Aktualitet

Ide zbukurimesh për tavolinën e Vitit të Ri

Viti i Ri po troket dhe përveçse të mendohet për dhuratat, zbukurimet dhe menutë, ka rëndësi edhe planifikimi i zbukurimit të tavolinës për natën e ndërrimit të viteve.

Ja disa ide për të zbukuruar tavolinën në këtë Vit të Ri:

Ngjyrat klasike të kësaj feste janë e kuqja, e arta, e bardha dhe blu. Për një tavolinë me pamje të ngrohtë dhe ftuese, kombinimi më i këshilluar është ai midis të kuqes dhe të artës. Ndërsa për të pasur një efekt më elegant dhe të ftohtë, e bardha, bluja dhe argjendi janë përzgjedhja ideale. Në momentin që keni vendosur cilat ngjyra do të karakterizojnë tavolinën tuaj, mund të vazhdohet me zbukurimet.

Mbi të gjitha mbulesa. Nuk është tamam një zbukurim, por një element që do t’i hapi rrugën pamjes së tavolinës tuaj. Edhe po ta keni zgjedhur të kuqe, të bardhë,ose blu rëndësi ka që ta lini që të zbresë sa më shumë në bordet e tavolinës. Jo aq shumë sa të takojë dyshemenë, ne atë rast nuk do ishte veçse pengesë për miqtë tuaj, por në mes të lartësisë midis dyshemesë dhe tavolinës. Në këtë mënyrë do të keni një efekt të bukur skenografie.

Për të shënuar vendet e miqve tuaj, mund të përdorni objekte të vogla të bëra me shtiza-yje, bredha të vegjël, kambana ose topa të vegjël zbukurimi, për t’i lidhur rreth picetës me një fjongo me ngjyrë. Në qoftë se keni menduar t’u lini një dhuratë miqve të tuaj në fund të drekës apo të darkës, mund t’i përdorni si shënues vendi, duke krijuar pako të vogla në formë dhe përmasa të njëjta dhe duke i personalizuar me një etiketë ose biletë.

Duhet pasur një kujdes i veçantë për zbukurimin e mesit të tavolinës. Ato më tradicionalë janë të përbërë prej boçe pishe, degë bredhi e qirinj, por po të doni të provoni diçka të ndryshme këtë Krishtlindje mund të mbushni një kambanë qelqi të madhe ose shumë kambana të vogla me shumë topa me ngjyrë, duke i vendosur gjatë pjesës qendrore të tavolinës. Në qoftë se tema është Krishtlindje e bardhë, mund të vendosni përgjatë tavolinës shandanë të artë ose të argjendtë dhe t’i zbukuroni me një fjongo atllazi të bardhë.

Pak më origjinale janë zbukurimet e bëra më boçe pishe: Zbukurimi bëhet me një boçe të vogël me nuanca ari dhe shandanët do të bëhen boçe gjigante të zbukuruara me ngjyrat që preferoni.

Një ide e bukur për të thyer pak ngjyrën e mbulesës së tavolinës, është ajo e kombinimit të fashës së mesit me një ngjyrë tjetër. Mund të zgjedhim një mbulesë të bardhë me një fashë mesi të kuqe, ose mbulesë e kuqe me fashë mesi të artë ose argjendtë, sipas dëshirës./atsh

Ide zbukurimesh për tavolinën e Vitit të Ri Read More »

Pronësia ose 10 vjet afat përdorimi i tokës, një nga kriteret për të përfituar nga IPARD II

Një nga kriteret për të përfituar nga programi IPARD II është se aplikanti duhet të provojë pronësinë mbi tokën/ndërtesën ose ndërtesat e lidhura me investimin, ose të drejtën e përdorimit me afat, të paktën 10 vjet që nga data e dorëzimit të aplikimit.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, dokumentacioni që
e përmbush këtë kriter është: Fotokopje e çertifikatës së pronësisë, e lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme mbi tokën dhe ndërtesën (at), ku do të kryhet investimi, shoqëruar nga harta treguese, kartela e pasurisë dhe planimetria (skica), ose

-Fotokopje e vërtetimit të pronësisë lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme mbi tokën dhe ndërtesën (at) ku do të kryhet investimi shoqëruar nga harta treguese, kartela e pasurisë dhe planimetria (skica), ose

– Fotokopje e kontratës së qirasë/kontrata e huapërdorjes/kontrata e përdorimit me një afat të paktën 10 vjeçar pas datës së aplikimit, e noterizuar dhe
– Fotokopje e Çertifikatës së Pronësisë e lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të
Paluajtshme mbi tokën dhe ndërtesa (at) të personave, të cilët kanë lëshuar me qera tokën
dhe ndërtesën (at), e shoqëruar nga harta treguese, kartela e pasurisë dhe planimetria (skica) e titullit të rregjistruar të pronësisë.

AZHBR ka hapur thirrjen e dytë për aplikime në Programin IPARD II, deri në datën 16.01/2020. Programi ka tre masa mbështetëse dhe për projektet fituese aplikantët përfitojnë grant 50% deri 60% të vlerës së investimit në sektorin rural./atsh

Pronësia ose 10 vjet afat përdorimi i tokës, një nga kriteret për të përfituar nga IPARD II Read More »

Kurti: Datën për formimin e qeverisë ma përcakton LDK, jo Thaçi

Pretendenti për formimin e qeverisë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se do të zhvillohet takimi konsultativ me presidentin Hashim Thaçi, por ky i fundit nuk mund t’a caktojë datën për formimin e qeverisë, pasi këtë ia përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Presidenti i Republikës përcakton datën e konstatimit të Kuvendit, jo të formimit të qeverisë. Formimin e qeverisë e përcakton tjetër kush, jo Presidenti i Republikës. Mua datën për formimin e qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike Kosovës, jo presidenti i Kosovës, pra mos të keqkuptohen gjërat”, tha Kurti.

Ai shprehet se “natyrisht që do të ndodhë takimi konsultativ, por ta vonosh maksimalisht 30 ditë konstituimin e Kuvendit e të mi dërgosh dy ftesa në ditë është kërcim prej një ekstremi në ekstremin tjetër, se cila më gabim se tjetra”, tha Kurti.

Ai tha se në janar të vitit 2020 do të vazhdohet me përpjekjet për formimin e një koalicioni me LDK-në./KosovaPress/

Kurti: Datën për formimin e qeverisë ma përcakton LDK, jo Thaçi Read More »

IPARD II/ Aplikimi për start-up, nëse përmbushen kriteret e programit

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se nuk ndalohet aplikimi i start-up, për sa kohë që përmbushen të gjitha kërkesat dhe kriteret e programit, ndonëse IPARD II adresohen tre masave mbështetëse: investime në fermë; përpunim dhe agroturizëm.

Kjo do të thotë që aplikimi për start-up duhet të orientohet tek një nga tri masat mbështetëse sipas kërkesave dhe kritereve përkatëse që parashtron Programi IPARD II.

Programi IPARD II, financohet nga BE dhe Qeveria Shqiptare me rreth 94 milionë euro në mbështetje të fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare. Objektivi i përgjithshëm i këtij programi për Shqipërinë është të mbështesë reformat dhe ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme, për të arritur pajtueshmërinë me ligjin e BE-së në mënyrë që të përgatisë plotësisht vendin për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të thirrjes së dytë është 57.68 milion euro.

Masa 1: me buxhet total 24.05 milion EURO, me një minimum prej 10,000 EURO dhe maksimum 500,000 EURO. Përqindja e mbështetjes është 60% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70% për investimet në zonat malore.

Masa 3: me buxhet total 22.75 milion EURO, me një minimum 25,000 EURO dhe maksimum 2,000,000 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

Masa 7: me buxhet total 10.87 milion EURO, me një minimum 10,000 EURO, maksimumi 400,000 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 65% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit. /atsh

IPARD II/ Aplikimi për start-up, nëse përmbushen kriteret e programit Read More »

Shqipëria ngjit shkallët e klasifikimit në turizëm/ TPG: Mes 20 destinacioneve kryesore për 2020-ën

Me mbarimin e 2019-ës, të gjithë entuziastët e udhëtimeve dhe grumbulluesit e sasive të mëdha të pikëve dhe miljeve (Tier Points) po mendojnë për destinacionin e radhës, shkruan faqja online, njëkohësisht blogu amerikan i udhëtimeve, “The Points Guy” (TPG).

Pasi bëri kërkime të destinacioneve në planet, pasi shqyrtoi raporte dhe sondazhe të panumërta, TPG përgjoi rrjetin e tij të ekspertëve të udhëtimit, studioi hartat e rrugëve dhe kërkoi për disponueshmërinë e çmimeve dhe pikave të shërbimit për të gjetur aventurën tuaj të radhës për dekadën e re.

Dhe mes tyre gjendet edhe Shqipëria.

Rezultati është një listë me destinacione të pabesueshme si Etopia, Argjentina, Afrika e Jugut, Hawai, Maroku, Singapori, Kanadaja dhe Shqipëria.

TPG shkruan se Shqipëria po ngjit shkallët e klasifikimit në turizëm.

Riviera Shqiptare

”Fshatrat e bukur dhe disa nga plazhet e virgjëra të Europës po tërheqin vizitorët drejt Shqipërisë, një vend më pak i vizituar se Kroacia dhe Italia.

Zhvillimet e reja hoteliere dhe të fluturimeve mundësojnë dërgimin e turistëve në brigjet e detit Jon.

Në Indeksin e Konkurrencës së Udhëtimit dhe Turizmit për vitin 2019 nga Forumi Ekonomik Botëror, Shqipëria u ngrit me 12 pozicione nga viti 2017, ku ishte një nga vendet me përmirësimin më të madh në listë.

Në vitin 2018 u hap kompania e fluturimeve “Air Albania”, duke valëvitur flamurin shqiptar për herë të parë që nga falimentimi i ish-linjës ajrore kombëtare në vitin 2011.

Markat e mëdha hoteliere po vazhdojnë të hedhin bazat e tyre për një përmirësim të afërt të turizmit. Linja e hotelit të njohur “Hyatt”, po zhvillon një pronë në kryeqytet, ashtu si dhe “Meliá”, linjë spanjolle hotelesh, me një pronë të ardhshme në Tiranë (2021) dhe një resort në bregdetin e Durrësit.

Shqipëria është destinacion i shkëlqyer për vizitorët britanikë të cilët kërkojnë tarifa të përballueshme udhëtimi vajtje-ardhje, të klasit të biznesit.

Çfarëdo që të bëni, thjesht shkoni atje para se të gjithë të tjerët të kuptojnë se ku keni shkuar”, përfundon TPG./ atsh

Shqipëria ngjit shkallët e klasifikimit në turizëm/ TPG: Mes 20 destinacioneve kryesore për 2020-ën Read More »

Rama përcjell fjalët nga Bibla e Shenjtë: “Besimi nuk i bën gjërat e lehta, i bën të mundura”

“Besimi nuk i bën gjërat e lehta, i bën të mundura”.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot këtë pasazh nga Bibla e Shenjtë, për të përcjellë një tjetër mesazh të fuqishëm përmes rubrikës “Fjalët e Shenjta”.

Duke cituar fjalë të shenjta nga librat e shenjtë, por edhe nga personalitetet botërore, Kryeministri Rama ka përcjellë këto javë apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit./atsh

Rama përcjell fjalët nga Bibla e Shenjtë: “Besimi nuk i bën gjërat e lehta, i bën të mundura” Read More »

407 të punësuar brenda një jave vetëm nga Zyrat e Punës

Në 1 javë (20-26 nëntor), vetëm përmes Zyrave të Punës në gjithë vendin janë punësuar 407 persona.

Sipas statistikave të publikuara sot në qarkun Berat janë punësuar 28 persona, në qarkun Durrës 25 persona, në qarkun Fier 44 persona, në qarkun Korçë 28 persona, në qarkun Dibër 25 persona.

Po ashtu, në qarkun Elbasan janë punësuar 48 persona, në qarkun Gjirokastër 5 persona në qarkun Kukës 15 persona.

Gjatë kësaj jave në qarkun Lezhë janë punësuar 26 persona, në qarkun Shkodër 39 persona, në qarkun Tiranë 72 persona dhe në qarkun Vlorë 52 persona./atsh

407 të punësuar brenda një jave vetëm nga Zyrat e Punës Read More »

Nënë Bejaze me shtëpi të re natën e ndërrimit të viteve

Kryetari i grupit Parlamentarë të PS-së Taulant Balla tha sot ne nënë Bejaze do ta kalojë në shtëpi të re ndërrimin e viteve.

“Kush e mban mend nënë Bejazen dhe shtëpinë e saj të shkatërruar tërësisht. Por ndërrimi i viteve do të ndryshojë edhe jetën e saj”, shprehet ai.

Më herët, kishte nisur puna për rindërtimin e banesës së 95-vjeçares në Spathar të Librazhdit.

“Nënë Bajaze Kurti 95 vjeç nuk është vetëm. Shtëpia e rrënuar, do të ndërtohet dhe do të mobilohet. Punimet po ecin shumë mirë dhe shumë shpejt do jemi këtu përsëri kur gjithçka të ketë mbaruar”, tha Balla në atë kohë. //atsh

Nënë Bejaze me shtëpi të re natën e ndërrimit të viteve Read More »