vogël dhe më pyeti: A jeni ju shqiptarë”. Më ka ngelur në mendje kjo vajzë pyetja e saj ka qenë një kohë kjo kur pohimi po ne jemi shqiptarë ka marrë një kumbim krejt të veçantë edhe falë gjesteve të solidaritetit dhe falë gjithë shpresës së mrekullueshme që keni dhënë në këtë kohë”.

“Nuk ka rëndësi sa jep, por ma sa dashuri e jep atë që mundesh ka thënë shenjtorja shqiptare Nënë Tereza. Këto fjalë janë një kornizë e artë për mijëra e mijëra gjeste kuptimplota të solidaritetit që ndriçuan të tatëpjetën e rimëkëmbjes sonë nga fatkeqësia”, – theksoi Margariti.

Ministrja u shpreh se “së bashku të bërë bashkë si rrallëherë ne thyem terrin e plotë dhe frenuam në kohë një rrjedhje hemoragjie dhe një plagë që thithi në zgavrën e vet mijëra e mijëra familje. Tani që ato mijëra mijëra familje janë sistemuar në sistemime të përkohshme plaga kërkon një shërim real dhe ne duam ta shërojmë shpejt , por edhe mënyrë shembullore, përmes një rindërtimi kuptimplotë dhe një rindërtimi të gjithanshëm . Duam ti kthejmë familjet e goditura në shtëpi më të mira se ato që kishin më parë, duam tu japim më shumë mjedise dhe duam tu japim mjedise më të mira se ato që fshiu tërmeti. Duam tu japim zonave të prekura një cilësi më të mirë urbane dhe sociale, duke krijuar komunitete që rrezatojnë ambicien tonë për Shqipërinë që duam”.

Sot, vijoi ajo, ne jemi sot këtu për fëmijët dhe nxënësit, për shkollat e të cilave duhet ti ringremë nga gërmadhat e 26 nëntorit me fuqinë e mesazhit “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”.

“Sonte kjo skenë arti është platformë solidariteti dhe këta artistë janë solidarë në prag të festave të fund vitit për të qenë së bashku për shkruar një histori të bukur shqiptare që na karakterizon”, – tha Margariti.

Ky koncert është një mundësi e mirë për t’u bashkuar në mbështetje të atyre që sot kanë nevojë jetike për gjithë./atsh

“Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, koncert solidariteti për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti Read More »